Habjon Hasani
Pas një privatizimi të shumëpërfolur në vitin 2008, Rezart Taçi u detyrua ta shesë kompaninë ARMO në vitin 2013. Shitja nga Taçi i një aseti strategjik të industrisë përpunuese u bë në kushte të paqarta ndërsa qeveria Berisha që e mbështeti pa fund Taçin gjatë 8 viteve, po bëhej gati të dilte në opozitë. Blerësi në vitin 2013 ishte një kompani e quajtur “Heaney Assets Corp” e regjistruar në parajsën fiskale të Ishujve Virgjine, me pronësi anonime. Transaksioni u nënshkrua për 50 milionë euro.
Nga këto 50 milionë euro, 35 i shkuan kompanisë ANIKA Enterprise të regjistruar në Zvicër nga Taçi, i cili nëpërmjet kësaj kompanie kontrollonte rreth 58 përqind të gjithë kompanisë ARMO të ndarë në disa zëra aksionerësh, përfshirë ministrinë e Ekonomisë me 15 për qind. Pra kompania ANIKA Enterprise kishte thelën e luanit në paketën e pronarëve të së vetmes rafineri të përpunimit të naftës në vend. Pasi kryen shitjen, transaksioni duhej të merrte bekimin e Autoritetit të Konkurrencës. Përndryshe shitja nuk quhet e kryer.
Autoriteti i Konkurrencës është institucion kyç shtetëror, i cili ka dhe tagrin që ta anulojë marrëveshjen nëse e sheh të arsyeshme. Por që Autoriteti i Konkurrencës të arsyetojë, i duhet më së pari të mbledhë dhe të studiojë dokumentacionin e aktorëve të përfshirë në transaksion. Një nga dokumentet kyçe është bilanci i vitit 2012 i kompanisë “ANIKA Enterprise” e cila është e regjistruar në Zvicër.
Sipas dokumentit që DITA boton sot, Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar kësaj kompanie që të paraqesë bilancet e saj për vitin 2012. Por kompania nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë, i është shmangur detyrimit. Autoriteti i Konkurrencës e ka gjobitur më pas me një shumë prej 1 milionë lekësh, por më e rëndësishme se gjoba duket se është motivi që shtyn kompaninë ANIKA që të fshehë bilancet.
Borxhet dhe Fitimet
Vetëm nga bilancet e vetëdeklaruara të kompanisë ARMO rezulton se kjo kompani kishte borxhe në vitin 2013 rreth 66 milionë dollarë. Nga këto borxhe, 34 milionë dollarë ishin borxhe që ja kishte vetëm kompanisë shtetërore “Albpetrol”. Pra në momentin kur është kryer transaksioni i shitjes, ARMO ka qenë përzier me një situatë delikate borxhesh dhe detyrimesh dhe me siguri që kompania ANIKA Enterprise e kontrolluar nga Taçi, duke qenë se ka pjesën kryesore të aksioneve, patjetër që ka pasur dhe pjesën kryesore të detyrimeve. Vlerësimi i kësaj situate dhe raportit mes fitimeve të ANIKA-s dhe borxheve të ARMO-s, në kontekstin e operacionit për shitjen e kompanisë, me siguri që do të ishte objekt i punës së Autoritetit të Konkurrencës. Bilancet e kompanisë ANIKA Enterprise, kanë pasur një rëndësi të dorës së parë, për të vlerësuar situatën dhe gjendjen në tërësi të kompanisë dhe domethënien e transaksionit. Pikërisht këto bilance nuk i janë ofruar Autoritetit të Konkurrencës, duke mbyllur në këtë mënyrë ciklin e një privatizimi të dyshimtë të nisur në vitin 2008, me një arrogancë të shfaqur në vitin 2014, ku kompania ANIKA Enterprise, refuzon t’i përgjigjet një institucioni shtetëror, që ka tagër ligjor dhe t’ia anulojë kontratën e shitjes, por që në rastin konkret është mjaftuar me një gjobë prej 1 milionë lekësh.
***
Milo: Kompania ANIKA refuzoi të na tregonte bilancet
Prononcimi i kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo, mbi ngërçin e krijuar pas refuzimit të kompanisë ANIKA Enterprise për të dorëzuar pranë këtij institucioni bilancin e vitit 2012

Zonja Milo, Autoriteti i Konkurrencës që ju drejtoni ka publikuar online një dokument të muajit Prill 2014, ku i kërkoni kompanisë ANIKA Enterprise të vërë në dispozicion bilancet e vitit 2012. Mund ta dimë çfarë ka ndodhur me këtë kërkesë tuajën?
Po, ne e kemi kërkuar këtë dokument pranë kompanisë që ka aktualisht pronësinë e ARMO. Në fillim na është premtuar se do e jepnin, por më pas nuk e dhanë dhe ne u detyruam t’i gjobisim me 1 milionë lekë. Edhe këtë gjobë ata e kanë kundërshtuar në gjykatë.
Institucioni që ju drejtoni ka tagrin ligjor dhe ta anulojë këtë transaksion apo jo?
Po, e ka tagrin, por ne ndoqëm një procedurë që synonte vlerësimin e ndikimit në treg të kompanisë blerëse për të parë raportet e faktorëve në treg pas shitjes. Nëse blerësi kishte ndërkohë ndonjë pjesë të tregut etj. Kontrolle të cilat ne i kryejmë rregullisht.
Dakord zonja Milo. Por në mos gaboj kompania ARMO është aseti i vetëm në Shqipëri i industrisë përpunuese të naftës. Është një monopol i rëndësishëm, strategjik. Pikërisht në transaksionin e shitjes së këtij aseti strategjik, njëra nga palët refuzon të ofrojë bilancet e vitit 2012. Ju duket e

normale kjo gjë?
Nuk më duket aspak normale ndaj dhe kemi vepruar me një gjobë ndaj tyre.
Bilanci është një dokument bazik pa të cilin ju nuk mund të arsyetoni mbi natyrën e transaksionit të kryer, apo jo? Juve jeni privuar nga një dokument bazik dhe në njëfarë mënyre jeni nxjerrë jashtë loje, kështu i bie?
Ne kemi ndjekur procedurën ligjore për sigurimin e të gjitha të dhënave që na duheshin për të bërë vlerësimin mbi këtë transaksion. Duhet të mbani parasysh se kompania e cila nuk ka sjellë bilancin është e regjistruar në shtetin e Zvicrës dhe kjo ka krijuar dhe vështirësi të tjera shtesë, ne kemi kërkuar me këmbëngulje dorëzimin e këtij dokumenti dhe kur kemi parë se nuk është ofruar, kemi vepruar me gjobën sipas ligjit. Duhet të mbani parasysh gjithashtu se në tërësi procesi i shitjes ka pasur një problematikë të veçantë dhe ka përfaqësuar një kontratë me probleme të kryer në rrethana të caktuara.
***
Si u shit kompania ARMO 50 milionë euro më Gusht 2013
Rezart Taçi, kishte disa vite që ishte në probleme financiare. Ai e privatizoi ARMO-n me lekë të marra borxh dhe me shumë gjasa blerësit e rinj janë azerët, të cilët ia dhanë atij këto lekë për ta privatizuar ARMO-n dikur. Pasi u bë pronar, Taçi nisi të linte si kolateral në banka disa asete të ARMO-s për të marrë kredi në disa dhjetëra miliona euro, të cilën më pas e investonte; ndër të tjera i ka investuar edhe në tri kompani të cilat janë “Taçi Oil”, “KUID” dhe “Europetrol”, të cilat Taçi së bashku me interesat e ARMO-s, i shiti mëngjesin e së martës më datën 6 Gusht në një shumë totale prej 50 milionë eurosh. Rezart Taçi kontrollonte 85 për qind të aksioneve të paketës së aksioneve të ARMO-s. Pjesën tjetër e kontrollonte Ministria e Ekonomisë. Këto aksione te ARMO, Taçi i kontrollonte nëpërmjet konsorciumit “AMRA Oil sha”. Në këtë konsorcium, Taçi zotëronte 70 për qind të aksioneve (nëpërmjet kompanisë ANIKA) dhe pikërisht këto aksione shiti në shumën e 35 milionë eurove, duke e bërë automatikisht blerësin pronar të paketës kryesore kontrolluese të ARMO-s. Por pjesë e operacionit të shitjes ishin dhe interesat e tij në tri kompanitë e tjera, që u shitën në një total prej 15 milionë eurosh, duke përmbyllur në këtë mënyrë shumën totale prej 50 milionë eurosh.

Kompania blerëse quhet “Heaney Assets Corp”, ajo është një kompani e regjistruar në Ishujt Virgjinë Britanikë. Ç’ka do të thotë se është një kompani me pronarë të fshehur, një kompani “offshore”.
Në kontratën e shitjes kjo kompani ka lënë si adresë kontakti një zyrë në Evropë. Ajo është zyra e një firme të quajtur “Fortrust Global S.A” e cila ndodhet në Bulevardin “Royal” në Luksemburg. Si person kontakti në Luksemburg është caktuar një zonjë me emër rus, Elena Krotova quhet. Por diçka më tepër mbi identitetin e blerësve mund të mësohet nga personi që erdhi në Tiranë për të nënshkruar kontratën. Blerësi nga Ishujt e Virgjër Britanikë, kishte autorizuar dhe kishte veshur me të gjithë besimin e tij për nënshkrimin e kontratës një person të quajtur Abe Halati.
***
ARMO e zhytur në borxhe, 66 milionë dollarë totali
Shifrat e bilanceve të kompanisë ARMO pasi e shiti Taçi në vitin 2013, të botuara në DITA
Një greminë me borxhe ka arritur të krijojë kompania ARMO që pas privatizimit të saj në vitin 2008 kur u privatizua nga biznesmeni Rezart Taçi. Gazeta “Dita” ka zbardhur për herë të parë, të dhënat bazike të borxheve që ka akumuluar kjo kompani në formë kredie në bankat kryesore të vendit, në kompani private dhe shtetërore si dhe tek furnitorët e saj.
Të dhënat janë siguruar nga paketa zyrtare e deklaruar e borxheve nga Rezart Taçi për tek kompania “Heaney Assets”, përpara se kjo e fundit të blinte në vlerën e 50 milionë eurove kompaninë ARMO dhe tri kompani të tjera përveç saj një muaj më parë. Mbi 60 milionë euro rezultojnë kreditë e marra prej Taçit në disa banka shqiptare dhe të vetë deklaruara prej tij. Në dokumentacion nuk jepen të dhëna të hollësishme mbi ristrukturimin apo ecurinë e pagesës së këtyre kredive, por janë të përcaktuara shumat e kredisë dhe objektet e lëna si kolateral nga kompania ARMO.
Vështirësitë
Taçi ka shfaqur vështirësi gjatë 4 viteve për shlyerjen normale të kësteve të këtyre kredive, duke rritur në këtë mënyrë dhe interesat që i duhej të paguante. Por përveç kredive në banka Rezart Taçi dhe kompania ARMO kanë akumuluar një borxh të rëndësishëm edhe në disa kompani private prodhuese ose shërbimi si dhe në kompaninë Albpetrol. Borxhet në kompani private dhe shtetërore kapin shifrën e 6 miliardë e 674 milionë e 600 mijë lekëve ose afro 66 milionë USD, nga të cilat 34 milionë USD janë borxhi që ARMO i ka kompanisë Albpetrol, sipas letrave. Këtij borxhi i shtohen dhe borxhet ndaj furnitorëve që kapin një shifër totale prej afro 12 milionë dollarë. Vetëm me këto tre parametra borxhesh shuma totale e borxh-kredisë së akumuluar nga kompania ARMO kalon shifrën e 120 milionë eurove, ndërsa vlen të theksohet se në këtë përllogaritje nuk janë përfshirë borxhet që ARMO i ka si detyrim pagesë-qiraje disa dhjetëra pikave të karburantit apo borxhet ndaj të tretëve për të cilat kompania ARMO është paditur në gjykatë.
Komplikimi
Pavarësisht se nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, shitja e ARMO-s tek azerët dhe largimi i Taçit ka surprizuar jo pak tregun e naftës. Cilat janë prapaskenat e një operacioni me shumë mistere, planet e ardhshme dhe si do të ndikojë kjo lëvizje në tregun e karburanteve në vend? Siç tregojnë dhe bilancet, ARMO në të vërtetë iu shit azerëve për 150 milionë euro, por me zbritjen e borxheve, mbeten cash vetëm 30 milionë euro. Taçi e bleu ARMO-n për 128 milionë euro, më pas ai hapi zyra dhe luante në Bursën e Singaporit, kërkoi të privatizonte “Albpetrol”-in për 850 milionë euro, xhiroi në vitin 2012 rreth 350 milionë euro nga kompanitë e naftës dhe… u largua në gusht, duke i shitur të gjitha, pasi ishte i mbytur në borxhe (!). Historia e ngritjes dhe rënies së Rezart Taçit, personazhit kontrovers që turbulloi tregun e karburanteve në vend, por edhe politikën, është e shoqëruar me shumë mistere. Gjatë gjithë historisë 10-vjeçare të tij është folur mirë dhe keq, por pas datës 8 gusht 2013, nuk do të përmendet më për asnjë nga karakteret. ARMO-ja e tij, të cilën aq e dëshironte, nuk do të jetë më pronë e “Taçi Group”, por e një grupi investitorësh, kryesisht nga Azerbajxhani, me konsorciumin “Heaney Assets Coorporation”.
***
Kreditë e marra në banka nga Rezart Taçi dhe ARMO
27 milionë e 250 mijë dollarë, lënë si kolateral TEC-i i Ballshit
• 1 miliardë e 505 milionë lekë, lënë si kolateral KPTHN Ballsh, Depozita e Përrenjasit
• 361 milionë e 776 mijë lekë, lënë si kolateral DSHK Durrës dhe DSHK Fier
• 1 milionë euro, lënë si kolateral FIETK Vlorë
• 14 milionë e 100 mijë dollarë, Taçi Oil dhe Kuid janë garantues të kredisë
• 7 milionë e 250 mijë dollarë, lënë si kolateral, TEC Ballsh, UPN, Depozita Shëngjin
***
Borxhet në kompani private dhe shtetërore:
• Totali i borxhit: 6 miliardë e 674 milionë e 600 mijë lekë (ose afro 66 milionë USD, nga të cilat 34 milionë USD janë borxhi që ARMO i ka kompanisë Albpetrol) Borxhe të kompanisë te furnitorët:
• Borxhe në dollarë: 2 milionë e 519 mijë euro
• Borxhe në lekë: 1 miliardë e 64 milionë e 101 mijë lekë

po futini hekurat ketij mashtruesi!!!
Ajo qe bie ne sy nga tere kjo loje me naften dhe ndermarrjet e naftes, mbas kesaj loje 20 vjeçare
te berisheve, nanove e taçeve eshte shkaterrimi total i industrise se naftes, flakja masive e fuqise punetore, shfrytezimi pa kriter i rezervave, shkaterrimi i rrugeve e ndotja e qyteteve nga kalojne botet e pafund me nafte bruto dhe si perfundim…bilancet me humbje te kompanive bandite.
Sali Berisha- vetem per kete mos te te gjendet vend varri.
ORE SI MUND TE KETE DNODHUR NJE GJE E TILLE DHE MOS JETE MARER VESH??
I LUTEM dITES TA SHOHI KETE LAJM NESE ESHTE INFORMACION I SAKTE SE ESHTE SKANDAL
Taci eshte nje nga monstrat e Berishes sic eshte dhe Zamir Mane, Fullani etj.
Qe te pastrosh vendin nga keta mosntra duhet te merresh me Berishen se pari, pastaj me Bashen etj.