Ndërsa u nxor në pension për t’u harruar, bota e madhe e shkencës pa komplekse dhe e çliruar nga çdo paragjykim, nuk e harroi. Në vitin 1997, kur Shqipëria digjej, profesori kishte mbushur të shtatëdhjetat dhe flokët e tij të bardhë si bora reflektonin fisnikëri e mençuri, nga përtej kufijve, nga universiteti me famë i Kembrixhit, do të vinte lajmi: Profesor Skënder Dede është kualifikuar nga një juri specialistësh nga më të shquarit e botës për të fituar çmimin e artë për arritjet e shekullit XX, nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive e këtij Universiteti. Ky shkencëtar shqiptar u përzgjodh për të marrë këtë çmim, midis 500 shkencëtarësh nga më shumë se 80 vende të botës dhe e radhitën të tretin, duke e përcaktuar: “Njeriu i shekullit”. Emri i Skënder Dedes u shënua në librin e njerëzve më të mëdhenj të shekullit XX. Bota e ngrinte në piedestal Skënderin, Skënderi ngrite në piedestal Shqipërinë… Profetët nderohen kudo, me përjashtim të krahinës së tyre, fshatit të tyre dhe shtëpisë së tyre, – thuhet në Bibël. Dhe kështu ndodhi me Skënderin. Por kishte diçka, diçka mes dhimbjes dhe tragjikes. Po të qe gjallë jam i sigurt se, nuk do të lejonte publikimin e një të vërtete të hidhur: Skënderi nuk kishte lekë të shkonte ta merrte çmimin në ceremoninë e ndarjes, që do te organizohej me këtë rast. Ai nuk kishte… të paguante as librin e njerëzve më të mëdhenj të botes, ku u shënua emri i tij. Vetëm për të marrë medaljen e madhe të artë, u gjend dikush, një djalosh që ende s’i kishte mbushur të 30-at, i angazhuar dukshëm dhe me ambicie në politikë. Dhe ky ishte Ilir Meta, për të cilin profesori nuk i fshehu konsideratat.
Nuk kaloi shumë dhe Profesor Skënder Dede, u ftua të merrte pjesë në Kongresin e Njerëzve më të Shquar te Globit që zhvillohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…Por.. edhe këtu nuk shkoi dot, edhe pse dëshira e tij ishte e jashtëzakonshme. Dhe shkaku, përsëri gjendja financiare. Këtë ai do ta ndiente shumë e do ta vuante shpirtërisht, ndonëse natyra e tij burrërore nuk e lejoi kurrë ta shprehte. Në mungesë Kongresi e zgjodh unanimisht Shef të Katedrës të Figurave të Shquara. Ishte një vlerësim tjetër i jashtëzakonshëm, por realist i këtij Kongresi… Por… kur mbërriti në Shqipëri njoftimi për detyrën aq të rëndësishme që i besohej, për vlerësimin tjetër të madh që i bëhej, që profesorin padyshim do ta bënte edhe më të famshëm, pse jo edhe do të kishte, kushedi edhe ca të holla sa për të shkuar në ceremonitë, simpoziumet e veprimtaritë e ndryshme shkencore, ku do te takonte kolegët e tij nga e gjithë bota, profesori i gjeologjisë shqiptare dhe asaj botërore, krejt papritur kishte mbyllur sytë njëherë e përgjithmonë. Ishte vërtet një dhimbje e madhe, një keqardhje tronditëse.
Jeta e vepra e tij maten vetëm me të
Kur vdiq Profesor Doktor Skënder Dede, më 9 maj 1999, njeriun që e desha dhe e respektoja shumë për mençurinë e titanizmin e tij në shkencën e gjeologjisë, për të mposhtur dhembjen gjatë kohës që e përgjonim të vdekur, gjeologë, minatorë e studentë të tij e nderuan atë. Dikush, nga ata që ishin aty tha se vepra e këtij njeriu matet vetëm me të. Kjo frazë më mbeti në mend, sepse me të vërtetë është sinteza e jetës së tij.

Pas studimeve në Moskë, do të niste punën në sektorë të ndryshëm të gjeologjisë. Në vitin 1956, emërohet pedagog në Institutin Politeknik që hapej për herë të parë në vendin tonë dhe, me çeljen e Fakultetit të Gjeologji-Minierave të Universitetit të Tiranës, do të vazhdonte punën e pedagogut. Skënder Dedes, do t’i ngarkoheshin detyra me rëndësi e përgjegjësi të madhe shtetërore, drejtor në Ministrinë e Industrisë e Minierave etj. Nuk ka mal në Shqipëri që Skënderi të mos e ketë shkelur pëllëmbë për pëllëmbë, ku të mos ketë bërë studime, rilevime, kërkime e zbulime të shumë vendburimeve të reja, duke çelur kështu një perspektivë të qartë të gjeologjisë sonë. Dijet e tij shkencore ai nuk mund t’i kuptonte kurrsesi të mbyllura në auditore, në libra a dosje në zyra. Shkenca e gjeologjisë e veçanërisht e kromit do të gjente njeriun, do të zbulonte shkencëtarin e vërtetë, të papërkulur e të mençur dhe, që në moshë të re, atij do t’i jepnin titullin jo zyrtar “babai i gjeologjisë”. Ai e dashuronte shkencën e gjeologjisë si askush tjetër dhe nuk rreshti kurrë së menduari, së punuari, së zbuluari, me përkushtimin e një titani. Në vitin 1964 Skënder Dede, tashmë një intelektual i formuar i elitës së shoqërisë, do të laureohej me Çmimin e Republikës për Hartën Gjeologjike të Shqipërisë, duke u bërë kështu një ndër laureatët e parë të vendit tonë.
Shkencëtar i kohës së vetë, por edhe i brezave që do të vinë
Skënderi, ka lënë gjurmë të pashlyera në shkencën e gjeologjisë. Ai u bë një shkencëtar i përmasave të mëdha dhe emri i tij përmendej brenda e jashtë vendit. Gëzonte një autoritet të padiskutueshëm e të admirueshëm mes bashkëpunëtorëve e shkencëtarëve të huaj. Ai bënte një jetë aktive shkencore, mbante kontakte përmes letërkëmbimeve, me shumë shkencëtarë, akademikë e pedagogë të universiteteve të ndryshëm në botë që studionin edhe teoritë e tij në fushën e gjeologjisë e të kromit në Shqipëri. Edhe pse në kohën që jetoi e punoi mundësitë për komunikim me jashtë e kontakte të tilla, ishin të kufizuara, Skënderi nuk i humbi asnjëherë lidhjet me botën e shkencës (dhe çuditërisht, sa qe gjallë, edhe një telefon nuk i vunë në shtëpi)! Prof. Dr. Skender Dede, do të mbetet një intelektual i shquar jo vetëm i kohës së vet, por edhe i brezave që do të vinë. Ai ka patur një densitet të madh botimesh. Ka botuar gjithsej 37 libra me karakter shkencor, pedagogjik e shoqëror. Ai ka botuar njëmijë e njëqind (1100) faqe shkencore nga te cilat gjashtëqind janë përkthyer e njihen në institute e universitete të ndryshëm të botës. Një shkencëtar i tille me përmasa, në kulmin e pjekurisë së tij shkencore, u nxor në pension(!). Por edhe në pension ai nuk reshte së punuari, së menduari, së shkruari, së studiuari, së aktivizuari si veprimtar shoqëror shembullor. Ai mbeti përherë i ndershëm e në kufijtë e madhështisë.
***
Asnjë rrugë, asnjë shesh, asnjë majëmali nuk ka emrin e tij! Asnjë titull asnjë nder: as Nderi i Kombit, as Mjeshtri i Madh i Punës… Mjerë ai komb që e drejtojnë njerëz që nuk njohin dhe vlerësojnë njerëzit e tij të shquar, veprën e tyre. Kombet drejtohen e duhet të drejtohen nga njerëzit e mëdhenj, të vdekurit e pavdekshëm. Kujtoj atë njeri që mal më mal, pa zhurmë e pa bujë, zhytej të zbulonte thesare e të nxirrte thesare nga nëntoka dhe mërmëris vargun aq të famshëm të Bajronit: “Kujtimi i dhimbjes, të risjell më shumë dhimbje”. Mos i shkaktoni më pengje… te ikurve! Sa pak është bërë për këtë njeri të madh, por dhe unë sa pak thashë!

Nuk eshte i vetem .Edhe profesor Xhelo Murraj ishte i po atij kalibri, dhe pas vdekjes e ka mbuluar harrimi.Biles kane filluar ti vjedhin arritjet shkencore,duke i paraqitur si te vetat.Nje i tille hajdut eshte edhe Rexhep Uka.
Shyqyr, nuk paska qene i persekutuar.
Me ne fund, doli nje njeri shqiptar.
Edhe Enveri
Gjalle po te ishte
Biografise vet
Do ti kishte vene
Ndonje bishte.
Z. Kristaq, respekt per kete shkrim. Per njerez te tille qe kane kontribuar kaq shume per vendin duhet te shkruhet vazhdimisht. Universiteti ose Akademia e Shkencave duhet ti propozoje Presidentit per ta vleresuar me cmimin me te lare edhe tani pas vdekjes.
Zotit Kristaq Laka !
Shume i mire shkrimi juaj per Skender Deden !
Ne themi nje fjale te urte : “Njeriu i mire, ka shoke shume ! ”
Me 17 shkurt 2016, vdiq ketu ne Cikago , Minella Shallo, i cili ishte bashkepunetor me Skenderin, dhe ne ceremonine mortore tek fakulteti i gjeollogjise, ky u permend si krenari e kombit.
Faleminderit
Te lumte Kristaq Laka, shume bukur.
Nga nje shok i pedagogjikes.
Sistemi fashist qe u vendos pas 90-tes nuk i nderon njerezit qe kane dhene jeten,rinine dhe mundin e tyre per Shqiperine!
Ne vend te te NDERUARIT Skender Dede,sot jane nderuar KRIMINELET E KOMBIT Ahmet Zogolli,Hamit Matjani,Isa Toska,Prek Cali etj,etj!
Shqiperine e shpeton vetem nje….JUNTE USHTARAKE ose nje pushtim i huaj!
Ndryshe do vazhdoje te sundohet nga ARMIQTE E SHQIPERISE sic ka ndodhur deri me sot keto 26 vjet!