Nga baza ushtarake e Adana në Turqi
Anila BASHA
Adana është në dukje një qytet i qetë. Por pas qetësisë dhe të ftohtit që ka përfshirë Turqinë, qyteti me mbi 1.5 milionë banorë përjeton tmerrin e përditshëm të ndonjë sulmi të mundshëm, jo me dashje, që mund të vijë nga përtej kufirit, nga Siria, aty ku prej më shumë se dy vitesh, regjimi i Bashar Al Assad dhe forcat rebele janë duke u përplasur, duke shkaktuar me mijëra e mijëra viktima.
Adana, është 100 kilometra larg kufirit sirian. Ndërkohë që Alepo, qyteti me më shumë luftime në anën tjetër, në Siri, gdhihet e ngryset nga sulmet e forcave rebele, nga ato të regjimit, por edhe nga hedhja e raketave, tokë-tokë, tokë-ajër.
“Nuk dihet gjë me saktësi për sasinë dhe numrin e raketave që janë në Siri. Prej vitesh regjimi ka pasur shumë të tilla. Tani, shumë mund të kenë rënë edhe në duart e rebeleve. Vetëm javën e kaluar, në radarët tanë, u kapën të paktën 9 raketa”, thotë një zyrtar i NATO-s që nuk do të identifikohet, edhe për shkak të “ruajtjes së sekretit” që duhet të kihet prioritet nga vetë organizata.
Një grup gazetarësh, të organizuar nga zyra e shtypit e NATO-s, jemi nisur mes motit të keq drejt bazës ushtarake në Adana. Misioni i thjeshtë: opinioni publik në mbarë botën, duhet të marrë vesh se një vend aleat i NATO-s, nëse kërkon ndihmën e Aleancës, do të mbrohet.
“Ishte dhjetori i vitit 2012, kur pas luftimesh të ashpra brenda Sirisë dhe hedhjes së raketave të para, Turqia, si vend aleat i NATO-s, duke shfrytëzuar artikullin 4 të Traktatit të Aleancës, kërkoi ndihmë për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm brenda territorit të saj, duke qenë se sulmet po ndodhnin shumë pranë zonës kufitare. Vendet e Aleancës vendosën me unanimitet për të ndihmuar Turqinë, me misionin specifik të ruajtjes me sistemin e raketave, tokë tokë, e tokë-ajër” sqaron Tony Ëhite i zyrës së shtypit të NATO-s, ndërsa kishim hipur në avion për të udhëtuar nga Stambolli drejt qytetit, Adana. Tre shtete të cilat janë të specializuar nga mbrojtja e sistemit të raketave, Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Hollanda, vendosën menjëherë t’I përgjigjen pozitivisht kërkesës së Turqisë. Të treja në të njëjtën kohë, ranë dakord që trupat, rreth 400 të tilla, të vendoseshin në bazën në kufi me Sirinë, nën një komando të përbashkët, dhe me një marrëveshje me shtetin turk.
Mos ndoshta Aleanca ka pasur si synim për të qenë afër Sirisë dhe më pas nëse do të kishte ndonjë tjetër vendim politik atëherë do të ishin pranë vendit të luftës?
Jo, përgjigjet Tony White. Misioni nuk ka pasur këtë qëllim. Eshtë thjesht mbështetja e një vendi aleat. Turqia, është një ndër partnerët tanë kryesorë. Dhe I ka të gjitha mundësitë ushtarake. Eshtë një ndër shtetet që ka më shumë ushtarë, bazë logjistike e gjithçka, por e ka të pamundur të impenjohet për sistemin e mbrojtjes nga raketat. Rreziku ishte në prag dere, ndaj dhe në dhjetor u mor vendimi, e pas dy muajsh, sistemi I mbrojtjes nga raketat, ishte dislokuar në bazën e Adana.
E pas një viti, ju e konsideroni të suksesshëm këtë mision? Që do të thotë, ka shumë shpenzime, shumë impenjime për ushtarët e vendeve të NATO-s, por asnjë kërcënim serioz për Turqinë deri tani…
Kjo është e vërtetë. Që misioni ynë këtu nuk ka pasur asnjë kundërpërgjigje për ndonjë sulm me raketa. Ajo që duhet të vlerësohet është fakti se ne jemi këtu, për të mbrojtur një aleat tonin, dhe kjo funksionon në çdo lloj rasti.
Po nëse Turqia, vendos sot pas një viti, që misioni I NATO-s të largohet prej këtu, meqënëse deri tani nuk duket se ka kërcënime serioze? Apo NATO vendos që ta shfrytëzojë këtë si një bazë të sajën?
Tony Ëhite buzëqesh ndërkohë. Dhe thotë: Nëse Turqia nuk do ta dojë këtë, atëherë çështja do të rishtrohet për diskutim brenda Aleancës dhe vendimi do të merret aty. Askush nuk mund të thotë tani se çfarë do të ndodhë nëse do të ketë një vendim të tillë.
Edhe Shqipëria si anëtare e NATO-s ka qenë pjesë e tryezës ovale kur merrej vendimi për të çuar “Patriotët” drejt bazës në Adana. Artur Kuko, ambasadori ynë në NATO e mban shumë mirë mend këtë moment.
“Vendimet brenda Aleancës merren me konsensus. Edhe ne, kemi dhënë konsensusin. Sigurisht që çdo vendim brenda Aleancës merret pas diskutimeve të hollësishme. Dhe kështu ka ndodhur edhe në këtë rast” thotë për gazëtën “Dita”, ambasadori ynë në NATO, Artur Kuko.
Një grup gazetarësh ndërkombëtarë, nuk e kanë të lehtë të hyjnë në bazën më të madhe ushtarake në kufi me Sirinë, e cila drejtohet nga ushtria turke, por që ka të vendosura aty edhe sistemin anti-raketë të forcave të Aleancës. Edhe pse NATO ka marrë masat që të ketë procedura lehtësuese identifikimi, për shkak të kohës së kufizuar qëndrimi në bazë, prapë se prapë, turqit, e bëjnë punën e tyre. Kërkesa për pasaportat, fotokopjimi I tyre, e më pas, dy oficerë turq, të shërbimeve sekrete, të cilët do të na shoqërojnë përgjatë gjithë kohës, derisa të shkojmë në vendin ku është vendosur sistemi i raketave.
Koloneli Eric Abma,që i përket Forcave Ajrore të Mbretërisë së Hollandës, na pret për të na sqaruar çdo detaj të misionit.
“Këtu në bazë, është vendosur sistemi i kapjes së sinjaleve të lëshimit të raketave. Të dhënat janë të lidhura me komandën e përgjithshme të NATO-s në Gjermani, (SHAPE), por edhe me HQ NATO në Bruksel, aty ku merren vendimet politike dhe ushtarake të Aleancës. Në momentin që ne interceptojmë lëshimin e një rakete, ka vetëm 4-5 minuta në dispozicion për të lëshuar kundra raketën dhe asgjesimin e saj. Distancat janë gati 20 kilometra por lëshimi i raketave bëhet në mënyrë kompjuterike nga salla kryesore në bazën në Adana” thotë kolonel Eric Abma, I cili drejton këtë mision në Adana që nga muaji shtator, dhe do të qëndrojë aty deri në shkurtin e vitit të ardhshëm. Në forcat ajrore të mbretërisë së Holladës, koloneli Eric Abma ka filluar që në vitin 1983 dhe njeh deri në detaje mënyrën sesi funksionon sistemi “Patriot” anti-raketor. Që në vitin 1987, Hollanda e ka pasur këtë sistem, dhe i është dashur ta vërë në punë në mënyrë të suksesshme dy herë: më së pari në vitin 1991, në Luftën e parë të Gjirit, ku sistemi Patriot mbrojti qytetet e Diyarbakir në Turqi dhe Jeruzalemin në Izrael kundër sulmeve të mundshme të Irakut, dhe herën e dytë, në Luftën e Dytë të Gjirit në vitin 2003, për të mbrojtur qytetet Diyarbakir dhe Batman në Turqi. “Patriotët hollandezë” (Dutch Patriots) merren vetëm me asgjesimin e raketave Scud, dhe nuk merren me Katjushat edhe për shkak të sistemit shumë të sofistikuar. Emri “Patriot” është zgjedhur për shkak të gërmave të para të sistemit të mbrojtjes raketore (Phased Array Tracking Radar to Intercept on Target).
Kur zbret në fushë, në terren, sheh 8 sisteme antiraketore, të vendosura në një hapësirë prej 500 metrash larg njëra tjetrës, dhe nuk është shumë e vështirë të dallosh se ku është kufiri sirian. Të gjitha, janë të drejtuara drejt anës tjetër Sirisë. Pamja që të shpaloset përpara syve, nuk është aspak “miqësore” për dy vende kufitare nga njëra tjetra.
Kolonel, nëse ju shikoni se ndonjë raketë mund të shënjestrohet brenda vendit dhe ju arrini ta kapni, psh, ajo që ndodh në Alepo, ju nuk ndërhyni për shkatërrimin e saj? “Jo, jo, në asnjë mënyrë. Qëllimi ynë është i qartë. Ne merremi vetëm me rastin kur shënjestrimi ka të bëjë me territorin turk. Në çdo lloj rasti tjetër, do të kërkohet një tjetër leje nga bazat qendrore të NATO-s por edhe nga shteti ynë” thotë koloneli.
Rreziku më i madh është koha që kanë në dispozicion zyrtarët e NATO-s për marrjen e vendimit. Nëse do të ndodhë që një raketë të shpëtojë nga mbrojtja, për 4 apo 5 minuta, nuk ka asnjë mundësi që të japë alarmin për evakuimin e banorëve të Adanas, apo për ndonjë ndërhyrje të llojeve të tjera. Koloneli thotë ndër të tjera se në asnjë lloj rasti nuk mund të dalin nga natyra e misionit që forcat e NATO-s aty kanë. Nëse shohin refugjatë sirianë, të cilët kërkojnë ndihmë, nuk mund t’u shkojnë atyre në ndihmë. Kjo sepse, sërish duhet leje nga NATO.
Por në fund, mbetet një pyetje pa përgjigje, e cila po ashtu nuk mund të zgjidhet në harkun kohor të 4 apo 5 minutave, nga koha e lancimit të raketës, deri në shpërthimin e saj në targetin e caktuar. Nëse evidentohet se raketa e nisur nga Siria, ka në brendësi lëndë kimike apo biologjike, si do të veprojnë forcat e NATO-s në terren? A do ta asgjesojnë atë në ajër, apo do ta lënë të bjerë në tokë? Vendimmarrja është e vështirë, sepse në ajër, lënda kimike apo biologjike do të përhapet menjëherë; e ndërkohë në tokë, dëmi mund të jetë më i madh. Gjithçka vlerësohet rast pas rasti, por nën zë, zyrtarët e NATO-s të thonë se shpërthimi do të ndodhë padyshim në ajër.
“Ne jemi një ombrellë për zonën këtu. Eshtë vendosur një satelit që kap çdo lëvizje të raketave në anën siriane. Rreziku është këtu afër prezent në çdo moment. Por ne jemi këtu për ta shmangur. Kjo është detyra jonë, e cila do të vazhdojë edhe përgjatë vitit që vjen. Nuk e dimë sesa raketa ekzaktësisht janë në terrenin sirian. Por Siria, I ka kapacitetet të na kapë në bazën që ne jemi. Duhet të kuptohet se mbrojtja me sistemin e raketave, nga ne (Hollanda), Gjermania dhe USA, është e vendosur në tre qytete të ndryshme dhe në çdo moment, jemi të gatshëm të kapim gjithsecilën prej tyre” thotë kolonel Abma.
Aty ku janë të vendosura sistemet antiraketë, njëra prej tyre shkëputet nga kontrolli I komandos qendrore në Adana, por edhe në qendrën kryesore në NATO. Ushtarakët e forcës ajrore mbretërore hollandeze, janë duke u treguar gazetarëve ndërkombëtare, në mënyrë manuale sesi funksionojnë paisjet e reja, të cilat janë modernizuar aq shumë që nga viti 1987, kur kanë nisur për herë të parë. Sido që të kthehet paisja, ajo sërish mban drejtimin nga kufiri sirian. Prapa sistemit, gjendet qyteti I Adanës. 1.5 milionë banorët turq të kësaj zone, duket se tashmë flenë të qetë nën mbrojtjen e NATO-s, edhe pse në fillim të vitit 2012, kur NATO zbarkoi aty, pati edhe probleme, edhe protesta. E konsideruan si një lloj “pushtimi”, por tani, sipas deklaratave të bëra nga vetë ushtarakët, gjithkush në zonë, tregohet shumë miqësor.
Në fund të fundit, kaq shumë të huaj që janë shtuar në qytet, kanë rritur edhe gjallërinë dhe ekonominë e kësaj zone të varfër. Kjo duket, edhe nga numri i madh i taksive që ishin vendosur brenda bazës. Shumica, përdoren vetëm nga stafi ndërkombëtar. Ndërkohë që ushtarët, duket se kanë ngritur “fshatin” e tyre brenda bazës së madhe ushtarake të Adanas.


