Noli në Lidhjen e Kombeve

J L

Ksenofon Krisafi*

 

Dje, më 3 shkurt 2022, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Akademinë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave organizuan Konferencën shkencore me temën “Fan Noli poliedrik”, kushtuar 140 vjetorit te lindjes se Nolit dhe 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Morën pjesë akademikë e studiues nga fusha të ndryshme si  Prof. Dr. Fatos Tarifa, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Akademik Pëllumb Xhufi, Prof. Ass. Dr. Shyqyri Hysi, Prof. Dr. Hamit Kaba, Akademik Beqir Meta, Prof. Ass. Dr. Marenglen Kasmi, Prof. Ass. Dr. Rudina Mita, Dr. Hasan Bello, Dr. Dorian Koçi, Akademik Vasil Tole, Prof. Ass. Dr. Zaho Golemi, Z. Bedri Zyberi, Drejtor i Arkivës së Kosovës, Dr. Kastriot Gjika, etj.

Sot në DITA po botojmë pjesë nga kumtesa e Prof. Dr. Ksenofon Krisafit, “Noli në Lidhjen e Kombeve”.

 

Fan Noli, një nga personalitetet më të shquara të Botës shqiptare, bëri epokë me profilin e spikatur atdhetar, me shkëlqimin si politikan e diplomat, si personalitet me horizont të gjerë,  me formim dhe koncepte demokratike. U shfaq në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare si një ndër personazhet qendrore të saj. Përfaqësonte tipin e një politikani ndryshe, që rrezatonte kulturë, njohuri të thella në histori, filozofi, letërsi, art etj., logjikë të shëndoshë, forcë bindëse të argumentit dhe arsyetimit, këmbëngulje për mbrojtjen e kauzës së drejtë të atdheut të vet.

Ai u prezantua me shumë shkëlqim edhe në diplomaci. Aftësitë dhe talenti diplomatik u dëshmuan veçanërisht në Lidhjen e Kombeve, sidomos gjatë përpjekjeve për pranimin e Shqipërisë në organizatën ndërkombëtare universale, në mbrojtje të kufijve dhe tërësisë territorial të vendit, në veprimtarinë në postin e ministrit të punëve të jashtme  dhe më pas të kryeministrit dhe kryetarit të delegacionit shqiptar në sesionin e V të Asamblesë së Lidhjes së Kombeve, në vitin 1924.

Dialogu por edhe debati bindës e këmbëngulës, që hera herës morën trajtat e ballafaqimeve diplomatike me përfaqësuesit e shteteve fqinjë, përfaqësojnë modele të shkëlqyera si të sjelljeve të përkora, ashtu edhe të qëndrimeve të vendosura diplomatike. Pjesëmarrja në punimet e Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, gjatë viteve 1920-1924, e paraqet Nolin në profilin e një diplomati të afirmuar.

Në këtë shkrim do të përqendrohem shkurtimisht vetëm te kontributi për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Veprimtaria e Nolit në Lidhjen e Kombeve në dobi të Shqipërisë nis me përpjekjet e tij dhe të bashkëpunëtorëve të vet për anëtarësim, që kishte si pikënisje kërkesën e datës 12 tetor 1920, drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm, Erik Drymond (Eric Drummond). “Qeveria shqiptare, thuhej aty, shprehëse besnike e ndjenjave të të gjithë popullit shqiptar, duke dashur me gjithë shpirt të konsolidojë paqen në Ballkan, kërkon të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe të marrë pjesë në Asamblenë e Madhe që do të mblidhet në Gjenevë 15 nëntorin që vjen.” Për ndjekjen e fatit të saj në strukturat përkatëse të Lidhjes, u caktua një delegacion i përbërë nga Xhorxh Adamidi, Pandeli Cale, Hil Mosi, në krye të të cilit ishte Noli.  Me mbërritjen në Gjenevë, më 12 nëntor 1920, delegacioni nisi menjëherë nga puna, duke dorëzuar në Sekretariat dosjen e dokumenteve.

Objektivi i qeverisë shqiptare, i Nolit dhe bashkëpunëtorëve të tij, që vepronin në Gjenevë, në Paris dhe kanceleritë e tjera të diplomacisë botërore për çështjen e anëtarësisë ishte sensibilizimi i qarqeve më të larta të politikës ndërkombëtare, për organizimin e një lobimi efektiv në dobi të kërkesës shqiptare. Për disa nga veprimet dhe lëvizjet e kryera në qarqet diplomatike të Lidhjes së Kombeve mësohet nga një letër që Noli i dërgonte më 20 nëntor 1920, kryeministrit, Pandeli Evangjelit, ku i tregon takimet dhe bisedat që kishte zhvilluar. “Qasja e Shqipërisë, thuhet aty, u vu në urdhrin e ditës në mbledhjen e Ligës, pasi shkeli këmbë Lord Robert Cecil-i, e disa delegatë deshën t’a hithnin në shporta kërkimin tonë, nga shkaku që kish arrirë në sekretariat pas 15-ës së tetorit. Inglia është indiferente dhe Italia krejt e ftohtë. Franca u ngroh dhe nënqesh që kur ra Venizelosi. Një zyrtar i lartë i sekretariatit dhe mik intim dhe i besuar i Clemencau-it na e bëri punën fushë dhe na tha që nga të dy ndalimet për hyrjen e Shqipërisë në Ligë, Greqia u eleminua krejt dhe Jugosllavia nofta do të mos kundërshtonjë shumë. Senatori Hafa Saine, delegat i Belgjikës, të cilin e njoh që nga Amerika, më tha me një siguri, e cila uronj të jetë aqë e bazuar sa e kujton edhe aij,… Svicra na sheh me sy të mirë,… Spanja dhe republikat latino-amerikane na simpathizojnë… Japonia na bën me sy!”

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes njoftoi anëtarët për kërkesën e qeverisë shqiptare dhe e përfshiu atë në rendin e ditës së Asamblesë, të datës 15 nëntor 1920, që ishte edhe dita e inagurimit të punimeve.

Qëndrimet e mbajtura në diskutimet në organet kompetente të Lidhjes, karakterizoheshin nga prirja për refuzimin e kërkesës për pranim. Ato përfaqësoheshin sidomos nga delegati francez, i cili thoshte se pranimi do të ishte “sfidë kundrejt Fuqive”, nga përfaqësuesi britanik që u shpreh se “Shqipëria nuk është njohur nga Fuqitë”, përfaqësuesit e fqinjëve. Duke interpretuar abuzivisht konceptet e së drejtës ndërkombëtare pretendonin se Traktati i Londrës, i 26 prillit 1915, kishte abroguar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, 1912-1913, që vendosën njohjen e shtetit të pavarur shqiptar, të krijuar më 28 nëntor 1912.

Por, krahas mendimit, le ta quajmë in extremis negativist, ishte evidentuar edhe një qëndrim tjetër, i formuluar dhe mbrojtur nga përfaqësuesit e dy prej dominioneve britanike, Afrikës së Jugut dhe Kanadasë , përkatësisht nga Robert Sesil (Robert Cecil) dhe Njuton Uesli Rouell (Newton Wesley Rouell), të dy anglezë.  Këta personalitete të spikatura në fushën e politikës dhe të doktrinës juridiko-ndërkombëtare i bënë një mbrojtje të shkëlqyer pozitës së Shqipërisë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe në mbarim të saj, duke avancuar argumentime të konsoliduara juridike.

Sesil, jurist dhe politikan i shquar, ishte gjithashtu edhe kryetar i Nën-Komisionit të Dytë për pranimet si dhe Raportues i Posaçëm për Shqipërinë. Fatmirësisht kishte njohuri të mjaftueshme edhe për historinë e shqiptarëve, çka, me sa duket, i dha mundësinë që, gjatë paraqitjes së kërkesës për anëtarësim, të bënte një përshkrim të hollësishëm të rastit të saj. Në ndërhyrjet e herëpashershme në vijim, analizoi efektet juridike të Traktatit të fshehtë të Londrës, 1915, ndaj statusit të Shqipërisë dhe kufijve të saj, të përcaktuar nga vendimet e Konferencës së Londrës.  Me arsyetime shumë bindëse juridike, me elokuencë dhe elegance argumentoi se kërkesa e Shqipërisë përbënte një rast të veçantë. Prandaj ai nuk mund të pajtohej me pretendimin e përfaqësuesit serb, Spalaikoviç, i cili insistonte se lufta e kishte zhdukur shtetin shqiptar që ekzistonte para shpërthimit të saj. Deklaroi se kur një shtet është njohur ndërkombëtarisht, ai nuk mund të zhduket as nga pushtimi prej ushtrive të huaja, as nga rënia e autoritetit të qeverisë, sa kohë që shtetasit e tij ruanin ndërgjegjen kombëtare dhe aspironin për një ekzistencë të pavarur, siç kishte ndodhur me popullin shqiptar. Nëse do të pranohej e kundërta atëhere edhe shumë shtete të tjerë, që kishin qënë për një kohë të gjatë nën pushtimin e huaj e që tashmë ishin anëtarë të Lidhjes, nuk duhet të ishin pranuar. Shqipëria, tha ai, e kishte fituar njohjen ndërkombëtare qysh përpara lufte. Statusin e saj nuk mund ta ndryshonin as pushtimi i territorit nga forcat ndërluftuese, as edhe traktatet e fshehta gjatë luftës ose projektet e ndryshme që u bënë në kuluaret e Konferencës së Paqes… “Traktatet” mbetën në letër, ato nuk u zbatuan asnjëherë, mbetën vetëm propozime, projekte dhe, pra, nuk e prekën pozitën e Shqipërisë si shtet të njohur ndërkombëtarisht.

Në vijim të arsyetimit të mësipërm, Rouell, që e mori fjalën më pas, duke iu referuar doktrinës së të drejtës së traktateve, tha se “nuk mund ta quaj të ligjshme dhe të drejtë që një grup çfarëdo shtetesh të vendosin të ndajnë një shtet tjetër, që është pak a shumë i dobët dhe i pambrojtur, për të cilin madje kanë garantuar edhe neutralitetin”.

Për përfshirjen e dyshes britanike Sesil-Rouell përkrah kërkesës shqiptare një rol të veçantë duhet të ketë luajtur edhe një tjetër britanik, politikani dhe deputeti Obri Herbert (Aubrey Herbert), mik i Shqipërisë dhe i Nolit, i cili i kërkoi që të vinte në Zvicër për të lobuar tek ata.

Deklarimet, referencat juridike dhe argumentimet e Sesilit dhe Rouellit, pasuruan dhe përforcuan arsenalin juridik të arsyetimeve të Nolit dhe delegacionit shqiptar për statusin e Shqipërisë si shtet i pavarur. Ato kishin rëndësi të madhe përsa i përkiste afirmimit të ekzistencës së saj si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, si shtet me status politik e juridik të përcaktuar dhe të njohur ndërkombëtarisht. Noli në fjalën e vet në nënkomision përgënjeshtroi si të pavërteta pretendimet e përfaqësuesve grekë dhe serbë dhe ekspozoi gjerësisht për punën e kryer nga qeveria shqiptare për organizimin e jetës politike, ekonomike, sociale, sistemit gjyqësor, mbrojtjes së vendit, si edhe për çështje të tilla si forma e qeverisjes, sistemi i doganave, problemet e fesë, arsimit etj.

Ballafaqimi i qëndrimeve divergjente të shfaqura në nënkomision mori hera-herës trajtat e një beteje juridiko-ndërkombëtare, me rezultate ekstreme, kundër dhe pro.

Asamblea e rimori në shqyrtim kërkesën shqiptare gjatë seancës së 28-të plenare, më 17 dhjetor 1920, ku Sesil riafirmoi qëndrimin e komisionit të kryesuar prej tij. Ai pohoi se “Shqipëria i ka të gjitha karakteristikat e një shteti”  dhe se Traktati i fshehtë i Londrës, i 26 prillit 1915, nuk i kishte zhveftësuar vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913. Shqipëria nuk e kishte humbur kurrë pozitën e saj si shtet dhe nga pikëpamja juridike, askush nuk ishte i autorizuar të mohonte apo të vinte në dyshim situatën e saj të përcaktuar qartë si një shtet Europian.” Ai i bëri thirrje Asamblesë të zbatonte drejtësinë dhe të drejtën për popullin shqiptar,  territori i të cilit “ndodhet në një pjesë të botës që është vatra e turbullirave për Europën. Asgjë nuk është më thelbësore për paqen europiane se sa një rregullim i çështjes së Ballkanit…” Dhe, sikur të fliste në ditët tona vazhdoi “sa më shumë vonojmë për rregullimin e çështjeve nacionale në Ballkan aq më shumë do të konservohen kërcënimet dhe rreziqet për paqen europiane. Le të më lejohet t’i vë në dukje Asamblesë në mënyrën më të ngutshme që ne, që përfaqësojmë instrumentin e madh të paqes, nuk kemi të drejtë të lejojmë një kërcënim të paqes së botës që të zgjatet qoftë edhe një çast më shumë, për sa kohë që kjo nuk do të ishte absolutisht e nevojshme.”

Lordi Sesil vuri në dukje gjithashtu se Lidhja e Kombeve ka rastin t’i japi një vendi musliman, siç është Shqipëria, po atë rëndësi që ka një shtet kristian. Kush njeh historinë e Shqipërisë, njeh forcën dhe fuqinë e saj patriotike. Sepse populli shqiptar, ashtu si dhe mjaft popuj të tjerë e kanë treguar patriotizmin e vet nëpërmjet luftërave për liri dhe ekzistencë. Patriotizmi shqiptar është po aq i fortë sa ai i zviceranëve apo francezëve. Shqiptarët e dëshirojnë me zjarr pavarësinë e tyre dhe këtë e kanë mbrojtur me luftë.

Oratorë të tjerë që morën fjalën më pas, u bashkuan me propozimin e tij. Pas mbylljes së diskutimeve, kryetari i Asamblesë, Paul Hyman (Paul Louis Adrien Henri Hymans), hapi votimin për kërkesën e anëtarësimit të Shqipërisë. Kishin votuar pro35 shtete, kishin abstenuar 7 dhe asnjë kundër.  Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve.

Pranimi nga Asambleja ishte i papritur, sepse nuk kishin kaluar as dy javë nga votimi i parë në Komision, ku kërkesa shqiptare u rrëzua. Ndryshimi i menjëhershëm i rezultatit, shpjegohet veç të tjerash edhe me përplasjen e interesave rivale të Fuqive të Mëdha. Italia, pasi dështoi në përpjekjet për zbatimin e Traktatit të fshehtë të Londrës, gjykoi të vepronte ndryshe, ofroi përkrahje, sepse e shihte Shqipërinë si sferën e ardhshme të influencës së vet në brigjet përballë dhe si kryeurën e depërtimit në brendësi të gadishullit e më tej.

Britania e Madhe gjithashtu kishte nuhatur erën e naftës dhe të gazit që sapo ishin zbuluar në territorin shqiptar. Ajo parandjente avantazhet e shfrytëzimit të mundshëm të tyre si dhe të pasurive të tjera minerale. Kishte ndërmarrë një varg veprimesh me Tiranën. Por në “arenën” publike të Lidhjes së Kombeve, e gjykoi të udhës të mos shfaqej hapur në rolin e protagonistes. Veproi nëpërmjet përfaqësuesve të dy prej dominioneve, Afrikës së Jugut dhe Kanadasë, duke i vënë në rolin e në mbrojtësve të kandidaturës shqiptare. Kjo nuk e zhvlerëson aspak kontributin dhe meritat e Robert Sesil dhe Njuton Roell, në përkrahje të kërkesës shqiptare.

Do të ishte padrejtësi dhe mosmirënjohje, nëse do të mohohej motivi idealist, aftësitë e admirueshme, kompetenca e jashtëzakonshme profesionale juridike dhe sidomos përkushtimi i tyre i mrekullueshëm. Për të dy, por veçanërisht për Lordin Sesil, fitues i çmimit Nobel për Paqe, homazhi dhe respekti i shqiptarëve duhet të jenë të pakufishme.

Të nesërmen, më 18 dhjetor, delegacioni shqiptar, zuri vend në sallën e Asamblesë së Lidhjes. Noli mund të konsiderohet si ambasadori i parë i Shqipërisë në të parën organizatë ndërkombëtare universale, me karakter politik edhe pse i pa pajisur formalisht me letra kredenciale.

Veprimtaria, qëndrimi, aksionet e ndërmarra prej tij në Gjenevë, në raportet me organet e Lidhjes, me shtetet fqinjë dhe shtetet e tjerë anëtarë, tregojnë vlerat e një diplomati të kultivuar edhe pse nuk kishte as shkollimin dhe as kualifikimin e posaçëm si i tillë.

Le të përmendim si një ndër provat vlerësimet e kortezisë që iu adresonte disa prej shteteve anëtare. Ishte i ndërgjegjshëm se ata meritonin fare pak nga ato që deklaroi, por ishte i vetëdijshëm se falënderimet shërbenin. Këtë e bëri në fjalën që mbajti në seancën plenare të Lidhjes, pas vendimit të pranimit, më 18 dhjetor 1920, ku tha: “Një herë, Edmund Burke thirri në Dhomën e Komuneve: Ej, koha e kalorësisë kaloi! (Alas the age of chivalry is gone!). Kur dje këtu Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve u binda se Burke e kishte gabim. U çudita kur pashë përkrahës nga të katër anët e botës që u ngritën në këmbë, në mbrojtje të asaj fëmije të braktisur e të persekutuar të Evropës, përkrahës nga Afrika e Amerika, nga Azia dhe Evropa, kur pashë fqinjët tanë, si të gjithë fqinjët evropianë, që bujarisht votuan në favorin tonë, ndërsa m’u mbushën sytë me lotë. Ne ishim të dënuar të luftonim e të vuanim në heshtje, po kurrë nuk e humbëm guximin, ne shpresonim për një ditë më të mirë. Dhe tani, po shoh se si kanë ndryshuar punët e njerëzit… sipas mendimit tim, pranimi ynë nderon Lidhjen”. Në vijim iu drejtoi falenderime Lordit Cecil, dhe Rowell, delegateve të tjerë të vendeve miq, delegatëve anglezë dhe franceze, italianë etj. Dhe duke shpërfillur gjithëçka kishte dëgjuar nga goja e përfaqësuesve të fqinjëve kundër vendit të vet, nuk hezitoi të pohonte se sjellja e Greqisë dhe Serbisë preku popullin shqiptar.

Edhe pse nuk kishte asnjë lloj mbështetje nga shërbime të posaçme të protokollit dhe ceremonialit diplomatik, të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e kreu me përsosmëri këtë detyrë.

 

Në aksionin e madh e të gjithanshëm që përfundoi me pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Noli nuk ishte vetëm. Ndjehej pjesë e një plejade njerëzish me ideale të mëdha kombëtare që luftuan aq sa mundën, sipas taktikave dhe strategjisë së përcaktuar në platformën zyrtare të qeverisë shqiptare, ndonëse nuk mund të flitet me gojën plot për ekzistencën e saj. Është e padiskutueshme që midis tyre Noli zinte një vend të veçantë për nga përpjekjet, kontributet personale që ofroi, aftësive dhe dhuntive.

Ai nuk e fshehu asnjëherë se anëtarësimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve ishte në radhë të parë triumfi i një kauze të drejtë të popullit të vet, të personifikuar në luftrat e pareshtura të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, në qëndrimet e tyre shembullore ndaj sigurisë, rendit dhe paqes në rajon si edhe ndaj fqinjëve. Ishte gjithashtu rezultat i përpjekjeve të jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe të bashkëpunëtorëve të tij, për të cilët shprehet me respekt maksimal edhe në një letër drejtuar Hilë Mosit, 23.12.1920. “Në kohën e fitimit, shkruante ai, unë kujtoj gjithmonë shokët e mi, shokët e luftës, të cilët kanë marrë pjesë me të gjithë fuqinë e tyre… Të jini siguruem se ju i kini fituem meritat e atdheut i cili do të jetë mirënjohës për fitimin e bamum në emën të tij, e për të cilin një pjesë e gjanë ju takon edhe juve. Unë po ju bekoj me gjithë zemrën time dhe po ju falënderoj për bashkëveprimin në kohë të misionit historik…” .

I perfshire ne diplomaci nga rrethanat e veçanta te kohes, nga nevoja per t’i sherbyer çeshtjes kombetare shqiptare, por edhe nga deshira, pasioni dhe prirja e tij e gjithanshme, Noli zuri nje vend nderi, plotesisht te merituar si ne analet diplomatike ashtu edhe ne corpusin diplomatik shqiptar te te gjitha kohrave. E ndihmonin ne kete sipermarrje te veshtire formimi, dijet dhe kultura e gjithanshme poliedrike, por edhe njohja perfekte e shume gjuheve te huaja. Te gjitha këto e vendosën atë në faqet e para të kronikave diplomatike të kohës, në vitet 1920-1924, si protogonist, aktor e negociator të shkëlqyer. Anglezi Swire do ta perkufizonte “nje diplomat i perkryer, me dijeni te gjera mbi boten dhe politiken nderkombetare, nje negociator i gatshem dhe i shquar… ”

 

Tiranë, 3 shkurt 2022

 

* Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë si dhe anëtar dhe ish President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave 

Share This Article
3 Comments
  • Ne nuk kemi ende pas 100 vjetesh Diplomate te nivelit Te Nolit dhe Konices.Junta Terroriste e enver hoxhes i masakroi ne plumb,ne burgje dhe interrnime 99% te Inteligjences se shkolluar ne Perendim.
    Noli shpetoi,se nuk erdhi “te kontribuonte”,,nuk e hengri ftesen e enver hoxhes,se do te pesonte fatin e Mirash Ivanait.
    Gjuhet Perendimore,ashtu si kenget perendimore,ishin Armik i Popullit dhe i komunizmit.
    Shqiptaret lkishin te drejte te mesonin vetem gjuhen ruse,.Kush mesonte ndonje gjuhe tjetr,vihej ne perpunim 2B,ose 2A te qilareve te Deges se puneve te brendeshme.
    Ate qe kishin privilegjin te mesonin ne shkolle gjuhet perendimore ishin femijet e Bllokut dhe femijet e funksionareve te larte te sigurimit shtetit.
    Po bijte e llumit te proletariatit,sado kriminele i kishin baballaret,ishin te trashe nga natyra dhe nuk mesuan dot. Sado u privilegjua Sali Berisha ,shpellar me triko leshi,bir i partise ,i vellezerve jugosllave,,prape nuk nmesoi dot te flase rrjedhshem nje gjuhe perendimore.
    Krahasoni fjalimet e Konices ne radion Amerikane,,fjalimet e Nolit ne Lidhjen e Kombeve,me fjalimet anglisht te Berishes ne Parlamentin Evropian,qe gajasen perfaqesuesit e botes se qyteteruar,,disa braktisen sallen me neveri per kete palaco malok,qe shtirrej sikur fliste anglisht..
    Krahasoni italishten e Berrishes ne takimin me Berluskonin,qe na trazoi zorret..
    Perfundimisht,NUK BEHET LLUMI PROLETARIATIT.
    Mor po veri emrin doktorr,profesor,Lyder,kryeminister,,
    shume shume do te behet si kali i Perandorit Kaligula,qe e beri SENATOR.

  • o zavalli demo

    nuk i takon ti kanibal antikomunist asaj pjese te shoqerise shqiptare te shesesh pordhe me Nolin dhe Konicen,jo per gjo por ti u fute ne zgjedhen e malokut viqidolit si shef i shikut te vlores dhe ketej kapesh te gjuha….
    .
    Po te jete per Nolin nese do vinte ne Shqiperi ne kohen e komunistofagut Makarti Noli e kishte pas qafe jo nga Enveri por nga “black list” qe persekutoi ajken e intelektualeve amerikane deri ne Holliwod,Pentagon dhe departamentin e shtetit

    Kqyre cfare i punonte Noli qeverise amerikane te kohes dhe ti thua te bente harakiri te shkonte ne Shqiperi ..

    Citoj nga Noli
    _____________________________

    Po atëhere ç’kuptim kanë dekllaratat e Trumanit?
    Përgjigjja është dhënë nga ata që diç dinë se ç’ngjan prapa perdes.
    .
    Këtu po kopjojmë nja tri si për mostër:
    .
    1. Profkë për të fituar votat e reaksionarëve amerikanë;
    .
    2. Manovrë diplomatike, e cila nis në Greqi dhe në Turqi, po pastaj mbaron kudo gjetkë;

    3. Një meze e vogël për fabrikat amerikane që të bëjnë topa dhe xhephane për evazonët dhe për anadollakët.
    .
    Ka edhe të tjera hipoteza pak a shumë të bazuara dhe llogjike si këto. Po sidoqoftë, asnjë prej këtyre nuk parashikon seriozisht një luftë mithollogjike, e cila kërcet nesër dhe mbaron pasnesër për të plotësuar ëndrrën fantastike të reaksionarëve të botës dhe të ballistëve tanë.( ku ben pjese dhe demuti demo)

    %%

    Persa i perket dipllomacise shqiptare pas clirimit ne boten akademike akoma studjohet cudia shqiptare qe ne 1970 hodhi poshte rezoluten amerikane deri sa vete Xhorxh Bushi ne kete inteviste me poshte pranon turpin…pra superfuqia e botes dhe ti akoma me Malokun Berishe qe ju vuri ne rrjesht ju din-shumet e ketij timin

    JA CFARE I PUNUAN XHORXH BUSHIT NE OKB DIPLLOMATET E SHQIPERISE dhe ju thoni s’kishte dipllomaci atehere…sepse ku akt dipllomatik i Shqiperise karshi Kines u shperblye me miljarda dollare…dhe ketu Enveri beri gabim qe investioi mbi 4 miljard dollare ne elektrifikim dhe beri qe banda e tropjes e Sali Biberishes deri ne 1970 me pishe e kandil si ne mesjete..dolen nga shpella dhe ketu ke nje fare te drejte

    sidoqofte ndiq Bushin Senior ketu poshte qe te ulesh pak sqepin…sidomos kur thote NESE FITON REZOLUTA E DIPLLOMATEVE SHQIPTARE NE OKB ESHTE TURP PER AMERIKEN

    https://m.youtube.com/watch?v=lvmGhmncoXw

    NE VEND TE MBYLLJES

    pash zotin (nese beson te ai) cfare ke bere ti nga kopeja e agallareve te sotem

    qe te mos poshteronin Nolin dhe autoqefaline e tij duke vene kolonel Janullen ??

  • Demo me keto qe shkruan ne komentin tend je shume qesharak (per te mos thene me teper) e tregon se nuk di te lexosh e as te kuptosh historine e Shqiperise e te shqipetareve.
    Pikepamja jote se femijet e punetoreve dhe fshatareve nuk kane intelekt eshte aq arkaike (ide e klasave te kalbura feudale), regresive dhe rraciste sa denohet ne cdo vend demokratik te kohes se sotme. Te ka ngelur ora ne vitin 1940te se kete ide e propagandonin “Baballaret e Kombit” qe bashkepunuan me fashistet dhe nazistet gjermane.

    1. Se pari Fan Noli ishte nje demokrat revolucionar qe e urrente klasen parazite te bejlereve dhe feudaleve. Lezo ketu ca vargje nga vjershat e Nolit:

    Ku e lam’ e ku na mbeti,
    Vaj-vatani e mjer mileti,
    ……..
    Se ç’e shempnë derbederët,
    Mercenarët dhe bejlerët,
    Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
    Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
    ………
    Ngrehuni dhe bjeruni,
    Korini dhe shtypini,
    Katundar’ e punëtorë,
    Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

    Se dyti, ti japim Cezarit ate qe i takon Cezarit. Shqiperia Socialiste (ku E. Hoxha ishte udheheqes, megjithese diktator) e ka ngritur ne piedestal Fan Nolin per punen e tij ne dobi te Shqiperise, si politikan, letrar apo udheheqes fetar.

    Se treti, ne kohen e Partise se Punes, edhe pse ishte shtet totalitar (diktature), aresimimi i popullit ishte arritja me e madhe dhe nga familjet e fshatareve dhe te punetoreve dolen me mijra kuadro te aresimuar (edhe mjaft te shquar) qe zhvilluan kulturen dhe ekonomine e vendit ne te gjitha fushat (industrine e naftes, mineraleve, hidroenergjitikes etj, etj..).

    Se Treti, ne shtetin socialist kishte diplomate mjaft serioze e te zote (qe ishin diplomuar edhe ne perendim) si K. Ylli, H. Budo, B. Shtylla, J. Malo etj. Keta diplomate mbrojten me patriotizem dhe dinjitet te drejtat e Shqiperise ne Konferencen e Paqes ne Paris, ne OKB dhe ne gjithe forumet e njohura nderkombetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *