Dhimbja e kokës është një ndër shqetësimet e shpeshta me të cilën përballemi gjatë përditshmërisë tonë. Shpeshtësia e këtyre dhimbjeve ndikon negativisht në realizimin e aktiviteteve të përditëshme, ndërkohë që në stadet më të rënduara bëhet shkak edhe për komplikime të rënduara në shëndet. Këshilla që japin mjekët neurologë në trajtimin e duhur të dhimbjes së kokës, është drejtimi tek mjeku specialist që në stadet e para dhe të mos i besohet vetëmjekimit. Kjo pasi përdorimi pa kriter i barnave qetësuese, për një kohë të gjatë pengon kurimin e duhur të këtyre dhimbjeve, ndërkohë që shton premisat për kalimin e tyre në stad kronik. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia neurologe Brunilda Zllami tregon se si shfaqen dhimbjet e kokës, bashkë me klasifikimet e tyre, si dhe këshillat që duhet të ndiqen për një trajtim sa më të mirë. Njohja e kujdesshme e faktorëve që ndikojnë në shfaqjen e dhimbjeve të kokës, është edhe një ndër zgjidhjet më të mira sa i takon përcaktimit të duhur trajtues që duhet të ndiqet. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara nga doktoresha Brunilda Zllami, format se si shfaqen dhimbjet e kokës, faktorët që ndikojnë, kategoritë më të rrezikuara, si dhe këshillat se si mund ti trajtojmë.
Dhimbja e kokës është një ndër problemet me të shpeshta me të cilën ndeshemi në përditshmërinë tonë duke na u shfaqur si pengesë në arritjen e rezultateve të duhura. Konkretisht, si duhet ta kuptojmë dhimbjen e kokës, dhe kur duhet të shqetësohemi ?

Dhembja e kokës është një ndër problemet më të shpeshta me të cilën ndeshemi në përditshmërinë tonë duke na u shfaqur si pengesë në arritjen e rezultateve të duhura. Dhimbja e kokës është ndër ankesat më të shpeshta tek mjeku i përgjithshëm, apo ai neurolog. Sipas të dhënave gati gjysma e popullsisë kanë të paktën një herë në vit dhimbje koke. Prevalenca e migrenës është rreth 18 për qind ndërsa tek fëmijët dhe adoleshentet është rreth 7 për qind. Dhimbja e kokës tensive ka prevalencë rreth 52 për qind (është dhimbja më e shpeshtë parësore e kokës); Rreth 3 për qind e popullsisë kanë dhimbje koke kronike (pra më shumë se 15 ditë në muaj për më shumë se tre muaj). dhimbje këto të cilat janë edhe dhimbjet e kokës më invalidizuese. Dhimbjet e kokës i ndajmë në parësore dhe dytësore. Duke u ndalur tek secila prej tyre mund të sqarojmë se dhimbjet parësore të kokës janë më të shpeshta dhe nëse nuk trajtohen mund të kthehen në format kronike, çka më pas nënkupton edhe shfaqjen e simptomave të rënduara. Ndërsa dhimbjet dytësore duhen diagnostikuar sa me shpejt, kjo për shkak të faktorëve që fshihen pas tyre ( për shembull tumoret cerebrale e forma të tjera më të rënduara). Dhimbja e kokës nga sëmundjet strukturale të trurit vjen si rezultat i shtrëngimit dhe deformimit të strukturave të ndjeshme ndaj dhimbjes. Dhimbjet e kokës jo vetëm që kanë impakt mbi jetën personale, familjare, sociale të pacientit, por edhe kanë shoqërim të shpeshtë me disa sëmundje të tjera, si çrregullimet e humorit, epilepsinë, AVC, infarktin e miokardit e etj.
A ndodh që dhimbja e kokës të shfaqet edhe tek fëmijët, si duhet të veprojmë në raste të tilla?
Dhimbjet e kokës shfaqen edhe tek fëmijët. Ato mund të shkaktojnë ankth dhe prishin mbarëvatjen e tyre në shkollë, i stigmatizojnë dhe i bëjnë të jenë më pak socialë. Në moshën pediatrike dhimbjet më të shpeshta primare të kokës jane ajo tensive dhe migrenoze. Mund të jenë të formës episodike, ose kronike (me shume se 15 ditë në muaj për më shumë se tre muaj). Migrena është cefaleja më e shpeshtë në fëmijë. Migrena me ose pa aura mund të paraqitet me shenja të ndryshme në fëmijë krahasuar me të rriturit (me kohë më të shkurtër, ose me përdorimin të dhimbjes së barkut dhe simptomave gastrointestinal (të vjella) më shumë se me dhimbje koke. Dhimbja e kokës tensive mund të paraprihet nga situata stresuese në shtëpi, ose në shkollë dhe mund të qetësohen nga gjumi. Dhimbja mund të përceptohet si shtrëngim përreth ballit dhe në qafë dhe mund të zgjasë me ditë të tëra. Duhet pasur kujdes në vlerësimin e simptomave të tjera për të përjashtuar mundësinë e një dhimbje sekondare (me shkak tumor, neuroinfeksion etj). Shpesh tek fëmijët duhet vlerësuar shikimi (vështirësitë për të parë qartë jep dhimbje koke) dhe të përjashtohen patologjitë e sinuseve (sinusiti).
Si mund ti identifikojmë dhimbjet e kokës?
Përsa i përket dhimbjeve të kokës kan rëndësi të identifikohet lloji i dhimbjes, koha kur kanë filluar, frekuenca, intensiteti, paraprirja nga shenja (aurat), shenjat neurologjike ose të tjera që e shoqërojnë, kualiteti i dhimbjes, sëmundjet shoqëruese, lidhja me ciklin menstrual (dhimbja e kokës migrenoze ka lidhje me ndryshimet hormonale dhe bie si intensitet frekuence pas menopauzes). Eshtë mirë që të mbahet një ditar përpara se të bëhet vlerësimi nga mjeku që të identifikohet sa më qartë lloji i dhimbjes së kokës.
Me çfarë simptomash shoqërohen dhimbjet e kokës, dhe si mund ta kuptojnë stadin në të cilin këto dhimbje bëhen shqetësuese?
Dhimbjet e kokës mund të shoqërohen edhe me simptoma të tjera si ndjeshmëri ndaj dritës zhurmave, lotim, apo kongjestionim nazal, me të përziera apo dhe të vjella. Ndonjëherë shoqërohen edhe me shenja neurologjike si mpirje apo rëndim i anësive, vertigo, drita para syve ose errësim i shikimit, çrregullim i të folurit dhe në varësi të shkakut mund të shoqërohen me humbje vetëdije, konvulsione, koma, apo dhe vdekje (në rast të dhimbjeve të kokës që vijnë si pasoje e tumoreve, apo malformacioneve vaskulare, neuroinfeksioneve, etj)
Ka lidhje mes moshës, gjinisë dhe faktorëve ambientalë në shfaqjen e dhimbjeve të kokës?
Po, dhimbjet e kokës primare janë më të shpeshta në moshë të re dhe ato sekondare më të shpeshta në moshë të vjetër. Gjithashtu dhimbjet e kokës bëhen më të shpeshta tek femrat (duke qenë se disa nga dhimbjet primare të kokës janë më të shpeshta tek ato si cefaleja tensive, migrena, MOH) ndërsa tek meshkujt vihet re me e shtuar dhimbja e kokës cluster, si dhe disa nga dhimbjet sekondare). Faktorët ambientalë ndikojnë si trigger (nxitës) në dhimbjet e kokës si drita, zhurma, aromat. Ndonjëherë edhe faktorët atmosferikë, ndryshimi i stinëve ndikojnë në frekuencën e dhimbjeve të kokës.
Me çfarë komplikacionesh mund të përballemi nëse neglizhojmë trajtimin e tyre (nëse nuk merret kujdesi i duhur, a rrezikohet kalimi i tyre në stad kronik)?
Trajtimi i hershëm i tyre është edhe një ndër rrugët më të mira që ndihmon në trajtimin e shpejtë të tyre. Në rast se neglizhohen, atëherë do ti shtojmë vetes një sërë problemesh. Kjo pasi shumë nga dhimbjet e kokës kronicizohen nëse neglizhohen dhe merret mjekim pa kriter. Në disa raste neglizhimi është akoma më i rëndë, kur pas dhimbjes së kokës fshihet ndonjë faktor dytësor (për shembull tumoret, aneurizmat). Problemet me të cilat përballet pacienti në këto raste janë vërtet shqetësuese, ndaj duhet bërë shumë kujdes dhe të mos veprohet me mjekimet pa kriter, por të kërkohet sa më herët ndihma e mjekut neurolog, në përcaktimin e saktë të sëmundjes dhe trajtimit që duhet ndjekur.
Sot një praktikë gjerësisht e përdorshme (ndonëse e gabuar) është marrja e qetësuesve që pushojnë dhimbjet e kokës. Ka raste në të cilat përdorimi i këtyre qetësuese është mjaft i shpeshtë. Sa e rrezikshme është kjo gjë për shëndetin ?
Është teknike e gabuar, sepse mjekimet kanë efekte anësore dhe të përdorura për një kohë të gjatë pa kriter mund të jenë të dëmshme. Gjithashtu duhet të njihemi me një entitet të ri që quhet dhimbja e kokës nga mbipërdorimi i analgjezikeve (MOH-medication overuse headache). Të gjitha trajtimet e fazës akute mund të japin MOH. Preparatet me bazë ergoti, triptanet opioidet mund të japin MOH kur përdoren 10 herë ose më shumë në një muaj. Gjithashtu trajtimi me medikamente të shpeshta të fazës akute e bën pacientin t’i përgjigjet më pak mjekimit parandalues. Problem tjetër është se kur tentojmë të ndërpresim ato medikamente që janë përdorur shpesh ka shenja të mungesës së mjekimit (abstinences sidomos në barbituratet, bezodiazepinat dhe opiatet) dhe shtim të dhimbjes së kokës dhe këta pacientë është e vështirë t’i trajtosh. Në raste të veccanta për këta pacientë kërkohet dhe hospitalizimi. Eshtë rëndësishme të mos merren pafundësisht mjekime, sepse ndonjëher mund të shkaktojnë dëmtime edhe të rënda të e organizmit.
A mund të vëmë një limit, në të cilin nuk duhet kaluar numri i qetësueseve që përdoren gjatë një jave, ose një muaji për të qetësuar dhimbjet e kokës?
Nga studimet është vëne re se mjekimet që japim më shpesh MOH janë ergoti, triptanët dhe opioidet, ndaj është mirë që përdorimi i tyre të jetë vetëm në bazë të këshillave mjekësore. Ndër mjekimet e tjera AIJS ( antiinflamatorët josteroide) është parë se japin më pak MOH. Por, gjithsesi mire është që medikamentet të përdoren sipas përshkrimeve mjekësore dhe të evidentohet ccdo muaj sasia e përdorimit të tyre. Është mirë që totali i analgjezikëve të fazës akute të mos jetë më shumë se sa 10 në muaj. Përdorimi i tepruar i tyre pengon trajtimin e dhimbjeve, ndryshe nga sa do të ndodhte në rastet e përdorimit të medikamenteve të rekoamnduara me përshkrim të rregullt nga mjeku specialist.
Ja si shfaqet migrena
Migrena është shkaku i dytë i dhimbjeve primare të kokës. Migrena është sëmundje kronike që shkakton dhimbje intense të kokës për orë ose ditë të tëra. Simptomat mund të jenë aq të forta sa e vetmja gjë që mendohet nga pacientët që vuajnë me këtë dhimbje është të gjejnë një vend të errët, të qetë të pushojnë. Rreth 18 për qind e femrave dhe 6 për qind e meshkujve përmbushin kriteret për dhimbjen e kokës migrenoze. Disa dhimbje paraprihen ose paralajmërohen nga disa shenja sensore, ose nga shenja drite, si pika të errëta të shikimit, ose nga ndjesi shpimi në krah ose në këmbë. Migrena shoqërohet zakonisht me të vjella dhe me një ndjeshmëri ekstreme ndaj dritës dhe zhurmës. Megjithëse nuk ka një kurë që të shërojë migrenë, mjekimet mund të reduktojnë dhe pakësojnë intenistein e dhimbjeve migrenoze.
Insultet cerebrale
Çdo person që rrezikon ose ka kaluar insult cerebral duhet të kontrollojë:
Kontrollin e hipertensionit: Një nga gjërat më të rëndësishme është kontrolli i tensionit të lartë. Duke mbajtur një dietë të shëndetshme, duke limituar sasinë e kripës që përdoret në ushqime, menaxhuar stresin, reduktuar sasinë e alkoolit ju ndihmoni në mbajtjen e shifrave të tensionit në vlera normale.
Trajtimi i dislipidemisë: Kontrolli i ushqimeve me sa më pak kolesterol redukton madhësinë e pllakave në arterie. Nëse niveli i yndyrave në gjak është shumë i lartë mund të përshkruhen medikamente për uljen e yndyrave.
Ndërprerje e duhanit: Ndërprerja e duhanit ul riskun për insult dhe disa vite pas ndalimit të duhanpirjes, risku i ish-duhanpirësit është i njëjtë me atë të jo-duhanpirësit.
Kontrolli i diabetit: Menaxhimi i glicemive të larta me anë të dietës dhe mjekimeve redukton riskun e dëmtimit të trurit.
Kontrolli i peshës: Ndikon në shumë mënyra në uljen e riskut për insult cerebral.
Ushtrimet fizike: Rreth 30 minuta aktivitet në ditë do të ishin të mjaftueshme për një jetë të shëndetshme.
Menaxhimi i stresit: Stresi mund të ndikojë në rritjen e tensionit gjë që mund të sjellë dëmtim të vazave cerebrale. Menaxhimi i tij ndikon në uljen e këtij risku.
Moderimi i pirjes së alkoolit: Të pirit sa më pak, ose fare alkool, do reduktonte shumë riskun e ishemive dhe hemorragjive cerebrale.
Mospërdorimi i drogave: Pothuajse gjithë drogat rrisin rrezikun për insult cerebral. Për të mbrojtur shëndetin në përgjithësi dhe për të evituar insultën cerebrale duhet absolutisht t’u qëndrohet larg.
Kam kokdhembje te madhe qka te baj ju lutem
poo mirmrma kam dhum kok dhibje shka te baj
Kam dy muaj qe kam lindur por kam dhimbje koke qe nuk qetesohet as me medikamente.anemin e kam shume mire ng se mu d te vije theksoj qe muskujt e qafes i kam shume te kontraktuara.
Flm