Njohuri mbi plakjen e njeriut dhe konceptin e pavdekshmërisë

Ornela

Prof. Dr. Bardhyl Çipi*

Në të gjitha qeniet e gjalla, ku sipas ligjeve të natyrës ato lindin, rriten, zhvillohen, plaken dhe në fund vdesin, edhe te njeriu ndeshen këto procese, ku padyshim një vend me rëndësi zë edhe plakja.Ajo përbën një fazë që kalon njeriu gjatë jetës së tij, e cila karakterizohet me një sërë ndryshimesh fiziologjike e psikologjike, apo me sklerotizimin e organeve jetësore, i cili përveç anës mjekësore mund të shihet edhe në këndvështrime filozofike, sociale, demografike, juridike etj.Në të vërtetë, situata e sotme e zhvillimit të shoqërisë njerëzore në përgjithësi, në kuadrin e përmirësimittë kushteve të jetës dhe zbulimeve të mëdha në fushat e shkencave biomjekësore, të gjitha këto të shoqëruara me futjen e metodave të reja diagnostikuese e mjekuese, ka bërë që të pakësohen rreziqet e vdekjeve të parakohshme si dhe të rritet jetëgjatësia e njeriut.Një situatë e tillë është shoqëruar me shtimin e kontigjenteve të njerëzve me mosha të kaluara dhe problemeve që kanë të bëjnë me plakjen e tyre.Kjo është edhe arsyeja kryesore që sot në të gjithë botën, çështjet e fundit të jetës në lidhje me eutanazinë, mjekimet paliative dhe shumë të tjera, të zënë  një vend sa vjen e më të rëndësishëm në qëndrimet që duhet të tregojë shoqëria dhe sidomos shkencat mjekësore ndaj tyre, probleme këto që i takojnë kryesisht shkencës së bioetikës.

 Gerontologjia dhe geriatria

Gerontologjia (nga greqishtja e vjetër: geron – njeri i moshuar dhe logos – shkencë) – shkenca që studion aspektet mjekësore, sociale, kulturale, psikologjike, biologjike të plakjes; ky term është përdorur për herë të parë në vitin 1903 nga IliaMeçnikov.Kjo dallohet nga geriatria që ka si objekt kurimin, parandalimin e sëmundjeve dhe gjymtimeve të personave të moshuar.Gerontologjia lidhet me fusha të ndryshme të biologjisë, infermierisë, mjekësisë, kriminologjisë, dentistrisë, psikologjisë, psikiatrisë, sociologjisë etj.Plakja e njeriut, nga pikëpamja biologjike karakterizohet nga një sërë ndryshimesh sasiore dhe cilësore, në të cilat organizmi i njeriut zvogëlohet nga ana vëllimore dhe humb gjithnjë e mëtepër funksionet e tij.Ky proces mund të shihet në tre këndvështrime:biologjik,social dhe psikologjik.

-Nga pikëpamja biologjike, plakja e njeriut karakterizohet nga një sërë ndryshimesh sasiore dhe cilësore, që shfaqen me zvogëlimin e njeriut nga ana vëllimore, humbje gjithnjë e mëtepëre funksioneve të tij. Megjithatë mund të ndodhë që një person i moshuar të ruajë karakteristikat vitale të një të riu në lidhje me vëmendjen, kujtesën, logjikën etj. dhe nga ana tjetër të paraqesë deficite të funksioneve fizike të ndryshme.

-Nga pikëpamja sociale, fillimi i plakjes përputhet me lënien e punës dhe daljen në pension sipas kritereve të miratuara nga shteti. Te pensionisti, largimi nga puna krijon idenë se ai nuk është më i vlefshëm; por kjo nuk është e vërtetë dhe duhet kundërshtuar, sepse duhet mbështetur mendimi se dalja në pension nuk bëhet për të pushuar; pushimi dhe inaktiviteti në shoqërinë e sotme e shpejtojnë procesin e degradimit të të moshuarit. Të moshohesh, do të thotë t’u bësh ballë kushteve të reja, pra duke u orientuar dhe pranuar detyra të reja.

-Nga pikëpamja psikologjike, moshimii njeriut shoqërohet njëkohësisht me njohjen nga ana e tij të sa më shumë personave, pajisjes gjithnjë e mëshumë me eksperiencë të re të jetës, të gjitha këto për ta bërë njeriun më të dobishëm për të tjerët. Pra në këtë kuptim, duhet luftuar mendimi se të mësuarit në moshë të kaluar është i pamundur. Sipas një thënieje popullore: “njeriu plaket duke nxënë”.

Sidoqoftë me kalimin e moshës disa sëmundje bëhen më të shpeshta, por ato nuk duhet që të pengojnë aktivitetin normal ose lëvizshmërinë e njeriut. Mendimi se shumica e personave të moshuar janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi si pasojë e sëmundjeve dhe invaliditetit nuk është i saktë. Nga të dhënat e literaturës, vetëm 5% e personave të “moshës së tretë” janë të detyruar të mos dalin dot nga shtëpia si pasojë e problemeve shëndetësore kronike.Një veçori e moshimit është prirja e ngathtësisë dhe e ngadalësisë; të moshuarit kanë nevojë për më shumë kohë për të kryer aktivitetin e tyre mendor apo fizik, por kjo nuk i pengon ata që të realizojnë këtë aktivitet bile dhe më mirë se individët me moshë të re.Një veçori tjetër ka të bëjë me faktin që me kalimin e moshës, pakësohet aftësia për të përballuar stresin.Moshimi gjithnjë e bën njeriun më të prekshëm nga aksidentet dhe sëmundjet kronike.Në fakt, këto sëmundje janë shumë të rëndësishme, sepse rreth 80% e të moshuarve vuajnë nga një ose më shumë sëmundje kronike.Tri sëmundjet kryesore kronike vdekjeprurëse të të moshuarve janë: sëmundjet kardiovaskulare, cerebrovaskulare dhe kanceri.Reduktimi ose shtyrja në kohë e çrregullimve nga këto sëmundje  mund të shpjerë në pakësimin e vdekjeve të parakohshme dhe rritjen e jetëgjatësisë; gjithashtu mund të zvogëlojë periudhën e sëmundshmërisë (shëndetit të keq), që të moshuarit të mbeten të shëndetshëm deri afër vdekjes së tyre.Pra për parandalimin e sëmundjve dhe kontrollin e shëndetit në moshën e tretë, geriatria ka si pikësynim:

-reduktimin e dëmtimeve, p.sh. nga infeksionet dhe toksinat;

-rritjen e aftësisë mbrojtëse ndaj dëmtimeve ( p.sh. nëpërmjet rritjes së mbrojtjes antioksidante me vitamina ose forcimit të funksioneve imune të organizmit);

-parandalimin e humbjeve nga “mungesa e përdorimit” , p.sh. duke qëndruar fizikisht dhe mendërisht aktiv).

 

Situata aktuale në Shqipëri mbi plakjen e popullsisë

 

Struktura e popullsisë sipas moshës dhe gjinisë, paraqitet zakonisht me anën  e një grafiku që quhet “piramida e moshave” , i cili  nëpërmjet njohjes së strukturës së popullsisë sipas moshës dhe gjinisë, jep një pasqyrim real mbi shkallën e riprodhimit dhe të prirjes së moshimit dhe shkallës së plakjes së saj.Kështu në rastin e një popullsie me moshë të re, me riprodhim të lartë, baza e piramidës së moshave është e gjerë dhe në të kundërtën, baza e piramidës do të jetë e ngushtë.Shkalla e moshimit të popullsisë  do të pasqyrohet nga forma e kulmit të kësaj piramide. Për një popullsi të re me shkallë të ulët moshimi, ku mosha e tretë është në numër të paktë, kulmi i piramidës do të jetë i hollë dhe e kundërta në një popullsi me shkallë të lartë moshimi apo plakjeje, kulmi i piramidës do të jetë më i gjerë.Kjo metodë grafike e paraqitjes së strukturës së popullsisë sipas moshës, shërben për të pasqyruar ndryshimet e saj në periudha të ndryshme historike të zhvillimit të të një vendi si dhe për të parashikuar evolucionin e saj në të ardhmen.Në vendin, popullsia është karakterizur nga shtimi i shpejtë i saj. Deri në vitin 1990, ajo është dyfishuar memsatarisht çdo 30 vjet (9).Ndryshimet e mëdha politike-ekonomike pas viteve 1990, u shoqëruan me ndryshime edhe në strukturën moshore të popullsisë së vendit tonë.

Piramida e moshave për popullsinë e Shqipërisë (1998)

Aktualisht në vendin tonë bie në sy vitet e fundit një pakësim i lindjeve të popullsisë, e ndikuar kjo edhe nga vështirësia ekonomike në rritje efamiljeve shqiptare, gjë që pasqyrohet në ngushtimin e bazës së piramidës së moshave.Por një dukuri e rëndësishme që ka ndikuar në ndryshimin e “piramidës së moshave” në vendin tonë është emigrimi masiv i popullsisë, edhe ky për arsye ekonomike, sidomos kjo për moshat e reja të vendit tonë, gjë që është shoqëruar me shtimin e kontigjenteve të moshave të kaluara.Gjithashtu, bie në sy edhe një rritje ejetëgjatësisë te ne, e ndikuar kjo ndoshta edhe nga futja e metodave të reja mjekuese, kryesisht nga ana e sektorit privat të shëndetësisë në vendin tonë.Të gjitha këto kanë bërë që baza e piramidës së moshave në vendin tonë të ketë ardhur duke u ngushtuar, ndërsa maja e saj të ketë ardhur duke u zgjeruar.Pra sot, sikurse shprehet një studiues, shifrat tregojnë se Shqipëria po shkon drejt rrezikut të plakjes së popullsisë si pasojë e efektit të kombinuar të rritjes së jetëgjatësisë, uljes së lindshmërisë dhe emigrimit në rritje të moshës së re.

 Pavdekshmëria biologjike si vazhdim i plakjes së njeriut

 Diskutimet mbi procesin e plakjes së njeriut dhe fenomeneve shoqëruese të saj, menjëherë të bëjnë të mendosh për pavdekshmërinë dhe sidomos për pavdekshmërinë biologjike.A është e moralshme pranimi i pavdekshmërisë si një koncept, i kundërt me ligjet e natyrës mbi jetën, e cila sikurse te të gjitha qeniet e gjalla përfundon gjithnjë me vdekjen e njeriut?Nuk duhet harruar fakti, që qëndrimet morale të njeriut në lidhje me procedurat e ndryshme mjekuese, kanë ardhur gjithnjë duke u ndryshuar me kalimin e kohës.Kështu, vendosja e zemrës të një njeriu të vdekur te një person i gjallë, me qëllim që ai të vazhdojë të jetojë, do të përbënte padyshim një veprim mjekësor shumë dobiprurës; ndërsa po të flitej për këtë gjë dhe transplantimet e organeve të njeriut, 1000 vite më parë, kjo do të quhej “një magji e zezë”.Po kështu, edhe një arritje e mjekësisë moderne të sotme, siç është materniteti zëvendësues, nuk do të pranohej në kohët e mëparshme.I njëjti arsyetim mund të bëhet edhe për konceptin e pavdekshmërisë.Në natyrë ka disa specie peshqish, breshkash, peshkaqenës që jetojnë me qindra vite, deri në 700 vjet.Përse kjo gjë nuk është e mundur të arrihet edhe për njeriun?Sot ne po jetojmë në periudhën e arritjeve të mëdha në fushat e shkencave biomjekësore, me anë të të cilave mund të arrihet zgjatja e jetës, apo ndofta edhe pavdekshmëria e njeriut.Për këtë janë paraqitur teori të shumta në lidhje me plakjen.Në disa prej tyre pranohet teoria e radikaleve të lira, sipas së cilës, ato janë disa substanca që përfshihen në reaksionet “oksiduese” që e dëmtojnë organizmin e njeriut. Për këtë, përdorimi  vitaminave me veprim antioksidues do të ketë një veprim kundër plakjes së njeriut. Përveç kësaj për të shmangur radikalet e lira, qënjriu të jetojë sa më gjatë, duhet reduktuar marrja e kalorive ditore.Një hipotezë tjetër e shpjegon plakjen e njeriut me anën e teorisë së programimit gjenetik. Sipas saj, qelizat që shumëzohen duke u ndarë, kalojnë deri në një numër specifik ndarjesh deri sa plaken dhe vdesin. Kjo përcaktohet nga një formacion, i ashtuquajturi “telomer” i vendosur në bishtin e çdo kromozomi të qelizave, i cili vjen duke u shkurtuar gjatë ndarjes së qelizave, deri sa arrin shkurtësinë kritike, ku qeliza e ka të pamundur të ndahet përsëri dhe njeriu vdes. Shumë vite më parë u botua një lajm në shtyp, sipas të cilit ishte zbuluar një enzimë që quhej telomerazë, e cila kishte aftësinë të ngadalësonte shkurtimin e telomerit, duke zgjatur kështu jetën e qelizës.Një pikëpamje tjetër është dhënë në teorinë hormonale, sipas së cilës, prodhimi i shumë hormoneve të trupit tonë, pakësohet me kalimin e moshës; prandaj do të jetë e nevojshme marrja e tyre me anë të injeksioneve me qëllim që të ndalohet procesi i plakjes.Të gjitha këto teori, janë vetëm supozime që nuk janë vërtetuar ende në mënyrë shkencore.

Termi  “pavdekshmëri”, nënkupton jo që njeriu të jetojë përgjithmonë dhe të jetë i pashkatërrueshëm , i paprekshëm prej vdekjes; praai të jetojë në një gjendje në të cilën nuk pakësohen veçoritë jetësore, nuk ka rritje të incidencës të sëmundjeve dhe as rritje të vdekshmërisë me kalimin e moshës.Ky koncept i përket pavdekshmërisë biologjike, për të cilën bëhen përpjekje të shumta që ajo të realizohet në një të ardhme sa më të afërt.Në fakt, kjo pavdekshmëri nuk ka asgjë të përbashkët me ringjalljen (ressurection) të besimit fetar të krishterë. Në të vërtetë, sipas disa opinioneve, ringjallja e Krishtit nuk ka ndodhur, historia e saj është futur në shekullin 4 (koncili iNicea), ku të gjitha dokumentet fetare origjinale që nuk flisnin për ringjalljen, janë zhdukur dhe zëvendësuar me dokumente të tjera të manipuluara. Po kështu koncepti  “i rimishërimit”ipërdorur nga disa besime fetare, sipas të cilave, njeriu pas rimishërimitnuk ka asnjë lidhje me njeriun e mëparshëm, as moralin,as etikën dhe as personalitetine tij, ndryshon nga imortalitetishkencor sipas të cilit personi i pavdekshëm të ketë të ruajtura, kujtimet, njohuritë, mendimet dhe ndërgjegjen e tij.

Pavdekshmëria biologjike, sipas studiuesit amerikan Michael Rose, përbën një metodë natyrale, pa përdorim të medikamenteve dhe as trajtimit me qeliza staminale për arritjen e imortalitetit.Ky autor mbështet pikëpamjen që kur një specie njerëzore e gjallë arrin fazën që nuk plaket më dhe nuk ka më rënie të mëtejshme të funksioneve fiziologjike, atëherë ajo kalon në atë që quhet faza e pavdekshmërisë.Këtë hipotezë, ai e mbështet në shembujt e qenieve të gjalla të natyrës, si p.sh shkuretkreozot që po jetojnëprej më shumë se 10 mijë viteve, ose dhe të disa kafshëve të tjera; po kështu edhe në eksperimentet e kryera prej tij në insektet (mizat) “drosophilamelanogaster”, duke kryer manipulimin gjenetik me anë të riprodhimit të përsëritur të vezëve të insekteve me mosha të mëdha, të pasuar me krijimin e gjeneratës të këtyre insekteve të quajtura “Methuselahflies” me dyfishin e jetëgjatësisë të insekteve të mëparshme (Methuselah ka qenë një patriark biblik i Judaizmit, Krishtërimit dhe Islamit që ka vdekur në moshën 969 vjet, duke qenë kështu figura e biblës me jetëgjatësinë më të madhe).Nga këto eksperimente ai ka nxjerrë konkluzionin se edhe te njeriu kur faza e plakjes tejkalohet, vjen niveli i mbijetesës, i pasuar me fazën e pavdekshmërisë. Mundësia e vdekjes nuk ndryshon, as rritet dhe as pakësohet, njeriu nuk plaket më (8).Kjo gjë mund të ketë ndodhur edhe për gruan franceze JeanneCalment që ka vdekur në moshën 122 vjeçare. Sipas Rose, ajo mund të ketë arritur fazën ku rënia fizike është stabilizuar, e ngjashme kjo si te mizat Methuselah, ku plakja mund të ketë mbetur e stabilizuar për një kohë të pacaktuar.Vështirësia për të ndodhur ky fenomen te njeriu, vjen për shkak se arritja e fazës së plakjes mund të kërkojë një kohë tej mase të gjatë dhe të shoqërohet me vështirësi të mëdha. Prandaj, ai propozon që faza e plakjes të arrihet sa mëshpejt, në moshat 50 – 60 vjeçare, për të kaluar në fazën e pavdekshmërisë, sikurse ka ndodhur në eksperimentet me mizatMethuselah.Zbatimi në praktikë i kësaj teorie, sipas Rose, mund të arrihet duke shmangur mënyrën e jetesës së sotme të vendeve të zhvillura, mosqëndrimi me orë të tëra para televizorit apo kompjuterti si duke përdorur si ushqim, atë që quhet paleodietën,të përbërë nga ushqime që janë përdorur nga njerëzit e lashtë në periudhën e neolititetj.Një studim i ngjashëm është kryer edhe nga një ekip kërkuesish të universitetit të Bernës në Zvicër, nëpërmjet manipulimit gjenetik të qelizave të mizës “drosophilamelanogaster”, duke krijuar miza të reja me një jetëgjatësi  50-60 % më të madhe se ajo e mizave të zakonshme.Sipas këtij studimi, kjo rritje e jetëgjatësisë arrihet nëpërmjet një gjeni të qelizave të këtyre insekteve, i cili gjendet edhe te njeriu, pra krijohet mundësia që ato të përdoren edhe te qeniet njerëzore për shtimin e jetëgjatësisë së tyre.Një metodë tjetër e propozuar për arritjen e pavdekshmërisë biologjike, është ajo e përdorimit të substancës “rapimicinë” , kjo në bazë të rezultatetve të eksperimenteve të aplikimit të saj te minjtë, të shoqëruara me rritje të jetëgjatësisë të tyre. Rapimicina, në fakt është metformina që përdoret për mjekimin e diabetit, por që ka edhe efekt antikanceroz.

Metoda të tjera të pavdekshmërisë

Në kohën e tanishme, në shekullin 21, zbulimet e mahnitshme të shkencave biomjekësore, gjenetikës, nanoteknologjisë kanë arritur deri atje sa të deklarohet se njeriu i sotëm po arrin të zëvendësojë  perëndinë, nëpërmjet arritjeve, të shoqëruara shpesh herë me vizione imagjinare, një pjesë e të cilave kanë të bëjnë edhe me kërkimet për arritjen e pavdekshmërisë.Këto zbulime, ku midis tyre p.sh. ngrirja e trupit të njeriut që përdoret në shumë vende me shpresë që ai të ringjallet, nuk mund t’i lihen imagjinatës, sepse ato ka mundësi që të realizohen në një të ardhme të afërt.Por kjo bën të nevojshme për shoqërinë e sotme, në lidhje me to, nevojën e informimit të të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, me qëllim që të respektohet fryma e lirisë dhe e të drejtave të njeriut.Këto metoda që janë përdorur ose propozuar për t’u përdorur për arritjen e imortalitetit, paraqiten si vijon:

-Suspensionikrionik – vendosja dhe ruajtja e një trupi njeriu të sapovdekur në gjendje të ngrirë (-180˚C), për ta ringjallur atë në një kohë të ardhme, në saje të përparimeve që mund të jenë bërë në fushat e shkencave biomjekësore.Kjo metodë ndryshon nga hibernacioni artificial, në të cilin metabolizmi në trupin e njeriut është ngadalësuar, por nuk është ndërprerë.Sot në botë janë krijuar shumë qendra krionike ku disa qindra njerëz e kanë vendosur trupine tyre në gjendje të ngrirë. Deri më sot, ende nuk ka ndonjë të dhënë mbi mundësinë e një ringjalljeje të mundshsme në këto raste.Në të vërtetë, suspensionikrionik përbën një teknikë shumë të dhunshme, ku uji që ka çdo qelizë e trupit të njeriut ngrin dhe fryhet, duke shkatërruar muret e tyre, gjë që e bënë pothuajse të pamundur, mundësinë e ringjalljes.Përveç kësaj, një ndikim negativ në ringjalljen e njeriut do të ketë edhe  radioaktiviteti i trupit, i cili do të vijë duke u shtuar me kalimin e viteve të qëndrimit të trupit në gjendje të ngrirë (te njeriu i gjallë radioaktiviteti ekzistues i tij pakësohet në saje të proceseve metabolike që zhvillohen gjatë jetës së tij).

-Siborget (Cyborgs) – organizma gjysmë njeri, gjysmë makinë, ku organet ose pjesë të tyre mund të zëvendësohen me artefakte teknologjike, por duke ruajtur personalitetin e njeriut.Nga pikëpamja teorike dhe praktike, këto janë të realizueshme.

-Vampirët ndeshen në ato raste kur një qenie njerëzore futet në trupin dhe mendjen e një njeriu tjetër. Ajo do të konsiderohet e pavdekshme, në kuptimin që duke kaluar në trupin e një njeriu me moshë të re, do të rinohet automatikisht.

-Klonimi mendor, do të thotë që në një trup njeriu të krijuar nëpërmjet klonimit, të transferohet mendja e një njeriu tjetër.Vështirësia për aplikimin e kësaj metode, ndeshet në procesin e transferimit të trurit, por që sot në saje të përparimeve në fushat e nanoteknologjisë, mund të krijohen nano-dispozitiva që të injektohen direkt në tru, për t’iidentifikur dhe bashkuar me disa neurone, që më pas t’i zëvendësojnë ato.

-Transhumanizmi nënkupton ndarjen e mendjes nga trupi biologjik, nëpërmjet një teknologjie të caktuar dhe më pas kjo mendje të ngarkohet në një sistem elektronik, apo kompjuter, apo në një trup të robotizuar.Pra njeriu të jetojë në një mjedis virtual, të simuluar, apo të imagjinohet që një shoqëri e tërë të jetojë brenda një kompjuteri shumë të fuqishëm, të pavdekshëm, pa asnjë ndikim nga përbërja indore e trupit të njeriut.

Përfundime

-Plakja e njeriut përbën një proces të rëndësishëm të jetës së njeriut me aspekte të shumta, njohja e të cilave ndihmon në marrjen e masave të parandalimit të sëmundjeve të personave të moshuar dhe të vlerësimit të aftësive të tyre në jetën shoqërore.

-Në vendin tonë po vihet re gjithnjë e mëshumë, një plakje e popullsisë si pasojë e efektit të kombinuar të rritjes së jetëgjatësisë, uljes së lindshmërisë dhe emigrimit në rritje kryesisht të moshave të reja.

-Çështjet e plakjes së njeriut po shoqërohen gjithnjë e mëtepër me studime për të zbuluar  metodat që bëjnë të mundur arritjen e pavdekshmërisë, ku në to përveç atyre të pavdekshmërisë biologjike, përfshihen edhe disa që u takojnë më shumë fantashkencave si p.sh. metodat e suspensionitkrionik, siborgeve, vampirëve, klonimit mendor dhe transhumanizmit.

*Fakulteti i mjekësisë, universiteti i mjekësisë, Tiranë

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *