Nga Sejdo Harka
Tomas Sterns Eliot, ky akademik polivalent i kulturës amerikane dhe angleze, ka mbetur në memorien e lexueseve, jo vetëm si pionier i parë i poezisë moderne, që përcjell idetë e standardizuara të kohës, por dhe si një nga poetët më të mëdhenj të letërsisë botërore të shekullit të XX .I tronditur thellë nga luftërat shkatërruese të ‘’Tokës së djegur’’, të mbetur shkretë dhe metamorfoza që po pësonte njeriu tokësor dhe shoqëria e kohës, si rezultat i të ashtuquajturit ‘’Revolucioni i yjeve’. Ai, nëpërmjet groteskut të tij poetik, kërkon të ndërtojë mrekullinë e botës qiellore kristiane, si të vetmen shpëtimtare të njerëzimit të kohës. Këtë, Eliot-i, u mundua ta bënte nëpërmjet tërë arsenalit të tij krijues shumëplanësh. Ai u shqua si eseist e dramaturg ,kritik letrar dhe botues, sociolog dhe publicist. Por, fusha mbi të cilën ngriti tempullin e famës së tij të padiskutueshme, ishte poezia origjinale, ku përmes ‘’icebergut ‘’ të tij poetik, kërkon ta largojë njeriun e kohës nga të këqijat e botës tokësore, për ta kthyer drejt ‘’kthjelltësive shpirtërore’’ të botës kristiane.
Po kush është në të vërtetë Tomas Sterns Eliot?
Ai u lind më 26 shtator të vitit 1888,në St.Lauis, Missuri, në një familje të pasur, që emigroi nga Anglia për në Amerikë, nga fundi i shekullit XVII.E ëma e tij ishte një aktiviste e shumë veprimtarive social-kulturore të kohës shkruante poezi. I ati ishte një biznesmen i suksesshhëm, ndërsa gjyshi ishte një nga drejtuesit kryesorë të Kishës së New England-it dhe themelues i Universitetit të Uashington-it. Nga viti 1906 deri në vitin 1916, ai kreu studimet e larta për filozofi dhe letërsi në universitetet më të mira të botës si ai i Harvardit, Oxsfordit dhe të Sorbonës, ku përgatiti temën për metafizicienin anglez F.H.Bradhey-i. Por lufta nuk e lejoi atë ta mbronte këtë studim me gojë. Ky është momenti i largimit të tij përfundimtar nga karriera akademike, për të nisur rrugën e mbarë të poezisë, e cila më pas do t’i jepte emrin e merituar. Nisi të shkruajë letërsi, pa ndërprerë, duke ecur në gjurmët e poezisë tradicionale të Arthur Symons dhe Julis Lafaige, poezitë e të cilëve i zgjeron koncepsionin dhe talentin poetik. Edhe pse në Amerikë ai bënte një jetë të mirë, largohet andej, për t’u rikthyer në Anglinë e origjinës së tij familjare, që vitin 1915 ,për të mos u larguar kurrë ,deri sa vdiq, më 4 janar të vitit 1965. Për herë të parë u martua me Vivin në vitin 1915, por kjo martesë nuk shkoi gjatë. Ndaj u martua për së dyti herë me Esme V. Fletcher, në vitin 1957, me të cilën kaloi tërë jetën. Karrierën e tij e nisi si mësues, ndërsa nga viti 1917-25 punoi si nëpunës në departamentin e marrëdhënieve me jashtë në Lloyd Bank, me shpresën se do të gjente kohë për t’u marrë edhe me poezi. Krijimet e tij të para dallohen për temat e urta dhe motivuese për lexuesit. Tomas Eliot, edhe pse me origjinë angleze, duke filluar nga viti 1927, koha kur hoqi dorë përfundimisht nga shtetësia amerikane, mbeti poet tipik amerikan, vazhdues i artit të Emerson-it dhe Uitman-it. Bashkë me, Paund-in, do të bëhej model dhe frymëzues për poetët modernë të kohës. Me lëvizjen për letërsinë moderne ai, bashkë me shokët e tij u bënë një shkollë e vërtetë letrare dhe estetike. Eliot, si poet tipik ekstravagant e modern, në krijimtarinë e të cilit ndërthuret bukur eseja me vjershërimin, do të nderohej me disa çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare si : “Medalja e Artë e Mbretëreshës së Britanisë Madhe”. Por çmimi që do t’i jepte një njohje më të madhe në botë, do të ishte ai, “Nobel” për letërsinë për vitin 1948,dhënë nga Akademia Suedeze e Shkencave. Tomas Eliot, në fjalën e tij, më 10 dhjetor të vitit 1948, mbajtur në Banketin e Nobelit në Bashkinë e Stokholmit, mes të tjerash thekson: ”Tek Çmimi ‘’Nobel’’ shoh dashamirësinë tuaj për të më kthyer në simbol të veçantë. Gjuha e poezisë është e veçantë. Të shijosh poezinë e një gjuhe tjetër, do të thotë shijosh mirëkuptimin e atij populli me popujt e tjerë.P ër Eliot-in poezia e çdo vendi do të prishej, dhe ndoshta do të zhdukej, po të mos ushqehej nga poezia e gjuhëve të tjera të botës. Prandaj ai mendon se Çmimi’’ Nobel’’, një poeti i jepet, në radhë të parë, për vlerat mbikombëtare të poezive të tij.
Përfaqësuesi i Akademisë Suedeze, në këtë banket, Gustaf Hellstrom, laurantit të këtij çmimi i drejtohet me këto fjalë: ”Për ju z.Eliot, shpëtimi i njeriut qëndron në ruajtjen e traditës kulturore. Tradita nuk është ngarkesë e vdekur. Ajo është dheu në të cilin hidhen farat e të mbjellave të ardhshme”. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Akademie, Andres Osterling,në fjalën e prezantimit të këtij çmimi të madh, duke e quajtur Eliot-in poet të idealeve të standardizuara, mes të tjerash thekson: ”Në krijimtarinë e tij gjej një theks të veçantë për të çarë ndërgjegjen e brezit tonë me mprehtësinë e diamantit. Ashtu siç thekson dhe Ostrerling, Eliot, në mënyrë të veçantë shkëlqen, jo me anën sasiore, por atë cilësore të poezive, të cilat ngrihen nga thellësitë e Oqeanit si një majë shkëmbore dhe formon një gur-themeli, me fuqinë mistike të një Katedraleje. Është një poezi që mban vulën e përgjegjësisë strikte dhe të vetdisiplinës së jashtëzakonshme. Ajo përqendrohet në gjërat esenciale, larg emocioneve. Është e ngurtë si graniti dhe e pastolisur, por e ndriçuar nga një rreze e befasishme, që buron nga hapësira e pakohë e mrekullive…’.’Përmbajtja e poezive të Eliot është e pazakontë, që mbart probleme, të cilat duhen tejkaluar dhe pengesa, që duhen kapërcyer. Revolta e tij ndaj realitetit të kohës, është revolta e një të krishteri. Nuk e stërmadhon forcën e poezisë, në raport me atë të religjionit, por ai është i bindur se jeta tokësore është krejtësisht një evazion i vazhdueshëm i vetë njeriut. Me fjalën traditë ai nënkupton lëvizjen, diçka që nuk mund të jetë statike. Në krijimtarinë e tij mbizotëron mendjehollësia e lartë, imagjinata, dhe analiza në thellësitë e nënujshme të ‘’icebergut’’.
Siç kemi përmendur edhe më lart, krijimtaria e Eliot-it është shumëdimensionale. Me esetë e tij, ai shpalos dimensionet akademike për nocionet bazë të teorisë së letërsisë. Në to ai shpreh idetë dhe shijet klasike në letërsi, ruajaliste në politikë dhe anglokatolike në besim. Një nga esetë e tij më të mira, përmes të cilës ai përçon mendime dhe ide të thella, është ajo me titull “Tradita dhe talenti individual”. Në të theksohet se, tradita ekziston jashtë rrethanave dhe kohës, që shkruan poeti. Shkrimtari i madh është ai, që shkruan kohën e vetë dhe që me idetë e tij troket në botën e të ardhmes.
Tomas Eliot shkroi edhe 7 dramë në vargje, si ajo me titullin “ Vrasja në Katedrale” (1935) dhe “Partia Koktej” (1949), të cilat, edhe pse në thelb janë religjioze, u vunë në shumë skena të Londrës dhe në disa vende të tjera të botës. Ishte koha, kur edhe pse ishte bërë plotësisht qytetar anglez, vazhdonte të shkonte në SHBA për të dhënë leksione në universitetet e tyre të rëndësishme për çështje të Filozofisë, Teorisë Artit e Letërsisë dhe të Sociologjisë.
Megjithatë, ai u shqua veçanërisht në fushën e poezisë, të cilat janë përkthyer , jo vetëm në shumë gjuhë të botës ,por edhe në gjuhën shqipe, nga shqipërues të njohur si Gentian Çoçoli. Janë të shumta poezitë e tij që ruhen edhe sot e kësaj dite në fondacionin e’’Nobelit’’ të Akademisë Suedeze. Por ne, më poshtë po ndalemi tek ajo me titullin “The Rok”(Rroku). Vargjet e kësaj poezie, tingëllojnë si një pamflet grotesk, kundër shoqërisë moderne të kohës, që vinte si refleksion i të ashtuquajturit “Revolucion i Yjeve”.J a disa nga vargjet e saj, ku pjesa e nënujshme e’’icebergut’’poetik, shfaqet drejtpërdrejt, pa nevojën e intuitës zhbiruese metaforike: ”O ti revolucion i përjetshëm i yjeve t’ë mirëvendosur/o ti botë e pranverës, bindjes dhe vdekjes/Ky qark i pafund idesh dhe veprimesh/Që sjell dituritë e lëvizjes, por jo të prehjes/E gjithë kjo dituri më afron më pranë vdekjes”. Eliot-i, i tronditur nga shkatërrimi shpirtëror dhe moral i njeriut nga degradimi i shoqërisë, përmes gjallërimit të krimit shtypjes dhe shfrytëzimit, si rezultat i të ashtuquajturit “Revolucion i yjeve”, që kishte sjellë një shoqëri hibride ,e fshikullon atë ashpër përmes apostrofit grotesk. Duke i mohuar këto metamorfoza, që në dukje shfaqen si moderne, ndërsa në të vërtetë bëhen shkak për regres, poeti shpëtimin e njeriut dhe të shoqërisë e kërkon te krishtërimi. Ndaj, më poshtë shkruan: ”Ku është vallë jeta që kemi humbur, që në gjallim/ku është mençuria që humbëm me informacionin!?”. Për Eliot-in, është koha kur njerëzimi ka humbur udhën e vërtetë të bekimit, ndaj qytetërimin dhe njerëzit e kohës i fshikullon nëpërmjet vargjeve sarkastikë: ”O qytete të ndyta…/O ju brezi i njerëzve të ditur’’, që s’dini ç’bëni. Ndërsa Zoti, i zhgënjyer nga njerzëit e kohës, nëpërmjet gojës së tij, u drejtohet atyre me vargjet qortuese: ”Unë ju kam dhënë duart ,që ju i kthyet nga adhurimi/Unë ju kam dhënë buzët, për t’ju shprehur ndjenja miqësie/Unë ju dhashë fuqinë e zgjidhjes, dërsa ju, thjesht alternativën’’.
Vepra e Eljot-it, thotë poeti i madh G.Mitosz, është një përpjekje për të treguar se, poezia religjioze mund të fitojë sërish privilegjet e dikurshme. Një nga vëllimet poetike që i dha famën më të madhe Eliot-it, është ajo me titullin “Toka e shkretë”. Në poezinë “Varrimi i të vdekurve”, përmes vargjeve metaforikë peisazhikë:”Dimri mbajti ngrohtë, mbështolli/dheun me harresë dëbore ushqeu/Një bulbë jete, me bulbë të tharë”, shpreh trishtimin që përcjell një jetë e fikur e tjetersuar,t ashmë në një grusht’’ hiri.’’Qytetet e kohës i quan qytete ireale, kufomat e mbjella në kopshtet e tyre, nuk dihet në se “Do të lulëzojnë sivjet/apo ngrica e parë, ua ka prishur shtatin”. Heroi lirik i Eliot-it, duke predikuar zjarrin, pas një shkrumbulli ere ndien “Rropama kockash dhe ngërdheshje të frikshme vesh më vesh”. I pakënaqur nga realiteti i kohës, me dëshpërim e dhimbje u drejtohet njerëzve të zhgënjyer me vargjet: ”O të mirët e mij/Njerëz që prisni hiçin/O zoti im, shkulëm që andej” (22), që jo vetëm kërkon ta mohojë këtë realitet të trishtë, por edhe të largohet prej tij sa më parë. Simbolika, sa groteske, aq dhe metaforike, bëhet akoma më e thellë në vargjet e poezisë “Çfar i tha bubullima:”O mik i shtrenjtë,gjaku ma shkallmon zemrën/Dhe kjo nuk do të shkulet në nekrologjinë tonë”…
Disa nga poemat e Eliot-it siç është “Toka e Shkretë” (1967), e marrin frymëzimin nga legjendat e ripërtërira, të mara nga poetët simbolistë pararendës të tij. Ripërtëritja e miteve të lashta i jep atij forcë për te stigmatizuar dukuritë e këqija të shoqërisë moderne të kohës. Motivin e shkatërrimit të tokës, ai e merr nga tragjedia “Edipi Mbret” e Sofokliut, i cili tregon se shkatërrimi i Tebës vjen si rezultat i incestit të Edipit me të motrën e tij Jokastrën. Edhe për Eliot-in, Toka e djegur, është rezultat i marrëzisë së tokësorëve të kohës. Ndërsa motivi i poezisë “Vdekja nga uji”, buron nga motivi i ringjalljes së shpirtit të njeriut, gjë që për autorin nuk do të vijë nga njerzit tokësorë, por nga kozmosi kristjan,i çliruar nga veset dhe të këqijat tokësore. Në poezinë’’ Çfarë tha bubullima”, Eliot-i, rrënimin e shoqërisë e sheh te Evropa Lindore, e pas Luftës së Dytë Botërore, që solli mortajën Bolshevike të Stalinit.
Një nga përmbledhjet më të bukura poetike të Eliot-it, është ajo me titullin “Katër Kuartetet”(1943),ku përfshihen 4 poema. Shkrimi dhe botimi i tyre i kushtoi atij një kohë të gjatë prej tre dekadash me radhë. Edhe në këto vepra, simbolika dhe imagjinata e krishterë, është e pranishme kudo. Kjo vjen si rezultat i konvertimit të tij të plotë në një i krishterë i devotshëm , që në vitin1927.Në të katër poemat zënë vend disa dukuri të përbashkëta si: lakonizmi gjeografik, meditacioni përshkrues mbi natyrën, teologjia e krishterë, sentencat filozofike…Brendia e tyre është refleksion i katër stinëve.”Burunt Norton”, është refleksion i fillimit të verës., “Esat Coher” simboli i tokës në fillim të verës.,”The Dry Salvoges”,simboli i ujit dhe i vjeshtës dhe “Lidtte Giddi”, simbol i zjarrit dhe i dimrit. Këto poema janë të shkruara me një gjuhë të bukur eseike, poetike ,që edhe pse në bosht kanë të njëjtën brendi, secila poemë ka veçoritë e saj të papërsëritshme. Për shkak të ideve të mëdha dhe muzikalitetit poetic, ato janë kthyer në simfoni muzikore. Në qendër të poemës “Burunt Norton” (1935), vendoset një kështjellë e braktisur, e ndërtuar mbi rrënojat e një shtëpie të hershme, e cila shkrumbohet nga zjarri. Ndaj u quajt “Shtëpia e djegur”. Pranë saj ndodhet një kopsht me trëndafila. Vargjet e poemës janë një meditacion i thellë, përmes të cilit përballen idetë tokësore me ato qiellore të besimit Kristjan. Poema nis me vargjet: “Kohë e tashme dhe kohë e shkuar/Janë ndofta të pranishme në kohën e ardhshme/Dhe kohë e ardhshme , gjehet në kohën e shkuar”(53),vargje, që kanë vlerën e një sentence filozofike përmes së cilës bëhet lidhja logjike mes të tashmes, të shkuarës dhe së ardhmes. Vargjet: “Hapat që jehojnë në kujtesë/Poshtë udhës që kurrë nuk morëm/Dhe që kurrë nuk hapëm”, shprehin pamundësinë e njerëzve për realizimin e ëndrrave të njerëzve të kohës. Për Eliotin ”koha e shkuar dhe e ardhshme” kërkon ndërgjegjësim nga të gjithë njerëzit, për t’u larguar nga angazhimet tokësore. Varfërimi i botës së ndjenjave, dëbimi i botës së hamendjes, plogështimi i botës së shpirtit, janë burimi të këqijave të kohës.
Poema e dytë e këtij vëllimi “Sest Coher” (1940),lidhet me emrin e fshatit anglez, nga buron origjina familjare e Eliot-it, e cila thuhet se ne vitin 1967 emigroi në Boston të Amerikës. Poeti këtë fshat e vizitoi për herë të parë në vitin 1936. Edhe sot në këtë fshat ruhet një pllakatë përkujtimore që përjetëson figurën e poetit. Ndërsa në kishën e fshatit ruhet hiri i trupit të Eliotit. Në pllakatë shkruhet ,me shkronja të arta, epitafi me vargjet që hapin dhe mbyllin këtë poemë: ”Në fillimin tim është fundi im/Në fundin tim është fillimi im” që ka vlerën e një sentence filozofike, e cila shpreh idenë e ripërtëritjes ciklike të jetës dhe shoqërisë, ide që thellohet nëpërmjet vargjeve: ”Pas lindjes vjen vdekja, ashtu si pas një vdekje vjen një lindje”. Poema është dhe një refleksion për pafuqishmërinë e kohës për ndryshimin e gjërave dhe paaftësinë e tokësorëve për ndalimin e degradimit ekonomik, shpirtëror dhe moral të shoqërisë së kohës. Për poetin, njeriu ndeshet me një shumëllojshmëri kohërash: me kohën për të ndërtuar, për të jetuar dhe për të prodhuar, me kohën e stinëve dhe kohën e yjeve. Bile, siç thotë dhe vetë ai, edhe me “kohën e bishave”. Për poetin, asgjë nuk ka mbetur nga e kaluara. Ka vetëm një rrugë shpëtimi. Dhe kjo, fatkeqësisht, është nënshtrimi, gjë që e shpreh në vargjet: ”E vetmja dije që shpresojmë/është dija e përuljes dhe e padijes”. Kjo rënie shpirtërore ndodh, jo sepse Eliot-i nuk e njeh vlerën e dijeve, por sepse i është lëkundur besimi tek vlera njerëzore tokësore. Këtë mosbesim ai e mbyll me vargjet :”Ajo që nuk di, është e vetmja gjë që di/dhe, ajo që ke, është ajo që nuk ke”, e cila edhe pse u ngjan kalambureve, shpreh mosbesimin tek dijet dhe shpirti i njerëzve të kohës. Për Eliot-in, tek fillimi i jetës së njeriut të kohës, qëndron dhe fundi i tij. ”Njeriu është krijesë e Zotit dhe për Zotin” ide që e shpreh më qartë në vargun “Në fundin tim është fillimi im”(105).
Poema “The Dry Salvages” e ka marrë titullin nga një grup i vogël shkëmbinjsh me të njëjtin emër, ku familja e Eliotit pushonte shpesh. I lindur buzë Misisipit, ai ushqente një admirim të veçantë për lumenjtë, të cilët i quan Zot, të papajtueshëm dhe kokëfortë. Për poetin qeniet njerëzore janë të pafuqishme ndaj kapriçove të natyrës .Ato, as mund të kontrollojnë dhe as mund ta kuptojnë kohën, gjë që e shpreh nëpërmjet vargjeve: ”Ne s’mund të mendojmë për një kohë, që nuk është oqeanike/Për një të ardhme që nuk është mashtruese.” Për të, e vetmja shpresë do të ishte Krishtërimi. Edhe dhimbja, edhe lumturia, janë njëlloj të pakuptueshme. Koha, herë bëhet varrmihëse dhe herë mbrojtëse e njeriut. Elioti ,nuk e kërkon të ardhmen e njeriut, as te horoskopi, as te magjia, sepse ato i quan dëfrime, droga të kohës.
“Litte Gidding “ (1942),është poema e katërt e Kuartetit ,e cila titullin e ka marrë nga emri i një fshati anglez, i cili ka qenë strehë e një komuniteti religjioz të lashtë. Ky komunitet u shkatërrua nga Chales i Parë, që në vitin 1946.Fillin e frymëzimit për këto vargje e merr nga Komedia Hyjnore e Dandes. Thelbi i brendisë së saj është raporti mes përjetësisë dhe rëndësisë së objekteve, veprimeve dhe ndjesive të harxhuara kot nga njerëzit. Përmes vargjeve të saj, poeti bën thirrje për çlirimin e njeriut nga e shkuara dhe e ardhmja, për të jetuar sa më mirë të tashmen. Për poetin, dashuria është e kundërta e zjarrit të pasioneve: ”Ne veç frymojmë/bjerrur prej zjarrit’’. Shpesh, thotë poeti, atë që e quajmë fillim, është fundi ynë. Nëpërmjet kësaj substance filozofike, Eliot, do të na thotë se, lindja dhe vdekja janë dukuri të zakonshme dhe ato peshojnë njëlloj në zinxhirin e ekzistencës dhe mos ekzistencës së njeriut. Në fund të fundit njeriu ka lindur për të vdekur. Por në duart e Zotit, ne e harrojmë këtë të vërtetë. Ndaj poeti e mbyll me vargjet ” Fundi i kërkimit tonë, do të jetë mbërritja, aty ku u nisëm, atje ku gjejmë strehën e përjetshme”(112)
Janë të shumta thëniet e mençura të Tomas S. Eljot-it, të cilat, me gjithë kufizimet ideore që mbartin, vazhdojnë të kenë vlerat e sentencave të bukura filozofike, jo vetëm për të sotmen por dhe të ardhmen e njerëzimit. Në pamundësi për t’i përmendur të gjitha, po ndalemi tek disa prej tyre: ”Vetëm ata që do të rrezikojnë për të shkuar shumë larg, mund ta dinë se sa larg mund të shkohet”, ”Bëj gjëra të domosdoshme, thuaj gjëra të guximshme, adhuro gjëra të bukura”, ”Humanizmi është një nevojë e mirë për të thënë gjëra serioze”, ”Është e lehtë të flasësh, kur ke çfarë të thuash, por është e vështirë të kesh çfarë të thuash, kur duhet të flasësh”, ”Drejtësia tentohet të korruptohet nga pasioni politik’’, ”Shumica e shqetësimeve në botë shkaktohen nga njerëzit, që duan të jenë të rëndësishëm”…