Kristiani me origjinë nga Lezha, është shpallur fituesi i ‘Ngri Flamurin’, projekti që startoi në rrjetin social Facebook dhe u përmbyll në aktivitetin“ Kam një ëndërr” mes 100 të rinjve fitues që shprehen ëndrrat e tyre. Edi Rama i ka dorëzuar një kopje të flamurit të 1912-tës, flamurit origjinal që është ngritur në Vlorë 100 vjet më parë, e kornizuar, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe iniciativës ‘Ngri Flamurin’, me një dedikim nga Edi Rama. Djali nga Lezha që jeton në Itali është falënderuar nga Kryetari Rama, por edhe të gjithë 10.106 të rinjtë që kishin dëshirë të shprehnin ëndrrat e tyre në përvjetorin e 100 vjetorit të pavarësisë kanë marrë falënderimet dhe mirënjohjen e liderit të opozitës. Duke marrë fjalën në këtë event, i erdhi radha edhe Edi Ramës të tregojë ëndrrën e tij. Më poshtë fjala e plotë e liderit të opozitës Edi Rama:
Përvjetorët janë momente shumë të rëndësishme dhe janë sa një kohë për të parë pas, aq edhe një kohë për të parë përpara. Për të parë pas është e lehtë, sepse ka shumë gjëra që mund t’i shohim falë atyre që përpara nesh kaluan nëpër këtë tokë. Për të parë përpara është shumë vështirë, sepse s’na ndihmon dot e shkuara, po na duhet kurajë dhe forca e imagjinatës sonë. Prandaj mendoj që një përvjetor si ky nuk mund t’u takojë vetëm njerëzve të mëdhenj, por duhet t’u takojë edhe njerëzve të zakonshëm. Nuk mund t’u takojë vetëm figurave të shquara, por duhet t’u takojë edhe atyre që sot kanë guximin për të shpresuar. Ndaj edhe ne ndërmorëm këtë nisëm duke shfrytëzuar një moment transformimi rrënjësor të botës, përmes rrjeteve sociale që i kanë dhënë mundësi njeriut të zakonshëm të ketë median e tij dhe duke kërkuar që të ndajnë me ne ëndrrën e tyre, njerëz të zakonshëm të të gjitha moshave. Për të ardhur më pas këtu në këtë moment përmbyllës të 100 vjetorit që është e udhës t’u takojë pikërisht njerëzve të zakonshëm.
Unë besoj që njerëzit e zakonshëm kur bëhen bashkë mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Jam i bindur që bashkimi i gjithë këtyre ëndrrave 10.106, është në fakt bashkimi i një force të madhe njerëzish të zakonshëm, dhe një premisë për të bërë gjëra të jashtëzakonshme. Një përvjetor i tillë është një moment për të mësuar nga më të mirat e së shkuarës, por edhe për të kuptuar sa ne mund të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë. 100 vjet më parë asnjë nga ne nuk ishte këtu, por atdheu ynë ishte këtu. Ka shumë gjëra nga atdheu që ishte, që ne i çmojmë sot e gjithë ditën. Një bukuri të egër të pacenuar, peizazhe ku ndërtime të bëra me mund dhe me pak para i jepnin hijeshi atdheut tonë. Imazhe bardh e zi njerëzish shumë fisnikë, familjesh që dinin shumë bukur ta kremtonin vetveten duke iu dhënë të dielave një sharm të veçantë. Mjafton të rendësh nëpër koleksionin e dinastisë Marubi për ta pasur zili Shqipërinë e 100 viteve më parë.
Por, ka diçka ende më të madhe se kjo, se tërësia e pamjeve dhe e kujtimeve që vijnë deri tek ne përmes imazhesh ose mbresash të shkruara. E kjo, është forca e idealizmit të një grushti njerëzish, që në kohëra jashtëzakonisht të vështira, dhe ende më të vështira për t’u imagjinuar sa të vështira ishin, morën në sy një rrezik që ne sot nuk jemi në gjendje ta kuptojmë se sa i madh ishte. Vunë ‘bast’ gjithshka, jetën e tyre, pasurinë e tyre, familjen e tyre, për një ëndërr. Për një ëndërr që dukej shumë e madhe për supet e një grushti njerëzish, po që e bënë realitet ëndrrën e Pavarësisë së Shqipërisë. Sot kur kthehemi pas dhe i shikojmë me radhë burrat e atyre 83 burrave që u mblodhën këtu në Vlorë me në krye Ismail Qemalin, kanë forcën e një pikture religjioze; Kanë forcën e një tavani të pikturuar katedraleje; Kanë forcën e një mesazhi që duket shumë i largët për ne njerëzit e zakonshëm, pasi është shumë i plotfuqishëm. E, kur mendon që është plotfuqia e vënë në jetë nga 83 shqiptarë të zakonshëm, sepse deri atë ditë ishin të zakonshëm, po kishin të jashtëzakonshme kurajën për ta ndjekur ëndrrën e tyre dhe falë kurajës e bënë realitet. Kjo është ajo çka besoj mund të mësojmë nga e shkuara dhe mund të mësojmë nga ai grusht njerëzish që në një kaos, botëror dhe ballkanik në atë kohë, kur Shqipëria ishte në pikëpyetje shumë të madhe, morën guximin të vijnë në Vlorë dhe të sfidojnë të shkuarën, po edhe t’i përplasin derën në fytyrë asaj të ardhmeje të tmerrshme që shfaqej për Shqipërinë dhe shqiptarët si një pushtim që do të zëvendësonte një pushtim tjetër. Mësimi i madh është që njerëzit kur besojnë dhe kur kanë guximin që për atë që besojnë të sakrifikojnë, atë që kanë, pa as më të voglin dyshim shkruajnë historinë dhe e ndryshojnë historinë.
Ashtu sikundër shumë gjëra janë të ngjashme ashtu dhe shumë gjëra janë të ndryshme. Një gjë ama nuk ndryshon kurrë; Politika është në vetvete një krijesë e lidhur me të ardhmen. Sepse është një krijesë e kohës që jetojmë në funksion të sfidave që kemi. E kur ajo mbërrin në formën e vetë më të mirë, politika është e mbushur plot me ëndrra. Me ëndrra që mund të bëhen realitet. Pavarësinë vërtet e bënë të mundur një grusht njerëzish, po ajo që i bashkoi ata ishte një politikë e mbushur me ëndrra. Pikërisht, pse ata zgjodhën të përfshihen, dhe zgjodhën që ta sfidojnë realitetin që thoshte ‘s’ka asnjë shans, asnjë mundësi që gjërat të ndryshojnë’ arritën t’i ndryshojnë gjërat. Ata patën kurajën jo vetëm të ëndërrojnë që Shqipëria mund të ishte e pavarur, por të besojnë që mund ta sillnin vetë me duart e tyre Flamurin e Pavarësisë dhe se duke u bërë bashkë një grusht njerëzish mund ta pavarësonin Shqipërinë. Ata jo thjesht panë një ëndërr, por punuan me shumë përkushtim pa u dorëzuar as aty ku dukej sikur ëndrra ishte një marrëzi dhe luftuan deri në fund. E fituan betejën e tyre duke bërë që ëndrra të bëhej realitet. Sot pavarësia është një ëndërr e realizuar, por në ndërkohë të tjera ëndrra janë në radhë dhe presin për t’u realizuar. Forca e një ëndrre i çoi një grusht njerëzish tek Pavarësia, por nga ana tjetër forca e politikës i tërheq njerëzit nga e ardhmja. Nëse një ëndërr aq e madhe sa ajo e Pavarësisë u bë realitet, ëndrra të tjera presin që njerëz të zakonshëm të bëhen bashkë për t’i bërë ato realitet. Cilat janë ëndrrat sot? Nisma jonë që përfshiu kaq shumë njerëz në një kohë kaq të shkurtër synonte, pikërisht, që t’i bashkonte njerëzit në një hapësirë ku pa frikë, dhe madje me krenari, të hidhnin farën e ëndrrës së tyre. Falë këtij transformimi rrënjësor të botës sonë që është shfaqja e medias sociale ne kemi sot përgjigje për këtë pyetje. Cilat janë ëndrrat tona sot. Shumë njerëz thonë ‘ç’punë ka Edi Rama me Twitter-in’, ‘ç’i duhet Edi Ramës me Facebook-un, si mund të bëhet opozitë në Twitter dhe në Facebook’, por në fakt ose janë ende drejt rrugës për të kuptuar që këta elementë të rinj nuk janë luks, nuk janë as një mundësi për t’u zbavitur, por janë instrumente që koha që jetojmë na jep në dorë për të komunikuar shumë më shpejt me njëri tjetrin, ose nuk duan ta kuptojnë një gjë të tillë sepse i përkasin së shkuarës e kanë vetëm një mision të mbetur që ta mbajnë të shkuarën gjallë sa të munden duke e lënë të ardhmen pas dere deri kur të munden.
Përgjigja në fakt është shumë e thjeshtë. Përgjigja është që këto instrumente na japin mundësinë që të dialogojmë me një shpejtësi drite me njerëz që nuk do kishim kurrë mundësi ndoshta t’i takonim dhe nuk do të na jepej kurrë shansi që t’u dinim mendimet. Nga ana tjetër janë një mundësi e jashtëzakonshme që duke u lexuar njerëzve mendimet të marrësh aq shumë energji pozitive dhe aq shumë ide që të gjitha së bashku të ndihmojnë të formësosh një ide tënden dhe të kesh një karikim energjish pozitive të pamundur përndryshe. Ndoshta pjesa e artistit brenda meje më thotë që një jetë pa ëndrra është një jetë pa shpresë. Po unë besoj që as njeriu më i pasur në botë, as njeriu më i plotfuqishëm në botë nëse ka të tillë, as njeriu më i talentuar në botë nëse ka një klasifikim të kësaj natyre, nuk mund të ndalojë dot së ëndërruari dhe nuk duhet të ndalojë së ëndërruari, sepse atëherë duhet të pranojë se ka ndaluar së jetuari.
Nëse ka një mësim të thjeshtë nga ky 100 vjetor, është mësimi se ne mund t’i ndryshojmë gjërat. Njerëzit kanë në dorë ndryshimin. Kur nuk guxojnë dhe kur kanë frikë të besojnë i japin një dorë ndryshimit për keq. Kur guxojnë dhe kur e ushqejnë besimin e tyre bëhen padyshim jo vetëm zëdhënës as vetëm bartës, por edhe realizues të ndryshimit të mirë. E thash edhe më parë, Shqipëria ishte këtu kur ne nuk ishim këtu. Shqipëria do të jetë këtu edhe kur ne mos jemi më këtu. Por, por sa kohë ne jemi këtu kemi jo vetëm të drejtën po edhe detyrimin të kemi ëndrrat tonë dhe të luftojmë ëndrrat tona, individualisht dhe së bashku në mënyrë që atyre që vijnë pas t’u lëmë një atdhe më të mirë se ky që kemi siç ata që erdhën para nesh na lanë një atdhe më të mirë se ai që gjetën.
Kjo është ëndrra ime!
Unë besoj që ashtu sikundër dikur ëndërroja se Tirana mund të bëhej më e mirë se ajo që ishte, dhe jam i bindur që u bë më e mirë se ajo që ishte. Sot unë besoj që Shqipëria mund të bëhet më e mirë se kjo që kemi dhe jam i bindur që ne do ta bëjmë më të mirë se kjo që kemi.
Tirana është një qytet i madh që u ringrit mbi një hapësirë ku qyteti kishte humbur. Unë jam shumë krenar për ndryshimet që forca e ëndrrës së ndryshimit solli në Tiranë. Jam shumë krenarë që sot kryeqyteti që kishte humbur mes kaosit dhe plehrave është një vend ku pasuria e patundshme e çdo qytetari dhe e familjeje në kryeqytet është rivlerësuar me herë dhe ku hapësira e bashkëjetesës, mjedisi i përbashkët i qytetarëve të Tiranës po ashtu është rivlerësuar me herë. Jam po ashtu i bindur që siç Tirana sot ka dhjetëra mijëra pemë që dje ishin filizat e një shprese, ndërsa aktualisht përbëjnë forcën mbi të cilën qyteti mund të vazhdojë të ndërtojë vetveten, ashtu dhe Shqipëria mund të jetë si ajo shtëpia që tha miku ynë fitues që ka jo vetëm themele solidariteti, por ka edhe të gjithë shijen që i duhet një shtëpie që njerëzit brenda të mos kenë vetëm një strehë, por të kenë edhe kënaqësinë e të jetuarit së bashku në të njëjtën çati. Dhe besoj që kjo nuk është një ëndërr e marrë, nuk është as një fantazi pa bazë. Fantazi pa bazë do ishte sikur unë përshembull do doja të luaja me Barcelonën sezonin e ardhshëm apo të nënshkruaja një kontratë me Los Angelos Lakers tanimë që edhe basketbolli për mua është një ëndërr që i takon së shkuarës. Ndërsa ëndrra për t’i dhënë jetë së bashku një fuqie transformuese që ta bëjë Shqipërinë vendin që duam dhe që ta bëjë Shqipërinë të ngjajë me 10.106 ëndrrat e mbledhura në këto 3 javë të fundit nuk është fantazi. Madje është ëndërr për aq kohë sa ne biem dakord ta quajmë të tillë, por mund të biem dakord ta quajmë dhe detyrimin tonë të përbashkët për ta bërë realitet. Unë u përpoqa të lexoj sa më shumë nga ato që ju keni shkruar dhe në fakt është sa e bukur aq edhe e dhimbshme kur shikon se ato që ju keni shkruar janë në fakt kërkesa fare legjitime të njerëzve që e jetojnë ekzistencën e tyre si pjesë të të jetuarit në Europën e shekullit të 21. Ju keni shkruar nën titullin ëndërr gjëra që janë detyrime të paplotësuara të qeverive dhe të politikës së këtyre 20 e kusur vjetëve liri me demokraci të cunguar. Dhe unë jam ndjerë dhe ndjehem sot bashkë me ju këtu jashtëzakonisht i privilegjuar që kam shansin dhe mundësinë e jashtëzakonshme që të bëj gjithçka mundem që këto kërkesa legjitime të plotësohen dhe që këto ëndrra të bëhen realitet. Sepse nuk besoj që është një ëndërr e palejueshme që ne të kemi një Shqipëri ku ka punësim dhe pjesa më e madhe e ëndrrave tuaja flisnin për punësimin. Nuk besoj që është një ëndërr e pamundur që ne të kemi një Shqipëri ku ka taksim të ndershëm dhe ku secili kontribuon sipas asaj që fiton dhe ku në asnjë mënyrë një furrë buke nuk paguan më shumë taksa sesa hotel ‘Sheratoni’. Unë nuk besoj se është një ëndërr e paarritshme që ne së bashku të përpiqemi dhe të ndërtojmë një Shqipëri ku shërbimet publike janë sipas nevojës, jo sipas xhepit. Ashtu sikundër unë besoj megjithë zemër që s’është një ëndërr tronditëse, por është një detyrim që ne të ndërtojmë një Shqipëri ku pasuria më e madhe e atdheut tonë që është bukuria, të mos shpartallohet dhe shëmtia të mos bëjë ligjin ngado ku ne hedhim sytë. Në një atdhe i cili pikërisht tek bukuria duhet të mbështetet fort për të ndërtuar edhe mirëqenien e njerëzve të vet.
Kur ju thoni që kam ëndërr që të ndërtoj një familje të sigurt në Shqipëri unë nuk mundem veçse ta ndaj me ju këtë ëndërr dhe të punojmë së bashku që kjo ëndërr të bëhet realitet. Kur ju thoni që kam ëndërr që të kem një punë bazuar tek investimi i prindërve dhe i imi personalisht për të marrë një diplomë këtu apo jashtë vendit dhe me atë punë të kem mundësi që të krijoj familje dhe të rrisë fëmijë të cilëve të mund t’jua bëj dhuratën për ditëlindje, unë nuk mundem veçse ta ndaj me ju këtë ëndërr dhe bashkë me ju të luftojmë që ajo të bëhet realitet. Kur ju thoni që kam ëndërr që në Shqipëri spitalet të jenë të gatshme ti presin që të gjithë ata që kanë nevojë dhe prindërit e mi të moshuar të mos zvarriten korridoreve të spitaleve, duke kërkuar se ku është dera ku duhet të vazhdojnë të paguajnë derisa të marrin kujdesin që ju takon unë nuk mundem veçse ta ndaj me ju këtë ëndërr dhe të luftojmë së bashku që ta bëjmë atë realitet. Kur ju thoni që kam ëndërr që Shqipëria europiane të jetë fakt dhe unë të jem qytetar i barabartë i Europës së bashkuar si shqiptar, pavarësisht se jetoj në Shqipëri, në Itali, në Francë, apo si shqiptar në Shqipëri të ndjehem në Europën e bashkuar unë pa dyshim nuk mundem veçse ta ndaj me ju këtë ëndërr dhe ne të luftojmë së bashku që ta bëjmë atë realitet. Kur ju thoni që kam ëndërr që politika të vihet në shërbim të njerëzve dhe njerëzve përmes politikës të mund të shohin të bëra realitet ndryshimet që meritojnë dhe jo të zhgënjehen në mënyrën më të pamerituar duke parë më shumë korrupsion, më shumë padrejtësi, më shumë pabarazi unë padyshim e ndaj me ju këtë ëndërr dhe së bashku ne duhet ta bëjmë atë realitet.
Pra, të gjitha ato që janë të mbledhura në 10.106 ëndrra të shkruara në fakt janë ëndrra që mund të realizohen. Akoma më shumë, janë detyrime që ne duhet t’i plotësojmë së bashku, në rast se ne nuk jemi patriotë vetëm për të tundur flamurin në ditën e 100 vjetorit, por jemi patriotë për ta pasur në zemër dhe në mendje amanetin e burrave që 100 vjet më parë këtu në Vlorë patën kurajën të besojnë se Shqipëria mund të pavarësohej, e nuk deshën t’ia dinë fare se ishin një grusht njerëzish përballë një perandorie në ikje dhe forcash të tjera në ardhje, por vunë veton e atij besimi dhe ja ku jemi, e bënë Shqipërinë e pavarur.
Ne mund ta ndërtojmë Shqipërinë që duam. Ne mund ta ndërtojmë një politikë të re, një ekonomi të re, një shoqëri të re. Ne mund t’i ndërtojmë shërbimet publike që t’u shërbejnë qytetarëve sipas nevojës dhe jo sipas xhepit. Ne mund ta ndërtojmë një Shqipëri që është e drejtë këtu brenda me njerëzit e vetë, por është edhe e respektuar jashtë në raport me fqinjët dhe me miqtë e partnerët e vet. Unë besoj që ne mund ta ndërtojmë një Shqipëri që si familje t’i ngjajë familjes së një shqiptari në emigracion, që e nisi nga zeroja, që e nisi i rrethuar me gjithë përbuzjen e komshinjve dhe që sot shihet me respekt nga komshinjtë dhe nga komuniteti, sepse ka realizuar sukses me punë të ndershme, me talent, me vullnet, me durim dhe me krenarinë e të mbrojturit të identitetit të vet dhe të ëndrrave të veta. Pra, ja pse ne na duhet një Rilindje Shqiptare. Një Rilindje Shqiptare unë s’mund ta bëj i vetëm. Partia Socialiste nuk mund ta bëjë e vetme. Na duhen sa më shumë ëndrra dhe sa më shumë punë e përbashkët, që ëndrrat që ndajmë t’i bëjmë realitet. Pikërisht, sikundër etërit themelues besuan tek ideja e një rilindjeje mbi hirin përvëlues të një perandorie në degradim, por edhe përballë horizontit tërësisht të bllokuar nga retë e zeza, po ashtu dhe ne kemi jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin të besojmë në një tjetër Rilindje Shqiptare, mbi hirin e degradimit në rrugën e Rrënimit të Mëtejshëm që na ofrohet si e vetmja mundësi dhe përballë një horizonti shpresash por dhe rreziqesh, në rast se ne nuk jemi aq të zotë sa të përqafojmë shpresat, por jemi aq të dobët sa t’i lëmë rreziqet të na vënë përpara. Ne jemi të bindur që kjo qeveri nuk mundet dot t’i bëjë realitet ëndrrat, madje nëse shumë nga këto ëndrra duken si tepër të guximshme e nganjëherë edhe ireale është faji i kësaj qeverie. Në fakt, këto janë ëndrra tërësisht legjitime dhe plotësisht të realizueshme. Askush, besoj unë, që do të mbetet i ndershëm, deri në fund, nuk mund të premtojë që do t’i realizojë të gjitha ëndrrat. Unë jo e jo. S’mund të premtoj që të gjitha ëndrrat do të bëhen realitet. Ajo që unë mund të premtoj është që nëse ne vërtet besojmë se realizimi i atyre ëndrrave, i këtyre ëndrrave është e vetmja rrugë për të jetuar nesër në një Shqipëri më të mirë, atëherë padyshim ne dimë nga t’ia fillojmë. Mund t’ia fillojmë andej nga duhet. Ajo që unë ju premtoj solemnisht në këtë ditë solemniteti kombëtar, është që periudha e Rrënimit të Mëtejshëm mund të mbarojë. Ne së bashku do t’i japim asaj fund. Periudha e krijimit të kushteve për një Rilindje Shqiptare mund të fillojë dhe ne së bashku do ta bëjmë atë të fillojë.
Ka një ëndërr që i bashkon të gjitha ëndrrat. Kjo është ëndrra e ndryshimit. Që ëndrra e ndryshimit të fillojë të marrë krahë padyshim duhet filluar nga largimi i qeverisë që i pengon ëndrrat të marrin krahë. Në fund të fundit ëndrra e ndryshimit është një ëndërr që na bashkon, që na frymëzon, që na bën të punojmë sa të mundemi për ta bërë ndryshimin të ndodhë. Ishte ëndrra e ndryshimit që i bashkoi, i frymëzoi dhe i bëri të luftojnë sa mundën për ta bërë ndryshimin të ndodhë etërit themelues, ata që ngritën flamurin 100 vjet më parë këtu në Vlorë. Është e njëjta forcë, forca e ëndrrës së ndryshimit, pavarësisht se ëndrrat janë të tjera, koha është tjetër dhe sigurisht edhe detyrimi ynë është tjetër, por në esencë është detyrimi për ta bartur ndryshimin, për t’i dhënë krahë ndryshimit dhe për të bërë që në momentin e nderimit të gjeneratave, gjenerata që vjen ta gjejë vendin më mirë se ç’e gjetëm ne nga gjenerata që iku.
Duke e mbyllur do t’ju thosha që në fund të fundit është një ëndërr që ja vlen ta jetosh, për të cilën ja vlen të luftosh dhe tek e cila ja vlen të besosh deri në fund. Është një betejë që ne jo mundet, as duhet, por do ta fitojmë së bashku. Sot unë e quaj këtë 100 vjetor një ditë të bekuar. Po të kthehemi pak në kohë, jo shumë larg, ju të gjithë do të bini dakord me mua që do të duhej një kurajë e jashtëzakonshme për të imagjinuar se në Bulevardin e Vlorës do të kishim bashkimin kombëtar të realizuar nga ardhja e shqiptarëve nga të katër anët, pa kufij, pa pengesa dhe pa asnjë arsye tjetër përveç arsyes për të festuar. Përfytyrojeni tani se sa pak jemi në gjendje që ta shikojmë se çdo të ndodhë në 20 vitet që vijnë, pasi mund të ndodhë shumë më tepër sesa ajo që ne sot na duket ëndrra më e guximshme. Por ama rruga për të shkuar është gjithsesi rruga e ëndrrave tona më të guximshme.
Me shumë mirënjohje, shumë sinqerisht, me shumë respekt, me shumë dashuri dhe me shumë shpresë, unë i përshëndes një nga një të gjithë vajzat dhe djemtë që janë ulur këtu rastësisht majtas, por në vendin e duhur. Është vendi që ka zgjedhur zemra për të qëndruar. Të jesh i majtë do të thotë ta ndjekësh zemrën pa kushte. Nuk është rruga më e lehtë, mund të jetë nganjëherë më e vështira, por është padyshim rruga drejt vendit të duhur. Dua t’i falënderoj po njësoj ata që nuk morën fjalën sot, që janë këtu, që i ka sjellë këtu ëndrra që kanë ndarë me ne duke shpresuar që nga kjo ditë kaq e bukur do mbajnë mend jo vetëm që ishin në Vlorë, por që ishin ndër ata pak mes atyre qindra mijërave, që së bashku patën kurajën që të ndajnë një ëndërr për të ardhmen, në një ditë ku deri tani u fol vetëm për të shkuarën. Një ëndërr për të ardhmen në një ditë kur pa as më të voglin dyshim, e shkuara është pasqyra për të parë të ardhmen. Nëse etërit themelues do të kishin mundësi ta shikonin sot Shqipërinë, të jeni të sigurt do ishin shumë më të lumtur me ëndrrën, sesa me tortën. Prandaj edhe do qëndronin këtu me ne në Vlorë dhe nuk do vraponin te torta. Le të mbyllet aty ku filloi. Unë po gjej rrugën për të dalë pa rënë në sy dhe Erioni të marri përsipër të thotë fjalët e fundit që janë dhe më të vështirat, sepse janë ato që mbeten në fakt.
Shumë faleminderit të gjithëve, kjo ishte një ditë e bukur, ky ishte një moment veçanërisht i bukur, por duke qenë këtu mes njerëzish që kanë ëndrra të bukura, besoj nuk gaboj po të them që më e bukura nuk ka ardhur akoma.