Letër e nënshkruar,
Sadik Përleka
E dashur Dita! Më datë 13 qershor ish matura A e vitit 1968 vërshuan nga Tropoja e Hasi, Mati e Kurbini Mirdita e Puka, me ankthin për t’u takuar në 47 vjetorin e ndarjes. U mblodhëm në ambientet e shkollës bujqësore. Takim emocionues, shtrëngim duarsh, përqafime, lot gëzimi që u takuam e lot hidhërimi për shokët e ndarë nga jeta, keqardhje e kuriozitet për ata që munguan për arsye të ndryshme. Një apel simbolik nën vëzhgimin e kameras. Secili sjell nga një episod nga adoleshenca e viteve 1964 deri në 1968 që shkaktojnë të qeshura, emocione ngazëlluese. Kujtohen me respekt mësuesit e atyre viteve që nga drejtori e deri tek kujdestarët e konviktit e punonjësit e shkollës që dhanë gjithë bagazhin e tyre teorik e praktik në mënyrën më njerëzore e prindërore, që të na përgatisnin sa më mirë për jetën. Së bashku konsumuam edhe një drekë, ku nuk munguan edhe aty urimet e ndërsjellta, të qeshurat, kujtimet… Në fund, ndarja me po aq emocione sa fillimi, por me shpresën për t’u takuar përsëri në 50 vjetorin e mbarimit të shkollës, e përse jo edhe në 60 vjetorin. Nga një pjesëmarrës në takim, Manëz, Durrës.
