Njeri i gabuar, kohë e gabuar

Elton Tafaruci

Partia laburiste britanike e konfirmoi në post kryetarin e saj, Jeremy Corbyn. Kjo është katastrofike, mendon Birgit Maaß.

“Jez we can” , brohorasin mbështetësit e tij, kur Jeremy Corbyn shfaqet në publik. Për ta ai përfaqëson një parti laburiste, e cila po kthehet në rrënjët e saj: kundër padrejtësive shoqërore, për rishpërndarjen e pasurisë, për shtetëzimin e qarkullimit hekurudhor dhe për industrinë energjetike.

Tek Corbynistët të bie në sy se ka shumë të rinj. Për ta ai është bartësi i shpresave: një njeri që bën politikë të ndershme, i cili nuk e përkul kurrizin – aq më tepër kur pjesën më të madhe të jetës së tij politike ai e ka kaluar në bankat e pasme, ai ishte kundërshtar i Tony Blairit.

Ai ka qenë njëri ndër të paktët, që votoi kundër luftës së Irakut, një socialist i shkollës së vjetër. Partinë e Blairit “New Labour”, idenë e lidhur me të së ashtuquajturës “Rrugë të tretë”, një pajtim me kapitalizmin, mbështetësit e Corbynit e konsiderojnë të kapërcyer.

Një politikë të re, më të butë u ka premtuar Corbyni mbështetësve të tij. Për në Dhomën e Poshtme të Parlamentit ai udhëton me biçikletë, vishet si një mësues gjeografie ose me çorape dhe sandale. “Prime Minister Questions”, pyetjet e përjavshme për kryeministren, në të cilat drejtuesi i opozitës i jep në fakt shuplaka verbale kryeministrit, ai i ka kthyer në një orë mësimi demokracie të bazës. Pyetjet drejtuar kryeministres Theresa May ai lejon t’ia diktojë populli, si për shembull: “Paul dëshiron të dijë, pse po i heq qeveria lehtësimet në taksa për familjet.”

Luftë për pushtet brenda partisë

Por në fakt, stili politik i Corbynit është çdo gjë tjetër, por jo ledhatues. Brenda partisë laburiste zhvillohet një luftë, që nuk mund të ishte më brutale. Baza e partisë që mbështet Corbynin dhe Grupi Parlamentar skeptik ndaj Corbynit në Dhomën e Poshtme të Parlamentit kanë qëndrime të papajtueshme me njëri-tjetrin.

Pacifisti Corbyn dhe aleatët e tij luftojnë me doreza boksi. Deputetë, që nuk e mbështesin Corbynin flasin për frikësime në rrjetet sociale. Një kundërshtareje i thyen xhamat e zyrës në zonën e saj elektorale. Kryetari i partisë distancohet nga sulme të tilla, por megjithatë: nën udhëheqjen e tij partia është e përçarë dhe jo në gjendje të veprojë.

Deputetët dyshojnë me të drejtë, që Corbyni të marrë dot mbështetjen e zgjedhësve. Që prej ardhjes së tij në pushtet një vit më parë, konservatorët e kanë zgjeruar përparësinë e tyre. Dhe sipas një sondazhi aktual, vetëm një e pesta e britanikëve mendon se ai është i aftë të kryejë detyrën e kryeministrit.

Ishte mungesa e udhëheqjes nga Corbyni gjatë fushatës elektorale para Brexit, që e bëri të derdhet gota për shumë laburistë në grupin parlamentar. Asnjë herë të vetme nuk u pa drejtuesi i tyre krah për krah me David Cameronin, për të bërë fushatë pro Bashkimit Evropian. Shumë zgjedhës laburistë nuk e kishin fare të qartë, se linja e partisë së tyre kërkonte që ata të votonin pro Evropës.

Drejtues i pasuksesshëm opozite

Kjo në një kohë kur një shfaqje e vendosur e shefit të laburistë pro Evropës ndoshta do ta kishte penguar votën e Brexit. Sepse ishin para së gjithash zonat, ku partia laburiste është e përfaqësuar tradicionalisht fort, të cilat votuan për daljen nga BE: shtëpi me nivel të ulët arsimor, punëtorë të thjeshtë, njerëz me të ardhura të ulëta.

Sjellja e Corbynit ishte “tradhëti”, tha Phil Wilson, njëri nga drejtuesit e iniciativës proevropiane brenda grupit parlamentar laburist dhe kërkoi dorëheqjen e Corbynit. Meqenëse Grupi Parlamentar ia hoqi me votë besimin, kryetarit të partisë iu desh të dilte sërish në zgjedhje. Në kaosin që pasoi pas Brexitit, megjithatë nuk u arrit të gjendej një kandidat alternativ bindës – Owen Smith njihej pak dhe që në fillim ai shihej me pak shanse.

Zgjedhje laburistët nuk mund të fitojnë me Jeremy Corbynin, sado të brohorasin mbështetësit e tij. Për laburistët Jeremy Corbyn është një katastrofë – dhe për Evropën figura kryesore në tragjedinë e Brexit-it./DW

Share This Article
1 Comment
  • Koment gjeman …natyrisht nuk mund të ishte ndryshe….ku socialdemokratët janë bërë një shtojcë fitimprurëse e Mekelit ….Ku socialdemokratët në se bashkohen me Linke dhe të majtat e tjera mund të jenë në pushtet…..Por nuk e duan , janë të qetë me një copë pushteti ..pa përgjegjësi ….janë harruar kohët e Brandit..Natyrisht gjermanët ….që praktikisht kontrollojnë Europën kontinentale nëpërmjet BE synojnë të ruajnë këtë situatë …jo se u vjen keq për të majtën britanike…Praktikisht rregullat strikte të BE janë disa herë më urdhëruese se rregullat e KNER it të famshëm ku dominonte ish BS…Britania që është mësuar me lirinë e saj nuk mund të pranonte diktatin gjerman ….Jo më kot politika e saj po riorientohet drej Kinës dhe vëndeve të tjera të Azisë dhe më gjëre me një politikë variabile , larg dogmave…Nga ana tjetër vëndet e grupit të Vishegradit …ish komuniste ….duke patur përvojën e komandimit nga ish BS , kanë filluar një rezistencë dhe kundërveprim mbrojtës përballë BE…dhe kjo nuk është rastësi ..Një situatë analoge paraqitet edhe në vëndet jugore , me boshtin Itali Spanjë! Greqi , Francë , Qipro ! Portugali, Maltë..Por problemi themelor është ai që ka evidentuar Corby…por edhe Sanders, Syriza, Podemos,5 yjet, Linke, dhe lëvizjet e tjera të majta….rishpërndarja e të ardhurave për uljen e pabarazisë , rritja e rolit të shtetit në ekonomi , garantimi i minimumit jetik të nivelit të jetesës , shëndetësia , arsimi , strehimi…Natyrisht e djathta europiane po bën çeshtë e mundur për të shfrytëzuar momentin magjik pas rënies së murit të Berlinit ….Por për fat historia nuk ka mbaruar ..pjesa më e madhe e shoqërisë po e ndjen varfërimin dhe po lëviz ..idetë socialiste nuk ka forcë në botë që ti mposhti sa të egzistojë njerëzimi..Në se shoqëria nuk bën ndryshime me reforma në favor të shumicës atëhere është shumica që do ta imponojë shoqëfinë …dhe ky imponim mund të marrë edhe forma violente…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *