Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Teksa mbillte virtytin, Heroi Faslli Koreshi korrte nderin
Është i mirënjohur fisi Koreshi në qytetin e Lushnjes. Një fis i përbërë nga njerëz të thjeshtë e mjaft punëtorë. Njerëz, që, si i thonë, shikojnë punën e tyre.
Prej këtij fisi kanë dalë figura të spikatura, që i bëjnë nder jo vetëm vetes së tyre, familjes e fisit, por edhe tërë komunitetit myzeqar të Lushnjes.
Mes këtyre shquhet Vath Koreshi, shkrimtar e skenarist nga më të mirët e Shqipërisë. Falë respektit që gëzonte në Lushnje, qe zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Po nga fisi Koreshi është edhe këngëtarja e talentuar Elida Koreshi, aktualisht kryetare e Këshillit Bashkiak të Lushnjes.
Kur bëhet fjalë për fisin Koreshi, atyreve të moshës mbi pesëdhjetë vjeç i shkon mëndja edhe te i ndjeri Xhaferr (Xhaf) Koreshi, një ish kuadër skrupuloz me ligjet e shtetit. Doemos, mëndja u shkon edhe te i ndjeri Qemal Koreshi, që arriti deri Sekretar i Këshillit të Organizatës së Frontit Demokratik të rrethit. Ndërsa Refati ka pas kontribuar si sekretar i byrosë së Partisë të kooperativës bujqësore të Fier – Sheganit e deri punonjës në aparatin e Komitetit të Partisë së rrethit të Lushnjes. Vajza e Qemalit, Teuta, aktualisht është nënkryetare e Bashkisë së Lushnjes.
Ndërkohë, janë dhjetëra e dhjetëra djem e vajza të fisit Koreshi që kanë mbaruar arsimin e lartë dhe sot punojnë në Bashkinë e Lushnjes, në Tiranë, Greqi, Itali e deri në Amerikë.
Fshehurazi familjes, shkon partizan
Le të ndalemi te i ndjeri Faslli Koreshi, që do të jetë personazhi i shkrimit tonë
I lindur më 9 mars të vitit 1928 në lagjen “Loni Dhamo” të qytetit të Lushnjes, Faslliu mbeti jetim që kur ishte tre vjeç. Teksa ndahej nga jeta i ati, Qazimi, të pesë fëmijët e vet ia la amanet të vëllait, Qamilit. Kështu, jetimët njohën për baba xhaxhain e tyre.
Ndonse të shumtë në familje e, për më tepër, edhe pse i ngarkuar me shumë punë që fëmijë, Faslliu nuk iu nda shkollës. Viteve të Luftës për çlirim, që fare i vogël në moshë u aktivizua gjallërisht në Rininë Antifashiste të qytetit. Dhe vjen një ditë e zhduket nga shtëpia!
– Nga na shkoi djali?! – kishte ngritur zërin tepër i shqetësuar xhaxhaj i vet, Qamili.
– Është larguar së bashku me Mustafa Koreshin dhe Met Xhajën, – i kishin kthyer përgjigje.
Sidoqoftë, u mor vesh: djemtë kishin shkuar atje ku formohej Brigada XVI Sulmuese Partizane. Ngrihet xhaxha Qamili dhe e mban frymën në Therepel të Skraparit. Bisedon me vet Komandantin e Brigadës, Rrahman Ruçi, duke iu lutur që ta merte me vete Faslliun e vogël. “Është jetim, – i kishte thënë. – Ma ka lënë amanet vëllaj që ta rris unë. Jam gati të sjellë këtu një nga fëmijët e mi”.
– Baba (kështu i drejtohej Faslliu xhaxhait të vet), kam vendosur të qendroj partizan.
Dhe qendroi rreshtave partizane. Pas disa javëve, aty nga 18 tetori i vitit 1944, ndërsa luftohej për çlirimin e Lushnjes, partizani i vogël Faslli pat shkuar për pak orë në familje.
– U shmallëm, – u pat thënë njerëzve të familjes. – Tani më duhet të shkoj, sepse detyra na kërkon që të vazhdojmë luftën…
Dhe mori rrugën për te shokët.
Kryetar në kooperativën bujqësore të Golemit
Si shumë të rinj e të reja lushnjare, edhe Faslliu u përfshi në brigadat vullnetare të Rinisë. Shtronin rrugë, rindërtonin shtëpitë e dëmtuara, hapnin kanalin e madh të Vlashukut, i cili do të shpërndante Myzeqesë ujin e rezervuarit të Thanës.
– Ore djalë, afroju shtëpisë e bëj ndonjë plaçkë, se do të martohesh, – e këshillonin në familje.
Edhe pse i dëgjonte me shumë respekt, Faslliu vazhdonte rrugën e nisur. Nuk vonoi dhe u gjend në hekurudhën Durrës – Peqin. Jo thjesht vullnetar, por drejtues e organizator.
Ishte a nuk ishte njëzet vjeç dhe e emërojnë punonjës në Komitetin Ekzekutiv të qytetit. Mbas disa muajve e caktojnë kryetar të Lokalitetit të Gradishtës. Ishte koha kur djaloshit të ri do t’í duhej të punonte më shumë në terren, se sa në zyrë. Ishte koha, kur do t’i duhej të ndihmonte për hapjen e shkollave të reja, për luftën kundër analfabetizmit, për higjienizimin e fshatrave e deri për krijimin e kooperativave bujqësore.
Dhe vjen një ditë kur e thërresin në Komitetin e Partisë të rrethit.
– Byroja e Partisë së rrethit ju ka rekomanduar të jeni kryetar i kooperativës bujqësore të Golemit, – i qe drejtuar Rrapi Gjermëni, Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit.
Rrapi kishte qendruar një hop dhe kishte vazhduar:
– Ju ka rekomanduar, sepse në fakt është vet asambleja e kooperativës bujqësore të Golemit ajo që do të mund t’jú zgjedh kryetar.
Faslliu kishte shkuar në shtëpi dhe i kishte treguar bashkëshortes së vet, Azbijes, bijë nga fisi Lule e fshatit Shegas të zonës së Golemit.
– Dëshiron apo nuk dëshiron të bëhesh kryetar? Se, po nuk deshe, shkoj unë në Shegas te njerëzit e mi dhe u them që ta kundërshtojnë kryetarllëkun tënd!
Mirëpo, çdo gjë ishte kopsitur si jo më mirë. Faslliu zgjidhet kryetar me unanimitet të plotë.
Bashkëbisedimi me Enver Hoxhën
Kur shkoi së pari kryetar i kooperativës bujqësore të Golemit, kjo ekonomi bujqësore nuk shpërndante më shumë se tetëdhjetë lekë për ditë pune! Fukarallëk! Nuk dije nga ta kapje! Mbetën fshatarët golemas duke shitur dru në qytet! Duhej ndryshuar gjëndja ekonomike e vendasve. Faslliut do t’i duhej të qendronte me orar të zgjatur arave të kooperativës. Të kontrollonte, por edhe të ndihmonte.
– I hipte biçikletës “Mifa” kur ende s’ishte gdhirë dhe e gjeje në Golem pa lindur dielli, – tregon i biri, Agroni. – Një herë apo dy herë në javë që vinte në shtëpi mbrëmjeve, shumë vonë, më duhej t’i laja çismet.
Brënda vitit të parë të punës si drejtues i ekonomisë, treguesit ekonomiko – financiarë u rritën ndjeshëm. Vitin tjetër kooperativa dyfishoi prodhimin dhe shpërndau mbi 130 lekë për ditë pune, ndërkohë që u mbajt një fond i konsiderueshëm rezervë.
Në vitin 1969 kooperativa bujqësore e Golemit u radhit midis ekonomive më të përparuara të rrethit. Ishte edhe kjo një nga arsyet që ish Presidiumi i Kuvendit Popullor t’i akordonte Faslliut titullin më të lartë: Hero i Punës Socialiste.
Më 1korrik të vitit 1968 në kooperativën bujqësore të Golemit shkoi për një vizitë pune vet Enver Hoxha i shoqëruar nga Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit, Rrapi Gjermëni dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit, Uani Hila.
Siç e deshte protokolli, i pari e kishte marrë fjalën kryetari i kooperativës. Mes të tjerave kishte folur edhe për një “nisiativë” të ideuar nga baza dhe të mbështetur nga rrethi, sipas së cilës kooperativistët viçat meshkuj t’ia falnin ekonomisë bujqësore (!), ndërsa mëshqerrat t’ia shisnin. E tha si me droje këtë “nisiativë”, sepse në fakt Faslliu nuk kish pas qënë dakort me të.
– Ky problem duhet rishikuar, – kishte ndërhyrë Enveri. – Nuk është normale të jepen falas viçat meshkuj, ndërkohë që ata janë pronë vetjake, nga shitja e të cilëve kooperativistët mund të ndërtojnë shtëpi apo të blejnë mobilje a orendi.
Ndërkohë që Enveri fliste, kryetari i kooperativës shikonte nga ata që e shoqëronin, duke lënë të kuptohej se nuk kishte qënë mendimi i tij çështja e dorëzimit falas të viçave meshkuj.
Deri aty nga viti 1974 Faslli Koreshi drejtoi me shumë aftësi kooperativën bujqësore të Golemit.
Shokët i trajtonte si t’i kishte vëllezër
Tepër shoqëror me të gjithë, falë sjelljes me takt shoqëruar edhe me një dozë humori që i buronte nga brenda shpirtit, Faslli Koreshi i bënte për vete kuadrot e specialistët. Ai e kuptonte, se urdhëri që jepte nuk do të mund të pinte ujë pa respektin që duhej të ushqente vartësi për eprorin. Kolektivin e kuadrove e të specialistëve ai e konsideronte si një familje, ku jetohej jo thjesht me diktatin e urdhërave, por me peshën e ndjenjave të ndërsjellta.
Në një rast zhvillohej një mbledhje e zgjeruar e kuadrove dhe e specialistëve. Një nga përgjegjësat e sektorëve nisi të kollitej. Erdhi një çast, kur kryetari nuk e pati të lehtë të vazhdonte. Tjetrit sa nuk i shkuleshin mushkëritë.
– A jeni vizituar te doktori? – i qe drejtuar kryetari.
– Jo, sepse nuk kam pasur nge! – i qe përgjigjur përgjegjësi.
– Ashtu?! Dhe e ke lënë veten deri në këtë gjëndje?!
E njihte mirë atë kuadër. Familjar i rregullt, por me një tufë fëmijë. Kishte qendruar një çast dhe i qe drejtuar sërish:
– Kur të mbarojmë mbledhjen do të vish pak në zyrën time.
– Dakort, shoku kryetar.
Mbledhja kishte vazhduar deri vonë. Pas mbarimit të saj, së toku me përgjegjësin e sektorit Faslliu kishte shkuar në zyrën e vet. E kishte ulur në karrike dhe i qe drejtuar me shumë dashamirësi:
– Merre pallton time dhe vishe. Ta kam falur…
– Jo, këtë nuk mund ta bëj.
– E ke të vështirë ta mbash veshur?! Mos të të vijë zor. Mua më rri e vogël, pastaj… kam menduar të blej një tjetër.
Me hir a me pahir, tjetri e kishte marrë pallton e madhe të kryetarit.
Kur Faslliu kishte shkuar në shtëpi, bashkëshortja, Azbija, teksa e kishte parë pa pallton e madhe, i qe drejtuar e shqetësuar:
– Në këtë palcë dimri ke harruar të veshësh pallton?!
I shoqi i kishte buzëqeshur lehtë dhe, ashtu si me humor, ia pat kthyer:
– Siç e di, më rrinte e vogël, prandaj ia fala një shoku. Do të blej një tjetër.
Azbija nuk kishte folur. Ajo e njihte shpirtin bujar të të shoqit.
I udhëhequr vazhdimisht nga shpirti praktik
Ishte koha që nisi të ndërtohej Uzina e Plastmasit pikërisht aty ku degëzohen rrugët për në Berat dhe Fier.
– Kemi menduar të të caktojmë përgjegjës të punimeve për ndërtimin e Uzinës së Plastmasit, – i kishin thënë në aparatin e Komitetit të Partisë të rrethit.
Faslliu nuk e kishte menduar se do të mund t’i propozohej një detyrë e tillë.
– Atje do të duhet të caktohet ndonjë inxhinier, sepse e atillë është natyra e punës, – u qe drejtuar i porsaemëruari.
– Mos u bëj marak për këtë, – ia patën kthyer. –Ju njohim mirë; ju jeni drejtues shumë i aftë dhe organizator i zoti. Ja, këto duhen…
Shkoi Faslliu në kantierin e ndërtimit të Uzinës së re dhe filloi detyrën. Puna ia donte të merrej me specialistë kinezë. Orë e çast me përkthyesin mbas vetes. Kështu paradite, mbasdite e po kështu deri në mbrëmje vonë.
Tingëllon si barcoletë, por është krejt e vërtetë: Mbas një shërbimi triditorë në Tiranë, Faslliu kthehet në Uzinë.
– Çfarë pune është bërë gjatë këtyre tri ditëve? – pat pyetur brigadierin shqiptar të punimeve.
– Asgjë!
– Si asgjë?!
– Ka munguar përkthyesi nga që është i sëmurë, kështu që ne nuk mund të komunikonim dot me kinezët…
Faslliu e kishte parë në sy shokun e vet dhe i qe drejtuar:
– Hajdeni me mua, se do të flas vet me kinezët…
– Do të flisni ju me ta?!
– Po, po; do të shërbej unë si përkthyes…
S’kishte pritur më gjatë, por u kishte bërë shënjë shokëve që ta ndiqnin nga pas.
Duke shfrytëzuar nja dhjetë fjalë kineszçe që kishte mësuar atyre javëve, shoqëruar edhe me disa gjeste, u tregoi kinezëve frontin e punës ku duhej të vazhdonin.
Njëri i veprimit praktik, Faslliu i hapte rrugë punës.
Leksioni interesant i Faslliut
Teksa i drejtohej moshës së pensionit, Faslli Koreshin e emërojnë kryetar të degës së Gjelbërimit në Ndërmarrjen Komunale të qytetit. Në dukje qe detyrë e lehtë, por në fakt dilnin mjaft probleme. Një pjesë e mirë e punonjësve ishin të komunitetit egjyptian. Njerëz të heshtur dhe mjaft punëtor. Babaxhan siç ishte kryetari i ri degës së Gjelbërimit, kishte gjetur gjuhën me të gjithë punëtorët.
Erdhi një kohë që u zgjerua fronti i punës dhe kërkohej fuqi punëtore shtesë, mirëpo… ishin të paktë ata që pranonin për t’u sistemuar në këtë sektor.
– Mos u mërzit, se do ta zgjdhim ne problemin, – i patën thënë në aparatin e Komitetit të Partisë së rrethit. – Kemi planifikuar të organizojmë një takim të zgjeruar me shumë të rinj e të reja, ku do të flasim për pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit dhe, në përgjithësi, për detyrat në Ndërmarrjen Komunale.
Teksa dëgjoi t’i thuhej kështu, Faslliu u ndje i lehtësuar. Mendonte, se tashmë do të mund t’i vinin edhe të tjerë punonjës, duke krijuar kësisoj një komunitet më të harmonizuar njerëzish.
Vjen punonjësi i Komitetit të Partisë dhe ia nis leksionit: “Partia është kujdesur, që… Partia ka orientuar, se… Partia ka besim, se me komunistët në ballë do të…”.
Filluan pëshpëritjet në sallë. Duket që u mërzitën ata që dëgjonin. Kuptohet, u mërzit edhe vet përgjegjësi i sektorit të Gjelbërimit.
Mbas një ore ligjëratë të punonjësit të Komitetit të Partisë, kërkoi leje të thoshte dy fjalë edhe vet Faslliu.
– Të dashur të rinj e të reja!
Dhe vazhdoi: Unë e kuptoj, se juve ju vret veshin kur dëgjoni fjalët: Ndërmarja komunale! Po e dini ju se kush është kjo ndërmarrje?
Të gjithë i mbërthyen sytë te ai që u fliste.
– Ngrihesh në mëngjes dhe ndez dritën elektrike: energjinë ta sjell komunalja. Shtrihesh në mbrëmje për të fjetur: krevatin ta bën komunalja. Shkon për të larë fytyrën: çesmën ta vendos komunalja. Ulesh në lulishte për t’u shlodhur: stolat t’i vendos komunalja…
Të gjithë qendronin tërë sy e vesh nga ai që fliste.
– Kur lind, të duhet djepi. Djepin ta bën komunalja. Po kur vdes? Të duhet arkivoli. Edhe arkivolin ta bën komunalja…
Vazhdoi të fliste Faslliu dhe të gjithë e dëgjonin me shumë vëmendje.
Në fund u dëgjua të thoshte punonjësi i Komitetit të Partisë:
– Më ftove të flas këtu, tani po të ftoj unë që të na flasësh në aparatin e Komitetit të Partisë. Paskemi edhe ne nevojë për leksionin tënd.
Faslliu të kuptonte pa fjalë dhe të lexonte pa shkronja. Kudo që pat punuar pat mbjellë virtytin dhe pat korrur nderin.
Faslli Koreshi u nda nga jeta në Lushnje më 23 mars të vitit 1999.

Kam lexuar shume shkrime te gazetarit dhimiter Shtembari kushtuar njerezzeve te mire e punetor E pergezoj kete gazetar se na sjelle ne vemendje figura te tilla si faslli Korreshi qw i dhane shoqwrise me shume se sa moren prej saj. Te lumte pena o Dhimiter per keto shkrime qw pershkohen nga dashuria per njeriun!
Asht per te qeshur me filozofin e te pjerdhurit te shprehijeve nepermjet fjalve kuturu.Sec dicka madhore po shpervjelet per ta ba ma interresant situaten e perfundon vete ne pozicion debilit.
Ne cdo ceremoni ku jepen cmime nderit etj etj prezantuesi apo dhenesi i cmimit,shprehet tekstualisht:
Filan fisteku nderohet me cmimin Naim Frasheri(bie fjala).Po nuk thuhet asnjihere qe filanfisteku nderoi cmimin Naim Frasheri.