Letër e nënshkruar
Dionis Xhafa
Më qëlloi të isha te Spitali Ushtarak i Tiranës. Në të hyrë takoj rastësisht një djalë 23-vjeçar, një vlonjat me origjinë dhe mjaft i mprehtë në të debatuar. Nisur për në Greqi për një jetesë më të mirë që në moshën 12-vjeçare, ai vërtetë nuk kishte një diplomë shkolle, por kishte një diplomë dhe mos një eksperiencë jete ndoshta të pakrahasueshme. Në të folur më ngjante si një njeri i “çuditshëm”, si një njeri kundër sistemit, një njeri pa kurrfarë droje, i lirë dhe shumë kritik, konciz e fjalëpak.
Më thotë: “Më duhet të vija sot nga Vlora në Tiranë se spitali i qytetit nuk ka mjekë që bëjnë analiza gjaku. Për kaq gjë, duhet të vish këtu. Kushton rruga, kushton pritja prej 2-3 orësh këtu kafeve, por pa një 30 mijë lekësh nuk i lëviz duart as mjeku. Këtu drejtori i spitalit është edhe drejtor, edhe kirurg. Kur e kërkon për drejtor, thotë po bëj operacion, kur e fton për kirurg, të thotë se kam punë si drejtor…”
Ky njeri më la përshtypje të thella. Ai ndoshta ishte njeriu që pluhurin e sistemit e kish thithur aq shumë sa e kish në fyt dhe ia ndieje qartë në çdo fjalë që fliste.