Një vend në histori…

redaktor

Ish kryeministrit “A” i kish mbetur zakon nga kohët e lavdishme që të dilte natën e të merrte taksi me pretendimin dhe bindjen se kështu mbante kontakt me shqetësimet e popullit. Edhe ish kryeministri “B” dilte mbrëmjeve me taksi në rolin e taksistit, për të mos u shkëputur edhe ai nga kontakti me hallet e popullit. E kush më mirë se taksistët dhe berberët i dinë hallet e të gjithëve? I amplifikojnë pastaj këto ankesa, shqetësime dhe sugjerime duke i përcjellë nga njëri klient tek tjetri e duke krijuar arkiva të çmuara statistikore, të denja për të rivalizuar kompanitë e mëdha të think-thank, që suksesin e tyre e sigurojnë falë grumbullimit, manipulimit dhe përdorimit të statistikave të çfarëdolloj natyre.

E kështu ndodhi për vullnetin (ose ironinë)e të Plotfuqishmit që një mbrëmje vere ish kryeministri “A” të hipte në taksinë e ish kryeministrit “B” aty afër Freskut në Tiranë, të dy të maskuar me të njëjtin qëllim sublim; që të informoheshin ashtu informalisht, siç bënin shpeshherë, mbi hallet e popullit. Përsa i përket zgjidhjes së këtyre halleve, me shumë modesti do përgjigjeshin që kjo ishte çështje tjetër, që për fat të keq nuk ish më në dorën e tyre.

Ish kryeministri “A” mbante kasketë rozë dhe syze jeshile, kurse “B” një paruke alla Aleksandër Gjoka, me mustaqe dhe bluzë kuq e zi, ku qe shkruar slogani: “Po ke hall shtyje me dhallë”. Pasi u sistemua në sediljen e prapme ,”A” kërkoi të shkonte në Shëtitoren e Gjelbër “Edi Rama”në Selitën e Vogël dhe taksisti “B” fiksoi në navigatorin satelitar itinerarin që përshkonte Rapin e Treshit, Liqenin e Paskuqanit, futej në bulevardin “Berisha i I-rë”në Kamza City e pasi rrotullohej në sheshin “Berisha i II-të” në Yzberisht District përfundonte në Shëtitoren “Edi Rama”, mu nën këmbët e ish liqenit artificial, që tashmë ishte bërë pistë për garat e Formula 1.

– Shiko, o zotëri, – ndërhyn “A” i irrituar – s’kam as punë dhe as lekë t’i bij nga rrapi i Treshit dhe nga ato bulevardet e malokut; bjeri shkurt mor vlla…Bjeri n’mes Tironës!

– O zotri, unë e kam taksinë me pilot automatik, shtyp aj fonin dhe e gjen vetë rrugën ma t’shkurtër …Ç’a halli ke, ç’a halli? M’thuj mu, se për k’të punë dal unë…Jo, joo, po t’a dish ti…Ja ku po t’a them unë, se nuk shkon dot në botë tek “Edi Rama” pa i rënë nga “Berisha i I-rë” dhe i Dytë, s’ka, s’ka mundësi…Ka shumë trafik.

“A” fërkoi mjekrrën me nervozizëm, pasi e kuptoi se me njëmijë përqind taksisti ishte dora vetë ish kryeministri “B”, një makinë e vërtetë shumëgjuhëshe, prej të cilit vendi akoma nuk qe shkëputur.

– Edhe shofer taksie bëke ti more Doktor?! Po ti s’di as biçikletën, s’ke as patentë…Aababbbabaaaaa…Ore, a ka kontroll ky shtet apo jo? Apo u kthye prapë në rrumpallë hesapi?

Ish kryeministri “B” u sheqeros i tëri nga vetëkënaqësia. Si i thonë, vetëm mali me malin s’takohen, e ja që rasti e solli të debatonin njëçik privatisht jashtë protokollit zyrtar.

– O zotri, po ku jeton ti o zotri?! Pa dalë aj padi unë kisha pilot automatik…E kisha unë, e kisha…Mos m’ngatërro me veten tate,heeheeeee

– Po mirë unë që dal të dëgjoj hallet e popullit, po ti mor plak zevzek, nuk gjen dot rehat me bo gjyshin j’herë?

“B” u shkri i tëri në qejf, duke u shpërndarë si vaji me një mori të dhënash impresionuese. Për pak minuta ish kryeministri “A”u informua se një grua ishte grindur me burrin se ky kishte harruar çelësat e shtëpisë tek dyqani i basteve, se një plak qe ankuar se pat lënë pensionin për aparatura përgjimi të sofistikuara për të ditur se çfarë bënin fqinjët gjatë transmetimit të emisionit “Opinion” të Fevziut.

Një pasagjere tjetër i kishte thënë në mirëbesim se parukierja poshtë pallatit të saj dyshohej se flirtonte me titullarin e agjencisë së funeraleve e si përfundim, të gjithë pasagjerët ankoheshin për varfërinë që solli qeverisja e “A”, duke kujtuar me nostalgji kohën e artë të qeverisjes së ish kryeministrit “B”, rikthimin e të cilit e kërkonte i gjithë populli pasagjer. Dukej se ish kryeministri “B” në rolin e taksistit kish rënë në pjatën e tij të preferuar; në mikrobotën intime se çfarë tha ai dhe si donte t’i përgjigjej ajo, si e kish me të dëgjuar ky dhe si do e kishin nënkuptuar ata..

– Ti u paske nxjerrë trutë e kokës, doktor – i thotë “A” i trullosur nga miriada e hollësishme e mikrobotëve, që “B” vazhdonte t’i prezantonte me shpejtësi kilometrike.

– Jo zotëri, përkundrazi. Pothuaj të gjithë pasagjerët më marrin mue, qoftë edhe për shëtitje kot, se kanë nevojë për këshilla. Se jooo, këshillat i kam falas, nuk i fut në tarifë…

Ndaluan diku në një benzinatë, ku ish kryeministri “A”tentoi të ndërronte taksi, por kjo orvatje për pak shkaktoi sherr me dy pijanecë që dolën nga klubi ngjitur e pretendonin se taksinë e kishin thirrur ata me aplikacion telematik. Taksisti pohoi se i njihte dhe po mundohej t’i fuste në veturë, ndërsa pijaneci më shtatshkurtër përsëriste me mundim një refren allasoj:

Allahile moj Qamile

sa fiksim që të kisha.

Vendin tënd në histori

t’a zuri Sali Berisha.

Kështu u rinisën përsëri dy ish kryeministrat, për të mbërritur në Shëtitoren e Gjelbër me emrin e njërit pasi përshkruan një shesh dhe një bulevard me emrin e tjetrit; i pari duke dëgjuar “popullin hallemadh” të të dytit, që ashtu çakërqejf siç ishte i kujtoi se edhe një pijanec kush-po-ia-di-emrin, sado i pirë që ishte, e kishte të qartë se “B” ishte tanimë pjesë e pandashme e historisë. “Hehehheheee, populli, e shikon popullin o zotri? – i thotë “B” me entuziazmin shpërthyes të adoleshentit.

– Po Doktor, po – ia ktheu ish kryeminstri “A”, – në histori je vërtet, por vendin e Qamiles ke zënë…

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *