Nobelisti Golding, dhe “Perëndia e mizave”, si metaforë e Satanait

Ornela

Sejdo Harka

Nobelisti anglez Wlliam G. Golding njihet në botë, jo vetëm si shkrimtar i prozës së bukur, por dhe si zhbirues i mendjes dhe shpirtit të njeriut të lirë. Përmes magjisë së fjalës dhe metaforës mitike, ai zbret deri në bodrumet e subkoshiencës, për të vrarë “bishën”, që fshihet brenda shpirtit të njeriut. Golding, u lind në një familje intelektuale besimtarësh, më 19 shtator të vitit 1919 në Saint Columb Minor, në Cornovalia. I ati ishte drejtor i një shkolle fillore, ndërsa e ëma aktiviste e lëvizjes për të drejtat elektorale të grave. Gjatë kryerjes së studimeve të larta në Oksford, ai u shqua jo vetëm për mësimin e greqishtes së vjetër, por dhe për poezitë e tij të para, të cilat, në vitin 1934, do t’i përmblidhte në vëllimin poetik “Poema”. Mbas diplomimit, në vitin 1935, ai do të vendoset në një komunitet pranë Londrës, ku afrohet shumë me mendimin filozofik austriak. Në vitin 1939 martohet me En Brukfild. Gjatë luftës së Dytë Botërore, atij i besohet komanda e një anieje luftarake. Pas lirimit nga shërbimi ushtarak, rifillon të japë mësim, të cilin e braktisi përfundimisht në vitin 1961, për t’u vendosur përfundimisht në zonën e Selisbërit. Në vitin shkollor 1961-62, ai punon si profesor i jashtëm në Kolegjin Hollings në Virgjinia, ndërsa më pas do të ftohet të japë mësim në disa nga universitetet më të mira britanike. Ishte koha kur Golding-u afrohet më shumë me prozën e bukur. Për punë dhe krijimtari të gjerë artistike, ai u nderua me medalje të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare si “Diploma ad honorem e Sorbonës”(1982). Ndërsa më 6 tetor 1983, ai u nderua me çmimin e madh “Nobel” për letërsinë me motivacionin “Për romanet e tij, që me qartësinë e rrëfimit realist, si dhe me larminë e përgjithësimin e mitit, hedhin dritë mbi gjendjen e njeriut në botën e sotme”. W.Golding, ndërroi jetë më 19 korrik të vitit 1993, në Wilthshire të Anglisë.

Krijimtaria e Wlliam Golding-ut është sa e gjerë, aq dhe e larmishme. Ai ka shkruar poezi, skenarë filmash dhe drama. Por ata që e bënë Golding-un me famë të rrallë, janë romanet e tij të lexuar në të gjithë botën si: “Trashëgimtarët”(1955)”, “Rënie e lirë”(59), “Rrotull”(64), “Piramida”(67), “Perëndia e akrepit”(71), “Errësira e dukshme”(79),”Gjuha e dyfishtë”(95), triologjia “Deri në skajet e tokës” etj. Një nga romanet e tij më të mira të këtij shkrimtari të madh, të cilin e kemi bërë objekt të këtyre shënimeve të shkurtra është “Perëndia e mizave”. Ky roman dallohet jo vetëm për problematikën e tij interesante, por veçanërisht për stilin e papërsëritshëm dhe gjuhën e rrallë. Dhe për të shijuar këtë magji të rrallë, ndoshta mjafton të  lexosh këtë roman me një brendi sa reale, aq dhe metaforiko-mitike. Romani “Perëndia e mizave”, botuar që në vitin 1954, nga T.Eliot, është quajtur metaforë e Satanait. Ngaqë u pëlqye shumë, veçanërisht nga rinia studentore e kohës, ai u ribotua me 14 milionë kopje. Në qendër të subjektit të romanit qëndron sjellja e një grupi fëmijësh britanikë, të cilët si pasojë e një fatkeqësie ajrore izolohen mbi një ishull tropikal. Ka ndodhur një shpërthim atomik dhe fëmijët janë larguar me një avjon të pajisur me një tub të çmontueshëm pasagjerësh. Duke fluturuar sipër deteve tropikale, avjoni është sulmuar dhe ka lëshuar tubin, i cili është përplasur në xhunglën e një ishulli të pabanuar. Avioni ka marrë flake, ndërsa mbetjet e tubit nga furtuna janë degdisur në det të hapur. Sipas kritikës letrare të kohës, romani “Perëndia e mizave” ka vlera të veçanta, jo vetëm se na tregon “errësirën e zemrës” së njeriut, por dhe sepse ai na nxit për të depërtuar brenda botës shpirtërore të njeriut. Pikërisht këtu e gjen shprehjen e vërtetë dhe kuptimin realist të sentencës së bukur të Shellit, i cili theksonte se imagjinata është instrumenti kryesor për shëndoshjen morale të njeriut. Fëmijët në ditët e para edhe pse të izoluar e të shqetësuar shumë për fatin e tyre, fillojnë të hedhin hapat e para të bashkëjetesës e mirëkuptimit, ndërsa më vonë sa vijnë e bëhen më dëshpërues e agresivë, derisa arrijnë në përplasje fatale. Ngjarjet e romanit zhvillohen mbi një fabul sa imagjinare, aq dhe koherente. Ato janë refleksione letrare mbi rezultatet e një eksperimenti që Golding-u deshi të bënte kur ishte mësues me nxënësit e klasës së katërt fillore, që kishte për qëllim realizimin e mësimit dhe edukimit të tyre pa praninë e mësuesit. Më vonë ai do të bindet se një mësim i tillë, pa praninë e mësuesit dhe të rriturve ishte një utopi, sepse njeriu si qenie shoqërore nuk mund të mësohet dhe të edukohet i izoluar si në sera, apo si fidanët e mbjellë në kubikë, që kaliten në fusha të hapura. Fëmijët, sapo zbresin në  ishullullin e izoluar, ndahen në dy grupe rivale. Në grupin e gjahtarëve që frymëzohej nga Xheku dhe dhe në grupin e rojtarëve të zjarrit, që drejtohej nga Ralfi, përplasja e të cilëve do të sillte konflikte tragjike. Ja si e përshkruan autori këtë konflikt të ashpër: “Përballë tyre ishte një xhungël si shkëmb, pikërisht atje, ku shkëmb s’duhet të kishte…Ralfi u turr si mace e kërcënuar me shtizë, duke hungëruar, ndërsa egërcaku (Xheku) u përplas më dysh…”(313). Romani në thelb është një kamzhik sarkastik ndaj botës konfliktuale që e kanë zhytur njerëzimin në bataqet e greminave të thella. Shigjetat fshikulluese autori i drejton, si kundër fetishizimit të progresit të teknologjisë botërore, edhe kundër interpertimit joreal të së keqes dhe të mëkatit. Sipas studjuesve të mëdhenj të artit e letërsisë, I .Gregor dhe M.Kinkeod, dy elementet kryesore  që i japin jetë brendisë së një romani, janë fabula dhe fiksioni. Por që një roman të pëlqehet shumë nga lexuesit, ka rëndësi të veçantë që këta dy elemente bazë të subjektit, duhet të harmonizohen mirë dhe në raport të drejtë me njëri-tjetrin. Por në romanin “Perëndia e mizave” ka ndodhur ndryshe. Ai që e ka bërë më të bukur e tërheqës këtë roman është “fiksioni”, i cili ka të bëjë me përshkrimin e eksperimentit  për mësimin anarkik të fëmijëve, sesa  fabula e brendisë së romanit. Vlerat e romanit nuk qëndrojnë tek utopia e didaktikës së  dështuar anarshiste, por tek magjia e fjalës dhe trilli krijues mitik. Ashtu siç ka theksuar Lambrec-i, romanin nuk e bën të bukur  vetëm fabula. Në këtë roman është pikërisht fiksioni, ai që i ka dhënë kuptim e vlerë brendisë së tij. Për ta kuptuar këtë realitet, mjafton të citojmë pasazhe të shkurtra nga ky fragment: “Shkëmbi i madh mbeti varur, qëndroi në ekuilibër mbi njerin gisht të këmbës, vendosi të mos kthehej, lëvizi përmes ajrit, ra goditi fort, u rrotullua e fluturoi me uturimë teposhtë në ajri, pastaj u përplas duke hapur një gojë të thellë në tendën e pyllit.(61) . Bukuria e vërtetë e këtij romani qëndron në procesin e hulumtimit të natyrës dhe të shpirtit të shprishur të njeriut. Ai kërkon të zhbirojë akullnajën natyrës degraduese të njeriut në shoqëritë izoluara dhe të brishta anarkiste dhe egocentriste. Thelbin e fabulës së romanit, Golding e mer nga politika rraciste e thellësisht nacioliste që synon të shfarosë hebrejtë e popujt e tjerë me çdo mjet, bile dhe nëpërmjet kërpudhave helmatisëse, siç ishte ajo e Hiroshimës, me qëllime të mbrapshta hegjemonie dhe sundimi mbi botën. Acebergu i degradimit konfliktual midis fëmijëve të këtij ishulli të çuditshëm tropikal, që në fillim duket sikur fshihet në thellësitë e një deti të përgjumur, sa vjen e zbulohet. Djemtë e ishullit, edhe pse shumë të hutuar, në fillim shijojnë bukuritë e tij të rralla, lojërat fantastike, peisazhin e bukur, aq sa u dukej se do të shijonin parajsën. Filluan përpjekjet për  krijimin e asamblesë  dhe zgjedhjen e drejtuesëve, për përcaktimin e rregullave e normave ligjore, me shpresë se do të gjenin rrugën e vërtetë të shpëtimit nga vdekja. Karakteret e romanit janë sa të zakonshëm, aq dhe të çuditshëm. Të mbetur të izoluar, pa asnjë ndihmë e orientim nga më të mëdhenjtë, ata sa vijnë e bëhen më ambiciozë dhe egoistë, më të egër e anarkistë. Xheku i cili në fillim e kishte të vështirë të vriste një derr, më vonë do të bëhet frymëzues i konflikteve  tragjike me shokët, derisa në fund në përplasje me Ralfin, humbet jetën. Bota shpirtërore e këtyre fëmijëve është shprehje metavorike e botës shpirtërore të degraduar të më të rriturve. Gjarpërinjtë dhe egërsirat e shumta që trembin e vrasin shpirtin e fëmijëve, s’janë gjë tjetër veçse thelbi i shpirtit të helmuar të njeriut të kohës. Mirazhi, si shprehje e deformimit të gjithçkaje, dhe fundi i tmerrshëm i Simonit, është pjellë e ligësive grabitqare të kohës. Kjo ligësi duket sikur është krijuar në këtë ishull të izoluar, por në të vërtetë është  refleksion i filozofisë ekzistencialiste që  rrjedh nga bodrumet e errëta të subkoshiencës frojdiste të njeriut anarkist dhe të keq. Në pjesën e tretë të romanit, autori duket sikur i ka vënë qëllim vetes të zbulojë rrënjët dhe burimin e ligësisë njerëzore. Dhe për të burimi i kësaj ligësie është anarkia  dhe depresioni moral, të cilat sollën dhe fundin tragjik të Simonit. Ligji dhe rregulli është shpërfytyruar aq shumë, saqë nuk mund ta kuptosh se ku qëndron kufiri mes lojës dhe të vërtetës. Ndërsa qëllimet dhe kërkesat e fëmijëve ndaj vetes, janë banalizurr shumë. Ata tashmë luftojnë për të siguruar: një banjë, një qethje, një fshirje hundësh dhe një krem për t’u lyer në det. Vlerat e veçanta të këtij romani nuk qëndrojnë as tek fabula dhe as tek deduksionet ideo-filozofike që autori kërkon të përçojë tek lexuesit, por tek aftësia për t’i bërë ata të ndjejnë, të shijojnë dhe të shohin me sytë e shpirtit dhe të mendjes, gjithçka që i mbrekullon dhe u jep frymëmarrje. Dhe ajo që e bën këtë roman të lexohet me një frymë, është gjuha e gjallë dhe përshkrimet rrënqethëse të natyrës e të dukurive të saj universale. Dielli, deti dhe bukuritë e rralla të ishullit të panjohur, përplasen tek ne, jo si refleksione emocionale, por si realitete të gjalla magjepse që shijohen dhe preken me dorë. Përshkrimin, si mjet të bukur artistik, autori e vë edhe në shërbim të tipizimit të karaktereve si Xheku, i cili dalëngadalë humbet emrin dhe indentitetin e vet, aq sa shpesh flet me shtampa e për qëllime abstrakte. Ndërsa Ralfi është shefi i zgjedhur i asamblesë, që deri në fund mbrojti tezën se, që fëmijët të shpëtonin nga vdekja, duhet të largoheshin patjetër nga ky ishull i izoluar. Por që ata të shpëtonin sa më parë, duhet të mbanin me çdo kusht zjarrin ndezur, në mënyrë që të rriturit  t’i gjenin në këtë humnerë të izoluar, ku ata po vuajnë. Edhe Ralfi nuk mund të shpëtonte nga gabimet dhe veprimet e nxituara.-Ai, sapo mbaronte së vallëzuari në ajrin e nxehtë të plazhit-shkruan autori-rikthehej si një avion gjuajtës me krahë të shtrirë, për të “mitraluar” shokun e tij grindavec, Pegin. Sulmin fatal për vrasjen e Simonit, filloi si lojë dhe përfundoi në një tragjedi të vërtetë. Vetëm kur kufoma e Simonit degdiset në det të hapur, fëmijët e kuptojë se  çka ndodhur në të vërtetë. Në mënyrë shumë mitike e rrënqethëse përshkruhet në këtë roman përplasja midis Simonit dhe “Perëndisë së mizave”, pas së cilës fshihet Satanai, simboli i bishës së egër metaforike që gërryen nga brenda shpirtin dhe ndërgjegjen e njeriut. Ja si e përshkruan Nobelisti  Golding këtë duel të ashpër, mes Simonit dhe kokës së  derrit  të mbuluar nga mizat e pista, pas së cilës fshihet fytyra e Djallit. Ja si e përshkruan këtë dyluftim mitik autori i këtij romani fantastik: “Është për të qeshur të mendosh se “bisha” është diçka që ju mund ta gjuani dhe ta vrisni. E keqja juaj është bisha që keni në shpirt. Djali im i mjerë e humbarak, mos vallë mendon se di më shumë se unë? Në këtë çast Simoni e pa veten brenda një goje të madhe. U rrëzua brenda saj dhe humbi vetëdijen”.(242)                                                                                                                                          Përfundimisht mund të themi se ky roman ka vlera universale, jo vetëm sepse zbulon errësirën e zemrës së njeriut, por edhe sepse është një vepër e rrallë arti që na tregon rrugën për të hyrë e dalë nga bodrumet e subkoshiencës frojdiste të njeriut. Bukur e thotë Oskar Uaillit: Nuk ka libra të këqij, por ka libra të shkruar keq dhe libra të shkruar bukur si “Perëndia e mizave”.

 

Share This Article
1 Comment
  • Një përkthim i dobët i materialeve që mund t’i gjesh kollaj në internet. Nuk është vështirë ta dallosh që tek termat dhe konceptet e teorisë letrare anglosaksone që i ka lënë siç i ka gjetur nga e ka kopjuar këtë shkrim të gjatë. Merr atë pagesë thuaj, mbush faqen e gazetës se e ka për detyrë. Mediokriteti s’ka brirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *