I nderuar zoti kryeredaktor
Në kohën kur ka shpërthyer debati midis presidentit Meta dhe kryeministrit Rama për një zëvendësministër që propozohet në një pozicion kyç të qeverisë ajo që vihet re është goditja që u bëhet socialistëve dhe ekspertëve të përgatitur të saj duke i nxjerr nga loja e qeverisjes dhe duke promovuar personazhe të panjohur dhe pa lidhje me institucionet ku emërohen.
Pak ditë më parë pamë se si Ridvan Bode nëpërmjet propozimit të Ramës dhe votës së deputetëve të Rilindjes të vendoset në bordin e Bankës së Shqipërisë. Më pas pamë se si ministra anonimë dhe pa asnjë lidhje me të majtën dhe pa eksperiencë marrin pozicione kyçe. Po ju tregoj vetëm një rast se si është nëpërkëmbur dinjiteti i socialistëve dhe kush vihet në drejtim të shtetit. Shikoni zëvendësministren e Brendshme, zonjën Romina Kuko.
Ajo e ka nisur karrierën e saj në vitin 2006 pranë Ministrisë së Mbrojtjes, në Drejtorinë e Integrimit Euro-Atlantik ku ka qenë Desk-Officer për Europën Qendrore dhe Europën Juglindore. Kujtojmë atë kohë që PS sapo kishte humbur zgjedhjet dhe nga administrata po largoheshin të gjithë socialistët.
Zonja Kuko si një investim personal i Fatmir Mediut u afrua në ministri dhe kësaj kohe kishte vëmendjen e posaçme të zotit Mediu. CV zyrtare e zëvendësministres e vërteton këtë ndërsa nga ana tjetër shteti i ndërtuar nga zero nga socialistët po çmontohej dhe në punë po futeshin militantë të PD.
Po ju jap informacion të sigurt se zonja Kuko u katapultua direkt nga Mediu në administratë. Pasi zoti Mediu dha dorëheqjen për shkak të shpërthimit në Gërdec, edhe zonja Kuko nuk qëndroi gjatë dhe u largua për në zyrën e OSBE, dhe atje me ndërhyrjen drejtuesve të PD për shkak të lidhjeve të saj me atë parti.
Më pas ajo propozohet si zëvendësministre e Brendshme, dhe i lihet një sektor që ajo as nuk ia ka haberin, siç është pushteti vendor.
Ky është nj rast tipik se si njerëzit me lidhje të forta me njerëz të opozitës kanë depërtuar në pikat kyçe të qeverisë ndërsa ekspertët socialist janë degdisur si delja e zezë nën qeverisjen e Edi Ramës.
Me respekt për ju dhe Ditën, Aliu