Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
Natyrisht që të gjithë duam që Shqipëria të jetë në nivel me Francën e shqiptarët si francezët. Është dëshirë e ligjshme. Por ama është e tillë. As që kam ndërmend të bëj tifozin, por të jemi më objektivë. Së pari, Franca dhe francezët kanë shekuj që punojnë e derdhin djersë. Shqipëria ka pak më shumë se 100 vjet. Kohë goxha më e shkurtër. Nuk mund të flitet për kohën që ne ishim një provincë periferike e perandorisë osmane. Ata shekuj ishin gati ndalim kohe për sa i përket zhvillimit. Është gabim i rëndë dhe diskriminim i vetvetes që mos të vësh në dukje sukseset në qeveritë qysh nga Zogu e këtej. Nuk ja vlen t’i rreshtosh se janë shumë. Shprehja “Të gjithë qeveritarët e politikanët janë monstra”, tregon më së paku një injorim të asaj që populli shqiptar nën udhëheqjen e atyre që kemi dashur vetë ka arritur. Një sy që veç së keqes sheh edhe të mirën nuk e ka të vështirë t’i shohë. Të presësh nga një qeveri apo disa të tilla ta kthejnë shqiptarin në parizjen në 25 apo dhe në 125 vite, është një ëndërr që po deshe ta shijosh duhet ta lësh të tillë. Ndryshe hapi rrugë zhgënjimit dhe baltosjes me tepri të vendit e vetes tënde. Errësimi apo nihilizmi për çdo gjë të mirë tregon një farë degradimi të natyrës njerëzore. Nuk ka gjithçka të mirë dhe as gjithçka të keqe. Ato ecin bashkë. Për të qenë paksa realistë, çdo qeverie apo dhe personi duhet t’ia njohësh të dy anët. Në të kundërt në mos qofsh i papërgjegjshëm fsheh qëllime të mbrapshta. Profeti
