Një grua rreth të 50-ave është vrarë në qytetin e Fierit ndërsa hynte në banesën e saj. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, ndërkohë që burimet nga policia bëjnë të ditur se gruaja është goditur me thikë dhe është lënë e vdekur. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes, ndërkohë që brenda 24 orëve është rasti i dytë i dhunimit të grave.
Gjatë paradites
Një tjetër rast dhune ndaj një gruaje shtatzënë është shënuar sot. Pas vrasjes barbare të Manushaqe Çelikut në Orikum pak ditë më parë, një rast i ngjashëm, fatmirësisht pa viktima, është regjistruar në Korçë.
Sipas policisë, një 30-vjeçare me inicialet R. I., në muajin e gjashtë të shtatzënisë, është dhunuar barbarisht nga bashkëshorti i saj.
Ajo është dërguar menjëherë në spital, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në kokë, për shkak të plagëve të marra.
Burimet spitalore bënë të ditur se fatmirësisht fëmija nuk ka pësuar dëmtime, ndërsa shëndeti i nënës po monitorohet nga bluzat e bardha.
Ndërkohë, nga uniformat blu mësohet se burri është arrestuar.
Tri ditë më parë, Manushaqe Çeliku, nënë e dy fëmijëve, shtatzënë në muajin e gjashtë me fëmijën e tretë, u vra barbarisht nga i shoqi në Orikum të Vlorës.
