Brohoritje, entuziazëm dhe duartrokitje, kjo ka qenë atmosfera ditën e djeshme, teksa të dy parlamentet e Kievit dhe BE-së, ratifikuan Marrëveshjen e Asocimit. Pamje të rralla dhe deklarata optimiste, kanë shoqëruar votimin e konsideruar si historik, i cili u transmetua drejtpërsëdrejti në të dy parlamentet përkatës. Marrëveshja e ratifikuar, pritet të mundësojë hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet me BE-në dhe afrimin gradual të Ukrainës drejt Bashkimit Europian.
Për Presidentin e Parlamentit Europian, Schulz, kjo ishte pikërisht demokracia e vërtetë, pasi të dy parlamentet, lirisht, vendosën të prononcoheshim në të njëjtën moment mbi këtë Marrëveshje. Ndërsa Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko, do të deklaronte pak para votimit se ukrainasit kanë përmbysur trenin ekspres, që shkonte drejt Lindjes. Për Poroshenkon, ratifikimet e sinkronizuara të Marrëveshjes janë sinonim i festës, jo vetëm për Ukrainën por gjithashtu edhe për Europën, sepse pa Ukrainën nuk ka Europë të unifikuar.
Nënshkrimi i Marrëveshjes, vlerësohet se hap një kapitull të ri në marrëdhëniet e BE-së me Ukrainën, sidomos në momentet kur marrëdhëniet e Kievit me Moskën janë të tendosura. Marrëveshja e Asocimit përfshin një marrëveshje të plotë dhe të thelluar të shkëmbimit të lirë. Dispozitat parashikojnë një asocim politik të ngushtë, një integrim ekonomik midis BE-së dhe Ukrainës si edhe një akses të lirë në treg për të dyja palët. Marrëveshja pritet të rrisë të ardhurat për Ukrainën në rreth 1.2 bilion euro në vit, ndërsa eksportet e Ukrainës drejt BE-së, pritet të rriten me rreth 1 bilion euro në vit.
Dispozitat e Marrëveshjes, përafrojnë Ukrainën me BE-në, duke hapur dy kanale të rinj në terma të dialogut politik dhe duke mundësuar një kuadër bashkëpunimi në fusha të tilla si energjia, transportet dhe edukimi. Marrëveshja i imponon Ukrainës ndërmarrjen e reformave dhe respektimin e principeve demokratike si të drejtat e njeriut, por edhe shtetin e së drejtës. Ajo parashikon gjithashtu një qarkullim në rritje të punëtorëve dhe fikson objektivat për krijimin e një regjimi përjashtimi të vizave si edhe një përafrim të legjislacionit nga të dy palët, duke krijuar një kalendar preciz që Ukraina të fillojë adoptimin e disa pjesëve të legjislacionit evropian.
Kjo marrëveshje dhe dispozitat mbi hapësirën e shkëmbimit të lirë, integrojnë gjithashtu në një masë të gjerë tregjet evropiane dhe ukrainase, duke fshirë të drejtat e importimit dhe shtrëngesat e tjera tregtare dhe duke parashikuar kufizime specifike dhe periudha tranzicioni për disa fusha të ndjeshme, siç është tregtimi i produkteve të agrikulturës. Ajo përfshin gjithashtu në mënyrë të pjesshme tregjet publike.
Kleçka e Marrëveshjes
Por, pavarësisht votimit që mund të konsiderohet si historik, entuziazmit, optimizmit dhe brohoritjeve hyrja e Marrëveshjes në fuqi, mund të behët vetëm pasi të kalojë ratifikimin në 28 vendet anëtare. Një proces, i cili vlerësohet se mund të zgjasë me vite. Deri në këto momente ratifikimi është kryer vetëm në 6 vende të BE-së.
Nga ana tjetër, marrëveshja e kryer vetëm një javë më parë mes Brukselit, Moskës dhe Kievit për shtyrje të zbatimit të saj në terren, për në vitin 2016, i ka dhënë vlera të një natyre krejtësisht simbolike këtij procesi. Kundërshtimet dhe kërcënimet e hapura të Moskës zyrtare, stepja e politikës së Kievit, por edhe këndvështrimi i Brukselit mbi një kompromis të nevojshëm për ruajtjen e stabilitetit rajonal, mundësuan uljen në një tryezë të trekëndëshit diplomatik, Bruksel-Kiev-Moskë. Një marrëveshje, që u vlerësua nga një sërë zërash reagues nga brenda politikës dhe shoqërisë civile të Kievit, si jo transparente dhe e kryer pas dyerve të mbyllura. Akuzat shkonin deri në tradhti të aspiratave të qytetarëve ukrainas, duke krijuar një klimë tensioni për rikthim të protestave në sheshin Mejdan. Reagimet analitike, që vinin nga Kievi, fokusoheshin mbi një fitore gjeopolitike të Moskës zyrtare dhe triumf të politikës së Putinit.
Por, një tjetër optikë karakterizon logjikën e politikbërjes së Brukselit dhe Berlinit. Sipas kësaj optike, kjo shtyrje në kohë ishte një kompromis i nevojshëm, që jep siguri ndaj stabilitetit të mëtejshëm të rajonit. Këndvështrimi i Berlinit shtrihet edhe më tej, teksa vlerëson se një marrëveshje e tillë midis BE-së dhe Ukrainës, nuk duhet të shtyjë Ukrainën drejt një pozicionimi zgjedhjeje, ose njërën ose tjetrën, pra ose me Rusinë, ose me BE-në. Dëshira e Berlinit shkon për krijimin e një hapësire ekonomike të integruar në rajon. Çka nënkupton mundësinë që Ukraina të afrohet ekonomikisht me BE-në, duke ndjekur në të njëjtën kohë marrëdhëniet tradicionale të ngushta ekonomike me Rusinë. Një opsion, që duket se të paktën në princip, përshtatet edhe me interesat gjeopolitike të Moskës, por qetëson disi edhe frikën apo stepjen e politikës zyrtare të Kievit.
Por, përtej argumenteve tejet të logjikshëm për një diplomaci kompromisi dhe ruajtjen e parametrave të stabilitetit rajonal, një tjetër shqetësim analitik duket se po ngrihet përballë veprimit të diplomacisë evropiane: A mundëson kjo platformë veprimi, bazë për krijimin e një precedenti të rrezikshëm, duke i njohur Moskës të drejtën të ndërhyjë në marrëdhëniet e BE-së, me vendet e treta?! Një përgjigje pozitive ndaj kësaj pyetje logjike, do të zbardhte edhe dyshimin, nëse kjo do të ishte fitorja më e madhe për Putinin./im.ta/