Një vëzhgim financiar i djeshëm i Bodes dhe raporti i FMN i vitit 2012

redaktor

Ish-Ministri i Financave në 8 vitet e qeverisë Berisha, Ridvan Bode, u përpoq të bënte dje një skaner “të fshehtësisë” së marrëveshjes së qeverisë Rama me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pse sipas tij ka ardhur kërkesa e institucioneve ndërkombëtare për rritjen e disa taksave. Në deklaratën e tij bie në ndër të tjera bie në sy fakti që sipas Bordit të FMN-së në vitin 2009-2012 u arrit mënjanimi i rënies në recension. Por nëse ne jemi të prirur të kemi një kujtesë afatshkurtër, nuk mund të mendohet se ish-ministri ta harrojë raportin e vitin 2012 po të këtij Bordi që ishte i prerë në kërkesat dhe rekomandimet e tij, pasi vendi ynë po hynte në një qorrsokak ekonomik dhe financiar.  Dhe ekspertët e FMN-së nuk ja thanë në ndonjë memo të shkurtër, por në rreth 70 faqe raport, ku paralajmërohej e gjithë kriza që do të kalonte vendi ynë si dhe masat që duheshin marrë në makro dhe mikro. Është ironike dhe paradoksale, që në foltoren e SHQUP-save del e të flasë për këtë ccështje, pikërisht Ridvan Bode. Ai është posaccërisht njeriu përgjegjës, që prag-kolapsi ekonomik, i paralajmëruar me forcë nga FMN-ja u neglizhua. Është posaccërisht njeriu që iu bë aleat krizës dhe kolapsit, i dha frymëmarrje rrënimit duke e mos e dëgjuar “kambanën e alarmit” për afro dy vite rresht. Paralajmërimet e ekspertëve të FMN-së dhe BB-së për qeverinë e shkuar kanë qenë të vazhdueshme dhe kritikuese për mos marrjen e masave sidomos në sistemin e taksave dhe në ruajtjen e një tavani të borxhit publik. Por pa ecur shumë pas në kohë le t’ja sjellim në vëmendje ish ministrit dhjetë konstatimet kryesore të FMN-së, në kohën kur Shqipëria po përgatitej të hynte në një proces zgjedhor.

1. Pasi tregoi rezistencë gjatë dy viteve të fundit, ekonomia shqiptare po fillon tani të ngadalësohet.

2. Kriza e euros që po vijon, do të vazhdojë të krijojë vështirësi ekonomike në afatin e shkurtër dhe rreziqet për perspektivën ekonomike janë kryesisht me kah poshtë.

3. Politikat e pandryshuara fiskale nuk do t’i zgjidhin brishtësitë e theksuara.

4. Me një borxh të rritur, Shqipëria përballet me rreziqe thelbësore.

5. Me amortizatorët që janë shteruar, nuk është më një opsion përdorimi i nxitësve të rinj fiskalë për të mbrojtur ekonominë e dobët; në realitet duhet konsolidim fiskal për të ulur rreziqet e borxhit të lartë.

6. Janë të nevojshme reforma të taksave dhe të shpenzimeve në mënyrë që të arrihen objektivat afatgjatë të borxhit, ndërkohë që mbështetet rritja.

7. Të ardhurat e privatizimit duhet të përdoren në një mënyrë të balancuar, për të reduktuar borxhin dhe për të pastruar faturat e papaguara.

8. Politika monetare ka qenë një ankorë për stabilitetin mikrofinanciar, por kjo ka kufizime.

9. Pavarësisht dominimit të degëve të bankave europiane, sistemi bankar ka rezultuar elastik dhe nuk ka kërkuar mbështetje publike.

10. Rritja e nivelit të huave me probleme është shqetësim dhe kërkon veprim të shpejtë.

 

Por çfarë ndodhi në të vërtetë pas këtyre rekomandimeve të FMN?

 

Ish-ministri Bode,  asnjë prej këtyre rekomandimeve nuk i mori në konsideratë. Fushata zgjedhore po afrohej dhe jo vetëm që stimuj të rinj fiskal nuk parashikuan në buxhetin e shtetit, por u “luajt” me teorinë e taksave të ulëta, rritje të shpenzimeve dhe si rrjedhojë, përfunduam në një borxh publik rreth 69 për qind, dhe me një borxh për biznesin që në përllogaritjet e pas shtatorit të vitit 2013 u llogarit në vlerën e 720 milionë eurove,  e ku kreditë e këqija prekën cakun e një të katërtës së kredidhënies nga bankat e nivelit të dytë. Pa menduar më tej që prej datës 23 qershor të vitit 2013 e deri në shtator kur qeveria e re mori mandatin e punës katër vjeçare, iku çdo kacidhe nga arka e shtetit. U pastruan llogari,  thesari i shtetit mbeti në pikë të hallit, nuk kishte  para as për pagat e administratës, ishte konsumuar i gjithë fondi i emergjencës civile, ishte “pastruar” deri në thesin e fundit të fasuleve magazina e rezervave. Këto ishin disa nga absurdet financiare të ish-ministrit, pa kaluar më tej në skandale të mëdha që shpresohet të zbardhen nga auditet që duhet të kryejnë sa më parë ministritë e linjës. Në këtë derexhe e la qeveria Berisha vendin, dhe tashmë ish-ministri që hartoi pjesën më të madhe të lëvizjeve financiare, natyrisht nën mbikqyrjen e shefit të tij, flet për papërgjegjshmëri në marrëveshjen e firmosur me FMN-në dhe kushtet që sipas tij janë vendosur

Çfarë deklaroi dje Bode?

Ridvan Bode që nga foltorja e PD-së e denoncoi si fshehje të Kryeministrit termat e  marrëveshjes me Fondin Monetar, që parashikojnë rritje të reja të taksave dhe futjen e taksave të reja, për shkak të performancës së dobët të qeverisë dhe përkeqësimit të shpejtë të ekonomisë, duke cituar ekspertët e Bordit të FMN-së për ecurinë ekonomike të vendit, ata ekspertë mendimin e të cilëve nuk e mori në konsideratë kur ishte në krye të financave shqiptare. Sipas tij “qeveria, që kishte mbajtur në fshehtësi termat e kësaj marrëveshje, që kishte folur vetëm për përfitimin e 330 milionë eurove në 3 vjet dhe jo termat dhe shqetësimet e FMN për zhvillimet në vend, u mundua të mohojë dhe përgënjeshtrojë atë që për muaj me radhë negocioi po vetë”. Bode duke cituar ekspertët u shpreh se “e vërteta është se FMN është e alarmuar për risqet e mëdha që paraqet borxhi i rritur me aq lehtësi nga qeveria Rama vetëm në harkun e pak muajve duke qenë “më i larti ndër vendet e Europës Qendrore,  Lindore e Juglindore”. Sipas tij  performanca e dobët e qeverisë, mungesa e reformave dhe amullia që ka sjellë në ekonomi qeveria Rama, për shkak të paaftësisë dhe klientelizmit, do sjellë rritje të reja taksash pasi rritja e taksave, bërë ne dhjetor të vitit të shkuar për vitin 2014 ka dhënë rezultate të pamjaftueshme. “Ecuria e dy muajve të parë të këtij viti dëshmon dështimin e plotë dhe korrupsionin në zgjerim të qeverisë Rama. Rritja e madhe e akcizave sipas qeverisë pritet të sjellë 120 milionë USD më shumë në buxhet, në fakt për dy muajt e parë ka sjellë 10 milionë USD më pak, ndërkohë që rritja e të ardhurave është në më pak e 1/5 e asaj që është programuar”, argumentoi ai duke e cilësuar si një paaftësi për të vendosur disiplinën fiskale e duke qenë ky shkaku i propozimeve të  FMN për rritjen apo vendosjen e plot 10 taksave të reja mbi qytetarët dhe ekonominë. Sipas tij një angazhim tjetër i qeverisë në këtë memorandum është ndërmarrja e një reforme të pensioneve, e cila nuk do të kufizohet vetëm në rritjen e moshës së pensioneve por edhe të masës së kontributeve. “Memorandumi i bashkëpunimit të qeverisë Rama me FMN është dëshmia më e qartë e pasojave të rënda dhe kostove të papërballueshme që solli për vendin një qeverisje diletante, klienteliste dhe e papërgjegjshme”, u deklarua ai dje që nga selia e SHQUP-it.

 

Çfarë kërkoi  FMN në 2012, paketa e plotë e shpëtimit

Nga efektet e krizës në Europë, rritja e kredive të këqija, borxhi i lartë, pengesat strukturore në sistemin e energjisë, faturat e papaguara; të gjitha problemet që rrezikojnë ekonominë vendase u renditën në raportin e vitit 2012. “Nëse qeveria nuk e ul borxhin, do të mund të detyrohet të rrisë taksat në afatin e mesëm dhe të kufizojë rritjen e pagave, vetëm duke e indeksuar me inflacionin”, u tha në raport, duke u dhënë dhe një sërë rekomandimesh se si mund të normalizohej procesi.

1. Pasi tregoi rezistencë gjatë dy viteve të fundit, ekonomia shqiptare po fillon tani të ngadalësohet. Prodhimi ra me 0.2% në tremujorin e parë të vitit 2012, për shkak të ndikimit nga kriza e zonës euro, kërkesës së dobët të brendshme dhe problemit me furnizimet, si rrjedhojë e dimrit të ashpër. Ndërsa aktiviteti ekonomik mund të rimëkëmbet në gjysmën e dytë të vitit, rritja pritet të jetë e dobët në 2012 — në rreth 0.5% — kryesisht për shkak të vazhdimit të besimit të dobët të konsumatorëve dhe të biznesit, një rënie të shpejtë në rritjen e kredisë, efektet e rritjes së shumës së faturave të papaguara të qeverisë dhe rimbursimit të TVSH-së dhe dobësisë së partnerëve kryesorë të Shqipërisë, Greqia dhe Italia.

2. Kriza e euros që po vijon, do të vazhdojë të krijojë vështirësi ekonomike në afatin e shkurtër dhe rreziqet për perspektivën ekonomike janë kryesisht me kah poshtë. Në 2013-n, rritja ekonomike mund të rimëkëmbet ngadalë në 1.3%, për shkak të kërkesës së dobët të brendshme dhe mjedisit të jashtëm. Inflacioni do të mbetet brenda objektivit të bankës qendrore prej 3±1%. Gjithsesi, në rast se kriza euro do të përkeqësohet, kjo mund të ndikojë më tepër perspektivën. Një tjetër rrezik për perspektivën ekonomike është tendenca përkeqësuese e huave të këqija, e cila, në rast se nuk ndalohet, mund të përkeqësojë efektet negative në ekonomi. Pengesat strukturore në sektorin e energjisë janë një burim i rrezikut fiskal dhe në rast se nuk do të zgjidhen në mënyrë urgjente, mund të rezultojë me probleme në furnizimin me energji, duke ndikuar më tej ekonominë.

3. Politikat e pandryshuara fiskale nuk do t’i zgjidhin brishtësitë e theksuara. Borxhi publik është i lartë dhe nevojat financiare janë më të lartat në rajon, për shkak të qarkullimit të shpejtë të tij — ndërsa ribalancimi i ekonomisë është i paplotë, përfshirë një nivel të lartë dyshifror të deficitit të llogarisë korente. Pavarësisht përpjekjes për të kontrolluar shpenzimet buxhetore, borxhi publik mund të tejkalojë kufirin prej 60% këtë vit dhe nuk pritet që të bjerë shumë në afatin e mesëm, edhe në rast se buxheti do të rezultojë me suficite primare të vogla.

4. Me një borxh të rritur, Shqipëria përballet me rreziqe thelbësore. Pesha e lartë e borxhit publik afatshkurtër përkthehet në rreziqe të larta financimi. Në afatin e mesëm, rritja e borxhit publik mund të dëmtojë gjithashtu perspektivën e rritjes, duke privuar nga huaja sektorin privat dhe duke ndikuar aftësinë e qeverisë për të financuar projekte thelbësore zhvillimi.

5. Me amortizatorët që janë shteruar, nuk është më një opsion përdorimi i nxitësve të rinj fiskalë për të mbrojtur ekonominë e dobët; në realitet duhet konsolidim fiskal për të ulur rreziqet e borxhit të lartë. Vendosja e objektivave fiskalë afatgjatë ambiciozë, por të arritshëm, për të adresuar politikën fiskale — duke e reduktuar normën e borxhit ndaj PBB-së në 40% deri në 2022 — do të fuqizonte aftësinë e ekonomisë për të përballuar rreziqet, ndërsa do të lejonte një rregullim më gradual për t’u përshtatur ndaj nevojave për zhvillim. Për 2013-n, prioriteti i menjëhershëm i qeverisë do të ishte ndalimi i trendit në rritje i borxhit publik, duke u angazhuar për një buxhet që e mban nivelin e borxhit ndaj PBB-së rreth nivelit të 2012-s — një rregullim i deficitit fiskal me rreth 0.6 pikë përqindjeje të PBB-së. Kjo mund të çonte në një balancë të përshtatshme midis sinjalizimit të angazhimit të qeverisë për qëndrueshmërinë e borxhit dhe kufizimin e ndikimit të kundërt të konsolidimit fiskal në ekonominë e dobët, stabilitetin e sektorit financiar dhe nevojave sociale. Kujdesi fiskal në prag të zgjedhjeve është i domosdoshëm me qëllim ruajtjen e besimit të tregut. Për të arritur objektivin e borxhit në afatin e mesëm (në rreth 53% të PBB-së në 2017-n), është i nevojshëm konsolidimi kumulativ fiskal në rreth 3.1 pikë përqindjeje të PBB-së.

6. Janë të nevojshme reforma të taksave dhe të shpenzimeve në mënyrë që të arrihen objektivat afatgjatë të borxhit, ndërkohë që mbështetet rritja. Duke pasur parasysh që komponentë të mëdhenj të shpenzimeve janë para-angazhuar tashmë, ulja e deficitit fiskal do të kërkonte të ardhura më të larta për një periudhë të qëndrueshme kohore. Arritja e kësaj, përmes përpjekjeve të administrimit të taksave ka të ngjarë të mos jetë e mjaftueshme dhe mund të jetë i nevojshëm ndryshimi në politikën e taksave, përshirë normat e taksës së të ardhurave. Megjithatë, duke pasur parasysh se synimi për të ardhura shtesë përmes rregullimit të taksave ka gjithashtu kufizime, do të kërkohet kontroll i shpenzimeve — rishikimi i reformës së sigurimeve shoqërore dhe rritja e pagave në linjë me inflacionin do të ishin thelbësore. Këto reforma do të krijonin gjithashtu hapësirë fiskale për qeverinë që të ndërmerrte shpenzime më të mëdha kapitale, për të lehtësuar kufizimet në infrastrukturë, si dhe të nxiste rritjen e të ruante objektivat e shpenzimeve sociale për të varfrit dhe shtresat e dobëta. Heqja dorë nga praktika e programimit të të ardhurave optimiste të buxhetit, që më pas përballen me probleme kur të ardhurat rezultojnë më të ulëta sesa pritej, mund të ndihmojë në shmangien e akumulimit të faturave të papaguara.

7. Të ardhurat e privatizimit duhet të përdoren në një mënyrë të balancuar, për të reduktuar borxhin dhe për të pastruar faturat e papaguara. Duke pasur parasysh që pasuritë natyrore u përkasin brezave aktualë dhe të ardhshëm të shqiptarëve, të ardhurat nga privatizimet duhet të përdoren si rrjedhojë për të ulur borxhin, që është i nevojshëm për të reduktuar brishtësitë e ekonomisë (duke pasur parasysh stokun e lartë të borxhit dhe strukturën afatshkurtër të maturitetit), të sigurojë qëndrueshmërinë e borxhit dhe të ringrejë amortizatorët, që të mundësojë mbrojtjen ndaj goditjeve të ardhshme. Duke pasur parasysh gjendjen e dobët të ekonomisë sot dhe rritjen e faturave të papaguara dhe rimbursimit të TVSH-së, një pjesë e të ardhurave duhet të përdoren gjithashtu në këtë drejtim, që do të mbështeste rritjen në afatin e mesëm.

8. Politika monetare ka qenë një ankorë për stabilitetin mikrofinanciar, por kjo ka kufizime. Kursi fleksibël i Shqipërisë dhe regjimi i inflacionit të shënjestruar kanë mbajtur në mënyrë të suksesshme inflacion të ulët dhe të qëndrueshëm, që nga ana e tij, ka ofruar mbështetjen e tregut rreth aftësisë së qeverisë për të mbajtur stabilitetin makroekonomik. Në rast se kërkesa e brendshme do të dobësohet më tej dhe kredia do të tkurret, autoritetet mund të konsiderojnë lehtësim të mëtejshëm monetar, duke pasur parasysh që pritshmëritë për inflacion mbeten të mirankoruara. Gjithsesi, efektiviteti i një politike të tillë mund të rezultojë i kufizuar, për shkak të kërkesës së dobët për kredi dhe sjelljes së kujdesshme ndaj rrezikut të bankave dhe mund të rezultonte me presione të kursit të këmbimit.

9. Pavarësisht dominimit të degëve të bankave europiane, sistemi bankar ka rezultuar elastik dhe nuk ka kërkuar mbështetje publike. Pesha e madhe e bankave europiane në sistem dhe telashet e vazhdueshme bankare në Europë rrisin perspektivën për ndikimin në sistemin bankar shqiptar. Një mbështetje relativisht e ulët ndaj fondeve të jashtme e ka ulur këtë rrezik, ndërsa veprimet e fundit të Bankës së Shqipërisë — konvertimi i degëve të huaja në banka, forcimi i kërkesave për kapital dhe likuiditet dhe zbatimi i kufijve të kujdesshëm të provigjionimit — ka ndikuar gjithashtu. Bankat sot kanë likuiditet të lartë dhe norma të larta kapitali.

11. Rritja e nivelit të huave me probleme është shqetësim dhe kërkon veprim të shpejtë. Huatë e këqija — kryesisht në tregti, ndërtim dhe prodhim — janë rritur më shpejt në krahasim me vendet e tjera të rajonit, kryesisht për shkak të ngadalësimit ekonomik, mospagesës së faturave nga ana e qeverisë dhe vazhdimit të shtyrjes së ekzekutimit të kolateralit. Kjo ka ndikuar përfitueshmërinë e bankave dhe aftësinë e tyre për të zgjeruar kredinë në ekonomi. Duhen ndërmarrë hapa konkretë, si lehtësimi i ekzekutimit të kolateralit — duke lejuar që çmimet e pasurisë të rregullohen ndaj forcave të tregut, duke lehtësuar shitjet e pronave të falimentuara (përfshirë, atë përmes heqjes së dyshemesë së rregulluar të çmimit), duke rritur eficencën e zyrave të përmbarimit privat dhe duke kufizuar zbatimin e papërshtatshëm të ligjit — dhe pastrimi i faturave të papaguara dhe i rimbursimit të TVSH-së do të ndihmonte në këtë situatë.

Share This Article
2 Comments
  • yyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyyppppppppppppppppppppppppppppppppppppppppppppppxhixhi

  • VR!!! Nuk mar vesh shumë nga ekonomia por një gjë e di me siguri : në ka pasur pykë ekonomike në shqipëri,pykë e nxjerë nga ashklat e trungjeve te shpellës saliste,kjo pykë ka vetëm një emër,- ritvan rakicka (bode) ! I dalë nga universiteti ekonomik ” Adem Rrenga”. Mjafton të mësoni emrin e universitetit që të kuptoni “pykën ekonomike” të shtetit!?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *