(Mbi novelën “Net pa mbarim”, të Ramadan Brakaj).
Novela “Net pa mbarim”, me autor Ramadan Brakajn, është shkruar nga ai me një frymë. Pa ndalim. Me penën ngjyer në bojën zëmërpërvëlim. Shpërfaqur në 190 faqe. Strukturuar në 10 pjesë. Zanafillon dhe mbaron me personazhe që ushqehen ditën e jetojnë natën. Errësira është drita e tyre. Se kështu ngjet më lakuriqët e natës. Njëlloj edhe me njerëzit e natës. Drita dhe dielli u vret sytë atyre. Nëpër natë ata jetojnë. Dallojnë. Fluturojnë. Kërkojnë. Kurthojnë. Helmojnë. Me ujqërit ngjajnë. Përlajnë. Të tillë janë drejtori, avokati, Pipinoja, gjykatësi, prokurori. Ata ulen e ngrihen si grerëzat në të njëjtat vende. Tek lokalet “Fati” dhe ‘Era”. Shenjestra e tyre janë njerëzit e thjeshtë, si zogjtë për gjarpërin. Është Jani Janollari me Arsin, një çift që sapo ka nisur të ndërtojnë çerdhen e ardhmërisë së tyre. Por është koha, kur oktapodi-korrupsion ka shtrirë gjithandej tentakulat e tij. Joshen fillimisht me diplomat falco, të cilat “…u kanë ndryshuar jetën shumë njerëzve”. Drejtori në pension i di mirë shtigjet dhe “ligjet”. Punëtori Jani dhe sanitarja Arsi, bjenë shpejt në grepin e drejtorit. Në defterin e avokatit. Të lugatit. Shishja thyhet dhe vaji përhapet deri në hetuesi, prokurori e gjykatë. Në ahuzin, që hapën vetë, tani po mbyten të dy. Uji nga gjunjët, kaloi deri tek hundët. Ata, të pamësuar me këtë lloj noti, bjen e gati mbyten në atë çorbë të padijes dhe të naivitetit të tyre. Janë gati të paguajnë shuma të mëdha, jo në lekë, por në euro, vetëm që të shpëtojnë lëkurën. Diplomat i harruan. Subjekti novelistic i thyen konturet e zhanrit. Ai merr dimensione të flakshme. Gati të gjakshme. Dramatike. Para lexuesit s’kemi më dy personazhe rutinë-letrarë. Kemi dy aktorë-viktima gati për t’u vrarë. Drama ka nisur. Koflikti artistik, i realizuar me art, i ngjan një skene teatri të vërtetë. Si në jetë. Në shoqëri. Kjo po ndodh tek ne, në Shqipëri.
Një teatër absurd luhet në kurriz të jetës së ndershme. Në kurriz të njerëzve të thjeshtë. Ndaj novela përshkruhet nga një realizëm jo i zakonshëm, por absurd, diktuar nga kjo jetë e pakuptimtë, që më tepër i ngjan një teatri absurd. Sepse njerëzit punojnë. Jetojnë me sakrifica mbinjerëzore, por varfëria u rri pezull mbi kokë. Ndërsa politikanë-rrufjanë, drejtorë-hajdutë, avokatë, hetues, prokurorë e gjykatës të pangopur bëjnë ligjin de jure, ndërsa natën, de fakto, e “zbatojnë” atë. Aktorë të padukshëm. Njerëz të natës e të korruptuar deri në palcë. Mbi varfërinë e shumicës dhe tejskajshmërisë së jetës minimale të tyre. Zhvasin e vrasin. Paradoksi nxjerr krye. Për këtë gjë e sollëm demokracinë? Ky është shteti ligjor? ***
Ramadan Brakaj, autori i disa librave me emër në të tri gjinitë e letërsisë sonë, ka ditur me energji fantazuese dhe art krijues të kompozojë strukturisht edhe në këtë novelë. Të zhvillojë fantazisht. Të shkruajë figurativisht. Të stërthurë deri në unifikim elementet e prozës rrjedhëse me atë të stigmatizimit e të dialogut të shkurtër e të prerë si elementë të dramës dhe të teatrit skenik. Gati-gati novela është një libret i gatshëm për dramë, një skenar i gatshëm për film. Këta element të krijimit dhe të gjinisë letrare, bëhen edhe më të dukshëm nga kundrabedali mendimor që frymon tërë rrjedhën e veprimit në novelë. Në këtë gjithëklimësi të të shkruarit, humori vjen e shkon. Djeg e përvëlon. Çpon e shëron. Qesh e përqesh. Ky sens humori i jep novelës natyrshmëri, stil dhe elegancë. Ai parfumos syprinën e tërë veprës duke e bërë atë sa më tërheqëse e të këndshme. Nga policia, avokati, gjyqësori, kjo është trinia mëkatare e këtij sistemi ”demokratik”. Kjo është kupola vrastare. Maja e korrupsionit. E timonit…Midis kësaj tallazie-babëzie, autorit, që i dhimbset njeriu i thjeshtë, njeriu-pre i këtij korrupsioni, gjen ndonjë moment për të bërë humor dhe si të thuash, për t’i qetësuar disi pagët e dhimbshme të tyre.
Përshkrimin, tek kjo novelë e bën më të besueshëm rrafshi kohor-zhvillimor. Aktualitetin e bën më prezent, kolori bashkëditor si lotaria amerikane, shtëpitë me qera, blerja e diplomave, pagesat për çdo gjë, sekserët për dokumenta false e tj. Këtyre arritjeve u vijnë në ndihmë përdorimi I figurave të gjetura letrare si metafora, përshkrimi, epitetet, krahasimet, inversionet deri tek ironia e sarkazma therrëse-shkatërruese. Ky është absurdi i absurdit. Fundi i fundit. Një novelë letrare me tone të forta stigmatizuese dhe denigruese. Një mesazh i madh për këdo: Duro! Qendro! Lufto! Fito! Jeto!”.
Mihal Lili Krimçe
