Jorgo Mandili
Prolog
Në prag të fushatës së madhe elektorale, ata që i këndojnë këngën e kryeministrit Lulit për 8 vjet me rradhë, po këta i kanë përgatitur edhe një program “antikrizëcovidiane” për të shpëtuar qeverinë?! Shaka? Lajthitje? Dinakëri? Hipokrizi? Demagogji? Përveçse jo shaka, të gjitha të tjerat qëndrojnë si mundësi! Ky programi 5 pikësh parashikon të ndajë çeqe eurosh me vlera të ndryshme për kategori të ndryshme sociale-mjekë, pensionistë, biznese etj., me një vlerë totale afërsisht gjysëm miliard dollarë për një periudhë 6- mujore … gjë e mirë, apo jo?…të mendosh për popullin do të thotë të jesh me popullin …prandaj edhe Luli bëri “sakrificën” e madhe” – “Hari- Kiri” – daljen nga parlamenti që të ishte “si populli” në rrugë dhe të ndjente “frymëmarrjen e popullit”, duke protestuar krah popullit si “kali në lëmë” rreth kryeministrisë … …nga “dhembshuria ” e tij “për njerëzit”, Luli “nuk ve gjumë në sy dhe… është bërë shumë aktiv duke bredhur Shqipërinë e duke qarë, hallet e tyre “- thotë Agron Duka. Po Agron! E kemi parë duke premtuar çeqe, sekuestrime, ndëshkime, subvencion, abrogime koncesionesh, ulje taksash, shërbime falas etj., etj., jo si Lul i PD- së, por si kryeministër i Shqipërisë. Nuk mbahen mend deri tani se sa programe na ka shpalosur Luli… Nuk po i përmendim se do lodhet lexuesi, por të gjitha ato parashikonin “parajsën demokratike”. ” Premtime të bukura që zhdukin mjerimin, ulin papunësinë, rrisin cilësinë e shërbimit shëndetësor, garantojnë një arsim cilësor, sigurojnë prodhimet bujqësoe, rritet në mënyrë të ndjeshme cilësia e jetës së pensionistëve dhe familjeve të varfëra. Me një fjalë Luli premton “parajsën” në krahasim me “ferrin”e Ramës. Variante më të sofistikuara se “çeku i bardhë” që u siguroi pushtetin politik dhe ekonomik. E keqja është se Luli as nuk e kupton përmbajten e këtyre programeve, ashtu si edhe deputetët nuk kuptojnë se çfarë ligjesh bëjnë. Por, Luli ka fatin e madh që këto programe ia përgatit fondacioni “Adenauer” dhe ia promovojnë ho(e) rrat Martin Henc- ët ,Falinsk- ët “frau” Pack-ët etj., “herra” e “frau” të PPE- së.
Oshilacione mentale?
Një ekstrat i programeve të tilla është edhe ky i fundit 5-pikëshi “antikrizëcovid” që ka një specifikë, më saktë një paradoks. Nga njëra anë Luli kërkon të “ndihmojë” qytetarët shqiptarë duke u premtuar ” çeqe” kategorive të ndryshme shoqërore dhe nga ana tjetër kërkon që këto premtime të tij t’i realizojë qeveria, dhe nuk ka ditë pa i bërë thirrje Edi Ramës ta vejë në zbatim programin e tij. Nëse do të ndodhte kjo do të ishte një “mrekulli” shqiptare e padëgjuar në historinë e Shqipërisë. Më së fundi “shqiptarët do të arrinin të merreshin vesh mes vedi” ! Do të ringjallej Konica! Një ” haluçinacion politik”! – Luli fap programe, edi Rama fët pare. Vërtetë …beson Luli se Edi Rama do t’ia hap thesin Lulit ? Nëse vërtet beson, atëherë diçka nuk shkon në ” kompjuterin” dhe ” softwerin” e Lulit. Që Rama është kontravers kjo dihet, që është demagog po e po, që artikulon mjeshtërisht padiskutim po, që është shoëman e dinë të gjithë, që është artist i spektakleve kemi 8 vjet që na ngopi, por të pranojë të realizojë atë çka do Luli që i ka bërë ” llogaritë me hanxhinë”, është e pamundur. Nuk ka shans. Aq sa Trump mund ta bënte për Bidenin, në vendin më “demokratik” të botës! Vallë nuk e di Luli këtë? Nëse e di dhe e hedh si “karrem” para shqiptarëve, atëhere mos vallë i konsideron shqiptarët? Nuk ma nxë goja ta shpreh. Nëse kjo nuk është kështu, atëherë cili është synimi i tij? Apo nuk ka asnjë synim dhe është ndonjë ” oshilacion mental”? Sepse nuk është hera e parë që shfaq oshilacione të tilla mentale. Nëse kthehemi pas në kohë dhe shikojmë sjelljet, qëndrimet, veprimet, deklaratat e tij herë revolucionare e herë paqësore, herë ulërima e britma e herë buzëqeshje “guiplenane”, herë marrëveshje të hapura e herë të fshehta, herë denoncime e herë pazare etj., vërejmë të njëjtën anomali mentale të tij.
Sindroma “Basha”
Kjo i shtyu “ekspertët” e gazetës ” Dita”, profesionalizmi dhe serioziteti i të cilëve nuk vihet në dyshim, të kërkonin t’i bënin një testim për të parë gjëndjen mentale të Lulit. Sipas këtyre “ekspertëve” rezulton se “pacienti Basha” ka disa variacione mentale si rrjedhojë e virusit “7×7=42” që shfaqet si mutacion i dyfishtë nga një kombinim i dyfishtë “Mediocritus Permanentis dhe Mediocritus Vulgaris, të cilat, siç dihet shkencërisht, ushqehen dhe shumohen vetëm nga prania e elementit virusal Shejtanum Vicidolum. Ky është konkluzioni i këtyre ekspertëve, që kanë përcaktuar “anamnezën” e këtij pacienti, por jo shkaqet. Duke u përpjekur për të gjetur këto shkaqe gjeta një thënie të Ajnshtajnit dhe një të Solomonit, brilante që në mënyrë adekuate i përshtaten kësaj gjendjeje mentale të Lulit tonë. “Të përpiqesh të bësh të njëjtën gjë herë pas here, duke pritur rezultate të ndryshme është çmenduri” ( Ajnshtajn). “Njeriu pa mend, kthehet në gabimin e tij, siç kthehet qeni në të vjellën e vet” (Solomoni). Në kontekstin e këtyre thënieve duhet të kuptojmë se ata që bëjnë veprime të tilla, nuk se janë të çmendur apo buda llenj “sui generis” domethënë jo se kanë gjenome të tilla që në ngjizje. Mund të jenë normalë dhe bëjnë të tilla budallallëqe dhe çmendurira me veprime dhe sjellje jo normale, që shfaqen si të tillë. Njëlloj si ato insektet, që është e pamundur t’i nxjerrësh prej vrimës ku banojnë”! Ndërkaq, që inteligjenca e njeriut normal shprehet në përpjekjet e tij si e si t’i arratiset budallallëkut, budallai këmbëngul në të “tijën…gjë që shpreh pamjaftueshmërinë e tij për të dalë nga vetja”. Kësisoj një budallai i tillë është një tip absurd – një qënie njerëzore që e mendon veten si njeriun më të ditur e më të mençur të të gjithë njerëzve duke e instaluar kështu gjithë qenien e vet brënda budallallëkut të tij. A nuk ndodh kështu edhe me Lulin? Po! Është e pamundur, qoftë edhe për një çast, që Lul Bashën ta nxjerrësh nga gjendja e tij e verbër e për ta detyruar të verë në kontrast vizionin e tij të qullët me format e tjera më inteligjente të komunikimit ndërshoqëror, duke shfaqur një tipar specifik të karakterit të tij që mund të cilësohet si “sindroma Basha” – vendosjen e aparatit të tij mendor në një pozicion të ndërmjetëm! Po përse ai e vendos aparatin e tij mendor në një pozicion të tillë? Ndoshta urrejtja për gjithçka që nuk është vetvetja? Ndoshta është i dënuar të sillet si i tillë?
“Foshnjëria intelektuale”
Nuk është më çështje personale.Të gjitha sjelljet, qëndrimet apo veprimet e tij janë detyrim për të mbijetuar në krye të një partie që po shërben ashtu siç e kemi përfytyruar të gjithë, si studio legale për të mbrojtur Familjen Berisha. Një qëndrim i tillë ushqehet pikërisht nga elementët virusalë “Shejtanum Vicidolum” ! Prandaj dhe është i dënuar për të mbajtur një qëndrim të tillë dhe të bëhet i përdorshëm. Dhe, fajtor është vetë. Mungesa e “imunitetit” mendor e bën të paaftë ta përdorë mendjen e vet pa drejtimin e një tjetri. Kjo paaftësi quhet “foshnjëri intelektuale”. Është rehat të jesh “foshnjë” kur unë kam një mentor që është ndërgjegja ime dhe vendos edhe për mua, kur kam zagarë që “lehin” për mua, tellallë që bërtasin për mua, servilë që më elozhojnë mua, intrigantë që bëjnë skenarë mizantrope për kundërshtarët e mi, media komercialiste që më glorifikojnë mua e demonizojnë kundërshtarin, atëherë përse unë të mundohem ta vë në punë mendjen. Më mirë ja fut gjumit për “shtatë palë qejfe”, kështu mendon Luli. Ai nuk e ndjen të domosdoshme ta vejë mendjen në punë kur ka një taborë të tillë që punon për të nën drejtimin e “plakut digital “. Atëherë a ka faj Luli që në çdo post që i japin ja fut gjumit? Sepse të gjitha postet nuk i ka fituar, por i janë dhuruar që nga KOP-i e deri tek kryetari i partisë, ndaj e quan normale që t’i japin tani edhe postin e kryeministrit. “Foshnjëria intelektuale” këtij njeriu i është bërë karakter , është vështirë për të dalë nga kjo gjendje, prandaj me të drejtë u kërkon të gjithë këtyre: Pse më sollët deri këtu ? Më bëni tani edhe kryeministër!
Lul- duhet të ndërrosh shpirtin jo klimën
Nuk është e gabuar, as e pamoralshme të synosh fitoren, të vish në pushtet. Bëhet e pamoralshme, atëherë kur kjo dëshirë merr ngjyrën e zezë të lakmisë për ta arritur me çdo kusht e çdo mjet. Fitorja e vërtetë është fryt i zellit dhe i mençurisë, gjetjes së urave të komunikimit, partneritetit të duhur, këshilltarëve të urtë, ekspertëve profesionistë, komunikimit luajal, alternativës së besueshme dhe mbi të gjitha moralit të pastër, pa ngarkesa në ndërgjegje dhe mëkate në shpirt.
Mos harro fjalët e Senekës, po t’i rikujtoj: “Ti tani e kupton që duhet ti përvidhesh sa më shpejt shkëlqimit të rremë dhe të mjerueshëm te funksioneve që ke”. Kërkon të dish se si mund t’ia dalësh mbanë? Disa gjëra bëhen vetëm në terren. Një mjek nuk mund të diagnostikojë me korrespodencë. Fillimisht atij i duhet të masë pulsin e të sëmurit. Sipas një proverbi të vjetër fitorja e gladiatorit vendoset në arenën e ndeshjes. Ti beson se me “bredhjet” e tua fshatrave, qyteteve, tregjeve, bizneseve, shkollave e deri taksive ke grumbulluar kaq përvoje sa për t’u bërë kryeministër? Po pse habitesh që një udhëtim kaq i gjatë dhe kaq vizita nëpër atdhe nuk mund të ta shpërndajnë atë trishtim që të ka pushtuar? Sepse Lul, duhet të ndërrosh shpirtin dhe jo klimën ! Ti mund të shëtisësh qytete e fshatra të tëra, siç thotë Virgjili ynë i dashur, megjithatë veset e mëkatet e tua do të të ndjekin pas kudo. Çlirohuni prej tyre dhe ja prova e zjarrit – programi 5 pikësh, gjysmë miliardi dollarësh. Bashko paratë e tua të vjedhura nga ” Rruga e Kombit” me ato të Presidentit dhe do të çliroheni jo vetëm nga një pjesë e veseve e mëkateve tuaja, por do të shtoni edhe shanset për të fituar – ti kryeministër, Iliri president edhe 5 vjet të tjera. Nuk humbisni gjë, pak guxim do ky veprim, se prapë do t’i fitoni këto pare përsëri, madje që në 100 ditët e para të pushtetit tuaj pas fitories. Bëni një sevap “për popullin” meqenëse sakrifikuat për të kur latë mandatet për të qenë “me popullin” e për të ndjerë “si populli”. Por ju nuk e bëni këtë, nuk keni besim se do votoheni nga shumica e popullit.
Ai që është i ruajtur nga lakmia e vet është i shpëtuar
Lul! – Je kthyer në një epilog për të ardhur keq, i një udhëtimi, gjatë të cilit e pe veten të fortë brenda çadrës që ngrite me duart e tua e mendjen e të tjerëve. Duke përjetuar autosugjestionin dramatik të një njeriu, që kur nxirrje këmbën jashtë atij perimetri pllakash bulevardi, shihje se realiteti ishte krejt i ndryshëm. Ashtu siç të duket edhe sot realiteti pas lënies së mandateve. Tani ndoshta e kupton “çmendurinë” tënde, që braktise parlamentin, që pa të drejtë ndërkombëtarët dhe Edi Rama bëjnë marrëveshje e pazare për të të kthyer ty “djalë plangprishës” në grigjën tënde. O njerëz! Jeni të lirë të shkoni pas këtij të parëndËsishmi, këtij të paçmuari, këtij autsajderi mendor, këtij njeriu që nuk i ngjitet asnjë lloj autoriteti. Për një njeri të tillë ka vend thënia e mëposhtme: “Edhe po të vishte pallton e Napolonit, menjëherë pas beteje, të gjithë ushtarët më parë do të brohorisnin për itedentin e kuzhinës apo për prostitutat e fshatit përbri se sa për të”. Kësisoj një kryeministër si ky nuk i vlen askujt, përpos disa “prostitutave politike dhe mediatike”, që e përdorin Lulin si “instrument” për të nxjerrë mllefin që kanë me Edi Ramën. Për asgjë tjetër! Në subkoishencën e tyre edhe këta e dinë se cili është Luli! “Noli adfleclare quod tibi non est datum delusa ne spes ad querelam recidat”-thotë latini për ata njerëz, kur natyra nuk i ka dhënë ndonjë dhunti. E dinë mirë që Luli është pa asnjë dhunti drejtimi e inspirimi. E dinë, se e kanë parë që po bëhet një kohë e gjatë, qysh nga 2013, në krye të PD dhe opozitës së bashkuar që drejton pa ide, pa kauza, dhe pa vizione. Lul jo vetëm shumica e popullit por edhe ata që ke rrotull e të “glorifikojnë” e dinë që ti nuk arrin dot të udhëheqësh e të frymëzosh “të tutë” pa le të tjerët. Kësisoj nuk ke arsye të lakmosh pushtetin. “Lakmo o i mjerë atë ç’ka të ka dhënë natyra, vetëm kështu nuk zhgënjehesh”! Prandaj Lul – “Tace atque abi” “Semper idem”! -Qepe gojën dhe ik, je bërë i mërzitshëm!
Epilog
Por unë jam i bindur se ti nuk do të ikësh, se je infektuar keq nga virusi “Mediocritus Permanentus & Vulgaris” që ushqehet dhe shumohet nga elementët virusalë” Shejtanum Vicidolum”. Përderisa ky virus nuk shkakton as temperaturë, as kollë, as vrarje mendjeje, as vrarje ndërgjegjeje, mund të themi se Basha nuk do të ketë asnjë pasojë. Madje po mendojmë që s’kemi pse ia themi fare, kanë thënë ekspertët, të cilët kanë shtuar: “Tani që po e mendojmë, edhe sikur t’ja themi, ai s’ka për të kuptuar gjë. Merret vesh, përnderisa është mediokër dhe budalla” e, siç thotë edhe Shileri: Përballë budallallëkut edhe Perënditë janë të pafuqishme”.

Argumente bindëse shprehur me sarkazëm të fuqishme. Urime Jorgo!