Një princ saudit bën dhe zhbën i vetëm politikën ushtarake amerikane nga Pakistani deri në Somali. Bandar Bin Sultan, i cili nga miqtë thirret Bandar Bush është “komandanti në ngarkim” i konflikteve të fundit lindore. Një njeri që duhet njohur më mirë
Bandar Bin Sultan ka qenë ambasador i Arabisë Saudite në Uashington nga viti 1983 deri në 2005-n. Më pas mori detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Sigurimit Kombëtar saudit, por që nga 19 korriku i 2012-s ai ka marrë postin e shefit të agjencisë saudite të spiunazhit. Gjatë gjithë asaj periudhe të kaluar në Uashington, ai kultivoi një miqësi të thellë me familjen Bush, të cilën e shoqëroi nëpër luftërat e shumta në shtetet lindore duke i dhënë këshilla mbi manovrat e tyre, aq sa G.W.Bush e konsideroi publikisht si një pjesëtar të familjes së tij. Dhe që nga ajo kohë Bandar Bin Sultan ka marrë një emër të dytë, shumë e quajnë Bandar Bush.
Thuajse i parëlindur
Bandar është djali i parë i Sultan bin Abdulaziz Al Saud, një nga shtatë sundimtarët e Arabisë Suadite. I lindur më 2 mars 1949, ishte i parëlinduri në familjen mbretërore edhe pse gjysmë vëllai i tij Khalid Bin Sultan, që lindi një vit më vonë, i rrëmbeu njohjen zyrtare. Kështu vuajti konkurrencën e 32 vëllezërve e motrave që lindën nga martesa e babait të tij me 12 gra të ndryshme, me të cilin nuk arriti të takohej deri në moshën 8-vjeçare. Pak vite më vonë shkoi të jetonte bashkë me të ëmën analfabete në shtëpinë atërore.
Për një kohë të gjatë ka mbajtur postin e ministrit të Aeronautikës, e më pas të Mbrojtjes. Gjatë kësaj periudhe bleu sasi të pafundme mjetesh ushtarake, sidomos nga Shtetet e Bashkuara (duke qenë një filo-amerikan dhe thellësisht armiqësor me rusët). Pjesa më e madhe e pasurisë së tij e ka burimin nga tregtia e avionëve dhe sistemi i armatimeve, të cilat i blinte në Uashington, ku autoritetet amerikane nuk skandalizoheshin shumë për porositë e tij, të cilat tejkalonin nevojat e shtetit saudit. Ku përfundonin tepricat?
Një pjesë e madhe e këtyre furnizimeve pasi mbërriti në Arabinë Saudite, u vendos dhe qëndroi përjetësisht në depot shtetërore. Veçantia e këtij vendi është se i mungojnë ushtarët dhe profesionistët për t’i përdorur ato. Dihet që sauditët e bëjnë luftën me para dhe jo me batalionet… që nuk i kanë. Në këmbim të kësaj shpenzojnë shumë për mirëmbajtjen e tyre, thuajse të gjithë buxhetin miliarder të Mbrojtjes. Për një gjë u hyjnë në punë këto armatime: për të shtypur protestat e “ndrojtura” të atyre që devijojnë nga linja e regjimit.
Me Bandar Bin Sultan , Arabia Saudite u bë klientja e parë e huaj për armët amerikane dhe një nga të paktat që paguajnë vërtet, duke qënë se armët që shkojnë në vende si Egjipti, Izraeli dhe Jemeni (e kështu me radhë) në të vërtetë paguhen me paratë e taksapaguesve amerikanë. Në fakt, sauditët kanë paguar në para ‘cash’ edhe llogarinë e Luftës së Parë të Gjirit, kur presidenti i parë Bush ndërhyri kundër Sadamit, i cili kishte marrë Kuvajtin, i bindur se amerikanët nuk do të reagonin.
Arabia Saudite ka financuar programin bërthamor pakistanez dhe të ashtuquajturën “bombë atomike islamike”. Ajo mbështet ose kushtëzon sipas rastit shtetet e tjera të Gjirit dhe prej një kohe që s’mbahet mend është e angazhuar në sjelljen e luftës në Jemen. Dikur sauditët ishin antisovjetikë, më pas antikaedistë në Afganistan e Pakistan, tani iu është shtuar obsesioni anti-Iran. Lufta kundër Sadamit dhe veprimtaria e dukshme në destabilizimin e Irakut kanë pasur një rol kyç gjatë periudhës së pranverave arabe, deri në konfliktet e përgjakshme sot në Siri dhe Egjipt. Nuk është një rastësi që tirani tunizian, Ben Ali, është strehuar në territorin saudit. Por askush nuk ka shfaqur interes për të vënë në diskutim veprimtaritë e sauditëve gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, as evropianët e aq më pak amerikanët, të cilët me Obamën në krye duket se i janë besuar gjithnjë e më shumë skemës së tensioneve. Një taktikë që ka të mirat e saj, edhe sepse askush nga mediat nuk ka vënë në diskutim çështjen se ku përfundojnë dhe për çfarë qëllimesh përdoren arkat me para të sauditëve drejtuar Perëndimit.
Bandar dhe Putini

Bandar Bush, doli sërish në skenë këtë vit. Në 2012-n qarkulloi lajmi se ishte vrarë në shtetin e tij, në një atentat të organizuar nga qeveria siriane, por qëlloi thjesht një dëshirë e parealizuar e kundërshtarëve të tij. Gjatë vizitës së fundit në Moskë, presidentit rus i tregoi buzëqeshjen e tij prej babaxhani, ndërsa për vite të tëra ka joshur publikun televiziv amerikan duke shpjeguar se si luftohej terrorizmi islamik. Por mbi të gjitha, ka mahnitur të ftuarit e tij në vila ëndrrash, prona të babait të tij (i cili njihej si i korruptuar), por edhe për bujarinë e tij duke shpërndarë nëpër Amerikë bursa studimi, duke ngritur ndërtesa akademike dhe duke hapur vende pune për shumë ish-zyrtarë.
Bandar nuk e befasoi Putinin, pavarësisht se ky i dhuroi 4 orë të gjata që të shpjegonte të gjitha ofertat e tij dhe dihet që Putini është po ai që rrafshoi kryeqytetin çeçen, Grozny, për t’u çliruar nga “islamistët”.
Mision i pamundur
Vështirë se Bandar shkoi te presidenti rus pa pasur aprovimin e Uashingtonit, por takimi rezultoi të ishte një dështim, duke i dhënë edhe njëherë tjetër lustrën imazhit të Putinit e duke përkeqësuar atë të Obamës, një dinamikë e cila kohët e fundit po përsëritet.
Nga ajo që bënë të ditur rusët, Bandar shkoi t’i shpjegonte Putinit se në Siri, pasi të jetë rrëzuar Assad nga pushteti, do të komandojnë ata dhe se interesat e rusëve do të tutelohen, si p.sh. gazsjellësi për në Europë mund të mos kalojë ashtu siç është parashikuar nga Katari, fakt i cili “Gazprom”-it rus i leverdis. Pastaj sauditët do të blejnë armë nga Rusia, shumë më tepër se ato që rrinë stok në depot e tyre.
Pra me pak fjalë, Bandar la të kuptohej se nuk do të ketë asnjë konferencë paqeje në Gjenevë, sepse opozita siriane nuk do të shkojë, ç’ka nënkupton se ndërhyrja ushtarake e perëndimorëve është e padiskutueshme tani në Siri. Kjo është sinteza brutale që mbërrin nga Moska dhe që deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgënjeshtrim.
Katari është zhdukur
Sauditët kanë kontrollin e opozitës së armatosur, sepse janë edhe kanali më i madh i furnizimeve ushtarake të milicive islamike, që kanë vënë në minorancë rebelët sirianë. Pra Bandar është armëtari i vetëm i rebelimit sirian, pas rrëzimit të Katarit që pak kohë më parë dukej se kishte marrë rolin e lojëtarit kryesor rajonal. Pasi u ndryshua sheiku dhe pushteti i kaloi në dorë djalit të tij 30-vjeçar, emirati që kishte sponsorizuar Vëllazërinë Myslimane në Tunizi, Egjipt dhe Libi dhe që armatoste rebelët sirianë, në pak ditë përfundoi jashtë Sirisë.
Afganistan 2
Ideja se Bandar dhe amerikanët kanë si qëllim që të shtypin xhihadistët, të njëjtët të armatosur nga sauditët mbetet e gjitha për t’u vërtetuar. Për më tepër Bandar po bën në Siri, atë që kanë bërë sauditët në Afganistan kundër sovjetikëve.
Në këtë pikë, imazhi që del në pah është ai i këtij ‘princi’ saudit që ka marrë publikisht rolin e çliruesit të Sirisë dhe të armëtarit të rebelëve atje (kuptohet me Shtetet e Bashkuara në front). Ndërsa sauditët në Kajro mbështesin represionin e gjeneralëve kundër “terroristëve” të partisë që kishte fituar zgjedhjet e para të lira pas dhjetëvjeçarësh.
Mund të ndodhë që investimet e sauditëve të kenë fundin e atyre të Katarit. Shetet e Bashkuara dhe Evropa nuk mund të shtiren pafundësisht se besojnë që sauditët ndjekin të njëjtat interesa të perëndimorëve dhe as të mos njohin se armatimi i vazhdueshëm i fanatikëve dhe shtypja e të moderuarve, nuk mund të jetë zgjidhja për të ç’rrënjosur islamin politik. Nëse akoma nuk e dini, fanatikët islamikë gjatë 30 viteve të fundit janë armatosur më shumë nga SHBA-ja dhe aleatët e saj se sa nga çdo vend tjetër./Dorina Gjuzi

nga e keni marre kete shkrim o njerez nga gazeta pravda..!!! apo sherbimet sekrete ruse
vl
michael moore. fahrenheit 911. artikulli eshte shume i mire.
Dua te sqaroj lexuesin e ketij shkrimi…..Ju keshilloj,merrni lexoni vepren e te madhit sh.Enver Hoxha..’Mbi lindjen e mesme’…se sa aktuale e4shte sot ne v.2013,ajo analize qe ka bere sh.Enver….cfare prica,cfare USA….RUSI ETJ, hapni e lexoni se ideolloget e disa vendeve si Palestine.Izrael etj e ruajne,kthehen e lexojne e ju duket si libri i shenjte -KURANI…e cfare respekti kane per Enver Hoxhen….jo keto sharlatane, palo drejtues e huligane…qe vetem vbrasin ,varferojne e sakatojne lindjen e mesme per qellimet e tyre strategjike….kush jane keto,qe luajne me jeten e tyre….Ska asnje qe ka dhene llogari,por nen moton se po shfrytezojne popullin musliman, qe vetem musliman vrasin….beni bilancit e fakteve ku ishin e ku jane…princat jane ne sherbim te agjenturave huaja….
Si tyhote kurani,,,ku jane secatet e pasurve arabe,rincave,kur popujt muslimane vuajne per buke, vriten se jane popullsia me e madhe ne kete fe….oh sa ka lexon i librin se eshte sikur e ben analizen po sot…
Bandar Bin Sultan si trashegues i fronit te mbretit te Arabise Saudite, djali i parë i Sultan bin Abdulaziz Al Saud, pra një nga shtatë sundimtarët e Arabisë Suadite,patjeter qe do luaje nje rol kryesor ne ndertimin e politikave te Arabise Saudite me vendet Arabe dhe atyre qe ndodhen perrreth tij ne Lindjen e Mesme e me gjere.Armatosja me armet me moderne e Arabise Saudite dhe pergatitjet e saj per lufte eventuale,qe mund t’i ndodhe sikurse i ndodhi Kuvajtit me Irakun, nuk jane gje tjeter vecse zgjatim i politkes se fjaleve me pregatitjet per lufte te ashper pa kompromis e me arme,qofte me kundershtaret e vet te brendshem politke (se pranvera arabe po i afrohet edhe Arabise Saudite),qofte edhe per nje lufte eventuale kunder fqinjeve qe mund te synojne rrezimin e mbretit saudit dhe rregjimit te tij konservator shtypes e antidemokratik.Ndryshimet qe ndodhen ne Katar momentalisht e ndihmojne Arabine Saudite por ne te ardhmen ngjarjet e Sirise nuk do te kalojne pa lene gjurme tek popujt arabe ne perpjekjet dhe lufterat per liri,demokraci dhe zhvillim. Aleancat me Fuqite e Medha te kohes jane nje pasqyrim i frikerave qe ka rregjimi ne etapa te ndryshme te zhvillimeve te brendeshme dhe atyre te jashtme te vete Arabise Saudite dhe pozicionimit te saj ne skakieren e politikes boterore.