Ne mund të analizojmë Edi Ramën dhe Partinë Socialiste dhe të ankohemi dhe shqetësohemi për plot gjëra. Mund të analizojmë Ilir Metën dhe LSI dhe të argumentojmë se këta nuk i përkasin botës së politikës por asaj të biznesit. Mund të analizojmë Bamir Topin dhe Kreshnik Spahiun dhe të debatojmë se partitë e tyre janë thjesht metastaza të partisë mëmë. Mund të analizojmë dhe të mbërrijmë në përfundimin se të gjithë po rendin të jargosur drejt kockës së pushtetit, etj. Ne mund të qëndrojmë gjithë kohën duke analizuar çdo parti dhe politikan, të majtë apo të djathtë, dhe të gjejmë në ta/to plot të meta e gabime, të vogla dhe të mëdhaja. Por nuk besoj se do mund të ketë një mëndje të shëndoshë që të mos kuptojë se fenomeni Sali Berisha është burimi i gjithë të këqijave në politikën shqiptare. Më kuptoni drejt se kur them Sali Berisha, unë nuk i referohem shtetasit apo mesazherit Sali Ram Berisha. Me Sali Berisha unë i referohem të gjithë fenomeneve të këqija dhe të poshtërta që janë të mishëruara tek ky emër.
Së pari, emri Sali Berisha është i lidhur ngushtë më imoralitetin (jo “amoralitetin”) politik që ka përfshirë politikën shqiptare nga të gjitha anët dhe krahët. Ky imoralitet në disa raste ka kërcënuar interesat dhe sovranitetin territorial shqiptarë sic ishin rastet e furnizimit me naftë i makinës vrasëse të Millosevicit, mosnënshkrimi i marrëveshjes së Rambujesë, dhe nënshkrimi i Paktit Detar me Greqinë. Parë nga ky aspekt, emri Sali Berisha përfaqëson sot atë pjesë të imoralitetit që lidhet ngushtë me pabesinë, pseudopatriotizmin, dhe tradhtinë. Nuk ka rëndësi ku “shitesh”, tek Greku, Turku, apo Serbi, sot duket sikur të flasësh dhe veprosh hapur kundër interesave të Shqipërisë është e justifikuar nëse bëhet për arsye të pushtetit. E keni vënë re se edhe kur kjo gjë ndodh hapur, populli dhe elektorati ndahet në dysh bazuar në identitetin partiak dhe jo atë kombëtar? Normalisht që ndodh kështu pasi fenomeni Berisha e ka zëvendësuar morali kombëtar/patriotik me imoralitetin politik ku babëzia për pushtet nuk njeh limite.
Emri Sali Berisha është gjithashtu i lidhur ngushtë me atë formë imoraliteti që rëndom quhet “Xhuvelizëm”. Kalimi i beftë i Lufter Xhuvelit nga krahu i majtë politikë në atë të djathtë i hapi rrugë një imoraliteti pervers që nuk njeh të ndalur edhe sot. Por nëse mendoni se Lufter Xhuveli në 2005-ën apo Ilir Meta në 2009 (apo Kastriot Islami dhe të gjithë ata deputetë, majtas e djathtas, që janë shitur e blerë) kanë qenë apo janë protagonistët politikë, ju them se gaboheni. Ata janë thjesht viktima të fenomenit Sali Berisha, individë të shndërruar nga politikanë në dordolecë politikë të cilët shëtisin nga një arë në tjetrën. Ky fenomen i shëmtuar e ka bërë politikën të duket po aq e pështirë sa edhe vet fenomeni. Sot populli dhe elektorati i çdo spektri politik dhe ideologjik e shikojnë politikën shqiptare si një entitet politik ku moraliteti që e vendos politikën në funksion të interesave të shoqërisë i ka lënë vend imoralitetit që e vendos politikën në shërbim të individëve dhe klaneve të babëzisë dhe perversitetit.
Bastardizimi i politikës për arsye të marrjes apo mbajtjes së pushtetit është një rrjedhojë tjetër e fenomenit Berisha. Ky bastardizim ka shkatërruar jo vetëm moralin politik, por ai ka shkatërruar edhe respektin minimal që dikush ka për jetën e njeriut. Në vitin 1997, vetëm për hir të mbajtjes së pushtetit, Sali Berisha i hapi rrugë vrasjes së mijëra shqiptarëve dhe shkatërrimit të shtetit. Po ashtu, në vitin 1998, Sali Berisha dirigjoi një kryengritje të armatosur e cila falë largimit të Fatos Nanos përfundoi me pasoja minimale. Pak rëndësi kishin për Berishën jetët e njerëzve; mjaftonte që ai të rikthehej në pushtet. Fenomeni kafshëror Berisha doli në pah edhe gjatë grevës së urisë së opozitës edhe pas asaj të ish të përndjekurve kur Berisha ishte i gatshëm t’i linte ata të vdisnin vetëm e vetëm që pushteti i tij të mos prekej. Kulmi i kafshërisë së fenomenit Berisha erdhi kur në 21 janar 2011, forcat qeveritare ekzekutuan katër demonstrues të pafajshëm opozitarë. Për të mos mjaftuar kjo, Berisha deklaroi se edhe më shumë mund dhe duhet të ishin vrarë nëse kërcënonin pushtetin e tij. Bile, opozitën Berisha e kërcënoi se do ia bënte si në 21 janar nëse do të protestonte përsëri kundër pushtetit. Tani imagjinojeni ju se sa vlerë ka jetë e një njeriu për karrigen e Sali Berishës. Kafshëria nuk ka ngahera brirë. Ajo flet përmes veprimeve të saj! Nëse rrëmbehemi nga fenomeni Berisha, të gjithë një ditë mund të shndërrohemi në kafshë me dy këmbë.
Me pak fjalë, Sali Berisha nuk është thjesht një individ në politikën shqiptare. Ai është një fenomen grotesk nga i cili burojnë shumë të këqija në politikën shqiptare. Fenomeni Berisha e ka shndërruar politikën shqiptare në një kënetë të qelbur ku respekti dhe nderimi për vendin dhe kombin, për vlerat humane, moralin, madje edhe jetën e njeriut është shndërruar në një babëzi dhe perversitet për pushtetin. Parë nga ky aspekt, kushdo që futet në këtë kënetë të qelbur, pavarësisht ideve të dlirta dhe zëmrës së bardhë për një Shqipëri më të mirë, do të mbajë sadopak nga kjo erë e qelbur. Unë besoj se për të gjithë ne ka ardhur koha që të fillojmë një proces pastrimi, me aq sa të mundemi.
Dhe unë besoj se ky proces duhet të fillojë me largimin e Sali Berishës si “nona” e gjithë të këqijave në politikën shqiptare. Por mos harroni se largimi i Berishës është vetëm fillimi, fillimi i fundit të fenomenit Berisha nëse ne si shoqëri do të jemi të aftë të shërohemi dhe mbijetojmë. Në të kundërt ne do të kemi fytyra të ndryshme por me të njëjtin emër dhe përmbajtje.
Dakort i nderuar,por zgjidhja kush eshte?Une nuk shoh asnje drite ne tunelin e pa fund.Edhe te rinjte e sapo futur ne politike i imitojne udheheqesity e tyre ne,fjalor,shprehje, mimike e deri ne ngjyren e brekeve.Ketu do ndalur e askund tjeter.Tek qerimi i kesaj klase politike,Por edhe ketu lind serisht pyetja kush do ta beje e si do ta beje.Ndaj i pa shprese mendoj se ka ardhur koha qe te besojme ata loqet e Jahovait per te bere vetvrasjet kolektive.