Nuk bëhen pazare me Heronjtë e Popullit, Kryetar i Bashkisë!

redaktor

E dashur DITA! I drejtohemi gazetës tuaj me këtë letër sepse jeni gazeta që lexohet më shumë në qytetin tonë. Por dhe që ta marrë vesh opinioni publik shqiptar se në Shkodër bëhen pazare me monumentet e Heronjve. Jemi një grup pensionistësh dhe veteranë të LANÇ-it, të lagjes “Partizani” Shkodër. Jemi shumë të indinjuar nga padrejtësitë që bën Këshilli Bashkiak i Shkodrës që nuk pranoi vendosjen e Pesë Heronjve në një vend të përshtatshëm në qendër të qytetit. Kjo ka irrituar shumë qytetarë shkodranë. Këshilli Bashkiak ka bërë dy gabime të pafalshme, i pari në mënyrën më poshtëruese i shkuli dhe i vendosi atje ku hidheshin plehrat e qytetit; tani bëri gabimin e dytë, se nuk pranoi t’i vendosë jo më atje ku ishin, por as në një nga lulishtet e qytetit. Nuk e dimë që qytetarët shkodranë paskan një këshill bashkiak që nuk përfill dëshirat e qytetarëve të vet dhe të kërkonte falje për gabimin e parë. Edhe një këshill fashist nuk do ta bënte këtë gjë. Kjo është një tallje publike, një poshtërsi që të zgjedhurit bëjnë pazare e karshillëk. Heronjtë e Vigut nuk janë vetëm një simbol patriotik që këta pesë djem me besime të dy feve (katolikë e myslimanë) u bashkuan në luftë, por dhe një vepër artistike e punuar me mjeshtëri, dhe vendosja e tyre në qendër u bë sepse e meritonin për sakrificën që bënë karshi kriminelëve. Por në Shkodër ka akoma elementë me ide fashiste, sepse antifashistet përçmohen nga pushtetarët e djathtë por jo nga populli, kjo është thënë hapur nga ish kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, që “Pesë Heronjve” t’u vihet litari dhe t’i hedhin në vendin e plehrave. Eshtë paradoksale që goja e kryetarit të Bashkisë të thotë “vendosini ku të doni vetëm në qytet jo”.

Por ne kemi kritika dhe për këshilltarët e majtë megjithëse nuk e kanë shumicën në këtë këshill. As Kryesia e PS-së nuk u ndje fare; përse i duhet Shkodrës kur kjo parti që mbron vlerat e LANÇ të mos ngrejë popullin e të kundërshtojë. Po ashtu kemi pretendime dhe për deputetët e Shkodrës që sa morën mandatin nuk kanë bërë as një takim ata me gjithë zotin Rama; kur gjatë fushatës elektorale na premtuan se 5 heronjtë do venë në vendin e tyre.

Si përfundim themi se 5 Heronjtë e Shkodrës u dënuan e u çuan në një vend të gabuar, e tani në një vend akoma më të gabuar. Ne si veteranë kërkojmë me këmbëngulje që monumenti të vihet në një vend të përshtatshëm në brendësi të qendrës atje ku qytetarët t’i nderojnë e t’i respektojnë.

Me nderime e respekt, Selman Drezhda, Rakip Halili, Smail Arifi, Eqerem Kajo, Adem Kurtulaj, Dule Hasani, Luan Maliqi, Shaban Alla etj.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *