Noli pro-otoman dhe Konica dumbabist?!

anazapta

A është e mundur që një kolos i ortodoksizmës shqiptare dhe jo vetëm, e mbi të gjitha një njeri me një formim kulturor ekstra-perëndimor për kohën, të ketë qenë i molepsur nga madhështia e pushteti i Portës së Lartë?! E kur pa, kur dukej se i sëmuri i Bosforit po përpëlitej në grahmat e fundit të mbijetesës?! Po, ka ndodhur dhe jo thjesht për shkak të një temparamenti me kontraste të tij, siç ka vuajtur gjithnjë raca e të mëdhenjve. Po dhe Konica në anën tjetër, të ketë qenë dhe ai një “dumbabist”, një emërtesë që të çon ndërmend turma të ekzaltuara fshatarake me brekushe, që ju prin në krye vetë Haxhi Qamili? Po, dhe kjo ka ndodhur, por jo aq trashësisht sa mund të mendojë dikush. Dhe ky është një leksion për të gjithë ata që edhe pas 23 vjetësh pikëtakim me mendimin alternativ historiografik, me një morri tekstesh, autorësh e qasjesh, nuk kanë mundur të kapërcejnë kufirin ideologjik të Komunizmit, për të dalë matanë, në hapësirat e pafundme të shanseve për ta risjellë historibërjen në binarët e duhur, më s`paku për të ndarë mitin nga realiteti, me një mit që kishte bërë kërdinë në kurriz të së vërtetave. Në një shkrim të tijin të botuar në një nga numrat e fundit të revistës Java, historiani i njohur, prof. Gazmend Shpuza, sjell një panoramë të një prej situatave më delikate që kanë kaluar shqiptarët përgjatë historisë së ekzistencës si komb, atë mes viteve 1908 – 1912, kur teksa Perandoria Otomane po shkërmoqej, e ku “kurban” i kësaj situate dukej se po bëhej elementi shqiptar, duke u shqyer prej sllavo-grekërve në krejt “tulet etnike” të trupit. Në këtë situatë të pazakontë, natyrshëm që do ishin të pazakonta dhe disa qëndrime burrash, të gjendur në alternativën e zgjedhjes së të keqes më të vogël përballë të më të madhes, e përkthyer ndoshta dhe si e mirë përballë së keqes. Sipas prof. Shpuzës, ishte një situatë ku shqiptarët  në përpjekje për t`u shkëputur nga turku (pra nga shiu), shkojnë e bijnë viktimë e sllavit (në breshër), ç`ka më pas vijnë çuditë e njëpasnjëshme, siç një meshë e Nolit, ku kleriku i madh zgjedh më mirë t`i bëjë hosonara sulltanit se sa të shohë bashkatdhetarët nën thundrën e sllavëve. Konkretisht, ja ç`shkruan prof. Shpuza në trajtesën e tij:

“Sapo filloi lufta e Parë Ballkanike, ai mban një meshë në Kishën e tij, në Boston. Karakterin e krishterë të saj, edhe pse lindor, nuk ma merr mendja se do ta marr kush mundimin prej nesh për ta vënë në dyshim. Në këtë ceremoni solemne fetare peshkop Fan Noli i uron jetë të gjatë sulltan Mehmet Rreshatit të pestë, që ishte njëkohësisht dhe khalif i të gjithë myslimanëve të botës. Ai lutej për fitoren e armëve të ushtrisë osmane: Zot i drejtë, fali mundje (fuqi), të shkëlqyer perandorisë dhe ushtrisë sonë, që lëfton në kufiret kundër armiqve dhe jetë të gjatë e të lumtur perandorit tonë, – lutet i përndritshmi At Fan Stilian Noli, për sulltanin khalif Mehmet Rreshatin e V – që të mund ta shohim Shqipërinë ashtu si dëshirojmë!”

Edhe në çështjen tjetër të mprehtë, atë të një princi të huaj në krye të Shqipërisë, nuk ka qenë e vërtetë se ai, e konkretisht Vilhem Vidi, kishte për kundërshtarë myslimanët, apo thënë në shkoqur, haxhiqamilistët. Sipas prof. Shpuzës, princ Vidi, ky kristian, nuk dëshirohej as nga klerikët katolikë të veriut, të cilët ishin për një mysliman, për Fuadin e Egjiptit. Dhe me pas, jepet pozicioni i Faik Konicës në këtë situatë:

“Por dhe ‘beu kristian’ Faik Konica, pak kohë pasi u kishtë bërë thirrje delegatëve të Kuvendit të Vlorës që të mos gabonin të kërkonin princ mysliman, mbështeti kandidatin më të fuqishëm mysliman brenda vendit për fronin e Shqipërisë, Esad Pashë Toptanin. Ai hartoi dhe programin e tij për ta sjellë atë në pushtet duke rrëzuar Ismail Qemalin. Siç shihet, ‘dumbabistët’ më të parë  dhe më të fuqishëm rezulton se kanë qenë, pa dallim feje e krahine, Esad pasha me ‘komisar’ Faik beun, e përkrah tyre dhe priftërinjtë katolikë, me Preng Bib Dodë pashën e bajraktarë të tjerë pa përjashtuar mitropolitë ortodokse”.

Siç shprehet prof. Shpuza, nuk është e drejtë që për një të tillë “gjynah” të fajësohen vetëm ca katundarë me në krye Haxhi Qamilin. E.H

Share This Article
3 Comments
  • Autori shkruan si tek perralla e dhelpres me rrushin lart ne peme qe ajo nuk e arrinte dot ta grabiste; dhe tha “rrushi nuk ben”.

  • Pune e pare,kisha e Bostonit Amerikanet e quajne kishe Russe?!
    Edhe pse Noli ligjeroj ne OKB per ti bere atdhetaret e tij me nje emer te nje nacioni te ri,perseri nuk ju hiqet nga mendja jo vetem Amerikanve por edhe sllaveve te tjere ne Amerike e ne bote,qe ky nacion i ri per Nolin ish vetem nje pik sheri ne ballkan,nga Austro-hungarezet,qe kerkonin me cdo kusht skllaverimin e Ketij nacioni,ku dominonte Islami tashme te kthyer ne Shqiptare mbas 1912 kur ish frika e Serbise e Greqise ne keto vite te luftes ndaj Turqise!
    Konica dallohej per nje Oriental modern njelloj si Ataturku dhe njeri i civilizuar nga shum e shum Orientale te tjere qe nuk dinin te dallonin qytetarin e krishterimit Shqiptar!
    Ky dhe Noli nderojn gjith Krishterimin dhe Orientalizmin Shqiptar kudo ne bote per civilizim e harmoni mes komuniteteve!!
    Noli gjithnje i mprehte ne mardhenjet mes Orientalizmit,luajti rolin e nje dipllomati,qe nuk mundet ta luaje kushdo sot e dije, ne sindromat e nje nacionalizmi per pushtet e egjemoni te luajtur nga aktore si daja i Ahmet Zagollit Essad Pasha nje pinjoll i Turkut e i Serbit per pushtet e per Para se ai i njifte mire ne ate kohe, se si mund te luaje poker, per kapital ne te dyja krahet,njeher si Patriot e njeher si kopil i Turqise!

  • me duket nje budallallek me brire kjo qe keni anoncuar. E para, Noli nuk ishte komunist, Noli ishte demokrat liberal, ndersa per Konicen, besoj se nuk ka pene qe t’u kete dhene dermen turkoshakeve…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *