“Nuk e njohim ndarjen e mandateve nga Kuvendi”

redaktor

Sekretari për Çështjet Elektorale në PS, Damian Gjiknuri thotë se Berisha kërkon të mbajë me forcë mandatet pas sondazheve që e nxjerrin humbës më 23 qershor
Njeriu që kryeson ushtrinë elektorale për procesin zgjedhor në PS, Damian Gjiknuri, shpjegon në një intervistë për “Dita” se pse ndarja e mandateve nga Kuvendi është antikushteuese. Ai shprehet se PS dhe opozita nuk do e njohin këtë ndarje antikushtetuese, kurse faktori ndërkombëtar për këtë çështje të shprehet në kohën e duhur dhe jo pas. Gjiknuri thotë se sondazhet që nxjerrin PS fituese dërrmuese të zgjedhjeve kanë shqetësuar realisht Sali Berishën, ndaj edhe ai po bën gjithçka të demoralizojë shqiptarët duke prishur procesin me të gjitha mënyrat, për të treguar se do i vjedhë përsëri…

 

Zoti Gjiknuri, a do të pranoni miratimin e ndarjes së mandateve nga Kuvendi?

PS nuk pranon dhe njeh asnjë produkt qe vjen në kundërshtim me kodin zgjedhor dhe me parimin kushtetues të barazisë së përfaqësimit. Ndarja që propozon PD është një akt i njëanshëm, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor që kërkon një vendim të KQZ për mandatet,  dhe në shkelje flagrante të parimit të barazisë në përfaqësim,  pasi nuk merr parasysh ndryshimet demografike në qarqe.

 

Pak ditë më parë ju zhvilluat takim me përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, çfarë biseduat konkretisht dhe a gjetët mbështetje?

Shpjegova rrezikun që po i kanoset përgatitjes së zgjedhjeve, diktatin politik të mazhorancës mbi KQZ, nxjerrjen e organit praktikisht jashtë funksionit që i ka përcaktuar ligji, dhe zëvendësimin e KQZ me organe të tjera që nuk i parashikon kodi. Kjo dërrmon besimin e publikut në procesin zgjedhor. Gjithashtu kam kërkuar një qëndrim më të qartë dhe të prerë nga vendet që influencojnë zhvillimet në vend, që problemet, siç është dhe ajo e mandateve të adresohen në kohë, dhe jo të presim që krimi të konsumohet deri në fund për tu marrë më pas vetëm me pasojat. Shqipëria nuk mund t’i falë më vetes zgjedhje me probleme.

 

Disa probleme jo edhe aq të vogla janë shfaqur edhe me çështjen e listave zgjedhore. Si e sheh PS-ja këtë proces, duke qenë se në të kaluarën listat zgjedhore kanë qenë një objekt i madh kontestimesh?

Lista janë publikuar në kohë por me disa probleme. Auditët po punojnë me evidentimin e problemeve dhe janë të gjitha mundësitë ligjore dhe teknike që listat të riparohen në kohë. Listat publikohen çdo muaj dhe çdo problem që ngrihet dhe raportohet të krijon mundësinë të gjurmosh edhe vullnetin për t’i adresuar ato.

 

Zoti Gjiknuri mendoni se jeni duke u treguar pasiv në mënyrën se si po i trajtoni problematikat që shoqërojnë përgatitjen e procesit zgjedhor?

 

Nuk e kuptoj pasivitetin pas pyetjeve të mësipërme që tregojnë se shumë kohë përpara zgjedhjeve ne po evidentojmë probleme që duhet të na shqetësojnë të gjithëve. A ka ligji zgjidhje për këto? Patjetër që ka dhe pikërisht këtë kemi kërkuar me forcë. Por zbatimi i ligjit nuk kërkon vetëm denoncim dhe evidentim të shkeljes, por dhe reagim, që shpesh mungon për shkaqet që unë shpjegova më lartë. Sali Berisha nuk ka vullnet politik të zbatojë Kodin që e ka miratuar vetë më konsensus dhe ky është problemi i vërtetë që kanë zgjedhjet në vend.

 

Sondazhet e fundit duket se e nxjerrin në avantazh opozitën, mos ndoshta jeni të vetëkënaqur duke e nënvlerësuar kundërshtarin dhe a janë të vërteta këto sondazhe?

 

Sondazhet janë  të vërteta dhe përfundimet e tyre i ka të qarta dhe kundërshtari ynë. Si pasojë e panikut që e ka zënë po i shmanget çdo detyrimi për të zbatuar  ligjin zgjedhor më qëllim projektimin e  frikës tek populli, se ai do të “luajë çdo gur”  për t’i rrëmbyer këto zgjedhje.

 

Pesë muaj para zgjedhjeve kemi lëvizje fiktive demografike të popullsisë, falsifikime, manovra me KQZ, shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve. Për të gjitha këto duket se Trojka nuk ka thënë asnjë fjalë, e sidomos OSBE. Si e shpjegoni këtë fakt dhe a u keni kërkuar që të shprehen publikisht?
Ne vazhdimisht kemi kërkuar që ata të shprehen në kohë. Një ndërhyrje e qartë në kohë do të shmangë shumë probleme nesër. Nga ndërkombëtarët kemi dëgjuar se zgjedhjet kanë qenë dhe mbeten kryefjala e të ardhmes së vendit. Nëse Berisha është i vendosur të vazhdojë në rrugë e tij të antiligjit, ndërkombëtarët kanë një detyrim, të paktën t’ua u bëjnë të qartë shqiptarëve se cili po punon që zgjedhjet në vend të mos të jenë të lira dhe të ndershme. Populli është i mençur për të dhënë çmimin secilit dhe di të reagojë ndaj atyre që marrin peng interesat e vendit për pushtetin e tyre.

Share This Article
2 Comments
  • Kam respekt per zotin Gjinuri se duket i sinqerte ne indinjaten e tij. E kam ndjekur pas ketij episodi te ndarjes se mandateve ne disa intervista. Nuk arrij megjithate ta kuptoj sesi nje perfaqesues i popullit (deputet) ne asnje rast nuk permend Gjykaten Kushtetuese. Te krijohet pershtypja e nje ndeshje futbolli ku palet jo vetem qe nuk e njohin arbitrin, por edhe e injorojne absolutisht pranine e tij ne terren. Nese PD-ja sillet si bandite me ligjin ne kendveshtrimin e te majtes, ligji ka parashikuar ne çdo rast instancen ankimore e cila gjykon mbi ligjshmerine. Nuk e kuptoj kete neveri per keto organe, te cilat do te jene po ato dhe neser. Mos te kujtojme se nese PS-ja fiton, Gjykata Kushtetutese do te ndryshoje. As ajo, as keshilli i larte i drejtesise, as prokororia , asnje nga hallkat e drejtesise nuk ndryshon me alternancen, pasi keshtu eshte stisur kushtetuta jone, dhe shume mire qe eshte menduar ashtu; atehere kur kjo PS, i perbuz keto hallka sot ne opozite, si parashikon te bashkepunoje neser ajo me to kur te jete ne pushtet? Qeveri te cilat bejne ligje “bandite” sipas kendveshtrimit te opozites , do i gjesh kudo. Kudo dhe ne Europen e civilizuar. Por ka nje arbiter dreqi ta haje ; ose PS-ja ta pranoje qe ky arbiter nuk i shkon dhe te thote ne program se si do ta zevendosoje; ose te marre mendimin e tij dhe ta respektoje. Me keto veprime , nuk po krijohet nje shtet , por nje anarki, pasi te jemi te sigurt qe dhe PD-ja neser ne opozite do t’i pergjigjet PS-se me te njejten monedhe…Quo vadis?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *