Nobelisti klasik rus, Fjodor Dostojevski dhe “Sozia” e tij

J L

Nga Sejdo Harka

 

-Është e rrallë të takosh një autor kaq tronditës dhe kaq të tronditur sa Dostojevski-

(Faik Konica)

Fjodor Dostojevski, ky gjigand i letërsisë klasike ruse dhe përtej saj, i dhuroi artit të globit tokësor galerinë më të madhe të karaktereve, sa të vërtetë, aq dhe të çuditshëm, produkt i fantazisë dhe trillit krijues, si dhe dialogun dhe gjuhën, sa të bukur, aq edhe groteske, për tipizimin e tyre. Mjeshtëria e tij do të mbahet mend për surprizat narrative dhe digresionet e fuqishme, për t’u dhënë ngjarjeve karakter të vrullshëm, ndërsa vlerave kuptim të thellë universal. Në brendinë  e krijimtarisë së tij të gjerë rendin njerëz: të mjerë dhe të fyer, të dhunuar dhe të poshtëruar, idiotë dhe kumarxhinj, engjëj dhe djaj, të vërtetë dhe të rremë…Narracioni i vrullshëm dhe tepër surprizues si dhe gjuha sa e kërkuar, aq dhe e natyrshme, të bën që veprat e këtij mjeshtri të madh të fjalës t’i lexosh me një frymë. Për Dostojevskin, e bukura lind nga vuajtjet. Para se të përqendrohemi tek vlerat e padiskutueshme të krijimtarisë së tij të larmishme, po ndalemi, me pak fjalë, për t’i rikujtuar lexuesit se kush është shkrimtari Fjodor Dostojevski.

Ai u lind më 11 nëntor të vitit 1821, në Moskë dhe vdiq më 9 shkurt të vitit 1881, në moshën 59-vjeçare, në Shën Petërburg. Paraardhësit e tij ishin fisnikë të polonizuar, me origjinë ruse, të cilët  më parë kanë mbajtur mbiemrin “Rdishev”. Ndërsa më vonë ata mbajtën mbiemrin “Dostojevski”, të cilin e morën nga emri i qytezës së krahinës së vendlindjes. Fjodori ishte fëmija e dytë e çiftit Mihail dhe Marie, të cilët lindën dhe rritën 6 fëmijë. Babai i tij ishte një kirurg ushtarak, por alkoolist i dhunshëm që shërbente si mjek në një spital për të varfrit në Moskë. Kur Fjodori ishte fëmijë, shpesh shkonte në mjediset e spitalit ku punonte i ati për të dëgjuar ëndrrat dhe rrëfimet e trishta të pacientëve, edhe pse babai i tij i dhunshëm shpesh herë e ndalonte të vinte aty. Fjodor Dostojevski më vonë do të bëhet një inxhinier ushtarak tepër i zoti. Por, pasioni  më i madh i tij, ishte shkrimtaria. Talentin e tij të rrallë ai do ta shfaqte që herët. Me kohë ai do të bëhej një tregimtar, eseist, gazetar, filozof dhe veçanërisht një romancier i rrallë. Veprat e tij të shumta sot flasin gati në të gjitha gjuhët e botës. Famën më të madhe në botën e letrave, ai e mori nëpërmjet romaneve të tij më të lexuar në botë, si: “Njerëz të mjerë”(1846), “Të fyer e të poshtëruar”(1861), “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”(1862), “Shënime nga nëntoka”(1864),”Krim dhe ndëshkim”(1866), “Kumarxhiu”(1867), “Idioti’’(1869), “Djajtë”(1872), ”Adoleshenti”(1875),”Vëllezërit Karamazovë”(1881). Gjithashtu, Dostojevski, ka shkruar rreth 20 novela dhe vëllime me ese e tregime të shkurtra, nga të cilët më të përmendurit janë: “Krokodili”, ”Burri i përjetshëm”, ”Bobok”, “Një krijesë e butë”,etj. Tregimtaria e tij e shkurtër dallohet për autopsinë e gjallë që ajo i bën psikologjisë së njeriut modern. Dostojevski është një nga shkrimtarët më të mëdhenj rus që pa dhe përjetoi “ngricat” që paralajmëronin ngritjen e sistemit totalitar rus. Për gjigandin e letërsisë ruse, F.Dostojevski, janë shkruar shumë libra dhe qindra  faqe me studime e kritika, pothuajse në të gjitha gjuhët e botës. Megjithatë për këtë klasik të madh të letërsisë ruse, gjithmonë ka shumë gjëra për të thënë. Të shkruash për universin e tij krijues, duhen faqe të tëra, por për të thënë diçka modeste nga universi i tij  krijues, mjafton që nga seria e veprave të tij të shumta, të shkëputësh për të analizuar vetëm romanin “Sozia”, i cili, ndoshta, është libri i tij më i mirë. Prandaj dhe ne, atë e kemi bërë  objekt kryesor të këtyre shënimeve tona të shkurtra. Me përzgjedhjen e këtij libri, ndoshta merr kuptimin më të plotë sentenca popullore se, për të kuptuar cilësinë e verës së një budeje, mjafton të pish vetëm një gotë prej saj.

“Sozia” është vërtet një roman i shkurtër, por që flet shumë për një shoqëri të degraduar të Perandorisë Ruse midis shekujve XVIII-XIX , ku mbretëronte e keqja dhe ligësia, egërsia dhe sadizmi, servilizmi dhe pabesia, krimi dhe padrejtësia, shtypja dhe pabarazia, të cilat për çudi, marrin statusin moral të ekzistencës njerëzore të kohës, duke zënë vendin e humanizmit dhe të mirëkuptimit, të sinqeritetit dhe drejtësisë, të barazisë dhe vëllazërisë. Në thelb të kësaj pabarazie dhe padrejtësie të tejskajshme qëndron filozofia e Niçes: “Njeriu për njerinë është ujk” dhe filozofia e seleksionimit natyral: “Peshku i madh, ha të voglin”. Një realitet i tillë, sa tragji-komik, aq dhe i hidhur, është pasqyrë e thyer e monstruozitetit të asaj kohe dhe përtej saj. Kjo e keqe e trishtë e njerëzimit në periudha të ndryshme të universalitetit hapësinor dhe kohor, herë zbehet dhe herë bëhet më inkadenshente. Fatkeqësisht, kjo luftë e së keqes ndaj të mirës zhvillohet edhe në  kohët e sotme moderne, ndoshta më e egër, por e sheqerosur dhe e kamufluar me rrugë e forma të reja. Për ta bërë sa më të kapshme dhe sa më emocionale antitezën dhe luftën mes të mirës dhe të keqes Dostojevski, si mjeshtër i madh i përballjes tragji-komike të karaktereve, ka ditur të zbulojë konfliktin midis tyre, përmes kontraversit midis Galjadkin-it të vërtetë dhe Galjadkin-it të rremë, që është sozia e tij. Këta dy personazhe të çuditshëm, sa të vërtetë, aq dhe metaforiko-alegorikë, aq sa ngjajnë nga pamja e jashtme dhe emri i njëjtë, aq të kundërt janë nga bota e brendshme shpirtërore dhe bëmat e tyre. Prandaj romancieri, Galjadkin-in e ri, herë e quan binjak dhe herë sozi të Galjadkin-it të vjetër. Nga emri dhe pamja e jashtme e njëjtë, ai shfaqet si kopja e Galjadkin-it të parë, ndërsa nga shpirti i tij i lig, ai herë shfaqet simboli i lajkatarit e hipokritit dhe herë si djalli sadist. Nëse Galjadkin-i i parë shfaqet si qengj që lufton të mbijetojë brenda vathës së vet, sozia e tij shfaqet si ujku që nuk rron dot pa thithur gjakun dhe pa bluar mishin dhe eshtrat e tij të mjera. Ky trishtim grotesk e shoqëron lexuesin, kur shfleton romanin “Sozia” që nga faqja e parë e deri tek e fundit, brendia e të cilit rrjedh vrullshëm si lumenjtë malorë. Heroi i romanit, siç e quan Dojstojevski, Galjadkin-in e vërtetë, të shfaqet si një qenie fatkeqe që jeton në “xhunglën” e rrethuar nga “egërsirat”. Po le ta tregojmë këtë përballje të ashpër midis të mirës dhe të keqes, mes egërsisë dhe sadizmit, përmes narracionit të vrullshëm të këtij romani: Galjadkin-i, i cili ishte ndihmësi i shefit Andrea Filipoviç, që në faqet e para të romanit, shfaqet tepër i shqetësuar, gati në një gjendje aluçinative. Kjo, sepse e ndjente frikën e survejimit dhe përndjekjes si dhe të zënies së vendit të punës nga sozia e tij e çuditshme. Kjo sozi e ndjek në çdo hap të jetës si hije e keqe, aq sa në momente të veçanta nuk njeh as veten. Prandaj, për të zbuluar shkaqet e paranojave të tij, kërkon ndihmën e mjekut Kristian Ivanoviçit. Galjadkin-i i parë, ishte një njëri i sinqertë, punëtor e i ditur dhe i thjeshtë, që nuk i pëlqente të mburrej. Ai nuk dinte të fliste bukur, por thoshte fjalë zemre. Nuk ishte intrigant dhe nuk kërkonte rrugë të tërthorta në jetë. Nuk i donte njerëzit meskinë dhe kishte neveri për shpifësit dhe thashethemexhinjtë. “Maskën”, tregon ai, e vë vetëm në ballo dhe nuk del me të çdo ditë. Unë, i tregon mjekut, kam shumë armiq, të cilët janë betuar të më vrasin. Siç duket, bota ka marrë fund. Armiqtë, përfundon ai, kanë vendosur të më vrasin moralisht (15). Heroi është i matur, i turpshëm, i durueshëm dhe ruante caqet e shtresës së tij shoqërore. Nuk ishte as servil, as intrigant, po për kohën e tij ishte specie në zhdukje. E ndjente se kishte ardhur koha e luftës së ashpër për asgjësimin e tij. Donte të vallëzonte me Klara Ollsufjevën, por në çastin që ai e preku në dorën e saj, të gjithë njerëzit e vështruan me përbuzje. Papritur, e shtynë me forcë drejt portës, për ta shporrur jashtë. Në këto çaste heroi e ndjeu veten të dërrmuar. Donte të zhdukej, diku larg, për të mos u shfaqur kurrë. Ju duk sikur pas po e ndiqte një fatkeqësi e madhe. Prandaj, në gjendje somnambul, pyeste veten: “Po unë ku jam?”. Vendimi për largimin nga puna ishte nënshkruar, ky çast për të nuk ishte brengë, por tmerr. I dukej sikur luftonte të dilte nga dallgët që po i zinin  frymën. Papritur, Galjadkin-i pa një kalimtar që po i vinte përballë si fantazmë, me të cilin, nga pamja e jashtme ngjanin si dy binjakë të çuditshëm. Aq u trondit heroi kur pa sozinë e tij, që sa vinte e afrohej për ta sfiduar, sa që nisi të pyesë veten: “Ç’po ndodh me mua? Mos vallë luajta menç!?”(44). Në këto çaste tronditëse e mbuloi “ngrica” e djersëve të ftohta. I panjohuri ecte pa u trembur krah tij. Ndërsa Galjadkin-it sa vinte e i zihej fryma. Kur e pa në dhomën e tij të shtrirë në krevat, vuri re se miku i ri ishte si vetë ai. Sozia e tij e plotë, me të gjitha tiparet e tij të jashtme. Ja si e përshkruan Dostojevski momentin kur sozia e Galjadkin-it hyn në shtëpinë e tij: “Njeriu misterioz, sa po ndaloi para derës së z.Galjadkin, trokiti, hapi derën dhe u shtri në krevat gjerë e gjatë, sikur ta kishte sjellë me vete. Ndërsa heroi hyri si i marrë, duke shqyer sytë, sikur ta kishte goditur rrufeja. I panjohuri, i shtrirë në shtrat, tundte kokën i buzëqeshur, sikur të ishte në shtëpinë e tij. Ndërsa z.Galjadkin, i tmerruar nga kjo pamje, donte të protestonte, por nuk kishte fuqi. Flokët iu ngritën përpjetë dhe ra pa ndjenja. Tashmë e kish kuptuar. Miku i ri ishte një Galjadkin tjetër, krejtësisht si vetë ai. Ishte sozia e tij, me të gjitha tiparet.(47) Armiqtë e tij e kishin sjellë për ta sfiduar atë. Ja, tha ai me vete, deri ku mund ta çojë njeriun ligësia dhe egërsia hakmarrëse. Megjithatë, për një çast mendon se, dhe mund të tërhiqej. Ishte më mirë që të duronte, edhe pse sozia e tij e ndiqte hap pas hapi si një fat i keq. Zoti Galjadkin i vërtetë rrinte para Galjadkinit të ri i heshtur, si para një njeriu të shenjtë. Edhe pse ishte tjetër njëri, kishte të njëjtën gjatësi, të njëjtën veshje, të njëjtën kokë tullace, me një ngjashmëri të përkryer. Askush nuk mund ta dallonte se kush ishte origjinali dhe kush ishte kopja e tij. Kjo dilemë e çuditshme e bënte Galjadkin-in e vjetër të pyeste veten: “Mos vallë jam në ëndërr”. Aq e madhe ishte turbullira e tij, sa kish nisur të dyshonte për ekzistencën e vet. Herë mendonte të pyeste, se kush ishte ky njëri që i kishte zënë vendin, herë mendonte se ai s’ishte gjë tjetër, veçse një iluzion aluçinativ i tij. Habia, se kush ishte ky njëri, që rrinte serbes në vendin e tij të punës e torturonte. Kurse Petrushka, shërbëtori i tij, dinte gjithçka për Galjadkin-in e ri. Ai shihte vëngër, si një ujk dinak që donte të gllabëronte çdo gjë. Mos vallë gjithë njerëzit që e rrethonin, meditonte heroi, i ka prekur djalli?! Prandaj, në çdo hap që hidhte, vetja i ngjante si një njeri, që kishte veshur rrobat e një të huaji. Kur Galjadkin-i e pyeti sozinë e tij për emrin, ai u përgjigj me kënaqësi se e quanin Jakov Petroviç, të njëjtin emër që mbante dhe ai vetë. Unë jam njëri i humbur, tha miku i ri, por duke njohur shpirtin tënd të bardhë dhe emrin tënd të njëjtë me emrin tim, dëshiroj të bashkëpunoj me ju, tha ai plot lajka e servilizëm. Në shtëpinë tuaj e ndjej veten si në parajsë… Por, papritur, një ditë prej ditësh, Galjadkin-i i vjetër e pa bosh krevatin e mikut tij të ri. Ai ishte larguar për të mos u kthyer kurrë. Heroin tonë e trishtoi pa masë ky lajm i papritur, sa që lutej që miku i tij të rikthehej sa më parë. Por Galjadkin-i i ri, ai që në fillim e hiqte veten si lypës i mjerë, ishte tjetërsuar. Kishte marrë statusin e “Të ngarkuarit me detyrë të veçantë”. I vënë plotësisht në shërbim të shpurës së njerëzve me maska, tashmë ishte bërë armik i betuar i Galjadkin-it të vjetër. Ky fakt e bëri heroin tonë të mendohej se mos ishte një kurth i ri i armiqve kundër tij. Ndaj, ai nis të kundërveprojë me forcë kundër tyre, duke iu drejtuar me fjalët: “Loja juaj është e ndyrë ”. Për një çast plogështohet duke menduar se, tashmë puna e tij kishte marrë fund. A nuk do të ishte më mirë të tërhiqej, të rrinte indiferent, sikur të kishte pushuar së ekzistuari!? Sa vinte dhe e kuptonte se, binjaku i tij i çuditshëm nuk kishte moral. Ai ishte i poshtër dhe servil i pashembullt. Ai s’mund të ishte Galjadkin i vërtetë, i ndershëm dhe i sinqertë si vetë ai. Galjadkin-i i ri ishte tjetërsuar në një leckë të pistë, që mbante erë të keqe. Survejimet dhe poshtërsitë e tij kundër heroit sa vinin e shtoheshin. Për ta futur në kurth, ai vjedh dokumentet e korrigjuara, me qëllim që t’i zërë vendin e punës. Ndaj Galjadkin-i i vërtetë, tashmë ka nisur ta demaskojë kopjen e tij. Ja ç’i shkruan atij në letrën demaskuese: “S’ka nevojë të përmend vjedhjen e shkresave të mija, vetëm për të fituar lavdet e shefave, nuk mund të mbaj mëri, kur kuptoj qëllimin tuaj të dukshëm për të cenuar nderin dhe dinjitetin tim”(87). Por, sapo ka nisur letrën, z.Galjadkin është penduar duke thënë me vete: “Pse u lodha me këtë njeri. Unë jam një vetëvrasës…(90). Është koha kur intensifikohet më tej lufta kundër heroit të ndershëm, punëtor, të ditur dhe tepër të sinqertë. Qëllimi i armiqve ishte ta kallnin në gropë për së gjalli. Ndaj, Galjadkin-i i parë, në përgjigjen që i kthen Vahramevit, sekretarit të rajonit, i shkruan: “Shoh, se sa shpejt i ka zgjatur rrënjët shpifja, në dëm të punës dhe dinjitetit tim. Edhe më helmues është fakti se si njerëzit e ndershëm dhe të mirë sulmohen e braktisen nga njerëzit e pandershëm, të cilët në këto kohëra janë të shumtë. Sidoqoftë, unë jam gati të bëj paqe me ta. Ndërsa në mbyllje ai thekson: “Transmetojuni armiqve të mi se, pasioni i çuditshëm për t’u zënë vendin të tjerëve, do të thotë të meritosh përbuzjen, dhe mbi të gjitha çmendinën’’(97). Heroi ynë, sa vinte dhe bëhej  më i ngrysur. Në çdo çast i shfaqej  vështrimi i hidhur i shefit të tij, Andrea Filipoviç, dhe ajo e sozisë që i kishte zënë vendin. Galjadkin-i i ri kish nisur të hapte fjalën se Galjadkin-i i vërtetë ishte vetëm ai, ndërsa tjetri ishte vetëm kopja e tij. Përmes hipokrizisë dhe servilizmit të tij, të gjithë njerëzit kishin nisur ta donin dhe t’i thurnin lavde, sikur të ishte një njeri i shenjtë. Ndërsa z. Galjadkin, nga që nuk dinte të bënte lajka dhe nga që thoshte gjithnjë të vërtetën, e largonin gjithnjë me shkelma. Kopja e tij më e keqe i dilte çdo çast përpara si fantazmë, ndërsa pas lukunia e të ngjashmëve të tij, që e ndiqnin si qen të tërbuar. Ishte koha kur njerëzit si Heroi ishin bërë specie të rralla, bile në zhdukje e sipër. Aq sa mund të mbijetonte një qengj mes ujqish, aq mund të shpëtonte edhe Galjadkin-i i vërtetë mes armiqsh të tillë të egër. Ndaj nisi të protestojë fuqishëm kundër tyre. Ja ç’i shkruan binjakut mafioz: “Ose unë ose ti. Të dy bashkë, është e pamundur të jetojmë”. Heroi e kishte kuptuar se duhet të vepronte përpara se armiqtë e tij ta asgjësonin. Por djajtë e përshpejtuan hapin e poshtërsive. Papritur vjen zarfi i firmosur nga shefi Andrea Filipoviç. Heroi e pati kuptuar, se e kishte humbur gjithçka. Vendin e punës ja kishte zënë sozia e tij e shëmtuar. Ndaj, vendosi të hidhej mbi të me të vetmin qëllim. Ta shqyente dhe të mbaronte punë një herë e mirë me të. Por përsëri vendosi të bënte paqe me armikun e tij, që ja kishte nxirë jetën. Për të mbuluar poshtërsitë e tij, sozia nisi dhelpëritë, sa servile, aq dhe hipokrite. Me dinakërinë e dhelprës i rrëmbeu Galjadkin-it të madh letrën, që i dërgonte Klara Ollsufjeva, e cila, mes të tjerash i shkruante: “Njeriu bujar që vuan për mua. Po vdes, më shpëto! Shpifësi dhe intriganti i njohur, përmes dredhive më ka futur në grackë. Unë atë e urrej, kurse ty… Po më martojnë me zor…Kjo i intereson “bamirësit” tënd dhe këshilltarit Ivanoviç. Kur heroi vuri dorën në xhep, e kuptoi që letra i ishte vjedhur. Në këto çaste ai mendoi: “Po sikur të bjerë në dorën e armikut!? Tashmë armiqtë e tij kanë një dokument me të cilin do t’i japin goditjen fatale. Papritur, e sheh veten në një sallë të mbushur plot me njerëz të hazdisur. Bezdia e tij ishte aq e madhe, sa i dukej sikur të gjithë i mbante mbi shpinën e tij. Ata e shtynin drejt kolltukut të rehatshëm të Ollsufi Ivanoviçit. Para tyre, e zymtë dhe e mekur qëndronte edhe Klara. Edhe pse nuk e dinte mirë, se për ku e shtynin, nga qerpikët nisën t’i rridhnin lot dëshpërimi. Për çudi, edhe armiqtë e tij të egër si Filipoviçi, dhe binjaku i tij zemërlig dukeshin të tronditur. Bile sozia e tij e hidhur e mori për dore dhe për një çast e uli para vetes, sikur të ishte njeriu i tij më i dashur. Ata po e çonin drejt vdekjes dhe hiqeshin sikur po e nisnin drejt Parajsës. Ishin gati të prisnin lutjen e tij të fundit, dhe hiqeshin sikur festonin lindjen ose dasmën e tij. Fatkeqësisht, këtë fund tragjik, Galjadkin-i i vërtetë e kishte pritur me kohë. Në çastin më kritik të jetës së tij heroi i virtyteve të përkryera, pa mikun e tij të pabesë, sozinë, të buzëqeshur, që po i shkelte syrin turmës me dinakëri. Ja si e përshkruan Dostojevski atë fund, sa tragjik, aq edhe te pamerituar të heroit më të virtytshëm të romanit: “Britma të çuditshme të turmave të njerëzve e ndiqnin Galjadkin-in pas si bisha. Në ato çaste, një klithmë iu shua në gjoks. Thirrjet më të gëzuara ishin ato të armiqve, të cilët duke qeshur derdhnin lot krokodili. Më pranë Galjadkin-it të vërtetë, qëndronte kopja e tij më e shëmtuar. Me duart futur në xhepat e uniformës së tij të gjelbër, ai vrojtonte i kënaqur…Kjo pamje nuk vazhdoi gjatë…deri sa më në fund u zhduk fare. Zotit Galjadkin filloi t’i therte zemra. Befas ai shtangu. Që nga errësira po e vështronin dy sy të  zjarrtë, që rrezatonin një gëzim skëterre. Ishte Kristjan Ivanoviçi, që tashmë lumturohet duke shpallur dënimin e heroit me vdekje. Ndërsa Galjadkini, simboli i bukurisë morale dhe shpirtërore, duke shtrënguar kokën me duar e duke ulëritur, thotë: “Këtë e kisha parandjerë me kohë”! Dhe kjo ishte më se e qartë. Një “lule” e bukur dhe tepër e rrallë, siç ishte heroi ynë nuk, mund të mbijetonte mes “ferrash e gjembash”. Në një “shkretëtirë” të tillë mund të  lulëzonin vetëm “gjembat’’ metaforikë, siç ishte sozia e tij e degraduar moralisht dhe shpirtërisht. Është koha, kur vendin e njeriut human dhe të sinqertë, të mirit dhe të ndershmit, të diturit dhe të sjellshmit, në “xhungla” të tilla shoqërore, e zë sadisti dhe barbari, mashtruesi dhe hipokriti, krimineli dhe hajduti.

Sa po përfundon së lexuari këtë roman, thua me vete: Dostojevski s’paska vdekur. Universaliteti i problematikave dhe i karaktereve të tij gjenialë kanë kapërcyer, jo vetëm kufijtë tokësorë, por edhe ata kohorë. “Sozinë” e tij të modernizuar e shohim të rëndë kudo, jo vetëm skutave të “xhunglave” të ditëve të sotme, por edhe në majat e hierarkive pushtetare, herë me “shpatën e helmatisur”, dhe herë me lotët e krokodilit në sy, duke u “përgjëruar” për të mirën e njerëzimit.

Share This Article
4 Comments
  • Nje shkrim per tu lavderuar,per te afruar lexuesin shqiptar me gjigandet rus te letersise boterore,mbasi real politika arnautase,eshte perpjekur ti largoje ata nga bota e kultures shqiptare.
    Cmimi nobel,filloi te ndahesh duke filluar nga viti 1900,kur Dostojevski,kish 20 vjet qe kish mbyllur syte.
    Dhe cmimi nobel,u jepet,vec atyre qe jane gjalle,ne momentin e shperndarjes.
    Dhe akademia suedeze e kish kete mundesi,tja u jepte kete cmim Cehovit,apo Tolstoit,qe vazhdojne te shkelqejne me te njejten force,ne majat e letersise boterore.

  • Faleminderit per kete pasazh te romanit te Dostojevskit. Nuk e kisha lexuar. Beni shume mire te na iluminoni me keto shkrime. Ju falenderoj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *