4 bashkëautorët e faqes online ResPublica, Mustafa Nano, Eduard Zaloshnja, Adrian Thano e Koloreto Cukali, kanë zgjedhur Njeriun e Vitit 2012. Më poshtë janë emrat dhe motivacionet e tyre.
Mustafa Nano: Për të qenë krejt i sinqertë, unë ndihem i ndërdyshur mes Mero Bazes dhe Ardian Vehbiut. Them Mero Bazen për nervin e gjallë opozitar që ka shfaqur gjatë gjithë 2012-s. Dhe sepse ky vit që kaloi ka patur nevojë si për asgjë tjetër, për opozitë. Pra Mero Bazen sepse ka patur çdo ditë të vitit kokëçarjen prej opozitari. Dhe Ardian Vehbiun sepse është një punëtor i palodhur i kulturës. Nuk ka ditë që në blogun e tij online të mos ketë një shkrim me interes mbi kulturën, median, politikën, shoqërinë.
Eduard Zaloshnja: Për mua njeriu i vitit 2012 është Kreshnik Spahiu. Është njeriu që ka tronditur më shumë skenën elektorale shqiptare, së paku që prej vitit 2004. Kreshnik Spahiun sepse është gjithashtu njeriu që i trysnoi dy partitë e mëdha ta adresojnë më intensivisht temën e afrimit të Shqipërisë me Kosovën.
Koloreto Cukali: Nëse duhet zgjedhur një emër, unë zgjedh Lirak Bejkon. Në një vend me kaq pak ideale e me kaq pak burrëri, gjesti i tij i vetëflijimit ishte një shpullë morale jo vetëm për pushtetin, por për të gjithë ata që ankohen kafenerave e podiumeve kundër këtij pushteti. Shqipëria ka nxjerrë atentatorë, në emër të idealit. Por, vetëflijimi, është një akt shumë më madhor se çfarëdo atentati kundër çfarëdo qelbësire të veshur me pushtet. Shqipëria nuk është atdhe vetëflijuesish. Nuk ishte, deri dje. Duke rimarrë një titull të një shkrimi të A.Ndrecës, motivimi im për Lirak Bejkon do ishte: “bota është e atyre që digjen”
Adrian Thano: Anën, vajzën e Ziverit, protestuesi i ekzekutuar me paramendim poshtë dritares së zyrës së Kryeministrit të vendit. Anën, si apel për të mos harruar që ai plumb dhe ata plumba u lëshuan për secilin prej nesh (dhe nuk do mungojnë të lëshohen sërish – sic edhe na është thënë publikisht). Anën, lotët e së cilës sfidojnë ngërdheshjet hipokrite të të gjithëve, por veçanërisht të kolegëve që pashë nëpër festat qeveritare të këtij fundviti. Anën, si apel për Drejtësi, kurdoqoftë. Anën, vështrimi i së cilës më ka bërë të besoj se mjerimi ynë i vërtetë si shoqëri nuk është skamja e shumicës së topitur, por kamja e pakicës barkngopur e shpirtzbrazur.
*********
Mero Baze dhe gazetaria shqiptare
Respublica.al dhe analisti Mustafa Nano zgjodhën Mero Bazen si njeriun e vitit 2012 për të gjithë kontributin që Baze kishte dhënë gjatë vitit 2012 si “opozitar”. Nano e shpjegoi arsyen e këtij vlerësimi në një intervistë të dhënë disa ditë më parë për gazetën “Dita” (Për sqarim, une nuk jam dakord me Nanon kur e vlerëson Bazes si “opozitar” dhe jo si gazetar, analist apo intelektual, dhe e konsideroj këtë lloj vlerësimi dicka të padrejte dhe gabim). Ishte kjo intervistë e Nanos me kryeredaktorin e Dita, Adrian Thano që më shtyu të shkruaj për Mero Bazen.
E kam takuar dhe kam biseduar me Bazen vetëm njëherë në jetën time kur më ftoi në emisionin e tij “Faktori Plus”. Më foli për dëshirën e tij për të bërë një emission të ngjashëm me O’Reilly Factor të Bill O’Reilly në Fox Neës (Për koecidence, para do kohësh i kam sygjeruar përmes një mesazhi M. Nanos të krijon një emission të ngjashëm me Morning Joe të Joe Scarborough në MSNBC). Kisha dëgjuar për Bazen dhe betejën që ai kishte nisur me Sali Berishën por nuk kisha krijuar ndonjë opinion në lidhje me formimin e tij si gazetar, analist dhe intelektual. Dëgjoja që shumë e shanin, disa e quanin tradhtarë se kishte “tradhtuar” Sali Berishën pas zgjedhjeve të vitit 2005 kurse disa të tjerë e sulmonin duke i kujtuar kohën kur Baze sulmonte pushtetin socialist gjatë zgjedhjeve të vitit 2005 dhe Edi Ramën në vecanti gjatë zgjedhjeve vendore.
Por kërkush nuk e përmendte faktin që Baze, si asnjë gazetar tjetër, është besnik i forcave opozitare pasi e ka pozicionuar veten vazhdimisht prej afro 16 vitesh si një gazetar në opozitë si me pushtetin e majtë ashtu edhe me atë të djathtë. Asnjë gazetar tjetër nuk është përndjekur dhe persekutuar ashtu si Baze dhe familja e tij, dhe asnjë gazetar nuk ka treguar kaq shumë kurajo në përplasjet e tij me pushtetin dhe bandat që e rrethojnë. Nuk mund ta fsheh, e adhuroj për këtë kurajo, virtyt i cili i mungon shoqërisë shqiptare në shumicën dërrmuese të saj. Jam plotësisht i bindur se Berisha (sidomos kur shikon Fahri Balliun) i bie kokës me grushta që ka humbur mbështetjen e Bazes.
Për mua Baze ka disa aftësi që e bëjnë atë unik si gazetar dhe person politik. Si analist, ai është shumë energjik, i mprehtë dhe konsistent. Kam ndjekur me kurreshtje disa ngjarje shumë të rëndësishme dhe kam observuar me kureshtje se pas sa minutash dhe si do të ishte reagimi i Bazes përmes analizave të tij në ueb-sitin e gazetës “Tema”. Kam ngelur i mahnitur me jo vetëm shpejtësinë e reagimit por edhe me mënyrën unike se si ai arrinte ta analizonte një cështje nga një këndvështrim që shumë pak ose asnjë analist (une i përfshirë) nuk arrinte ta perceptonte më parë. Kam thënë ngahera dhe e besoj: Baze është fatkeqësi për atë politikan që e bën kundërshtar.
Në ndryshim nga gazetarët e tjerë, Bazes i mungon “damari”, apo ai që ne e quajmë “damari i budallait” (mos të merret si ofez nga kushdo). Mero Baze asnjëherë nuk ka sulmuar, të paktën në publik, opozitën dhe Edi Ramën edhe kur veprimet e tyre kanë qënë hapur të gabuara strategjikisht. Nuk e ka bërë këtë pasi zgjuarsia e tij i tregon se në këto kushte të politikës shqiptare cdo sulm kundër opozitës do të përdorej thjesht dhe normalisht për synime politike që nuk do t’i shërbenin kurkujt tjetër përvec pushtetit Berisha-Meta. Cështja do të ishte ndryshe nëse pushteti dhe opozita do të kishin thjeshtë ndasi ideologjike si kudo në botën demokratike.
Ashtu si Nano dhe Stefani, Baze e ka largimin e Berishës si objektivin e tij primar; ndryshimi qëndron në faktin se Baze është konsistent dhe shumë i mrehtë në qëndrimet e tij. Nuk kam asnjë dyshim se nesër si Baze ashtu dhe Nano e Stefani do të jenë përsëri kundër pushtetit të ri Rama, dhe kjo gjë do të ishte në nderin e tyre dhe një test që bën dallimin midis një shërbëtori të rëndomt dhe një intelektuali par excellence (fjalët e Nanos).
Rasti i gazetarit/analistit Mero Bazes duhet të konsiderohet si një rast tërësisht unik në historinë e gazetarisë shqiptare. Baze ka shumë cilësi të cilat e bëjnë atë një gazetar egzotik për vet vendin dhe shoqërinë në të cilën ai operon.Unë nuk besoj se Baze është thjesht një opozitar i pushtetit Berisha. Për këdo që studion gazetari, rasti Baze do të ishte një temë shumë interesante për një studim më të hollësishëm.
Zari i vitit te ardhshem do shpallet vete mero tazja dhe mero mezja.