Pranvera Kola-Dita
Përhapja e frikshme e kancerit gjatë viteve të fundit është shndërruar në një problem madhor për shëndetin publik. Kjo pasi në listën e të prekurve nuk janë më vetë moshat e rritura, por edhe ato pediatrike. Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, kanceri është një sëmundje malinje që prek të gjitha moshat, dhe për fat të keq nuk kursen as fëmijët.
Leuçemia, është një formë kanceri që kryesisht prek moshat mbi 55 vjeç, por është forma më e shpeshtë e kancerit që shfaqet edhe në moshat pediatrike. Ndërkohë që ndërlikimet që shkakton kjo sëmundje janë të shumta.
Çfarë është leuçemia
Leuçemia është tumor (kancer) i rruazave të gjakut. Elementët e gjakut, rruazat e bardha (leukocitet), rruazat e kuqe (eritrocitet) dhe pllakëzat e gjakut (trombocitet), prodhohen në palcën e kockave. Ato prodhohen duke kaluar nga qeliza të papjekura në ato të diferencuara mirë, duke formuar qeliza të ndryshme me funksione të veçanta.
Në leuçemi, qelizat e papjekura të gjakut zhvillojnë kancer. Këto qeliza nuk mund të zhvillojnë funksionin e qelizave të gjakut, pasi kanë aftësi të madhe për t’u riprodhuar në mënyrë patologjike, duke zënë palcën kockore dhe duke penguar prodhimin e mëtejshëm të leukociteve, eritrociteve dhe trombociteve.
Format si zhvillohet sëmundja
Sipas bluzave të bardha të ISHP-së, leuçemia mund të jetë akute, apo kronike, në varësi të stadeve të zhvillimit të saj. Forma akute është një formë që zhvillohet shpejt dhe përkeqësohet gjithashtu shpejt, duke sjellë ndërlikime të shumta për pacientin. Forma kronike është formë që zhvillohet dhe përkeqësohet më ngadalë.
Faktorët që ndikojnë
Mjekët gjithashtu bëjnë me dije se janë një sërë faktorësh që mund të bëhen shkak për zhvillimin kësaj sëmundjeje. Sipas tyre, anomalitë gjenetike mund të jenë shkak për shfaqjen e leuçemisë.
Konkretisht bëhet fjalë për disa anomali gjenetike, si: Sindroma Doën, që janë të shoqëruara me një rrezik më të lartë për të zhvilluar leuçemi në moshat pediatrike.
Mjaft problematik mund të jetë edhe ekspozimi ndaj disa lëndëve kimike. Në këto kushte, ekspozimi ndaj lëndëve, si: benzene, që gjendet tek benzina dhe përdoret në industrinë kimike shton rrezikun për shfaqjen e leuçemisë. Një tjetër faktor risku mund të jetë edhe duhanpirja, e cila rrit rrezikun për të zhvilluar Leuçemi Mieloide Akute.
Duhet të dini se nëse një pjesëtar i familjes është diagnostikuar dhe trajtuar me Leuçemi, atëherë persona me lidhje të afërt gjaku janë më të rrezikuar për të zhvilluar leucemi. Ndaj këto kategori nuk duhet që të neglizhojnë kryerjen e testeve specifike diagnostikuese të kësaj sëmundjeje.
Faktor tjetër risku mund të bëhen edhe trajtimet e kryera për forma të tjera të kancerit. Persona që kanë marrë kimioterapi, apo radioterapi për të trajtuar një kancer, janë më të rrezikuar që të zhvillojnë me kalimin e kohës tipe të ndryshme të leuçemisë.
Cilat janë shenjat dalluese të leuçemisë?
Ndonëse shenjat klinike të kësaj sëmundjeje varen nga tipi i tumorit, bluzat e bardha të shëndetit publik
thonë se ekzistojnë disa simptoma të përgjithshme dalluese që mund t’ju orientojnë nëse jeni të rrezikuar nga leucemia. Konkretisht ndër shenjat që mund të manifestojë një pacient që është i prekur nga leuçemia janë: temperatura, e cila në raste të caktuara shoqërohet edhe me ethe.
Po ashtu pacienti ndjen një dobësi dhe lodhje të vazhdueshme gjatë gjithë kohës. Një tjetër tregues që nuk duhet të neglizhohet është edhe prania e infeksioneve të shpeshta të përsëritura, të cilat shpesh herë mund të jenë të rënda.
Një tjetër shenjë dalluese është edhe rënia e theksuar në peshë. Simptoma të tjera dalluese mund të jenë edhe zmadhim i gjëndrave linfatike, zmadhim i shpretkës dhe mëlçisë.
Duhet të dyshoni për këtë sëmundje edhe në rastet kur konstatoni shfaqje të të nxirave në trup dhe gjakosje me lehtësi, djersitje të shtuar gjatë natës, si dhe dhimbje kockash. Në prani të këtyre shenjave duhet të kërkoni menjëherë ndihmë të specializuar mjekësore.
Trajtimi
Trajtimi dhe ecuria e leuçemisë është në varësi të tipit të qelizës që është zhvilluar, si dhe në varësi të formës akute, apo kronike me të cilën shfaqet. Në çdo rast është mjeku ai që përcakton llojin e trajtimit që pacienti duhet të ndjekë. Tipet e ndryshme të leuçemive janë në varësi të cilës qelizë të gjakut është zhvilluar. Për shembull, leuçemia limfoblastike është kancer i limfoblasteve ( rruazave të bardha-linfoblasteve-që luftojnë infeksionin).
Shenjat e përgjithshme të kësaj sëmundjeje përfshijnë:
- Temperaturë subfebrile, ethe.
- Dobësi, lodhje e vazhdueshme.
- Infeksione të shpeshta të përsëritura dhe shpesh herë të rënda.
- Rënie në peshë e theksuar.
- Zmadhim i gjëndrave linfatike, zmadhim i shpretkës dhe mëlçisë.
- Shfaqje e të nxirave në trup dhe gjakosje me lehtësi.
- Djersitje e shtuar gjatë natës.
p.k/dita
