Nga Gianni Riotta
Moska dhe Uashingtoni nuk i shembën kurrë të gjitha barrikadat mes tyre. Në kulmin e Luftës së Ftohtë presidenti rus Krushov hoqi raketat nga Kuba dhe në këmbim, Kennedy largoi raketat “Jupiter” nga Turqia e Italia. Liderët instaluan “telefonin e kuq” për të shmangur dimrin bërthamor. Me Putinin asnjë “Smartphone i kuq”, shefi aktual i Kremlinit refuzon të ketë një raport të pjekur me Obamën
“Jam zhgënjyer që Rusia i ofroi azil politik Edward Snowden-it, ish-agjentit që bëri publik dosjet sekrete të NSA-së”, deklarata e Obamës kumbon njësoj si në frontin e paralajmërimeve gjatë Luftës së Ftohtë, kur lideri sovjetik Nikita Krushov kërcënonte SHBA-në dhe Evropën: “Do t’ju groposim… do t’ju shtypim testikujt”. Dhe nuk mungoi përgjigja e presidentit të ri amerikan, John Kennedy, në samitin e Vjenës, në vitin 1961: “Atëherë zoti president do të ketë luftë, një dimër të gjatë dhe të ftohtë”.
Nëse nuk jemi në stinën e dhunës verbale midis Moskës dhe Uashingtonit, një gjë është e sigurt: që nga rënia e Murit të Berlinit, në vitim 1989 e deri më sot, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk kanë qenë kurrë kaq larg njëra-tjetrës, me interesa e vizione të kundërta dhe asnjë dëshirë për të shoshitur mosmarrëveshjet, përkundrazi bie në sy dëshira për të ngritur tonet, tani për tani vetëm në propagandë.
Takimi bilateral midis presidentit amerikan dhe atij rus i planifikuar në Shën Petersburg pas G20-s, nuk do të mbahet nga “inati” i Shtëpisë së Bardhë, edhe durimi i Obamës ka një kufi. Ai e dinte që lideri rus, pas farsës së lejimit të Snowden-it në aeroportin moskovit, do t’i jepte azil. Ish-analisti i spiunazhit amerikan ka dosje të tëra sekrete që i interesojnë Kremlinit dhe Putini nuk mund të humbte rastin për të poshtëruar presidentin amerikan.
Karaktere të kundërta: populist, agresiv, makiavelik Putini dhe një njeri që shqetësohet për imazhin e tij e sigurohet të ketë gjithnjë nga vetja të drejtën e virtytin Obama.
Interesa të kundërta. Putini nuk dëshiron të humbë portin e fundit në Mesdhe dhe nuk heq dorë as nga vasali i tij, Bashar al-Assad, ndërkohë që Obama shpreson në rënien e regjimit sirian. Presidenti amerikan i merr Gjykatës së Lartë dritën jeshile për martesat gei, ndërsa Putini kur ulet çmimi i naftës, ‘pincat’ me të cilat mban pushtetin i përdor për t’u kapur me komunitetin homoseksual dhe artistët (si në rastin e grupit muzikor “Pussy Riot”), me shpresën se konservatorët ortodoksë do ta ‘duartrokasin’.
Me t’u vendosur në Shtëpinë e Bardhë, Obama dërgoi sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, te ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, me një dhuratë: një buton i kuq dhe i verdhë në të cilin shkruhej “Reset”, që në gjuhën kompjuterike siglon zerimin e të gjitha problemeve midis dy vendeve dhe rinisjen me raportin e besimit të ndërsjelltë. Iluzioni tipik i Obamës, që si me botën islamike besonte se këto vende nuk kishin ndonjë problem me Shtetet e Bashkuara, por me paraardhësin e tij, George W. Bush.
Dinaku Lavrov, i shpjegoi Hillary-t se në rusisht fjala “Reset” ishte përkthyer nga disa funksionarë të shtetit me fjalën «Peregruzka», e cila nuk do të thotë aspak “zerim” apo “rifillim”, por të kundërtën “stresim”, “mbingarkesë”. Kushdo që e bëri gabimin gjuhësor rezultoi se kishte të drejtë politike, sot marrëdhëniet SHBA-Rusi janë “të stresuara” dhe “të mbingarkuara” me keqkuptime.
Kur Snowden u fsheh në Hong Kong, duke shpresuar në mbrojtjen e Kinës, autoritetet e Pekinit i bënë të ditur se nuk ishte i mirëpritur atje. Shumë çështje e ndajnë Kinën nga Shtetet e Bashkuara të dyja në luftë për supermacinë e planetit, por mesa duket lideri Xi Jinping është i vetëdijshëm se nuk është momenti për të vënë në rrezik paqen dhe zhvillimin e pakompletuar të vendit të tij. Në të kundërt, gjestet zhurmëmëdha të liderit rus ndezin vetëm bazën nacionaliste. Një populli që ka pak arsye për të gëzuar, Putini i ofron me cinizëm fyerjet modeste ndaj presidentit amerikan./ D.Gjuzi