Një vizitë në Pallatin e Brigadave

DITA Online

 

Larg trafikut, smogut, zhurmës dhe ndotjes së metropolit të Tiranës, në rrugën “Skerdilajd Llagami” ndodhet Pallati Presidencial.

Një ndërtesë magjepsëse e ndërtuar mes ngjyrës së gjelbër, krahas rrugës që të dërgon në autostradën e Elbasanit. E njohur ndryshe dhe si Pallati i Brigadave ose Pallati Mbretëror, ajo është një strukturë që pasqyron 4 epoka të rëndësishme të historisë së vendit, atë të mbretërisë, pushtimit fashist, regjimit komunist dhe ajo e demokracisë.

E shtrirë në 35 hektarë, ajo ka në përbërjen e saj disa kopshte të mbushura me lule dhe pemë që jetojnë në harmoni me statujat mitologjike, një masiv kolonash, një kopësht i posaçëm i luleve të dërguara enkas për familjen mbretërore, shtigje pyjore, rrugë dhe shkallë prej guri, stallë kuajsh, shatërvanë, amfora dhe sigurisht vetë pallati gjigant, e cila është shembull i stilit dhe shijeve të një mbreti si Zogu.

Rrugëtimin e saj e nis në vitin 1936, kur u hodhën themelet e saj, me urdhër të Ahmet Zogut. Në projektimin e saj morën pjesë tre arkitektë italian, ku fillimisht ndërtesa u zhvillua sipas stilit “deco”, por afër përfundimit u zhvendos totalisht drejt arkitekturës moderne të pallateve mbretërore.

Ajo do të shërbente si pallati personal i Ahmet Zogut dhe familjes së tij dhe si vend pritjeje për të ftuarit e mbretit. Por ky i fundit nuk do ta shihte kurrë të përfunduar këtë projekt, pasi u largua nga vendi para pushtimit italian. Ndërkohë në këtë periudhë ajo do të përfundonte plotësisht në vitin 1941.

Pas përfundimit të luftës dhe në kohën e komunizmit, ajo të merrte emrin Pallati i Brigadave, në nder të brigadave të partizanëve që luftuan dhe çliruan Tiranën së bashku me këtë ndërtesë. Gjatë sistemit komunist ajo do të shërbente si vend pritjeje për vizitorë të diktatorit.

Pas rënies së sistemit, zyrtarisht emri i saj u ndryshua në Pallatin presidencial, ku luan rol si pjesë e një prej rezidencave të presidentit dhe njësoj si në të kaluarën, për pritjen e zyrtarëve që vijnë në vendin tonë, ku dhe së fundmi u prit ambasadori francez, rastin e 229-vjetorit të ditës së Bastijës.

E rrethuar nga shtylla hekuri, brenda saj patrullon garda kombëtare. Në hyrje të saj mikpritemi nga një hartë që orienton këdo dhe një rrugë e drejtë e kufizuar nga qiparisë kryelartë. Në mbarim të kësaj hyrjeje, ndeshemi me tufën e kolonave që të kujtojnë tempuj antikë të shoqëruar nga bustet e Vaso Pashës, Bajram Currit apo të Jeronim de Radës, që dëshmojnë qartë se ky pallat ka në përbërje të saj dhe elementë patriotik. Prapa saj është krijuar një shteg i mbuluar me pemë që kanë formuar një tunel natyror me degë dhe gjethe ku hija që lëshohet në kalldrëm mposhtin valët e nxehta të verës. Më pas shpërthen pamja e kopshteve apo e labirintit të pemëve.

Çdo cep i saj i krasitur mirë, të përcjell në mendje sikur ky ambient i mbizotëruar nga ngjyra bimore, është vepër e muzave. Pa dashur të kalohet në ekzagjerime, mund të ngjasohet me një fragment nga Edeni. Në qendër të këtyre dhomave pyjore, janë ngritur statuja me motive të hershme mitologjike e mistike, që shpreh dhe një fiksim të panjohur të Ahmet Zogut me të kaluarën e Shqipërisë dhe figurën e Apolonit, i cili shfaqet dy herë në këto hapësira.

Të gjitha këto ecejake midis shtigjeve të nxjerrin vetëm përballë Pallatit presidencial, i brigadave ose mbretëror, mbiemri që e shoqëron pak rëndësi ka, pasi duket se është shëmbëlltyra më e mirë e arkitekturës dhe vetëm kaq i mjafton. Me përmasa që shumë udhëheqës do ta kishin zili, ajo ngrihet në 3 kate lartësi mbushur me shumë dhoma apo salla.

Krahas gjenden disa shkallë, të cilat po t’i ngjisësh të përballin me një godinë të vogël e të fshehur e cila ka pasur rolin e nje kopshti ku mbilleshin lule të sjellura dhuratë nga jashtë veçanërisht për familjen mbretërore.

E hapur në tetor të vitit të kaluar për publikun, është një hapësirë ideale për t’u larguar nga asfalti i kryeqytetit, e për t’u përhumbur në atë pjesë të historisë së vendit që ruan vlerat e saj në të gjitha kohërat.

B.Ç/Dita

Share This Article
2 Comments
  • Ky gazetar ka ardh i Ri ne tiron dhe sdin nga p… gomori.

    Ne kohen e Enverit ne Pallatin e Brigadave priteshin delegacionet shteterore dhe te ftuar te Tjere te larte te Partis e te shtetit me rastin e e festave kombetare te 28-29 Nendorit.

    NUK priteshin miqte e “diktatorit” se atehere kish shtet e kish ligje

    Po ne dhjerokraci Ben martesen ne nje republike nje i ashtuquajtur pretendent froni, promovon librin nje tullac mafioz i dyshuar per fallsifikim pronash dhee vrasjen e gjykatesit ne vlore.

    Keshtu ti koqe gazetar pyet e lexo e kerko arkivave, e zgjidh gjuhen dhe termat e duhura Kur shkruan.

    Na mbyten injorantet.

  • Pallati i Brigadave eshte nji oaz perle ne lindje te Kryeqytetit. Kam kryer ushtrine ne kete vend. Siperfaqa eshte 66 ha dhe jo 35 sikunder thote gazetarja. U ndertua nga italianet dhe A.Zogu nuk ka lidhje fare me te,as me kopshtet as me lulet dhe figurat,skulpturat qe jane pjese e ketij teritori. Skulptura Kryever e te madhit O.Paskali eshte nji bukuri e papare e cila eshte e vendosur perballe hyrjes kryesore te P.Brigadave.Gjithashtu ne krahun lindore te ketij objekti ndodhet Kisha ku sikc na thoshin atehere ishte per Mbre.Gerardine. Eshte shtepia e Bujkut nji shtepi karakteristike e cila sot nuk e di ne c’gjendje eshte. Baballaret u thoshim ne ushtaret statujave qe jane vendosur prane bulevardit kryesor te P. Brigadave. Ka shetitore te bukura ne dy perimetra….etj. Gazetari apo gazetarja me shume duhet te ishte thelluar ne shume fakte,objekte,personel civil e ushtarak qe kane sherbyer ne kete objekt te rendesishem. Shkrimi eshte i thate dhe nuk te jepe plotesishte kenaqesine e bukurive mahnitese te P. Brigadave, Nipi im nga Vlora edhe ai si une mbaroi ushtrine ne 1997 ne kete repart dhe flete me respektin me te madh per Kom. e Repartit dhe oficeret se bashku me ushtaret ruajten dhe e mbrojten P. Brigadave me heroizem. Une jam emigrant ne Greqi prej 25-vjetesh dhe kam mall per PBr sepse kalova 27-muaj ketu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *