Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli sot normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje duke e çuar atë në një minimum të ri historik prej 3.75%. Guvernatori Ardian Fullani tha se me anë të kësaj lëvizjeje Banka Qendrore synon të nxisë konsumin dhe investimet përmes lehtësimit të kreditimit.
Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjysmën e dytë të vitit ekonomia shqiptare ka përmirësuar ritmet e rritjes. Megjithatë, kjo rimëkëmbje e pjesshme nuk e ka ndryshuar qëndrimin pasiv të individëve dhe kujdesin e shtuar të sektorit bankar në financim.
Vendimi i sotëm për uljen e normës bazë besohet se ka ardhur pas një presioni të shtuar mbi Bankën e Shqipërisë nga ekspertët dhe grupet e interesit për lehtësim të mëtejshëm të kushteve monetare. Guvernatori bëri të qartë se përcjellja e kësaj uljeje të re të normës bazë në interesat e kredive bankare do të përcaktohet shumë edhe nga kërkesa e qeverisë për financim në tregun e brendshëm. Zoti Fullani bëri edhe njëherë thirrje për huamarrje të përmbajtur dhe ruajtje të borxhit publik të vlera sa më të ulëta./scan