Shpesh herë historitë mbi njerëz të rritur nga kafshë të egra janë trillime popullore, letrare ose kinematografike. Por “BBC” sjell rastin e një spanjolli (tani në moshë të thyer) që tregon se si kaloi 12 vite të jetës së tij i vetëm në malet e Sierra Morenas ku shoqëri i bënin ujqërit dhe gjarpërinjtë
“Hera e parë që Marcos Rodriguez Pantoja pa t’i vihej përpara një tas me supë të ngrohtë, nuk ia kishte idenë se çfarë ishte. E vëzhgoi me vëmendje dhe pastaj futi dorën brenda saj në përpjekjen për të çuar pak lëng drejt gojës. Kontakti me të nxehtën e bëri të lëkundej, duke e rrëzuar pjatën në tokë”. Nis kështu historia e Markosit, e treguar për BBC nga Laura Plitt. Një rrëfim që ka të pabesueshmen brenda, sepse njësoj si në tregimet e Rudyard Kipling edhe Marcos është rritur me ujqërit.
Midis viteve ’50-’60, kur ishte vetëm një fëmijë, Marcos jetoi i vetëm ne male, ku si shoqëri të vetme kishte ujqërit, dhitë e egra dhe gjarpërinjtë. Askush nuk mund ta konfirmojë me siguri historinë e tij, por mesa duket kur ishte rreth 6 apo 7 vjeç, i ati e shiti te një bari i moshuar eremit, i cili e çoi në malet spanjolle të Sierra Morenas. Nuk kaloi shumë kur bariu vdiq dhe Marcos mbeti vetëm në një territor të vështirë për të mbijetuar. “Kafshët më udhëhiqnin drejt ushqimit, – tregon, – haja gjithçka që hanin ato. Nuhatnin terrenin në kërkim të rrënjëve dhe kur i gjenin, i gjuaja me gurë për t’iu vjedhur rrënjët”.
Miqësia me ujqërit
Por me disa lloje kafshësh, Marcos arriti të krijonte një lidhje të veçantë: “Një ditë hyra në një shpellë dhe nisa të luaja me këlyshët e ujku që kishin vendosur aty strofullën e tyre. Më zuri gjumi. Më vonë erdhi e ëma, e cila iu kishte sjellë ushqim. U përpoqa të vidhja një copë mishi, teksa ajo po ia ndante atë këlyshëve. Më qëlloi me putrën e saj dhe unë u mënjanova megjithëse uria bënte të vetën. Pasi ujkonja i ngopi këlyshët, më afroi një copë mishi. Nuk doja ta prekja sepse druhesha mos më sulmonte, por, ajo filloi ta shtynte mishin drejt meje me hundë. Kur mu afrua, mendova se do me kafshonte por filloi të më lëpinte. Isha bërë pjesë e familjes së saj”. Kaluan vitet dhe Marcos gradualisht e zëvendësoi të folurën me britmat e kafshëve. Një ditë, tashmë 20 vjeç, ai u gjet nga pjesëtarë të rojeve civile (Guardia Civil) dhe u dërgua në fshatin Fuencaliente. Kur i ati u njoftua për ta identifikuar, Marcos thotë se nuk ndjeu asgjë kur e takoi.
Kthim në qytetërim
Me rastin e Marcos-it u mor personalisht Gabriel Janer Manila, shkrimtar e antropolog nga Universiteti i Balearit, i cili e bëri historinë e tij të njohur për publikun edhe falë një libri që tregon jetën e këtij “djaloshi të egër”.
“Ajo që na tregoi Marcos nuk është ajo çfarë ka ndodhur në realitet: kur thotë se shihte një gjarpër dhe ndante me të ushqimin. Ai e shihte si “mik”, sepse gjarpri i shkonte nga mbrapa, por ky s’është gjë tjetër veçse një interpretim personal i fakteve”, thotë Gabriel Janer Manila. A mund të jetë një njeri “mik” i ujqërve apo një gjarpër “një gardian besnik”?
Sido që të kenë shkuar gjërat, “kthimi në qytetërim” nuk ishte aspak i lehtë për Marcos-in, që e përshkroi si një nga momentet më të vështira të gjithë jetës së tij”. “Nuk e dija ku të shkoja, – tregon, – njerëzit vinin e iknin si milingona dhe unë nuk mund të duroja zhurmën. Trembesha edhe në momentin kur më duhej të kaloja rrugën dhe e vetmja gjë që dëshiroja ishin malet e mia”. Sot Marcos jeton në një fshat të vogël të Galizias. Kur e pyesin nëse mendon ndonjëherë të kthehet në malet e Sierra Morenas, Marcos përgjigjet: “Jam menduar shumë herë, por tani jam mësuar këtu. Kam shumë gjëra që atje lart as që i ëndërroja. Muzika për shembull, dhe gratë. Gratë janë një arsye e mirë për të qëndruar këtu”./D.Gjuzi