Sipas traditës së përvitshme, të enjten e dytë të tetorit, fiks në orën 13:00, është bërë publik emri i fituesit të Çmimit Nobel për Letërsi.
Svjetllana Aleksijeviç është fituesja për vitin 2015. Akademia suedeze ka nderuar me çmimin e madh shkrimtaren nga Bjellorusia. “Gazetare dhe shkrimtare, ajo nderohet me këtë çmim për veprën e saj polifonike, një monument për vuajtjet dhe kurajot e epokës sonë”, thuhet në vlerësimin e jurisë së Akademisë Suedeze.
Librat e Aleksijeviç janë përshkruar si një kronikë letrare të historisë emocionale e njeriut gjatë periudhës sovjetike dhe post-sovjetike.
Veprat e saj më të rëndësishme në anglisht janë përshkrime nga lufta në Afganistan (Zinky Boys) dhe një histori për katastrofën e Çernobilit (Voices of Chernobyl).
Për shumë vite ajo kishte grumbulluar material për librin e saj të parë “War’s Unëomanly Face”, 1988, ku janë përfshirë qindra intervista me gra të cilat morrin pjesë në Luftën e Dytë Botërore.
Aleksijeviç bëhet ndër të paktat femra që fiton çmimin “Nobel” në Letërsi. Nga 107 çmime të tilla që janë dhënë deri tani, vetëm 13 prej tyre janë fituar nga femrat. Pretendente të çmimit femra për këtë vit ishin gjithashtu edhe kanadezja Margaret Atwood dhe feministja egjiptiane Nawal El Saadawi.
Gazetare në “Nobel”
Bjellorusja Svetlana Aleksijeviç është gazetare. Ajo ka raportuar disa prej ngjarjeve politike më të turbullta në Rusi. Stili i saj i të shkruarit dhe karriera e gjatë si shkrimtare dhe gazetare i kanë dhënë asaj shanset për të fituar çmimin “Nobel”.
Aleksijeviç është gazetarja e parë që fiton “Nobelin” në Letërsi. Hera e fundit kur një gazetar i është afruar këtij çmimi ka qenë në vitin 2007, kur ndër pretendentët kryesorë ishte gazetari polak Ryszard Kapuscinski, i cili fatkeqësisht vdiq para se akademia të shpallte fituesit.
Veprat
Ceremonia e dhënies së shpërblimit zhvillohet më 10 dhjetor të këtij viti në Oslo. Bashkë me çmimin, Aleksijeviç merr edhe 690 mijë paund, që e shoqërojnë atë. Kjo kritike e njohur e qeverisë së vendit të saj është një shkrimtare politike, veprat më të famshme të së cilës, të përkthyera në anglisht janë “Zëra nga Çernobili”, një histori mbi katastrofën bërthamore; dhe “Djemtë prej zinku”, një koleksion tregimesh e dëshmish nga lufta sovjeto-afgane.
Autorja me baba bjellorus dhe nënë nga Ukraina ka lindur në 1948-ën në qytetin ukrainas Ivano-Frankivsk. Në Bjellorusi, familja e saj do të shpërngulej pasi i ati përfundoi shërbimin e tij ushtarak.
Pas marrjes së çmimit të paqes në Gjermani në 2013, ajo foli për vështirësitë e vendit të saj, pasi kthimit nga ekzili shumëvjeçar në vitin 2011.
Shkrimtarja u shpreh se intelektualët e vendit të saj janë në heshtje pasi janë aneksuar nga politika, duke nënvizuar se në Rusi dhe Bjellorusi tashmë nuk është qartë nëse ka diktaturë apo monarki.
“Unë e dua vendin dhe popullin tim, por jo historinë e tij”, u shpreh ajo.
Svetlana Aleksijeviç bëhet gruaja e 14-të që fiton çmimin Nobel që prej shpërndarjes së tyre për herë të parë në vitin 1901. E fundit para saj ishte shkrimtarja kanadeze Alice Munro në vitin 2013.
Ndër fituesit e mëhershëm të këtij çmimi prestigjioz renditen gjigandë të letërsisë, si Ernest Heminguej apo Rudiard Kipling, ndërsa vitin e kaluar, “Nobeli i Letërsisë” iu dha francezit Patrick Modiano.
“Të vjetrit”
Në vitin 2007, 88-vjeçarja Doris Lessing u bë fituesja më e vjetër në moshë e çmimit, për të cilin shumë thanë se ishte i vonuar. Por shumë favoritë për vite me radhë nuk janë nderuar ende me këtë çmim. Dy shkrimtarë që janë cilësuar si pretendentë të fortë gjatë viteve të fundit kanë qenë algjeriani Assia Djebar dhe turku Yasar Kemal, por kanë ndërruar jetë pa e marrë këtë çmim. Mes “të vjetërve” të listuar shpesh si favoritë kanë qenë edhe poeti sirian Adonis, 85 vjeç, poeti koreanojugor Ko Un, 82 vjeç, novelisti amerikan Thomas Pynchon, 78 vjeç, etj. Ndërkohë nuk janë të paktë ata që mendojnë se sivjet ishte koha për të nderuar indiano-britanikun Salman Rushdie, autor i “Vargjeve satanike”./e.r
