Njehsimi i diplomave të fituara jashtë, ja ku duhen dorëzuar kërkesat

Ornela

Pranvera Kola

Jo të gjitha kërkesat për njehsimin e diplomave të fituara jashtë vendit duhet të depozitohen në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë. Sipas ndryshimeve të bëra së fundmi, pranë këtij institucioni do të dorëzohen vetëm kërkesat dhe dokumentacionet për njohjen e diplomave të doktoraturës, ndërsa për diplomat e niveleve më të ulëta universitare, si dhe certifikatat e tjera, aplikimi do të bëhet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit.

“Dokumentacioni për njësimin e certifikatave dhe diplomave universitare të nivelit 5 deri në nivelin 8 sipas Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (me përjashtim të diplomave të doktoratës) duhet të dërgohen me postë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Ndërsa dokumentacioni për njësimin e gradës shkencore “Doktor”, si dhe titujve të tjerë akademikë duhet të dërgohet me postë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë”, bëjnë me dije burimet zyrtare të dikasterit të arsimit. Aplikimi në secilin rast mund të kryhet online, ose vetëm në formë shkresore.

Në të dy rastet aplikanti duhet të dorëzojë në rrugë postare në QSHA dhe dokumentacionin e kërkuar për njësimin e certifikatave dhe diplomave universitare të nivelit 5 deri në nivelin 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe Kornizës Europiane të Kualifikimeve me përjashtim të diplomave të doktoratës). Dosja e dokumenteve duhet të ketë në brendësi:

“Formularin e aplikimit të plotësuar individualisht, ose atë të printuar pas aplikimit online (në rast se aplikohet online), diplomën ose certifikatën që vërteton përfundimin e studimeve (në rastet kur ky përbën dokumentin zyrtar përkatës në vendin e origjinës ekuivalent me diplomën), listën e notave, ose suplementin e diplomës, fotokopje e kartës së identitetit ose të pasaportës (vetëm për shtetasit e huaj), mandat-pagesën e aplikimit”. Dokumentet duhet të jenë origjinalë (me përjashtim të diplomës) ose fotokopje te njësuara me origjinalin. Dokumentet e dorëzuara për njohje nuk i kthehen më aplikantit.

Njohja e gradës shkencore “Doktor”

Aplikimi për njohjen dhe njësimin e gradës shkencore “Doktor”, duhet të përmbajë dokumentacionin si në vijim: “Formularin e aplikimit të plotësuar individualisht, kopje të diplomës dhe suplementit të saj (nëse ka të tillë) të lëshuar nga institucioni përkatës i arsimit të lartë, që dëshmon fitimin e gradës shkencore “Doktor”, si dhe kopje të noterizuara të diplomave për studimet pararendëse universitare, fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës (vetëm për shtetasit e huaj), si dhe mandat pagesën e aplikimit. Edhe në këtë rast dokumentet duhet të jenë origjinale.

Kohëzgjatja e procedurave të njehsimit

Procedurat për njohjen dhe njësimin e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit, kur dosja e aplikimit është e plotësuar me të gjithë dokumentacionin e kërkuar në këtë udhëzim, përfundojnë brenda 45 ditëve në rastet e aplikimit online, dhe brenda 3 muajve në rastet e aplikimit në formë shkresore. Vërtetimi është gjithmonë i vlefshëm (vetëm në Republikën e Shqipërisë) përveç rastit kur ka ankesa për ndryshim dhe kur revokohet nga Komisioni i Njohjes së diplomave.

Tarifat

Sipas kushteve të përcaktuara nga dikasteri i arsimit, tarifa për njohjen dhe njësimin e certifikatave dhe diplomave që i përkasin niveleve të përmendura më lart për çdo diplomë që kërkohet të njësohet, është 2,000 lekë për aplikimet e kryera online dhe 4,000 lekë për aplikimet e kryera vetëm në formë shkresore. Ndërsa për gradat shkencore tarifa për çdo diplomë që kërkohet të njësohet, është 3,500 lekë për aplikimet e kryera online dhe 5,000 lekë për aplikimet e kryera vetëm në formë shkresore./DITA

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *