Njihuni me “bletët punëtore” të Elbasanit

redaktor

Edhe pse fuqizimi ekonomik i grave ka qenë në fokus të politikave qeveritare dhe të projekteve të ndryshme, progresi në këtë drejtim ka qenë i ngadaltë, pasi gratë shqiptare përballen me një sërë sfidash në këtë fushë.

Po të shtrijmë këndvështrimin në të gjithë vendin, duke u ndalur në një prej sektorëve që siguron më shumë mundësi punësimi për to (atë të bujqësisë), vërejmë se, pozicioni i gruas nuk është aspak i favorshëm. Është fakt që në zonat rurale, më shumë se 50 për qind e grave punojnë në bujqësi , por vetëm 6 për qind e fermave menaxhohen prej tyre

Gratë në fshatë, aktivitetin e tyre të përditshëm kanë punët e shtëpisë, e kur kësaj i shtohet një punë e cila përveçse i bënë të ndihen të dobishme i sjell edhe të ardhura, atëherë kënaqësia është e dy-fishtë. Kjo gjë ka ndodhur në krahinën e Shpatit në Elbasan. Kjo zonë njihet për rritjen dhe mbarështimin e bletëve. Shqetësimi i shumë familjeve në këto anë ishte fakti, se ato donin të punon, por nuk kishim mundësi ekonomike për të hedhur hapat e parë në këtë drejtim. Donin një ndihmë, si materiale ashtu edhe informative. Një grua që kërkon të rrisë dhe të shtojë bletë, është një grua që e do punën dhe mbi të gjithë kërkon të marr prej saj gjënë më të çmuar, mjaltin.

Në zonat rurale ka shumë faktorë që pengojnë zhvillimin e mundësive ekonomike për gratë dhe vajzat e reja si edhe punësimin e tyre.

Detyrimet e shumta ndaj familjes, rritjes së fëmijëve, mungesa e kualifikimit përkatës profesional, aksesi i vogël ndaj pronës dhe pamundësia në këtë mënyrë për të marr kredi për zhvillimin e biznesit privat, janë vetëm disa prej pengesave që hasen nga gratë.

Një grupim grash që kërkuan të ndihmoheshin, në një punë që ato e kishim më shumë dëshirë ta bënin: rritjen e bletëve.

30 gra

Dita mësoi si “Enti i Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave në Shqipëri (UN Women) prej muajsh ka mbështetur ngritjen e një klasteri ekonomik me ofrimin e trajnimeve për bletërritjen dhe prodhimin e mjaltit, marketingun dhe menaxhimin e biznesit, duke i aftësuar këto për të konkurruar në treg në zonën e Gjinarit në Elbasan. Së fundmi ky klaster është pajisur me mjete të përpunimit të mjaltit dhe marketingut.

grateeeSi rrjedhojë e kësaj mbështetje, prej disa ditësh, Gratë Bletërritëse të Shpatit, nuk është vetëm emërtimi i produktit më të ri vendas, por është edhe grupimi i 30 grave nga Gjinari i Elbasanit të cilat merren me bletërritjen dhe prodhimin e mjaltit.

Esma Dërstila, kryetare e “Grave Bletare të Shpatit” shprehet se ‘kjo është një mundësi shumë e mirë për gratë e Gjinarit dhe se qëllimi i tyre është arritja e standardeve më të larta, kjo edhe falë planit të biznesit dhe strategjisë 2-vjeçare të marketingut që kanë hartuar.”  Kjo formë organizimi do t’u mundësojë grave të angazhohen në prodhimtari më të lartë dhe orientim më të mire ndaj tregut.

Gjatë një vizitë në Elbasan, mundëm të takojmë tri zonja, të cilat na treguan eksperiencën e tyre me bletërritjen.

Esma Dërstila është më e vogla mes 30 grave( 27 vjeç)  por kjo nuk e ka penguar që të jetë ajo kryetare e “Grave Bletare të Shpatit”. Edhe pse nuk është një bletërritëse e vjetër, ajo ka mundur që brenda pak muajsh të menaxhojë jo vetëm kosheret në shtëpinë e saj, por edhe gratë që vijnë nga fshatra të ndryshëm të Elbasanit. I ka mbledhur ato në një shoqatë, me një qëllim të vetëm: të mësojnë më shumë për rritjen e bletës dhe çdo gjë  që vjen pas saj.

Esmaja është familjare, nënë e një djali  3 vjeç dhe vazhdon studimet për Bio-Kimi. Na tregon se ka dy vite që merret intensivisht me rritjen e bletës.

Ka mbledhur pas vetës 30 gra, të cilat i janë bashkuar shoqatës për të mësuar nga trajnimet e ofruara dhe mbështetura nga “UN Women” , sekretet e rritjes së bletës dhe tregtimit të mjaltit.

Etleva Berdufi
Etleva Berdufi
Ismete Muca
Ismete Muca

“Në fillim kam parë vëllanë, se si ai kujdesej për bletët e tij dhe më bënte përshtypje fakti se si ato ishin aq të mirë organizuara. Një ditë më dhuroi një familje blete dhe njohurit bazë për rritjen e tyre i mora na ai. Brenda një viti shtova dy familje të tjera bletësh. Me pjesëmarrjen në trajnim dhe me ndihmën që na u dha, sot kam kem dhjetë familje bletësh. Nga ato marr mjaltë për nevojat e familjes dhe pjesën tjetër që më mbetet e shes”.

U pa e nevojshme që këto gra përveç informacioneve të trashëguara nga familje të informoheshin më tepër rreth bletërritjes.  “Ishte e domosdoshme, pasi unë e kam parë edhe te vetja ime. Tani përveçse kemi informacione më të zgjeruar, jemi edhe të mbështetura.  Mbështetja materiale që na ka dhënë UN Women me anë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, na ka ndihmuar shumë”- tregon Esma për Dita-n.

Sekretet e bletës dhe zonjat e koshereve të para

Bletërritja është një nga aktivitetet ekonomike tradicionale në zonat rurale dhe është përzgjedhur si veçanërisht e përshtatshme për zhvillimin e klasterit të grave për disa arsye: nuk është biznes që kërkon punë intensive, nuk kërkon pronësinë e një sipërfaqe të kultivuar të madhe, është një biznes që nuk kërkon pajisje dhe makineri shumë të kushtueshme.

Një tjetër zonjë e cila i konsideron bletët si pjesë të rëndësishme në jetën e saj është Etleva Bërdufi. Ajo është nënë e dy djemve dhe jeton në fshatin Pashtresh të Elbasanit.

Etleva na tregon se është rritur mes bletësh. Xhaxhai i saj ka qenë një bletërritës i famshëm. Kur u martua, në shtëpinë e bashkëshortit nuk gjeti bletë dhe gjatë gjithë këtyre viteve e ka ndjerë këtë mungesë në përditshmërinë e saj.

3“Kur mora vesh që u hap një trajnim i tillë në zonën tonë, u interesova dhe u regjistrova. Doja patjetër të merrja pjesë. Pas trajnimit përfitova tri koshere bletësh, i mora dhe sot jam shumë e  lumtur. Mundësia ime e ekonomike nuk më lejonte që të blije familjet e bletëve, pavarësisht se e ndjeja si boshllëk. Ky trajnim më dha një mundësi dhe më ndihmoj që unë të kem kosheret e para. Tani nga tre i bëra  5 koshere. Më trajnimin e dytë, përfituam edhe bazë materiale, ushqim për bletët, asistencë teknike. Mësuam si ta ndajmë, si të kujdesemi për bletët. Pavarësisht se një pjesë e mirë e jona është rritur mes bletësh, sërish, shumë pak  njiheshim me  informacionet e reja.  Kjo ishte mundësia më e madhe që më është dhënë deri më tani dhe për këtë jam shumë mirënjohëse atyre që më ndihmuan”-thotë Etleva për Dita-n.

Nga kjo zonjë mësuam edhe një sekret të bletës. “Ka shumë sekrete, por ai me kryesore është fakti se, nëse ti je shumë mirë nga ana emocionale, ajo të sillet po njëlloj. Nëse  je e stresuar, je në ankth, ajo reagon dhe sillet keq. Bleta duket sikur jeton me ty. Ajo do që të jesh e lumtur”.

Ajo që luan një rol të rëndësishëm në cilësinë e mirë të mjaltit, është edhe hapësira e madhe e kullotave që kjo zonë ka. Ndërsa, krijimi i shoqatës i ka ndihmuar këto gra në  promovimin e prodhimeve të tyre.

Në zonën e Gjinarit, fermerët i mbajnë bletët afër shtëpive, kështu që gratë mund të punojnë me to,  pa pasur nevojë që të largohen nga shtëpitë e tyre. Disa nga gratë që janë përfshirë në trajnime dhe aktivitet kanë qenë të angazhuara me bletërritjen, ndërsa disa të tjera kanë pasur eksperiencë edhe në shitjen e mjaltit.

Esma Derstila
Esma Derstila

Zonja e tretë më të cilën kemi folur është e re në këtë profesion. Ismete Muça është 40 vjeç, ka tre fëmijë të rritur dhe jeton në fshatin Lleshan të Gjinarit. Ka një vit e gjysmë  që merret me rritjen e bletës. Është hera e parë për të.

“Bletën e kam filluar rastësisht. Pas u largova nga puna e mëparshme, kisha kohë që isha e pa punë dhe nuk merresha me diçka, përveçse rutinës së zakonshme në shtëpi. Kur i tregoi motrës dhe bashkëshortit të saj që edhe unë kisha dëshirë të kisha një familje bletësh, ata ma plotësuan dëshirën menjëherë, më dhuruan një familje bletësh. Mora pjesë në këtë organizim grash, përfitova asistencë teknike, mjete materiale dhe shumë çka që i duhet një personi i cili i fillon rishtas këtë punë.

“Bletërritja është kthyer në një punë tashmë për mua. Gjatë këtyre kohëve, kuptova se nuk është aq e thjeshtë. Për t’u kujdesur si duhet për bletët dhe për të rritur prodhimin e një mjalti cilësore ka shumë për të mësuar”.

Ismetja thotë se mjalti i kësaj zonë është shumë kurativ. Në verë është mjaltë i ëmbël, kurs në vjeshtë i hidhur, i cili mund të përdoret për ata që vuajnë nga bajamet. Një koshere, nxjerr dhjetë kavanoza mjaltë dhe një kavanoz kushton nga 12 deri ne 15 mijë lekë të vjetra.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *