Një tjetër i arrestuar për skemën e fajdeve në Shkodër

Leda Hysa

Arrestohet një tjetër person i shpallur në kërkim për skemën e fajdeve në Shkodër, të zbuluar në mars të një viti më parë.

Në vijim të operacionit “Maranaj”,  policia arrestoi  mesditen e të dielës J. A., 23 vjeç, banues në Shkodër.

Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale ”Ushtrim pa licencë i veprimtarisë bankare, me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Me 14 mars të 2019 u zbulua një skemë fajdesh në Shkodër, për të cilën u arrestuan 12 persona dhe 4 u shpallën në kërkim, mes tyre edhe i arrestuari i fundit.

Biznesmenëve apo qytetarëve në vështirësi ekonomike u jepnin para me fajde me 3 deri në 20 % në javë, por në rast se ata dështonin të kthenin shumat u merrnin shtëpitë, prona apo gjithëcka që kishin lënë peng me marrëveshje noteriale.

Me këtë skemë vepronte prej kohësh një grup fajdexhinjsh në kryeqendrën e veriut, ku të përfshirë rezultojnë noterë, avokatë dhe një efektiv i policisë.

Alarmi ishte ngritur prej kohësh, por prokuroria kishte nisur një procedim penal në fund të Janarit, pasi një person e denoncoi fenomenin në polici. Pas disa muajsh hetimesh e përgjimesh, Prokuroria hartoi dosjen me të cilën mori miratimin e gjykatës për arrestime e kontrolle banesash.

Operacioni i koduar “Maranaj” u ndërmor në orët e para të mëngjesit të 14 marsit, kur forcat Speciale nga Tirana zbarkuan në Shkodër në një aksion blitz dhe 11 persona u vunë në pranga gjatë kontrollit në 22 banesa. Një tjetër u kap teksa tentoi të arratiset drejt Kosovës.

Ata akuzohen për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Ushtrim aktiviteti financiar të palicencuar”, “Shpërdorim detyre”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Moskallëzim krimi”.

 

l.h/ dita

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *