E dinit ju që ekziston Kampionati Botëror i Kujtesës? Ai realizohet që nga viti 1991. Prej vitit 2004 në të merr pjesë edhe një.. shqiptar. Sot ai është një mësues dhe i pajisur me licencë për të hapur kurse duke krijuar grupe, konkurse e gara të ndryshme në këtë lloj sporti.
Idriz Zogaj, shqiptar nga Kosova që jeton në Suedi, prej vitesh merret me sportin e kujtesës, merr pjesë në kampionate botërore, ka fituar shumë çmime dhe trajnon grupe të rinjsh për një kujtesë të fortë. “E gjitha është teknikë, – thotë ai, – që, nëse e mëson, ia del për një super-kujtesë. Nëse truri ushtrohet me teknikat e duhura, ashtu si trupi në palestër, do ia dilni të mbani mend shifra pafund, emra, ngjarje etj”.
Ai është diplomuar për inxhinieri fizike, por më së shumti e njohin si ekspert i teknikave të kujtesës. Është larguar nga Kosova, vendi i tij i lindjes, në moshën 2-vjeçare. Ka 36 vite që jeton në Suedi ku edhe vazhdon pasionin e tij të madh. Mëson të tjerët se si të përmirësojnë kujtesën e tyre dhe beson se me praktikën e duhur dhe me ushtrimet e vazhdueshme të gjithë mund të kenë një superkujtesë. Ai është një nga ata personazhe që ka marrë pjesë në fjalimet e TEDX, të cilat janë klikuar shumë, pasi të gjithë duan të vjedhin teknikat e tij, se si të mbash mend.
Idrizi ka përfaqësuar Suedinë në Kampionatet Botërore të kujtesës ku ka fituar edhe çmime të shumta në këtë sport. Mund të mbajë mend letrat sipas radhës duke i parë për fare pak kohë, numrat, vitet apo ngjarjet e ndryshme, ekuacionet dhe mund t’i fiksojë pa kurrfarë problemi. Përfituam nga rasti që ky personazh interesant gjendej në Tiranë dhe realizuam me të një bisedë. Jo vetëm për të shuar kureshtjen mbi këtë sport dhe ekzistencën e tij, por edhe për të mësuar se si mund të mbash mend, data, emra, ngjarje.
Z. Idrizi, si keni rënë në kontakt me këtë lloj sporti?
Kam filluar që në vitin 2004. Ishte koha kur doja të mësoja një gjuhë të huaj, një gjuhë të re, dhe teksa kërkoja libra për të mësuar gjuhën, u hasa me një botim, i cili kishte të bënte me mësimet për të forcuar kujtesën. Aty thashë, në rregull, që të mësosh një gjuhë të huaj duhet të dish ta memorizosh atë. Në atë libër ngeca pa dashje në kapitullin e fundit, ku thoshte që nëse përvetëson këto teknika, mund të marrësh pjesë në kampionatin botëror dhe të konkurrosh aty. Unë u habita me veten që, në harkun kohor të disa javëve arrita të kaloj disa nivele njëherësh. Dhe kështu, në po atë vit mora pjesë për herë të parë në garën e madhe të kujtesës, ku merrnin pjesë përfaqësues nga 30 vende të botës.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, çfarë është sporti i memories?
Është një sport si gjithë të tjerët. Në këtë rast duhet të mësosh teknika dhe të memorizosh letra, shifra, fjalë, data, emra, çdo gjë që do ti ta fusësh në trurin tënd. Gjërat që nuk i kupton truri, që janë abstrakte për të, ti nuk mund t’i mbash mend, në këto moment duhet ta vizualizosh informatën, ta thjeshtosh. Për shembull, një shifër të caktuar mund ta krahasosh me një personazh të caktuar, sepse atëherë ti arrin që ta memorizosh.
Ju na thatë që jepni dhe mësime. Kush janë nxënësit tuaj?
Po ka, që nga fëmijë e deri tek personalitete të rëndësishme, duke futur këtu edhe biznesmenë. Ata mësojnë teknikat dhe më pas i praktikojnë ato. Habiten kur arrijnë rezultat dhe u vjen inat me veten se si nuk i kanë ditur më parë. Për shembull në ekipin tim në Suedi, kam atë që është më i miri në botë,Jonas von Essen, ka fituar kupën e botës. Jam autor i disa librave, libra për të rritur dhe libra për fëmijë, aty gjen mësime mbi teknikat e memories. Ti e vendos nëse do ta mbash mend apo jo.
A i ndihmojnë këto teknika nxënësit apo studentët që të mësojnë më shumë?
Po, një nga hallkat e konkurrimit në kampionat është të mbash mend data historike dhe rekordi i botës është dikush që për pesë minuta ka memorizuar 132 data historike. Domethënë ato çka i mëson për një vit, mund t’i mësosh për 5 minuta. Kjo vlen për studentët e historisë dhe jo vetëm për ata.
Më konkretisht, si bëhet kjo?
E para është që të lidhësh informatat. Një fjalë, një figurë e lidh me tjetrën. Ne memorizojmë shifra shumë, por që ta memorizosh shifrën duhet ta krahasosh atë me një figurë. Të gjitha datat thjesht duhen vizualizuar. Një numri i japim pamjen e një figure, në të kundërt nuk e mban mend.
Këto ditë ka qenë një debat i madh në Shqipëri për maturantët dhe rezultatet e dobëta që kanë pasur në provime. A mund të punoni ju me ta?
Po, sigurisht. Ata duhet të mësojnë e të ushtrohen. Mësohen teknikat. U tregon se si funksionon dhe më pas, në bazë të teknikave, duhet të ndryshosh mënyrën e të mësuarit. Se problemi nuk është se ata nuk i futin në tru, por nuk i futin ashtu si mund ta gjejnë. Nëse mëson diçka me teknika, atëherë mund ta gjesh shumë thjesht atë. Ndoshta nuk kanë kohë, por ky është një problem tjetër. Nëse unë them që do vrapojmë 5 kilometra dhe këtë gjatësi do e bëjmë për dy minuta, atëherë është e pamundur, por nëse kemi dhjetë minuta, në rregull, mund t’ia dalim. Kështu është edhe puna e maturantëve, nëse duan të mësojnë sot, dhe nesër kanë provimin, më fal, por nuk mundesh.
Sa ndikon stresi në humbjen e kujtesës?
Ndikon shumë. Stresi ta dëmton trurin. Nëse një person është i shoqëruar vazhdimisht nga stresi, ai goditet direkt në memorie, ndaj duhet të ketë kujdes. Dhe ky është një moment ideal për t’u stërvitur mbi memorien. Po ashtu duhet të bësh një jetë të shëndetshme. Duhet të kesh një regjim gjumi normal. Duhet të flesh të paktën 7 deri në 8 orë në 24 orë. Duhet të ushqehesh mirë, pasi nëse trupi yt nuk është mirë, atëherë nuk është as mendja. Kur kemi stres edhe harrojmë më lehtë.
Deri më tani ju jeni i vetmi shqiptar që merreni me sportin e kujtesës?
Mesa di unë, jam i vetmi shqiptar që ushtroj këtë lloj sporti.
Ke menduar që ta sjellësh në Shqipëri?
Po, e kam menduar dhe arsyeja e ardhjes këtë herë në Tiranë është edhe kjo. Nuk e di sa do ia arrij, por është një sport i bukur dhe mbi të gjitha i nevojshëm, pasi je i informuar dhe ju e dini që informacioni është një armë e mirë përballë çdokujt.
Çfarë kënaqësi të fal ky lloj sporti?
Po është një lloj sikur të shkosh në palestër e të bësh një ushtrim, në fund thua; ua e bëra këtë. Stërvitja e trurit duhet të jetë pjesë e shkollës, duhet të jetë pjesë e lëndëve mësimore.
Jeta
Nga inxhinier në memorizues
Idriz Zogaj është 38 vjeç. Ka lindur në Prizren dhe është larguar nga qyteti i tij i lindjes kur ishte vetëm 2 vjeç. Jeta në Suedi nuk ka qenë e lehtë për të, por ai ka arritur t’ia dalë mban duke u bërë i famshëm, më shumë për botën atje, sesa për vetë shqiptarët. Sot ai është një trajner, i cili jep leksione në fushën e memories. Ka përfunduar studimet e larta për Inxhinieri Fizike, por në një moment ku as atij nuk i kishte shkuar në mend, ndryshon komplet drejtim, i përkushtohet sportit të kujtesës Këto ditë gjendet në Shqipëri, për të parë mundësinë e ndonjë bashkëpunimi, që edhe Shqipëria një ditë të ketë përfaqësuesin e saj në këtë kampionat botëror. Edhe pse ka ikur në një moshë të vogël, ai ka arritur ta ruajë mirë gjuhën shqipe, por vajza e tij, e cila e shoqëron, di shumë pak nga gjuha e të atit. Këto ditë, babë e bijë po shijojnë detin dhe diellin në Shqipëri.

Dakort e morem vesh kush je.Tani na thuaj teknikat e tua e mos prit te te paguajme.
Bravo ore djale bravo. Kujtesa eshte gjeja me e cmuar qe duhet te kete nje njeri.
Ky qenka si Xhixh Saraci qe ka shpik ilacin qe sheron kancerin