Interesat e kredisë zbresin në nivele minimale historike

Bledar Lumani

Bizneset dhe individët kanë pasur mundësi që të merrnin në muajin tetor kredi në lekë me interesat më të lira në 20 vitet e fundit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e kredisë për të gjithë afatet e maturimit, për huatë e reja që janë dhënë në muajin tetor ishte 7.66%, duke zbritur gati me 1 pikë përqindjeje në raport me një muaj më parë.

Interesat kanë shënuar rënie për të gjithë maturitetet, por më e fortë ka qenë për huatë deri në 6 muaj, që janë ulur me 1.5 pikë përqindjeje në 7.86%, raporton revista për ekonominë, Monitor.

Kreditë 1 deri në 3 vjet janë reduktuar me 1.1 pikë përqindjeje në 10.47% në tetor, në raport me një muaj më parë.

Edhe huatë që jepen me afat kthimi deri në një vit janë ulur me rreth 0.8 pikë përqindjeje në 6.8%.

Tre vitet e fundit, në përpjekje për të nxitur ekonominë, Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë agresive monetare, me synim uljen e kostos së parasë, veprime që janë reflektuar e një fare vonese në treg. Nga shtatori i vitit 2011, norma bazë është ulur 13 herë, nga 5.25% në 2.25% aktualisht. Në krahasim me shtatorin e vitit 2011, interesi mesatar i kredisë ka rënë me 3.7 pikë përqindjeje (nga 11.39% në 7.66% në tetor).

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *