Njeriu i naftës dhe i digave, Qemal Koxhaj

Ornela

Portret i një njeriu të palodhur që punoi për 40 vjet nëpër puset e naftës dhe digat e hidrocentraleve. Sakrificat e panumërta në socializëm dhe dhimbjet e tij për naftënxjerrjen

Ilmi S.Qazimi

Është e vështirë sot që të kuptohet forca e idealit që kishin ata të rinj revolucionarë të një brezi që u edukua fill pas çlirimit nga nazifashistët, me ndjenjën më të lartë të vetëmohimit  ndaj vendit e kombit të sfilitur, që kërkonte punë, dituri, disiplinë. Unë do të tregoj për njërin prej tyre, për një inxhinier të talentuar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme me punën e mrekullueshme që bëri …

Qemal Isa Koxhaj u lind më 30.01.1940 në Greshicë, Mallakastër. Shkollën fillore e kreu  në fshatin e lindjes kurse atë shtatëvjeçare në Symizë, Fratar. Nga rezultatet  e larta që pati në shkollën fillore e shtatëvjeçare, kur  e dërguan me bursë shteti në të mesmen, kishte të drejtën e zgjedhjes së degës, mekanike apo elektrike, që  quheshin atëherë si degë elitare, por  ai zgjodhi  degën gjeologji- miniera sepse kishte bindjen, tok edhe me disa shokë të tij të porsa takuar, si Latif  Fodulli, Llambi Blido etj, që aty mund t’i shërbenim më mirë atdheut.

Politeknikumi ‘7 Nëntori’(sot Instituti “Harry Fultz”) , në të cilin  studioi  në vitet 1954-1958, i mësoi këndin më të drejtë e më të plotë se si ta shihte jetën, shoqërinë, shkencën dhe të ardhmen. Ai kujtonte me respekt të veçantë disa nga mësuesit e shkëlqyer Reshat Zajmi, Haxhi Sauku, Dragush Çabej, Parashqevi Ylli etj. po mbi të gjithë ‘Mësuesin e Popullit’ Gjergji Canco, drejtorin  energjik, të lidhur aq ngushtësisht me shkollën dhe nxënësit  sa që  atyre, të tjerët u kishin ngjitur nofkën e mirë “cancoviçë”, me kuptimin që mësonin në shkollën që drejtonte ai e që kishte  krijuar një famë jo  të vogël për  ato tetë vjet. Program i shkollës ishte sa shkencor aq dhe konkret. Kërkesa  për përvetësimin e lëndëve ishte shumë e lartë. Aktivitetet edukative ishin  të organizuara,të kontrolluara (e jo të censuruara siç thonë me keqdashje disa tani pas kaq vitesh) dhe shumë dinjitoze. Punohej me  shpirt krijues dhe novacion. Shkolla kishte disiplinë shumë të fortë,për të gjithë,nxënës, mësues dhe punonjësit e administratës. Nuk njihej korrupsioni dhe punohej jo vetëm me ndërgjegje të lartë, por edhe me ‘frikë’ nga ligji. Këto tregonte herë pas here Qemali kur vinte puna për shkollën e mesme ‘7 Nëntori’.

Pas atij që quhej ‘stazh trevjeçar në prodhim’ iu  dha e drejta e vazhdimit të shkollës së lartë. Zgjodhi degën e naftës. Shpesh herë Qemali tregonte: “ Kjo u kushtëzua edhe nga fakti që vendlindja ime e shtrenjtë, Mallakastra ishte dhe mbeti zonë naftëmbajtëse, ndaj dhe unë këtu do të isha më i dobishëm për atdheun, shoqërinë dhe  familjen.”Në vitet 1961 deri 1966 përfundoi me sukses studimet e larta  në Universitetin e Tiranës në fakultetin gjeologji-miniera, dega shpim-shfrytëzim i zonave naftë-gaz mbajtëse.

Qemal Koxhaj

Të gjithë e dimë se shoqëria e shkollës së mesme është më e bukura e tërë jetës . Qemalit nuk do t’i shuheshin kurrë kujtimet e viteve të shkollës, shokët e polifotos që ‘firasin një nga një’. Ata takohen, sidomos kush janë në Tiranë si Nexhat  Lami, Mustafa Seferi, Llambi Blido, Mexhit Kurti, Daut Yzeiri, Hodo Sinani ,Yllka  Kadriu,  Fatmir Kalaja , dhe ndjehen krenarë që studjuan në atë shkollë dhe po ashtu  të tillë duhet të ndjehen edhe  ata që studjojnë sot në “Harry Fultz” sepse ajo shkollë  ka të shkrirë organikisht  përvojën kombëtare  me atë  botërore  duke krijuar në këtë mënyrë  një traditë  të  njohur e të lavdishme. Edhe nga shoqëria universitare  ai ruante kujtime të bukura dhe takohej  çdo vit me ishstudentët si Timo Vogli, Hysni Frakulli, Bari Shanaj, Afrim Jupi etj

Tre vjet digave të hidrocentraleve

Pas përfundimit  me rezultate të shkëlqyera  të studimeve në shkollën e mesme, u emërua me detyrë në ministrinë e ndërtimit, por që mbulonte objekte industriale nëpër rrethe.  Aty  punoi tre vjet në vepra të ndryshme hidroenergjetike të vendit si  Shkopet, Ulëz, Bistricë etj.

I takoi që të punonte  në  drejtime që nuk ishin provuar më parë, ndaj kishte edhe ndihmën e inxhinierëve sovjetikë (ai shpesh kujtonte me respekt disa syresh si Viktor Adnipozov, Igori, Vera etj) të cilët sillnin përvojën e  shkencës sovjetike të hidroenergjetikes, për studimin e formacioneve  ku do të ndërtoheshin digat e hidrocentraleve shqiptare – punime që saktësinë  e lartë shkencore të tyre, koha prej më tepër se gjysmë shekullore që ka kaluar e ka vërtetuar  më së miri. Qemalin e karakterizonte një thjeshtësi e çuditshme. Ai nuk fliste kurrë për veten. Çmonte shumë punën e shokëve,teknikëve, inxhinierëve, punëtorëve deri te shoferi i makinës me të cilin transportonin kampionet nga Bistrica në laborator në Tiranë. Nuk konformohej lehtë dhe dinte të mbronte shkencërisht atë që bënte. Marrim vesh më pas se kush ishte ai. Në  ditarin  prej katërqind  faqesh të Latif  Fodullit  diku shkruhet: ”Qemali është shok i pazëvendësueshëm”, kompetent dhe  tejpamës. Dhe i tillë mbeti deri në fund të jetës: I dashur tej mase me shokët dhe tepër i ashpër me hileqarët, gënjeshtarët dhe hipokritët.

35 vjet nëpër puset e naftës

Inxhiner Qemal Koxhaj për 35 vjet pa asnjë ndërprerje ka punuar e drejtuar në zonën naftëmbajtëse  Patos – Ballsh,  kohë kjo që do shumë për të treguar. Është evidente se  në sajë të punës vetëmohuese të naftëtarëve, specialistëve dhe drejtuesve  të bazës u bë e mundur nxjerrja e mesatarisht tre milion tonë naftë na vit. Dhe kjo u arrit duke shfrytëzuar  në mënyrë racionale  burimet ekzistuese. Me aplikimin e punimeve intensifikuese  u arrit që të nxirrej prej tokës  mbi 10% naftë më shumë  nga sa ishte parashikuar. Punohej me motive  e ideale që tani janë krejt të pakonceptueshme. Natyrisht pagesa ishte   më e mirë në raport me  rrogën  e punëve  në  sektorë të tjerë të  ekonomisë. Edhe pse shpërblimet ishin thuajse vetëm morale,fletë lavdërimi e nderi,  përsëri rezultatet ishin shumë të larta.

Qemalit si drejtues dhe shokëve të tij specialist krahas vështirësive të shumta të profesionit të naftëtarit  në jetën e përditshme i është dashur që të kapërcente edhe disa pengesa jo  të vogla që shkaktonin apartçikët e partisë e të shtetit në rreth dhe në qendër. Shpesh jepeshin urdhra të padrejta , të pa bazuara në realitetin  konkret të zonës por nga zyra. Nën maskën e parullës “realizimi i planit  është detyrë dhe tejkalimi është nder”, mania e  shefave për t’u mburrur para udhëheqjes , për të marrë lavde,poste,ofiqe  jepeshin detyra jashtë kushteve teknike duke u munduar që të detyronin vartësit sidomos në zonën Patos- Ballsh,të bëhej shfrytëzim  i  puseve jashtë kushteve shkencore.  Për dekantimin e naftës jepeshin detyra që të bëhej ndërtimi i objekteve  jo në vendin  e caktuar po aty ku grumbullohej nafta e gazi; kjo do të thoshte që të bëhej bashkë baruti me zjarrin. Shumë herë nuk  merreshin parasysh sugjerimet  e njerëzve të bazës për sigurimin teknik të jetës së punëtorëve; nuk përfillej mendimi i specialistëve në hapjen e puseve të rinj; shpesh ato hapeshin në vende jo produktive dhe për rrjedhojë miliona lekë  nga buxheti i shtetit harxhoheshin kot siç ndodhi në rajonin e Poçemit, ku pusi i  hapur jo në rajonin e duhur në vend të naftës nxori ujë. Specialistët luftonin për një shfrytëzim racional e shkencor të burimeve ekzistuese kurse zyrtarët qeveritarë thoshin: ”Duam naftë prandaj   të hapen sa më shumë puse!”

Edhe pse fliste pak, naftëtari i pasionuar tregonte se, veç  arsyesh të tjera,vështirësitë subjektive që krijoheshin nga inkompetenca e disa udhëheqësve, shpunë në atrofizimin e punës edhe në sektorin e naftës shqiptare.

Ai tregonte: ”Këto çështje,bashkë me shokët  Vangjel Kokonozi, Gjergji Foto etj.  i pata ngritur tek sekretarët e  partisë  Simon Stefani e Pali Miska edhe në qeveri ku ishin jo vetëm Prokop Murra që mbulonte ekonominë, por edhe  para  kryetarit të këshillit të ministrave Adil Çarçani. Rasti më i mirë qe atëherë kur ai më erdhi në zyrë aty na Ballsh për të kontrolluar realizimin dhe tejkalimin e prodhimit të naftës e të gazit në zonën që drejtoja. Debatuam ashpër. ‘Nafta çan bllokadën’ ishte parulla e kohës. Por para argumenteve shkencore që u paraqitën nga ana e jonë si specialistë që punonim direkt në çdo pus, ai, Adil Çarçani, pasi na dëgjoi me kujdes, na tha ‘kini të drejtë’.”  Qemali  vijoi punën si më parë, pa u tërhequr nga asnjë vështirësi.

Shkëlqeu jo vetëm në praktikë, por edhe në teori

Kishte shumë dëshirë të punonte  thjeshtë si inxhinier se sa  të merrej me drejtim e organizim, por duke zbatuar porosinë e partisë për t’i shërbyer atdheut atje ku është më e vështirë, krahas rutinës, me shumë sakrifica  drejtori  nuk e la asnjëherë  punën shkencore, për aq sa lejonin  mundësitë konkrete, por ama duke harxhuar gjithë kohën thuajse pranë puseve, larg familjes dhe  angazhimeve të tjera jetësore. Drejtonte punën shkencore  qysh në atë që e quhej “bërthama  teknike  e shkencore” në sektor. Objekti i punës  së gjithanshme të kësaj bërthame ishte : të realizohej  nxjerrja e naftës dhe e  gazit  vetëm me metoda shkencore e jo primitive, duke marrë prej tyre prodhimin e lejuar, gjë që ruajti energjinë e shtresës duke  rritur kapacitetin e naftënxjerrjes.

Një tjetër aspekt i punës shkencore ishin punimet e remontit nëntokësor të puseve (vetëm zona e Ballshit numëronte 800 puse) të cilat duhej të kryheshin pasi të ishin bërë  matjet dhe interpretimet e drejta nga nëngrupi gjeologjik i studimit. Po ashtu, në izolimin e ujit fundor  në puse u përdorën metoda efikase bazuar në analiza fushore të raporteve të kimikateve në mënyrë që bllokoheshin  rrugët nga vinte uji e jo ato të naftës.

Inxhinier Qemali është autor i shtatë temave shkencore që lidhen me  punën në sektorët e naftës, të botuara e referuara në konferenca të ndryshme.

“Më dhimbset nafta e vendit tim”

Qemalin e shqetësonin  shumë  tërësia e praktikave që filluan të aplikoheshin pas vitit 1995 e në vijim për nxjerrjen e naftës e të gazit. Ai i referohej shpesh kohës që  punonte vetë në pus dhe kur drejtonte sektorin kohë kur  metodat e shfrytëzimit   racional të puseve bëheshin  me studime, vrojtime, analiza e përcaktime shkencore, metoda që tani në ditët tona , fatkeqësisht nuk përdoren më. Kjo po ndodh sepse  duke hequr dorë nga studimet shkencore për çdo pus apo burim ekzistues; sundon mendimi” shfrytëzoje sa më shumë; le të japë sa  të  japë; një pjesë  do të shkojë në  depo e tjetra le të  rrjedhë kanaleve… Boll që ne të marrim para!” E ky koncept për fat të keq është që lart  në qeveri deri poshtë te punëtori i thjeshtë.

Ai njihte mirë rezervat e naftës së vendit dhe kur binte fjala për to thoshte:“Për sa u përket rezervave të naftës mund të them  me kompetencë se  ato janë të mëdha, kryesisht në bregdet e më tej akoma në thellësi të detit tonë Jon e Adriatik. Këto janë përcaktuar  shkencërisht nga  studimet gjeofizike të bëra nga specialistët tanë me kohë. Pikërisht me këto të dhëna po punojnë e operojnë edhe të gjithë kompanitë e huaja që kanë filluar shfrytëzimin e tokës tonë naftëmbajtëse. Por shpimet  në det kanë kosto shumë të lartë, ndaj tani për tani  shfrytëzimi  efektiv dhe vetëm i bazuar shkencërisht i çdo burimi është rruga më e mirë. Specialistët shqiptarë të përgatitur nga shkolla jonë tani , fatkeqësisht janë shpërndarë nëpër botë sepse e tillë është politika e  qeverive të pas vitit 1990. Ata ishin aq të zotë sa edhe në Shqipëri, qysh në vitet ’80-të u hapën puse me thellësi deri  6700 metra thellësi. Nuk është  puna te nostalgjia se sa tek  vështrimi  nga lartësia e viteve ’70-të moshës, të  gjithë atyre përpjekjeve,do të thosha vigane dhe të paimagjinueshme nga brezat shqiptarë, për  aplikimin e masave konkrete të zhvillimit të industrisë së naftës në kohën që jetuam, plot sakrifica, privacione,  vrulle rinore dhe optimizmi të ta shoq për ta bërë Shqipërinë  të lulëzuar. Atëkohë kish  shumë më pak investime se sa janë sot mundësitë   për të investuar në sektorin jetik të naftës e të gazit. Nëpunësit , drejtuesit dhe  specialistët e sotshëm nuk duhet të ankohen për investime. Mjafton të  kujtojmë se specialistët  japonezë të naftës studiojnë atje dhe shkojnë e punojnë në vende të tjera që kanë konceptimin më  të shëndoshë për zhvillimin shkencor të këtij sektori; ata “shesin mallin mendje” dhe kështu  ndihmojnë më shumë në të ardhurat e vendit të tyre, familjeve dhe vetes. Kurse ne i kemi të tëra mundësitë  konkrete këtu në Shqipëri.” Mirëpo kujt ia thua!?

Kishte pasion, veç letërsisë artistike, edhe historinë, dhe u mundua që mbi bazën e fakteve të shkruante rreth disa aspekteve  të  jetës së banorëve të Greshicës e cila ka një histori të begatë lufte për liri, pavarësi e dituri po aq sa edhe pune për krijimin e të mirave materiale,të cilën” duhet tua lëmë brezave  pasardhës që ata  të dinë pastaj nga e si  të shkojnë”-thosh ai. Rezultatet e arritura në fushat profesionale dhe shoqërore janë vlerësuar nga forumet më të larta të zgjedhura prej votës  së popullit. Mban gjashtë dekorata,tre urdhëra pune dhe tre medalje. Doli në pension në vitin 2000. Si pensionist u aktivizua në qytetin e Ballshit dhe në Tiranë. Ishte i martuar dhe ka tre fëmijë. Nga një sëmundje e rëndë, u nda nga jeta më 1 qershor 2017 në Tiranë. Me jetën e tij aktive dhe gjurmët e pashlyera që ka lënë Qemal Koxhaj  mbetet i gjallë midis nesh.

Share This Article
4 Comments
  • Njerezit e mire si Ixh.Qemal I. Goxhaj-mari Perjetesine.

    I perjetshen qofte kujtimi i njeriut te thhjeshte po i rrale ne dije e perkushtim, Ixh Qemal Koxhaj..
    Shoqeria dhe deri miqesia me ka bere tia njoh aritiet. Ne goje e mbante Ate,pavaesisht se kishin profil te ndryshem i miri pasionant i punes sa atdhetar Ixh.mekanik,i ndieri Pellumb Klosi,edhe si patriot mallakastriot.Sa ixh profili tij, Zhani Xhoga,ani se ai me shume u perqendruar ne zonen nafte mbajtese te Vlores.Edhe ne takimet e para 2-3 viteve(une larg atdheut),ma permendete Qemalin, si e pershkruani Ju i nderuar Ilmi Qazimi.
    Ajo qe me beri pershtypie ne shkrimin tuaj,eshte vleresimi qe ju beni Kuadrove te atyre viteve dhe arritieve te tyre.Ju pershendes.Keq me vjen qe shume pergojojne ate kohe,te shkelqyer e me perkushtim atdhetar.. Ju pershendes per kete.
    I perjetshem kujtimi i Tij si njeri dhe vepres Tij.
    Ngushellime families e shoqerise.
    (Nje jete mesues, qe nuk m harroen,studimet per naft deri ne Zonen e Bovilles sot,atje muaj te tere me naftetaret kerkues jetuar.)
    .
    Toronto01-12-2017 Guri Naimit D.(Dh Xhoga).

  • i pa harruar kujtimi i tij une e kam njohur kam punuar disa vjet gjith ketyre cilesive te tija une do ti shtoja qe ky ka qene nje zotri i vertet nje burr shum i urte jo kundervenes shume i komunikushem me vjen shum keq qe qenka larguar nga jeta RESPEKT ti rrojn femijet

  • Ju jam mirenjohes qe keni lexuar shkrimin per inxh.Qemal koxhaj. e kam per detyre qe te kujtoj njerez te medhenj si ai dhe ju falenderoj shume duke ju uruar gjithe te mirat familjarisht. Qemal Koxhaj mbetet etalon i atyre njerezve me cilesi te larta e virtyte te shkelqyera qe i vijne rralle shoqerise tone. me respekt,
    ilmi S.Qazimi

  • Nje artikull i shkruar me nerv e zemer per nje naftetar mallakastriot, qe sic donte fshatin Greshice e Mallakaster dobre edhe nentoken e saj naftembajtese. Une nuk e kam njohur nga afer Qemalin sepse kam punuar ne zona larg Mallakastres, por pergezoj autorin per kete vleresim te bukur qe i ka bere meritave dhe vlerave te tij si inxhinjer e drejtues i shfrytezimit te vb te naftes Ballsh. Urime, i paharruar kujtimi i tij kaq i mire.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *