Pas disfatës dërrmuese që pësoi në zgjedhjet politike të 23 qershorit, të gjithë menduan e shpresuan që, më në fund, partia që humbi pushtetin do të shqyrtonte me seriozitetin e nevojshëm të gjitha shkaqet që i sollën atë humbje totale në mbarë vendin dhe pastaj do të dilte në përfundimet e duhura për të nisur një udhë të re . Një udhë të re që do ta shpinte në ringritje të shpejtë e të mbështetur në kuptimin e mirë të kërkesave që shtron një alternativë e Djathtë e kohës dhe e vendit ku jetojmë, si dhe në respektimin e idealeve të demokratëve të vërtetë shqiptarë dhe jo më në babëzinë e të regjistruarve si demokratikas vetëm për të rrëmbyer qelepiret e pushtetit të fituar me manipulimin e zgjedhjeve e të mbajtur me çdo kusht e me çdo mjet, deri edhe me krimet shtetërore si vrasja e qytetarëve protestues në mes të bulevardit të Tiranës e në mes të ditës.
U zhgënjyen të gjithë ata që shpresonin për atë lloj qëndrimi të partisë të quajtur edhe “demokratike” vetëm për arsye të tregut politik. Dhe u zhgënjyen, sepse harruan historinë 23 vjeçare të kësaj partie , të lindur në zyrat e mykura të Partisë së Punës. U zhgënjyen të gjithë dashamirësit e kësaj partie, por u zhgënjyen edhe të gjithë ata qytetarë të këtij vendi, që partitë politike shqiptare i quajnë pasuri të politikës kombëtare dhe dëshirojnë e shpresojnë përherë që ato të synojnë përparimin e vendit nëpërmjet demokracisë funksionale dhe begatimit të tij nëpërmjet punës ndërtuese të njerëzve të lirë.
Në vend të këtij qëndrimi logjik, që pritej nga të gjithë pas humbjes së rëndë e të përgjithshme të 23 qershorit, partia e mësuar me pushtet të dhuruar na dhuroi serinë e shfaqjeve propagandistike të radhës. Na shfaqi një dorëheqje të përlotur të brigadierit, një dorëheqje e paparë në botë për nga mënyra si u njoftua publiku i gjerë. Brigadieri i pushtetit humbës na tha se po jepte dorëheqjen, në një kohë që paskej bërë mrekullira dhe ky popull mosmirënjohës nuk ia dinte për nder (!) Por duket që dhe ajo dorëheqje sui generis ishte vetëm një nga ato “deklaratat e tij elektorale”…
Duket që dhe lotët e tij aq përvëlakë, që shoqëruan deklaratën e tij për dorëheqje pa dorëheqje, i buronin pikërisht sepse këtë herë nuk i mori dot më krahë kutitë e votave dhe doli ajo që dihej nga shumë shqiptarë e thuhej vetëm nga pakë veta: doli që pas humbjes së referendumit të Kushtetutës në vitin 1994, brigadieri i pushtetit të humbur më 23 qershor dhe partia e tij private nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje, por vetëm i ka vjedhur. Dhe pasi i ka vjedhur, është tallur me popullin e me opozitën bashkë (madje duke pasur gjithnjë në radhët e veta edhe skuadrën speciale të opozitës) duke deklaruar gjithë mburrje se “ai ishte vendimi i sovranit”. Me atë “sovran” që përmendte gjithë mburrje, duket që nuk e ka pasur kurrë fjalën për popullin, por për veten e vet.
Ndryshe si mund të jepeshin prej tij ato shfaqje bajate, që nga njohja e mosnjohja e zgjedhjeve, aq e ngjashme me atë alternimin absurd të pohimit e mohimit në frazën e tij më të shpeshtë:”Unë ju siguroj ju, po,po! Jo,jo!” e tek ankimi se i paska vjedhur zgjedhjet opozita e deri tek ajo palo gara brenda partisë për të “zgjedhur kryetarin e ri”. Një garë që provoi tanimë edhe për vetë “besnikët e partisë” se PD-ja e Berishës nuk i njeh zgjedhjet e lira e të ndershme as brenda partisë e jo më në garat me kundërshtarët e saj politikë.
Edhe ai marifeti “një anëtar , një votë”, që nuk njihet ende nga statuti i PD-së , u përdor pikërisht për të trukuar garën brenda partisë. Edhe listat e anëtarësisë, që dolën se nuk i ditka as udhëheqja e saj, që di të mësojë dhe Amerikën e Europën bashkë sesi të përballojnë krizën ekonomike botërore, na doli që nuk lejoheshin të bëheshin të njohura për të dy kandidatët(!) Për të mos përmendur atë matrikulimin nazist të fletëve të votimit, që bëhet me “qëllimin e mirë” të pastrimit të partisë nga kundërshtarët e kandidatit për kryetar në epruvetë. Kandidat i caktuar me kohë nga kryetari i dorëhequr vetëm sa për të kaluar nga kryetar në “udhëheqës legjendar”…
Ai matrikullim i fletëve të votimit në një garë brenda partisë, u tregoi edhe demokratikasve më fanatikë e më të verbuar nga shkëlqimi i rremë i “ideve gjeniale të udhëheqësit të lavdishëm”, që nuk i del të mbetet as brenda partisë e as brenda Shqipërisë, po na fanitet edhe si “udhëheqës rajonal” edhe ( Zot na ruaj mendjen e kokës!) si “udhëheqës planetar”!…
Ai matrikullim i fletëve të votimit për një garë brenda një partie politike, dëshmoi faqe anëtarëve të PD-së, faqe të gjithë shqiptarëve dhe faqe mbarë botës, se ajo parti nuk i pranon dot zgjedhjet e lira e të ndershme as brenda radhëve të veta. Sikurse dëshmoi se ata që vjedhin pa lapë syri edhe shtëpinë e tyre, nuk kanë më sy e faqe të ankohen se u paskan vjedhur zgjedhjet. Se janë tepër të pabesueshëm. Janë ashtu në rolin e njohur të hajdutit që bërtet: “Kapeni hajdutin!”
Me atë matrikullim të fletëve të votimit brenda partisë, u dëshmua botërisht se PD-ja nuk është më një parti normale politike, por është kthyer në një parti private, apo në një parti familjare, që nuk ka asnjë lidhje me demokracinë e me idealet e demokratëve të natyrshëm. Nuk ka më asnjë lidhje më shtresat që mëton se përfaqëson, sepse përfaqëson vetëm një person e një familje dhe , e shumta, edhe ndoca mehmurë nga ata që bëjnë pasuri në Shqipëri duke u tallur me varfërinë e shqiptarëve dhe me zhvillimin normal e me vetë të ardhmen e Shqipërisë. Sepse kjo skotë mehmurësh , që janë një dëshmi arkeologjike e bejlurçinave të perandorisë otomane dhe e “goxha kuadrove” të Partisë së Punës, lëvrijnë në politikën shqiptare sa për të vënë pasuri duke rrëmbyer ç’t’u dalë përpara dhe pastaj shkojnë për të jetuar në vende, ku e blejnë azilin me para të thata. Kjo skotë mehmurësh të babëzitur, u rrinë rrotull brigadierëve të pushtetit të radhës në Shqipëri, sepse janë si ato bimët kacavjerrëse. Sepse nuk kanë as kërcell e as rrënjë të sigurta. Prandaj dhe i merr era sa herë që ndërrohen pushtetet dhe shkojnë nëpër vende të huaja me emra të këmbyer.
Me këtë skotë birbosh nuk mund të niset një udhë e re. Me këtë takëm karkanxhollësh politikë, që mbajnë nga shtatë e nga tetë pasaporta edhe kur janë ministra, sikur të qenë kriminelë të kërkuar nga Interpoli, nuk ringrihen dot partitë politike, që bien aq keq nga pushteti si pasojë e sëmundjes së tyre për pushtet të pakufizuar. Me këta “goxha kuadro”, që e nisin si shërbëtorë shpinëthyer, të përulur e të panjohur dhe një ditë të bukur dalin mbi ujë si brigadierë pushteti, nuk besoj se një parti politike e dërrmuar nga barra e zullumeve të veta mund të arrijë të ringrihet.
Me këtë lloj kryetarësh të rritur në epruvetë, vetëm për të garantuar pandëshkueshmërinë e brigadierëve zullumqarë të pushtetit të sëmurë, shqiptarët janë të velur që në ato kohë të largëta kur diktatori i plakur i dërgoi në thertore të gjithë ata që e kishin mbajtur dyzet-e-kusur vjet në pushtet, vetëm që të garantonte pandëshkueshmërinë e familjes së vet biologjike dhe të shpurës së vet politike.
Ky është avaz i vjetër e nuk ka të bëjë fare me ndonjë fillim të ri. Ky është vetëm një fillim i ri me avazin e Mukës. Mjafton të dëgjoje lumin e lëvdatave, me të cilin u përpoq të shpëlante disi hyneret e delfinit të vet brigadieri i dorëhequr sa për “deklaratë elektorale” dhe e merr vesh cilido që këtu vetëm për fillim të ri nuk bëhet fjalë.
Se të gjithë shqiptarët e dinë si u bë dhe Rruga e Kombit vetëm për të vjedhur në emër të kombit. E dinë të gjithë shqiptarët sesi u shit me sukses shelfi detar i Shqipërisë vetëm për të siguruar mbështetjen e pushtetit. E dinë të gjithë shqiptarët sesi u manipuluan me sukses listat e zgjedhësve nga ekipi i posaçëm i ministrisë së Brendshme. U manipuluan aq keq, sa sot nuk dinë as listën e anëtarëve të vetë Partisë Demokratike. Edhe ajo listë është katandisur si libri i adresave të qytetit të Tiranës, ku të vetmet adresa të sakta janë”pas stadiumit “Qemal Stafa”, “tek stadiumi Dinamo”, te Pallati me Shigjeta”, tek Liqeni” etj…
Për të mos folur për suksesin në Bashkinë e Tiranës, sukses i padëgjuar që nis qysh me mënyrën sesi u vodh ajo bashki më 11 maj…E për të vijuar pastaj me prerjen barbare të lisit shekullor përpara Galerisë së Arteve, me prerjen rrënuese të pemëve në Rrugën e Elbasanit e në Sheshin e Namzgjasë. Me gjymtimin aq të shëmtuar të Sheshit Skënderbej…Me pushimin nga puna e nxjerrjen nga zyrat me polici të punonjësve profesionistë të Bashkisë së Tiranës qysh në ditët e para të kryetarit të emëruar…Dhe sot, ky lloj kryetari në epruvetë u betohet atyre militantëve, që votuan për të pa qenë fare anëtarë të PD-së, se do t’i mbrojë nga pushimi “i padrejtë nga puna”(!)…
Pas deformimit të hapët edhe të garës zgjedhore brenda partisë, me sa duken bathët, janë larg pashkët e ringritjes së PD-së si parti politike normale e këtij vendi. Dhe kjo është fatkeqësi jo vetëm për PD-në. Kjo është cen i rëndë për vetë demokracinë funksionale, që duam të gjithë të ndërtojmë në Shqipërinë tonë.
Prandaj, mendoj se, që të mos ketë më 23 qershor, PD-ja e ka të nevojshme e të domosdoshme të mos qëndrojë më gjatë si një vagon i ndryshkur i Uzinës Dinamo. Partia Demokratike duhet të zgjohet e të marrë atributet që i jep emri. Të kthehet në një parti politike të shëndetshme të demokratëve të vërtetë dhe të mos qëndrojë më pronë private apo familjare e komunistëve të fundit në pushtet në të gjithë Europën Lindore. Se fillimi i ri nuk bëhet dot me kryetarë në epruvetë. Nuk bëhet dot fillim i ri me avazin e Mukës.
Asgje nuk mund te ndertohet mbi nje genjeshter “groteske”…!PD po nuk braktisi rrugen qe ka pasur ate te mashtrimit qe ne fillimat e saj si edhe te heqi nga disketa pasi ti kerkoje llogari per politiken pa politike qe ndoqi “eskavatoristi komunist”nuk do te ngrere koken kurre as per 23 vjet te tjera se eshte bere pluhur nga brenda nga brejtja e “minjve”te dhjamur qe kane bere folene brenda saj.
Imagjinoni sikur te kishin fituar keto plehra ……………… Keto kane humbur dhe na cane trapin…………..
Pyetje per shkrues dhe komentues, ka ndo 1 akt-padi te dokumentuar per kete apo keta kriminel te pa fytyr, vampir te pa ngopur, populli do te di kur do te dalin perpara drejtesis ky kriminel i shqiptarizuar, me analiza dhe kritika ky ka 1000 vjet jete keta i kane hypur ;;;;;;dhe po varin kembet,kaq nuk e kuptojn ata qe kane ne dore (ligjin) se duhet vepruar pa humbur kohe apo mos kemi nderim portash jo ekipi dhe vazhdon azi qe nga 44tra dhe ne si puna e ( o ziuTrifoni lindi me trisk dhe vdiq me tollon ).