Festivali i 54-t i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, këtë vit ka premtuar ndryshime të mëdha. Si çdo vit, festivali do të mbahet në fund të muajit dhjetor, përkatësisht 25, 26 dhe 27 dhjetor. Drejtor artistik është muzikanti Elton Deda, ndërsa janë bërë me dije dhe emrat e tre prezantuesve.
Këto ditë janë zbuluar edhe emrat e protagonistëve që do të ngjiten në skenë për të prezantuar festivalin. Pandi Laço do të jetë skenaristi dhe gentleman-i me fat që do të shoqërojë në skenë aktoren nga Kosova, Gresa Pallaska dhe gazetaren Blerta Tafani. Kjo është treshja prezantuese. Duken karaktere të ndryshme dhe pa lidhje me njëri-tjetrin, por kështu është menduar dhe kështu do bëhet. Na mbetet vetëm të shohim se si do të shkojë kjo punë edhe këtë vit.
Por nga ana tjetër pak ditë më parë, blogu wiwibloggs, që i dedikohet festivalit të Eurovizion-it, shkroi një artikull ku listonte 10 arsye pse Festivali i Këngës duhet të zëvendësohet nga ‘Kënga Magjike’. Sipas tyre Shqipëria mund t’ia dalë edhe më mirë në Eurovizion nëse përfaqësohet denjësisht, me një festival modern. Tani të presim dhjetorin e të shohim çdo të na sjell ky festival, i cili për çdo vit është përfolur.
