Së fundi, edhe revista Klan shpalli “njeriun e vitit” , por në shumës, duke ofruar dhjetë syresh, ku në krye qëndronte jo ndonjë emër bujëmadh i Tiranës politike e bulevardeske, por një grua, një mësuese, e cila i paska vënë si mision vetes t`u japë dije fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja. Një duartrokitje e fortë! Ishte dhe Rama, aty nga vendet e para, por jo i pari, si në ca media të tjera.
Në Sarajevë, autoritet nderuan një njeri, një burrë në moshë, që gjithë jetën kishte bërë llustraxhiun rrugëve të kryeqytetit boshnjak. I njihte dhe e njihnin të gjithë. Përveçse kishte xixëlluar këpucët e gjithkujt prej bashkëqytetarëve të tij, kishte bërë me ta dhe një lloj “tregëtie”: u kish dhuruar dashuri pa kursim e me të njëjtën monedhë ishte shpërblyer gjithnjë. Babaxhan e i përkorë, zemërbardhë e gojëmjalt, ai ishte shndërruar në një monument të gjallë mirësie. Nuk e di nëse mund ta kemi mes tonë një të tillë njeri.
Ndoshta ekziston, por askujt nuk i bie në sy. Por, në kontekstin shqiptar, po përpiqem të skalis figurën e “njeriun e vitit”, në një version hipotetik, i ngacmuar nga rasti i Sarajevës. Do ishte ai njeri që ka arritur ta ruajë veten të painfektuar nga asnjë lloji virusi i së keqes, që ka ngëthyer këtë vend në 23 vjet. Nuk ka menduar kurrë të vjedh energjinë; nuk ka menduar kurrë që t`i shmanget detyrimeve ndaj shtetit; nuk është grindur e rrahur me “gjakun” për punë pronash; nuk ka menduar kurrë të ushqehet e të jetojë duke fituar diçka padrejtësisht; nuk ka hedhur asnjëherë mbeturina në rrugë apo të pështyjë në publik; nuk e ka lënë mendja që të shkojë të plotësojë lloto-sporti apo të dëndet në alkol për të zënë në dru me pas familjarët; është përpjekur të punojë sa mundet, ku mundet e ndershmërisht.
Dhe më kryesorja: më datën 23 qershor, e ka hedhur votën duke menduar se ajo është një plumb kundër hajdutërisë, harbutërisë e maskarallëkut, që është trekëndëshi i së keqes, që siç ai i Bermudës, ka përpirë e zhdukur çdo virtyt në këtë vend; kundër grabitjes së pronave, shpartallimit të arsimit, degradimit të natyrës, rrënimit të shtetit, shpërfytyrimit të shoqërisë, ngritjen në kult të injorancës e shenjtërimit të dobiçllëkut. E ka hedhur atë votë, edhe me shpresën e dëshirën krejt naive, se ky vend, mundet, po po, mundet të produktojë diçka të drejtë, të bukur, njerëzore.
Bravo Ermir , bravo !
Sigurisht dhe mesueses …Nderim !
Suksese Ermir, je king !
Ju lumt taman shkrim revolicionari sh E.H