Në portalin zyrtar të Këshillit të Ministrave gjysma e kabinetit qeveritar nuk kanë deklaruar të dhënat bazike të cilat janë të detyrueshme. Madje disa ministra kanë anashkaluar tërësisht formatin zyrtar të jetëshkrimit. Spiro Ksera “harron” të deklarojë kombësinë, Genc Pollo gjithashtu. Dhe flet vetëm për aktivitetin e tij pas vitit 2009.
Janë një pjesë e ministrave të cilët nuk e kanë jetëshkrimin në formatin standard që ka përcaktuar vetë kryeministria për CV-në. Ky standard kërkon të dhëna të detajuara në lidhje me kombësinë, datëlindjen dhe vendlindjen, statusin civil, gjuhën amtare etj.
Gjatë leximit të jetëshkrimeve të ministrave shqiptarë bie në sy si fillim CV-ja e ministrit të Punëve Sociale Spiro Ksera. Ndonëse ai ka plotësuar standardin zyrtar të jetëshkrimit, ka lënë pa plotësuar fushën e “kombësisë”. Zoti Ksera është me kombësi greke dhe ky është një fakt botërisht i njohur, por në prezantimin e CV-së së tij zyrtare në faqen e Kryeministrisë nuk rezulton i deklaruar ky fakt, por ama është i deklaruar fakti se në vitin 2007 zoti Ksera ka aderuar në “Shoqatën Panhelenike Evropiane”. Një tjetër element që të bie në sy lidhet me ministrin e Teknologjisë dhe Inovacionit Genc Pollo. Ai ka hedhur vetëm pak rreshta duke mos plotësuar jetëshkrimin zyrtar dhe duket sikur jeta dhe aktiviteti i tij fillon që prej vitit 2009 pasi në ato rreshta të shkruara për këtë ministër nuk gjendet asnjë e dhënë në lidhje me aktivitetin e Pollos përpara këtij viti, ndonëse zoti Pollo ka patur një aktivitet të gjerë publik dhe politik, ku e nisi në fillim të viteve 90’ si këshilltar i ish Presidentit Berisha, më tej në vitet 2000 kaloi në oponencë dhe në një armiqësi serioze me Berishën ndërsa në vitin 2005 u riangazhua sërish në aleancë me Partinë Demokratike. Këto “valëzime” të marrëdhënieve të tij politike me Berishën, duket se Pollo kërkon t’i harrojë tashmë që është ministër në kabinetin e drejtuar nga Berisha.
Rrëmuja vijon më pas me mungesa të tjera, ku më pak e ku më shumë të rëndësishme. Ministri i Kulturës Aldo Bumçi, përshembull në prezantimin paraprak të CV-së nuk ka as foto, madje as…emrin. Një përshkrim shumë konçiz dhe të personalizuar të së kaluarës së tij ka bërë dhe ministri i Brendshëm Flamur Noka. Ai ka ofruar të dhënat bazike të jetës së tij kryesisht aktivitetin arsimor dhe politik duke shmangur tërësisht fushën e specializimeve. Nga të gjithë ministrat që kanë shmangur formatin zyrtar dhe standard të jetëshkrimeve,
Ka ministra si Bode, Bregu, Tafaj, Ruli, Mediu etj që i kanë plotësuar në mënyrë të plotë sipas standartit jetëshkrimet e tyre. Një përjashtim bën edhe evtë kryeministri Sali Berisha i cili jetëshkrimin e tij e ka më të zgjeruar dhe të ofruar në një mënyrë “më poetike” dhe të ndryshme nga ministrat. Berisha ka ofruar një përmbledhje të gjatë të jetës së tij, duke “harruar” vendlindjen e tij, fakt ky që është vënë në dukje edhe më parë nga media të ndryshme.