Handikapet e krijuara nga qeveritë e mëparshme, me ligj apo me VKM mbi ndërtimin, funksionimin dhe varësinë e institucioneve shtetërore janë pa fund. Janë bërë për qëllime meskine apo për paaftësi, ato shpesh janë barrierë burokratike që po nuk u shfuqizuan, shoqërisë i sjellin vetëm dëm. Një nonsens të tillë shpreh dhe vendimi Nr.502 datë 16.04.2008, “Për administrimin e konvikteve të sistemit arsimor parauniversitar”, i cili vendos ndryshimin jo vetëm të pronësisë, por edhe të varësisë dhe administrimit të tyre nga Ministria e Arsimit në njësitë e qeverisjes vendore. Po ku qëndron e keqja? Le të shpjegojmë. Prej disa kohësh në Shqipëri në shkollat e mesme profesionale po zbatohet një projekt, “Mbështetja zvicerjane për A.F.P në Shqipëri”. Ky projekt ka sjellë për shkollat profesionale jo vetëm teorinë e mësimdhënies, por ka ngritur dhe tre baza të fuqishme praktike në qytetet Lushnje, Durrës dhe Elbasan. Vlen të theksohet që programet dhe bazat e praktikës janë të standardeve europiane. Në këto kushte, programe të veçanta të praktikës mësimore duhet të zhvillohen pranë këtyre qendrave, nxënësit pra duhet të lëvizin dhe të akomodohen. Por çfarë ndodh në fakt? Për turp, asnjë bashki që ka në varësi konviktet e këtyre shkollave s’pranon t’i akomodojë këta nxënës. Një programi që përgatit specialistë të aftë edhe për tregun europian të punës i thuhet jo, dhe për çfarë? Për tre vakte buke dhe fjetjeje, 23 nxënësve për 1 muaj praktikë pranë këtyre qëndrave. Por papërgjeshmëria me konviktet vazhdon edhe më tej. Bashkitë, duke u dhënë të drejtën e pronësisë dhe administrimit, një pjesë të ambjenteve të tyre i kanë kthyer në zyra për pushtetin vendor. Ç’duan bashkitë me ambientet e këtyre shkollave? Ka ardhur koha që me ndryshimin e varësisë së shkollave te mesme profesionale nga ministria e Arsimit në atë të Mirëqënies Sociale të ndryshojë dhe kjo VKM veprimkeqe. Nga një mësues praktike pranë shkollës “Pavarësia” Vlorë.
Letër e nënshkruar,
Krenar Cani
