SKËNDERBEU
SHEHI 6 – Nuk kishte shumë punë në ndeshjen e djeshme, megjithatë i dha siguri skuadrës në prapavijë në ato pak momente që iu kërkua. Mbetet pikët e fortë në ekip.
VANGJELI 8 – I pakalueshëm në krah, duke fituar çdo duel në mesfushë, madje driblon herë pas here me lehtësi Kotobellin. Zhvendoset mirë në qendër, prej nga jep asistin e golit për Soue.
RADAS 6.5 – Mbulon mjaft mirë Çanin, duke mos i dhënë hapësirë të rrezikojë portën e tij, por ndihmon skuadrën edhe në fazën e sulmit me vertikalizime të rrezikshme.
ALITI 5 – Gjysmë note e fiton për triumfin e skuadrës. E ka shumë të vështirë të zëvendësojë Jashanicën në qendër të mbrojtjes. Bën gabime në pasime, ndoshta edhe për shkak të emocioneve.
MICI 7 – Është një motor në krahun e majtë dhe vendos në vështirësi Ibrahimin. Është prezent në aksionet sulmuese, madje fiton edhe 11-metërsh.
NIMAGA 6.5 – Ka një detyrë të vështirë në mesfushë, ku përballet me Bathën, por ia del të shkatërrojë sulmet e kundërshtarit. Punon shumë për shokët e skuadrës.
LILAJ 7.5 – Është truri i aksioneve të Skënderbeut. Çdo aksion sulmues nis nga këmbët e tij. Lufton shumë në mesfushë dhe kthen në gol 11-metërshin e fituar nga Mici.
GAVAZAJ 6 – Nuk ka mundësi të tregojë të gjithë klasin e tij, por meriton komplimente për aq sa ishte në fushë. (TAKU 79′ – pa notë).
MUZAKA 6.5 – Gjen hapësira në krah dhe në qendër, duke u lidhur mirë me Xhejmsin, madje tenton të shënojë duke goditur edhe portën. (DITA 74′ – pa notë).
XHEJMS 6.5 – Është i tensionuar në start, por më pas bën gjithçka mirë. I rrezikshëm në krah dhe në qendër. Godet shtyllën dhe nëse do të shënonte, do të mbyllte një mbrëmje perfekte.
SOUE 7.5 – Shumë i fortë në sulm, por në pjesën e parë mbulohet rreptë nga Atanda dhe Krasniqi. Megjithatë godet shtyllën dhe gjen golin e parë në kampionat, pas asistit të Vangjelit.
ILIR DAJA 7 – Arrin të menaxhojë më së miri një skuadër mes ndeshjeve të Superiores dhe Europës. Ekipi i tij triumfon pa shumë vështirësi ndaj një rivali për titull si në aspektin e lojës, ashtu edhe në atë psikologjik.
PARTIZANI

HOXHA 5 – Bën disa pritje të bukura, por nuk e ka më atë grintën e mëparshme, kur mbante shiritin e kapitenit në krah. I pandihmuar nga mbrojtja pëson golin e parë, ndërsa tek i dyti nuk ka përgjegjësi.
IBRAHIMI 4 – Gabon shumë në krahun e djathtë dhe lë shumë hapësira mbrapa në momentin që del në ndihmë të sulmit. Në disa raste prish punë, duke penguar edhe shokët e skuadrës.
KRASNIQI 4.5 – Bën pjesë të parë shumë të mirë, por çedon në të dytën. Në momentin e golit të shënuar nga Soue, nuk tregohet i vëmendshëm për të mbyllur aksionin.
ATANDA 4.5 – I vendosur mirë, arrin të përballojë për shumë minuta sulmet e korçarëve, por me një skuadër që fut “ujë”, në pjesën e dytë duket sikur dorëzohet.
KOTOBELLI 4 – E ka të vështirë të përballojë presionin e një ndeshjeje të madhe. Nuk ka shpejtësi në veprimet sulmuese dhe i ngathët në ato mbrojtëse. Sfidë për t’u harruar.
BATHA 4.5 – Shiriti i ka shtuar përgjegjësinë dhe mesfushori nuk është parë aspak i qetë. Megjithatë është i vetmi që bën presion në momentin që kundërshtari ka topin.
ADORJAN 4 – I mungon grinta dhe duket se ende nuk e ka njohur presionin e Superiores. Ka mundësi të shënojë, por përballë Shehit gjuan keq. (VILA 4.5 – Aktivizohet në 64′. Mundohet të krijojë volum, por e ka të vështirë përballë një kundërshtari që është i vendosur mirë).
LA KAMERA 4 – Nuk bën asgjë më shumë veçse shëtit fanellën në fushë. I mungon freskia në veprime, por gjithashtu nuk respekton detyrat e pozicionit të tij. (BARDHI 4 – Aktivizohet në minutën e 70-të. Nuk pason dhe mendon më shumë për të dhuruar spektakël).
PROGNI 4.5 – E ka të vështirë të krijojë hapësira në krah, megjithatë koordinohet në pak raste me Çanin. Nuk krijon rrezik për portën e Shehit.
TRASHI 4 – Asnjë shenjë pozitive për mesfushorin e krahut. Ka qëndruar totalisht në hije gjatë gjithë ndeshjes, duke mos treguar asgjë nga forma e tij.
ÇANI 4 – Ndeshje pas ndeshjeje sulmuesi po zhgënjen me formën e tij. Mbulohet lehtësisht nga mbrojtësit korçarë dhe nuk gjuan asnjëherë në portën kundërshtare. (SUKAJ 4.5 – Futet në fushë në minutën e 64-t dhe krijon volum loje në sulm, por pa arritur të shënojë).
MARK IULIANO 4 – Partizani i tij nuk bind. Lojë e dobët dhe pa ritëm, duke mos e vënë në asnjë moment në vështirësi kundërshtarin.
