Ish-ministri i Drejtësisë, Haki Demolli, është shprehur se Gjykata Speciale nuk do të merret vetëm me hetimin e pretendimeve të senatorit zviceran Dick Marty, për edhe me çështje të tjera.
Ai ka thënë se gjithçka rreth kompetencave të kësaj gjykate do të dihet vetëm kur të përpilohet statuti i saj.
Mendojmë se, bazuar në të gjitha zhvillimet që kanë qenë, Kuvendi i Kosovës ka vepruar drejt dhe në mënyrë të mirë. Besojmë se gjykata nuk do të merret vetëm me ndjekjen e individëve që janë theksuar në raportin e Dick Martyt. Kjo gjykatë do të merret edhe me hetimin dhe shqyrtimin e rasteve të tjera të cilat kanë të bëjnë me prejardhjen e pasluftës. Eventualisht edhe me çështje të natyrës tjetër. Me qartë do të dimë vetëm kur të hartohet statuti i kësaj gjykate, ku do të parashihen kompetencat e saj”, ka deklaruar Demolli për “Epokën e re”.
Duke folur rreth deklaratës së ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, e cila ka thënë se nuk ka pasur nevojë për themelimin e një Gjykate Speciale, Demolli e ka vlerësuar si qëndrim personal të saj. Ai ka deklaruar se vlerësimet e Del Pontes janë jashtë rrjedhave aktuale ndërkombëtare.