Njihuni me “La Barbi”, Lordin e Drogës

redaktor

Një mëngjes të ngrohtë maji të një viti më parë, Edgar Valdez, një bos droge që ndryshe njihej me pseudonimin “La Barbi”, u zgjua në një prej shtëpive që zotëronte në qytetin turistik të Acapulcos.
Gjatë viteve 1950, ky qytet i bukur bregdetar ishte qendra e kryeministrave më të famshëm amerikanë; Frenk Sinatra endej nëpër sallat e pritjeve të hoteleve, Elizabet Teilor organizoi aty dasmën e saj të tretë nga tetë të tilla, ndërsa Xhon Kenedi kaloi në bregdet muajin e mjaltit me Zhaklinën.
Magjepsja filloi të zbehet në vitet 1980, por qyteti mbeti një destinacion mjaft i njohur pushimesh deri para pak vitesh, kur kartelet meksikane e transformuan Acapulcon nga një parajsë bregdetare në një nga pikat më të dhunshme të luftës së drogës . Si shefi operativ i kartelit më të madh të qytetit, Barbi po ia zbehte famën këtij vendi magjik dhe i bëri turistët nervozë. Atij i erdhi pak keq për këtë, “por kështu funksionon në botë”, – mendoi ai – “ha ti më mirë , ose do të hanë ty”.
Barbi ka një lëkurë ngjyrë ulliri, por këtë pseudonim e ka marrë prej pamjes së këndshme dhe syve të gjelbër. Ai njihej si një tip i çiltër, por në moment mund të kthehej në një njeri të tmerrshëm dhe të etur për gjak. Edhe pse ishte 31 vjeç, vazhdonte të kishte trup të fortë, njësoj siç e kishte pasur në gjimnaz kur luante si mbrojtës në ekipin e futbollit. Barbi mbante në shtëpi një kuti xhami të mbushur me orë “Rolex” dhe orë të markës “Audemars Piguet”, të mbushura me diamante, por ndryshe nga shumica e trafikantëve, nuk mbante mjekër dhe nuk vinte bizhuteri që binin shumë në sy.

Arrestimi që ndryshoi modën

Atij i pëlqente veshja e amerikanëve tipikë jugorë, bluzat Polo me emblemën e një kalorësi dhe një shkopi –të tilla si ato që veshin kalorësit argjentinas. Miti i Barbit u përhap aq shumë në Meksikë sidomos pas arrestimit. Kur u paraqit përpara kamerave të televizioneve ai mbante të veshur një bluzë “Polo” nga ato që ai i kishte fiksim. Mania e tij për këtë model bluzë u bë shkas për përhapjen e një modë të re në Amerikën Latine, e njohur ndryshe si moda e bluzave Narko-Polo.
“Këto bluza si të Barbit janë bërë të modës,” – tha për gazetarët Mario Lopez, guvernatori i shtetit meksikan të Sinaloas. “Shumë të rinj duan të kenë idhuj njerëz si ai.” Por shija në fushën e modës nuk ishte e vetmja gjë që e dallonte Barbin nga bosët e tjerë meksikanë të drogës: Ai ishte një i huaj, një provincial i shtresës së mesme, lindur dhe rritur në Teksas. Barbi është i vetmi qytetar i Shteteve të Bashkuara, që ka arritur majat e një karteli meksikan, dhe i vetmi amerikan, emri i të cilit gjendet në listën e Departamentit të Shtetit, si një bos droge në shënjestër. (Qeveria e SHBA ofroi 2 milion dollarë për çdo informacion që do të çonte në arrestimin e tij.)
Për vite me radhë, ndërsa droga kaloi nga Kolumbia në Acapulco, Barbi kontrollonte rrugët kryesore të shpërndarjes jashtë qytetit, duke transportuar më shumë kokainë – rreth 2 tonelata – çdo muaj në SHBA.
Shumica e drogës shkoi në Memfis dhe Atlantë, ku mendohet se Barbi ka qenë furnizuesi kryesor për disa rrjete të dhunshme, duke përfshirë këtu edhe një rrjet të drejtuar nga gjysmë-vëllai i “DJ Paul” i grupit ‘Three 6 Mafia’.

Barbi fitonte deri në 130 milion dollarë në vit duke transportuar drogë në Shtetet e Bashkuara, por nuk është se bënte ndonjë përpjekje të madhe për t’i pastruar këto para. Në vend të kësaj, ai vetëm sa i ngarkonte paratë në kamionë dhe i kalonte përtej kufirit meksikan.

barbi me te dashurenMiliardat sjellin telashe

Në botën e paligjshme të karteleve, ato lloj parash e kishin bërë Barbin objektiv kryesor. Një mëngjes të bukur në Acapulco, ai e ndau mendjen të hiqte qafe rrezikun që i kanosej. Njëri prej policëve që ai e kishte mbajtur në listat e pagave të tij, e kishte informuar Barbin se katër nga njerëzit e grupit “Los Zetas” – një nga kartelet më të dhunshme, të udhëhequr nga elitë ushtarake,– kishin ardhur në Acapulco për ta vrarë. Barbi mori masat e veta, dërgoi disa nga çunat e tij për t’i pritur.
Kur njëri prej vrasësve u ndal në sheshin e qytetit të blinte një kartë telefoni që t’i telefononte së motrës, çunat e Barbit e zunë me grushta dhe i morën peng. Si për çudi, vrasësi kishte sjellë me vete gruan e tij së bashku më thjeshtrën 2-vjeçare, si të kishte ardhur për pushime, ndërkohë që ishte aty për të vrarë Barbin. Çunat e Barbit ua mbuluan fytyrat që të mos shihnin dot gjë.
Personi  që kishte ardhur të vriste Barbin, u dërgua në periferi të Acapulcos, në një shtëpi të rrethuar me gardh elektrik. Sipas dëshmisë, njeriun që supozohej se do vriste Barbin, e kishin çuar sipër në dhomën e gjumit, ku atë dhe tre bashkëpunëtorët e tjerë të “Zetas” i kishin lidhur dhe i kishin detyruar të uleshin mbi një grumbull qesesh të plehrave. Barbi shkoi tek ata një pasdite me një kamerë filmike dhe pistoletën në brez. Me kamerën e ndezur filloi t’i pyeste se nga vinin dhe çfarë lloj pune kishin bërë për “Zetas”.

Një kuiz për killerat e marrë peng

Unë kam kontakte me ushtrinë për të gjetur informacione rreth patrullave armike”, – tha i pari.
“Unë jam një pjesëtar i ri në “Los Zetas”, – tha tjetri. “Kam punuar si ‘skifter’ ”, – tha tjetri dhe shtoi se mbasi rrëmbenin një person, bosi i tij do t’i jepte urdhër atij nëse “do ta çonin apo jo tek vendi i quajtur ‘el guiso”
“E ç’është kjo ‘el guiso’ që po na thua zotrote?”, – e pyeti Barbi.
“Kështu thuhet mbasi kap dikë dhe i merr informacion lidhur me transportimin e drogës dhe parave. Pasi marrim informacionin që na intereson, e torturojmë.”, – i tha vrasësi i marrë peng Barbit. “Më pas e çojmë në ndonjë fermë ose vend të humbur dhe i fusim plumbin ballit. Pastaj e hedhin në fuçi dhe e djegim me lëndë djegëse të ndryshme – naftë dhe benzinë. Kjo është  procedura ‘el guiso”, – sqaroi vrasësi i “Los Zetas.
I erdhi radha vrasësit tjetër të pyetej duke u filmuar. Pasi Barbi i mori në pyetje, burrat i dhanë detaje të hollësishme në lidhje me rivalët e rrëmbimit, vrasjen e gazetarëve, varrosjen e njerëzve. Ata mbase mendonin se do kishin ndonjë privilegj nga Barbi meqë po i tregonin gjithë këto sekrete. Por Barbi kishte tjetër mendim. Ai ngriti armën. “Po ti mo shoku ç’do na thuash ndonjë xhevahir?”, – e pyeti të katërtin.
Por ai s’e pati shansin të përgjigjej. Papritur arma mori shënjestër dhe ia hodhi trutë në erë. Gruaja e vrasësit që kishte vdekur dhe thjeshtra u mbajtën peng në shtëpi gjatë gjithë natës. Mëngjesin tjetër, njerëzit e Barbit, të cilët ai i kishte mësuar të ishin të mëshirshëm ndaj grave, i dhanë vajzës së vogël një tas me drithëra dhe një banane dhe e lanë të notonte në pishinë.
Më vonë, e larguan atë bashkë me të ëmën, duke i dhënë 1 mijë pesos për shpenzimet e autobusit. Para se ato të largoheshin, njëri prej njerëzve të Barbit i tha gruas: “Yt shoq më la amanet t’iu thosha se ai ju dashuronte marrëzisht. Nisu dhe ik andej nga ke ardhur me gjithë vajzën. Nuk ka biletë kthimi për burrin tënd. E pagoi me kokë. Më vjen keq zonjë.”

Fëmijëria synetllëku dhe një aksident

Në fëmijëri, Barbi gjithmonë kishte dashur të vizitonte Nuevo Laredon, një qytet kufitar i mbushur me gomerë, karroca ushqimi, vajza me fustane të qëndisura, lustraxhinj dhe erën e misrave të pjekur. Ishte njësoj si të shkelje në një botë tjetër dhe për këtë mjaftonte të kaloje urën.
Në gjimnaz, Barbin e gjeje mes turmave me njerëz, duke ardhur vërdallë jashtë klasës dhe duke bërë ato luftërat e shpifura me vezë pas shkollës. Në fundjavë, shkonte në fermë, merrej me lojëra të ndryshme dhe dilte me vajzën që i pëlqente, Virxhinia Perez, një bionde me sy blu.Ai u rrit gjatë kohës së pasurimit të klasës së mesme në periferi të Laredos, në një lloj toke që nuk i përkiste askujt, aty ku hamburgerët nuk njiheshin deri para viteve ’90. Edhe njerëzit e Laredos e njihnin atë vend si “Territori Indian”, një zonë e mbushur me drogë dhe emigrantë të paligjshëm. Prindërit e Barbit e rritën atë dhe pesë vëllezërit e motrat e tij në një shtëpi të vogël të pastër, me palma përballë.  Në shkollë, Barbi luante si mbrojtës në ekipin e futbollit për gjatë një viti, deri kur Longhorns fitoi kampionatin e qarkut. Ai ishte një lojtar solid, merrte një karton apo dy në një lojë të vetme, por kurrë nuk kishte shkëlqyer si lojtar.
Pseudonimin e mori nga trajneri i tij. “Ne e quajtëm ‘Kukulla Ken’, sepse ishte biond dhe kishte flokë të çuditshëm, fiks si të një kukulle”, – tregon një mik i atëhershëm i Barbit.
“Ai ishte tip fare dhe kishte shumë sens humori, vinte vërdallë me brekët e shtrënguara të sportit dhe duke rrotulluar peshqirin”, – kujton një shok ekipi.
Kur ishte në vit të fundit, Barbi mori një infeksion dhe i duhej patjetër të bëhej synet. Kur ishte në dhomën e zhveshjes së ekipit ai iu drejtua shokëve duke u thënë : “Hej, çuna, shikoni këtu, kjo gjëja këtu do pritet. Do bëhem synet.”
Shokët e Barbit tregojnë se ai nuk kishte shitur kurrë drogë gjatë periudhës së gjimnazit, por së bashku me miqtë e tij, merreshin me të tjera pisllëqe adoleshentësh në Laredo: vidhnin lopë në mes të natës, i ngarkonin mbi rimorkio dhe i shisnin aty ku i ofrohej më shumë.
Zakonisht, atij i pëlqente që, pas lojës së darkave të së premtes, të frekuentonte baret përgjatë kufirit dhe t’i jepte makinës në rrugë të shkreta ku nuk kishte gjë tjetër veç shkretëtirës.
Një natë, dy muaj para diplomimit, Barbi u përplas me një makinë. Shoferi tjetër, një këshilltar i një shkolle të mesme, vdiq në vend. Barbi u akuzua në gjyq për vrasje nga pakujdesia, por doli i larë nga të gjitha akuzat.  “Nuk e di se si e përballoi”, – kujton një miku i tij. “Por është për t’u habitur se menjëherë, Edgari iu kthye futbollit. Dukej njësoj si më parë, vetëm vërdallosej sa andej-këtej.”  Pasi Barbi u diplomua nga shkolla e mesme, babai i tij e nxiti të shkonte në kolegj. Por Barbi, që s’ja thoshte fare për shkollë, vendosi të ndiqte një rrugë më fitimprurëse – ku nuk përfshiheshin librat.

Djaloshi nis të fitojë ca lekë

Më parë, ai ishte i varur nga baret e natës, duke rënë në sy me paratë e tij. “Një natë, në bar Sombrero në Nuevo Laredo, kamerieri më tha se ‘Bjondi’ ” – një djalë bardhosh – “donte të na dërgonte ca shishe me alkool”, – tregon një shok shkolle. “Barbi nuk e mori mundimin as të fliste me ne, por kur u larguam, e pamë nga jashtë në një Jeep Cherokee të zi. Kur ndaloi të na përshëndeste, pamë se dritaret i kishte antiplumb. Menduam se ishte i pasur.”
Në moshën 20-vjeçare, Barbi ishte futur thellë në rrugën e drogës. Laredo është toka më e madhe tregtare e kalimit në kufirin meksikan, dhe agjentët doganore mund të kontrollojnë vetëm një pjesë të vogël të 8 mijë kamionëve që kalojnë nëpër qytet çdo ditë. Barbi e dinte se nëse ai mund të kalonte me kamionin e tij me kanabis  kontrabandë nga Meksika, çmimi i rishitjes, në çast do të ngrihej në qiell. Ai filloi duke transportuar në sasi të vogla, vetëm sa për të pasur ca para xhepi për shpenzimet. Por kur e kuptoi sa punë kishte për të bërë, Barbi së bashku me një shok, filluan kontrabandën duke fituar nga kanabisi aq lekë sa nuk e kishin imagjinuar në fillim. Përfundimisht, ata u zgjeruan në tregtinë e kokainës, duke bërë shitjet fillestare dhe duke e shitur drogën edhe tek shtresat e mesme të trafikantëve në Louisville dhe Memfis.

Anonimati i bukuroshit merr fund

Vitin që Barbi mbushi 21 vjeç, fati i familjes mori një kthesë të papritur, kur njëra nga motrat e tij fitoi 1 milion dollarë në Lotarinë e Teksasit. Familja Valdez filloi të bënte plane për t’u shpërngulur në pjesën e pasur  të qytetit, ndërsa Barbi u martua me Virxhinian, të dashurën e tij të gjimnazit. Por edhe pse tani ishin bërë me para, kjo nuk e shkëputi Barbin nga droga. Atij i ecte me marrëveshjet – dhe ç’ishte më e rëndësishmja, dinte se çfarë bënte.  “U takuam në qytet, që të arrinim në një marrëveshje për 300 kilogramë kanabis,” – kujton Martin Kuellar, një sherif në Laredo, i cili gjatë asaj kohe, punonte si civil. “Në fillim u tregua i gatshëm të punonte me mua, por pastaj nuk ma hapi më telefonin. Si duket e nuhati kush isha.”, – dëshmon ai.  Barbi i ruhej njerëzve që donin t’i afroheshin, gjithmonë kërkonte të shmangte burgun. Njëherë, policët kapën një trafikant në Meksikë i cili kishte furnizuar Barbin me kokainë. Kur ata kontrolluan oborrin e shtëpisë së djaloshit, gjetën trupat e një çifti zhdukur nga Teksasi.  Së fundi, në vitin 1998, mori fund fati i Barbit. Policia, me sukses arriti të fuste në grep një informator nga njerëzit e Barbit, dhe ai, bashkë me një duzinë anëtarësh të ekuipazhit të tij, u akuzuan në Laredo se kishin transportuar me anije të paktën 700 kilogramë kanabis për në San Antonio dhe 133 kilogramë për në St. Luis. Anonimati mori fund, hetuesit e mësuan kush ishte Edgar Valdez Villareal, La Barbi. I tmerruar, Barbi kaloi përtej kufirit në Meksikë. Por, në vend që kjo ngjarje t’i jepte fund karrierës së tij si trafikant droge, akt-akuza, pa dashje i kishte hapur rrugën për ngritjen e tij në majat e karteleve meksikane.

Mirësevjen në Meksikë zoti Trafikant

Për një tregtar 25-vjeçar të drogës gjatë viteve ‘90, Nuevo Laredo ishte vendi ideal për të bërë biznes. Dhuna midis karteleve meksikane ende nuk kishte shpërthyer dhe përgjatë kufirit kishte cepa ku tregtia e drogës mbetej e lirë nga ndikimi i tyre. Barbi ishte një nga rreth 20 trafikantët e pavarur të cilët punonin nën vëzhgimin e Dionisio Garsias, një trafikant i vjetër i cili i shiti atyre kokainë dhe i kërkoi t’i paguanin 60 mijë dollarë, si një taksë që ishte përdorur për të paguar agjentët e korruptuar kufitarë. Që prej fillimit, Barbit i pëlqente të vepronte sipas mënyrës së tij. Gjatë dekadës së ardhshme, ai mësoi se si të grumbullojë informacione mbi policët dhe tregtarët e tjerë përmes rrjetit ‘Falcons’ – një grup spiunësh i përbërë nga shoferët e taksive, kamerierë dhe shitës rruge. Ndryshe nga rivalët e tij, atij i pëlqente të ishte më i thjeshtë, të ngiste një Chevy Malibu, apo një Nissan Sentra, edhe pse kërkonte që makinat të laheshin rregullisht. Bashkëpunëtorë e Barbit nuk ta linin përshtypjen si trafikantë: Barbi këmbëngulte që ata të ishin të sjellshëm, të qetë dhe të pastër, të mos vinin në punë në gjendje të dehur dhe kurrë të mos lëndonin gratë dhe fëmijët.  Por qetësia përgjatë kufirit nuk zgjati shumë. Brenda pak vitesh, kartelet e mëdha filluan luftën për kontrollin rajonal, dhe Nuevo Laredo, një nga perlat e tregtisë trafikimit, shpejt u bë tepër e vlefshme për të qenë e pavarur.

Kumbari i Barbit e paguan me kokë

Në vitin 2002, grupi  “Los Zetas”, doli në skenë si një organizatë besnike e kartelit të Gjirit, që drejtohej nga Osiel Kardenas, i njohur ndryshe me pseudonimin “Vrasësi i Shokut”. Qëllim kryesor i Kardenas ishte të hiqte qafe Dionisio Garsian, kumbarin e Barbit,  i cili u ekzekutua nën torturë.
Pastaj Kardenas mori përsipër të ngrinte çmimin e kokainës . “Nga tani e tutje,” – u tha ai furnizuesve të pavarur, “ose do ta merrni kokainën nga unë, ose do më paguani taksën.”  Barbin e kishte tërbuar vrasja e Garcias, por s’kishte zgjidhje tjetër veçse të priste që t’i vinte koha e tij. Por bosi i ri Kardenas nuk pati kohë t’i shmangej ligjit: Brenda vitit, ai u kap nga ushtria meksikane.

Djaloshi vendos të sfidojë
Me arrestimin e Kardenasit , Barbi, në atë kohë 29 vjeç, organizoi një “revoltë tatimore”: Ai vendosi të shmangë pagimin e taksës së imponuar nga karteli i Gjirit dhe “Los Zetas” . “Barbi nuk pranonte të paguante “këstin”  për një tonelatë me kokainë”, – thotë një burim i zbatimit të ligjit. “Atyre nuk iu pëlqeu aspak kjo gjë. Ky ishte momenti i madh, që filloi ciklin e dhunës në Laredo për vitet e ardhshme.”  “Los Zetas” dhe karteli i Gjirit vunë menjëherë çmim mbi kokën e Barbit, prandaj ai u detyrua t’i drejtohej një karteli rival për mbrojtje. Ish-kumbari i tij Dionisio Garcia kishte pasur marrëdhënie të mira me kartelin Beltran-Leyva, i cili drejtohej nga katër vëllezërit – Arturo, Alfredo, Hektor dhe Karlos. Ata vepronin kryesisht në pjesën perëndimore të Meksikës, por kishin planifikuar të merrnin në kontroll kufirin e Laredos, vetëm e vetëm që të afroheshin me Joakin “El Chapo” Guzman-in, kreun e famshëm të kartelit të Sinaloas.
“El Chapo Guzman”(shkurtabiqi Guzman), është trafikanti më famëkeq në botën e drogës, i cili në vitin 2001 u arratis nga një burg i sigurisë së lartë me një karrocë lavanderie, gërmoi një tunel me ajër të kondicionuar midis Tijuanës dhe San Diegos, dhe  hyri në listën ‘Forbes’ si një ndër pasunarët më të mëdhenj të planetit. Momentalisht, ai drejton në heshtje kartelin e Sinaloas nga një pjesë malore e Meksikës, ku ka një rrugë të vetme hyrëse dhe dalëse. Kur Barbit i ra në vesh se “El Chapo Guzman” kishte urdhëruar vëllezërit  Beltran-Leyva të futeshin përmes Laredos, ai pa se i kishte ardhur mundësia që kishte pritur prej kohësh. U nis menjëherë për në Monterrej, një qytet industrial pak orë larg nga jugu i Laredos, dhe shkoi menjëherë tek Arturo, një  trashaluq i çuditshëm, kreu i klanit Beltran-Leyva, që njihej  për aftësinë në biznes por edhe për faktin se i bënte zbor kokainës jo vetëm duke e shitur por edhe duke e konsumuar.
Arturo Beltran Leyva menjëherë dalloi vlerën e djaloshit amerikan, i cili i njihte mirë të dyja anët e kufirit, prandaj i premtoi Barbit se do ta mbronte në qoftë se ai i ndihmonte të futeshin në Laredo.
Për Barbin, lufta me “ Los Zetas” ishte personale – ai donte t’i shihte ata të groposur, jo vetëm se kishin hedhur në erë biznesin e tij, por se i kishin vrarë një nga njerëzit e tij, një trafikant të ri që ai e kishte si vëlla dhe e konsideronte të familjes.  Në vitin 2005, në Nuevo Laredo, një qytet me rreth 350 mijë banorë, u bënë më shumë se 150 vrasje. Thuajse të gjitha vrasjet lidheshin me luftën ndërmjet karteleve  të Sinaloas dhe Beltranëve  nga njëra anë, dhe karteleve të Gjirit me “Los Zetas” nga ana tjetër.  “Barbi të merrte me qira një dhomë hoteli për 10-15 veta dhe i nxirrte ata natën që të diktonin anëtarët e kartelit të Gjirit”, – thotë një burim i zbatimit të ligjit. “Ai s’e vinte fare në dyshim se policia bashkiake i dilte në krah kartelit Gjirit, kështu që për ca kohë, i vuri edhe ata në shënjestër”.
Barbi dhe Arturo Beltran Leyva udhëtuan edhe në kryeqytet për t’i ofruar një komandanti të inteligjencës 1.5 milion dollarë ryshfet në shkëmbim të mbrojtjes në Nuevo Laredo. Mbas dy muajsh, oficeri që u dërgua për mbrojtjen e Barbit u vra nga karteli i Gjirit.
Nga të dyja palët u bënë vrasje: Barbi vrau një nga njerëzit kryesorë të  “Los Zetas”, kurse ata vranë një nga aleatët e Barbit dhe përdhunuan mbesën e tij. Në fund, “Los Zetas” ia punoi keq Barbit. Me ekspertizën e tyre ushtarake dhe lidhjet që kishin, ata ishin në gjendje të vinin bomba në makinë, dhe Barbi pësoi një goditje të mëtejshme, kur agjentët amerikanë kapën në kufirin e Laredos një traktor-rimorkio të tij, me 949 kilogramë kokainë.

Fundi i pjesës së parë
(vijon në numrin e të hënës tjetër)

Përgatiti Ira Civili

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *