Vëllai më i vogël i George W. Bush, Jeb, po mendon të kandidojë për kreun e Shtëpisë së Bardhë, por shumë republikanë nuk duken entuziastë për këtë alternativë
Prej disa javësh në Shtetet e Bashkuara po diskutohet për mundësinë që Jed Bush, 61 vjeç, djali i dytë i presidentit të 41 të Shteteve të Bashkuara, George H. W. Bush, të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016. Jeb është një bashkim inicialesh të emrit të tij të plotë, John Ellis Bush. Ai ka qenë guvernator i shtetit të Floridës në vitet 1999-2007, i vetmi republikan që ka mbuluar këtë rol për dy mandate rresht. Disa ditë më parë, ai deklaroi për shtypin amerikan se po mendon seriozisht të kandidojë dhe se do të vendosë mbi këtë temë brenda vitit.
Konsiderohet si një i moderuar, pasi gjatë viteve të fundit e ka bazuar retorikën e tij politike në kritikën e pozicioneve tepër konservatore të partisë së tij. Ai kërkon t’u garantohet emigrantëve që kanë hyrë ilegalisht në SHBA një lloj statusi: “Po, thyejnë ligjin, por nuk ky është një krim. Është një akt dashurie”.
Kandidatura e mundshme për president u prit me një farë skepticizmi mes republikanëve por edhe me shumë kuriozitet nga mediat, para së gjithash sepse është një Bush, pastaj edhe për shkak të qëndrimeve të tij liberale (si republikan) në lidhje me disa çështje thelbësore si emigrimi në SHBA apo arsimi. Amerikanët kanë në praktikë precedentë të ndryshëm me dinasti politike në pushtet, mjafton të mendosh për kandidaten favorite të zgjedhjeve të ardhshme, mban mbiemrin Clinton.
Një nga aspektet në të cilat Jeb Bush ka premtuar të dallojë nga pjesa tjetër e republikanëve është stili. Gjatë fjalimit të së dielës, të mbajtur në muzeun “George Bush” në Teksas, me rastin e 25-vjetorit të presidencës së të atit, Jeb u shpreh: “Kemi nevojë të zgjedhim kandidatë që kanë një vizion më të gjerë, që të jenë të organizuar për të fituar bashkë dhe jo vetëm për të shënuar një pikë pozitive në favorin e tyre. Fushatat tona elektorale duhet të shërbejnë për të dëgjuar, për të mësuar dhe përmirësuar. Ndërsa gjatë këtyre viteve kemi humbur rrugën tonë. Nuk dua të kritikoj partinë time, por vetë fushatat elektorale duhet të reflektojnë Amerikën e re”.
Kritika më e madhe që i bëhet Jeb-it është fakti se ai ka qëndruar shumë kohë larg garës politike kombëtare. Kanë kaluar 12 vjet nga fushata e tij elektorale për zgjedhjen si guvernator.
Ben Smith, drejtor i gazetës elektronike “Buzzfeed” dhe ish-gazetar i “Politico” shkruan se gjatë kësaj kohe Bush ka humbur shumë, së pari “ngritjen e gjeneratës së re të politikanëve si Marco Rubio, PaulRayan, Scott Walker etj., të cilët janë formuar në kontekstin e ri politik dhe kanë modeluar pozicionet e partisë. Problemi, – shkruan Smith, – është se Jeb Bush e ka përqendruar deri tani fjalimin e tij politik mbi opozitën e Partisë Republikane, duke u afruar me forcat e qendrës dhe duke pakësuar mbështetjen e konservatorëve amerikanë”.
Jeb është shumë i afërt me ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Mike Bloomberg, laik i moderuar dhe i pavarur. Miqësia me të është një tjetër aspekt që nuk i pëlqen aspak partisë së tij. Ndërmjet objektivave të fondacionit të ngritur nga Bloomberg janë: mbyllja e centraleve elektrike të furnizuara me karbon dhe ashpërsimi i ligjeve që rregullojnë shitjen e armëve. Edhe brenda familjes Bush ka nga ata që kanë thënë se kandidatura e Jeb nuk është një ide e mirë. Siç shkruan “New York Times”, vitin e kaluar Barbara Bush, nëna e tij kishte thënë publikisht se vendi nuk kishte nevojë për një tjetër Bush në Shtëpinë e Bardhë. Por muajin e fundit ajo e përtypi këtë deklaratë duke thënë se Jeb ishte “personi më i kualifikuar për të mbuluar rolin e presidentit”./Dorina Gjuzi

nje tjeter monster nga familja adams?
Te na falni por emri Barbara sikur nuk na kujton nenen e Jeb por kunaten e tij, megjitheate thenia e pare e saj qe: Vendi nuk ka nevoje per nje tjeter KaraBush, eshte me se e sakte dhe shume e drejte.
Mamaja e Jeb dhe bashkeshortja e George H. W. Bush quhet Barbara Pierce Bush, ndersa
kunata e Jeb quhet Laura Bush