Një Botëror pa njollë, totalisht i pastër nga dopingu e bën edhe më të bukur atmosferën festive në Brazil. FIFA konfirmoi se nga të gjitha testet e kryera gjatë kampionatit si pjesë e programit antidoping, asnjë lojtar nuk ka rezultuar pozitiv. Personi përgjegjës i institucionit për këtë mision, Jiri Dvorak tha se nuk ka patur asgjë të dyshimtë në kontrollet e të gjitha takimeve deri në fazën çerekfinale.
736 futbollistë kanë dhënë mostra gjaku përpara fillimit të Botërorit për plotësimin e pasaportave biologjike individuale, ndërsa kontrollet janë realizuar nën efektin surprizë pas çdo takimi tek dy lojtarë nga çdo ekip përfaqësues. Testet dhe përgjigjet e tyre janë marrë më pas nga laboratori i specializuar në Lausanne të Zvicrës, pasi Agjencia Botërore Antidoping i hoqi kreditimin laboratorit të Rio de Janeiros vitin e shkuar. Që prej dopingut të bujshëm të legjendës Diego Maradona në Kupën e Botës 1994, edicionet në vazhdim nuk janë njollosur nga asnjë lojtar i vetëm në këto 20 vjet. Gjithsesi një raport përfundimtar dhe më i detajuar për luftën kundër substancave të ndaluara në Botërorin e Brazilit pritet nga FIFA në javët e ardhshme.
